Dëshmitari: Prokurori Salustro më Shantazhoi

Edhe pse ishte paraparë vazhdimi i seancës me dëshmitarin e radhës Urim Krasniqin të njohur si Dëshmitari I, shqyrtimi është ndërprerë përkundër orvatjeve të shumta për ta vazhduar atë.

Fillimisht dëshmitari nuk ishte prezent në sallën e gjykimit dhe dëshminë e tij ishte paraparë ta bënte përmes video-lidhjes. Mirëpo dëshmitari përmes video-lidhjes deklaroi se nuk dëshiron të jetë dëshmitar i mbrojtur.

“Dëshira ime është që mos të më ndërrohet zani. Edhe pse jam dëshmitar i mbrojtur, du me qenë i hapur”, deklaroi dëshmitari Krasniqi.

Pasi gjykata pyeti dëshmitarin nëse dëshiron që të jetë prezent dhe dëshminë e tij ta bëjë në sallën e gjykimeve dhe jo përmes video-lidhjes, dëshmitari u pajtua.

Mirëpo as ardhja e tij në sallën e gjykimit, nuk bëri që dëshmitari të rrëfehet për atë që ishte thirrur në gjykatë.

Ky[Salustro] din veç shantazh, tjetër send nuk din, tha dëshmitari

Pasi prokurori filloi pyetjet ndaj tij, dëshmitari deklaroi se refuzon të përgjigjet në pyetjet e prokurorit Salustro.

“Nuk do të përgjigjem në pyetjet e Salustros” deklaroi dëshmitari, përkundër faktit se respektonte hierarkinë në gjykatë.

Sipas tij “Arsyeja është se ky më ka shantazhu tërë kohën. Çdo gjë që ka marrë nga unë, ka marrë me presion dhe shantazh” shtoi Urim Krasniqi.

Është e qartë si kristali se dëshmitari po shpif gjërat, reagoi Salustro

Edhe pas insistimit të kryetarit të trupit gjykues që dëshmia e tij të bëhet qoftë edhe përmes trupit gjykues, përsëri dëshmitari refuzoi të përgjigjej.  Kjo shkaktoi zvarritjen e gjykimit në sallën e stërmbushur të kinemasë ABC1 në Prishtinë.

Dëshmitari qan në seancë

Dëshmitari i cili qante në sallë, kategorikisht refuzonte të përgjigjej. “I kam thënë njëqind herë se këtij nuk i përgjigjem. Nuk kam tjetër çka shtoj e as mungoj” deklaroi dëshmitari. 

Krasniqi shtoi se “Ky din veç shantazh, tjetër send nuk din”.

Prokurori reagoi duke paralajmëruar dëshmitarin se përveç dëshmisë së rreme si vepër penale, ekziston edhe vepra penale për akuzat e rrejshme.

Urim Krasniqi vazhdoi rrëfimin e tij për shantazhet dhe presionin e prokurorit Salustro.

Sipas dëshmitarit prokurori kishte detyruar atë të pranonte atë që thoshte prokurori. “Ky i ka mar policinë e vet dhe më ka çu në një mal dhe më ka thënë se duhesh me pranu të gjitha që kam thënë unë”.

Dëshmitari vazhdoi “Më ka ardhë prapë te shpia, më ka thënë duhesh më ardhë… ky përsëri nuk është ndalë kurrë”.

“Gjendja ime është shumë e vështirë, ka qenë atëherë dhe është tani” shtoi dëshmitari.

Në fund dëshmitari kërkoi nga gjykata që ta linte rehat atë, sepse është lodhur nga të gjitha. “Mu me më lanë rahat se s’po muj ma me i përballu këto gjëra” tha Krasniqi, duke shtuar se nuk i kujtohej më asgjë nga shantazhi.

Salustro: Dëshmitari po shpif!

Pas këtyre prokuroi Salustro reagoi duke thënë se “Është e qartë si kristali se dëshmitari po shpif gjërat”.

Gjithashtu prokurori shtoi se kërkon nga gjykata që nëse nuk ka arsye ligjore për të refuzuar dëshminë, ndaj dëshmitarit të ndërmerren masat ligjore.

Pas kësaj trupi gjykues pas konsultimit nxori vendim duke dënuar dëshmitarin me shumën prej 100 eurosh, pasi pa arsye dhe justifikim ligjor, ka refuzuar të dëshmojë, duke lënë dëshmitarin të lirë.

Urim Krasniqi i njohur si Dëshmitari I, në dëshminë e tij të dhënë në EULEX me 22 nëntor 2010, kishte deklaruar se ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga muaji prill 1998 deri në muajin gusht apo shtator 1999.

Në rastin “Kleçka”, Arben Krasniqi, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi, Behlul Limaj, Fatmir Limaj, Refki Mazreku, Naser Shala, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj, akuzohen për krime të luftës kundër popullatës civile dhe robërve të luftës.

Limaj ishte liruar fillimisht nga akuzat në maj të vitit të kaluar, por prokuroria ishte ankuar ndaj aktgjykimit dhe rasti është kthyer në rigjykim.

Limaj gjendet nën arrest shtëpiak, pasi gjykata para një muaji kundërshtoi kërkesën e prokurorit për ta mbajtur atë në paraburgim.