Dëshmitare e qytetit që i mbijetoi çdo sfide

Kaltrina Krasniqi e ka parë Prishtinën në ditë të mira e në ditë të këqija. Kjo regjisore e re lindi në vitin 1981, atë vit që shënoi rrënimin e epokës së shkurtër të artë për shqiptarët në Kosovë. 

Protestat e Universitetit të Prishtinës u shndërruan në demonstrata mbarëshqiptare, nëpërmjet të cilave kërkohej më shumë nga rilindja e vogël politike, ekonomike dhe kulturore e cila kishte nisur në gjysmën e dytë të viteve të 70-ta, kur Titoja vendosi t’i japë Kosovës një autonomi të zgjeruar. 

Si foshnjë që banonte në qendër të Prishtinës, fare afër “Grand Hotelit”, Krasniqi nuk i kuptonte efektet e trazirave që po zhvilloheshin pranë saj. 

Ajo fëmijërinë e saj e kujton si të bukur e plot hare. 

“Ka pasur tensione politike, por unë jam kënaqur gjatë fëmijërisë sime këtu, mbase për shkak se Prishtina ka qenë një qytet më i vogël që kurrë nuk është ideuar që të jetë ndonjë qytet i madh”, thotë Krasniqi. 

“Ne fëmijët nga qendra kurrë nuk kemi pasur parqe, por e kemi pasur qendrën e qytetit ama. Të gjithë fëmijët që kanë jetuar në qendër kanë luajtur bashkë, serbë, shqiptarë e të tjerë, por ka pasur siguri”.

Në vitet ‘90 gjërat filluan të përkeqësoheshin. Në vitin 1989 Kosova humbi tërë autonominë e saj, si rezultat i veprimeve të presidentit të Serbisë Sllobodan Millosheviq, ndërsa tensionet mes serbëve dhe shqiptarëve që po margjinalizoheshin, çdo herë e më shumë filluan të përkeqësohen. 

Kur ajo ishte 13-vjeçare, diku nga mesi i viteve ‘90, Krasniqi kuptoi se ndjenja e sigurisë që më parë e kishte tani ishte zhdukur. 

Situata eskaloi në luftë, e cila u ndal tek falë fushatës së bombardimit nga NATO-ja në vitin 1999. Edhe pse lufta më së shumti shkatërroi viset rurale të Kosovës, edhe në Prishtinë kishte rrezik, posaçërisht gjatë bombardimit. Krasniqi së bashku me vëllanë dhe motrën e vet kishin qëndruar në kryeqytet tri javët e para të bombardimit, para se nëna e tyre të gjente një mënyrë për t’i dërguar në Shkup. 

Filmi i saj i fundit, “The Canaries Know”, një tregim fiktiv mbi një familje që qëndroi në Prishtinë gjatë bombardimit është i vendosur pikërisht në këtë periudhë. Në këtë film ndërthuren përvoja e saj me emocione të përziera gjatë asaj kohe, duke qenë se nisja e bombardimit paralajmëronte fundin e një periudhe traumatike, ndërsa vetë bombardimi solli shumë trauma. 

“Kur ra bomba e parë ne ishim shumë të lumtur, por menjëherë pasi që ajo ra ne e dinim se gjërat kurrë më nuk do të jenë si më parë. Ajo na ndryshoi të gjithë neve”, thotë Krasniqi. 

Ndërsa bombat i dhanë fund një periudhe të represionit mbi shqiptarët dhe ua sollën atyre lirinë politike që e kishin kërkuar vite me radhë, ato gjithashtu shënuan fillimin e një periudhe të ndërlikuar për Prishtinën. Qyteti i vogël i dikurshëm u popullua tejmase nga njerëz dhe ndërtesa të reja, gjë që rezultoi me kaos dhe shëmti, në veçanti të krijuar nga ndërtimi ilegal dhe i pakontrolluar. 

Krasniqit i mungojnë disa gjëra nga Prishtina e vjetër, por ajo ka kontribuuar në sjelljen e një jete të re në Prishtinën e re. Bashkë me partnerin e saj-muzikantin Genc Salihun dhe shkrimtarin e ri Baton Domin ajo hapi librarinë dhe kafenë “Dit’ e Nat’”, e cila i ka sjellë diçka të bukur qytetit kaotik në tranzicion. Në një qytet ku kafenetë hapen e mbyllen përditë, “Dit’ e Nat’” ka mbijetuar si vend i frekuentuar nga të gjitha shtresat, nga studentët e shkollave të mesme, akademikët e vjetër, artistët, muzikantët, e deri te punonjësit e organizatave ndërkombëtare, në një mjedis të ngrohtë e të përshkuar me libra dhe gumëzhimë klientësh e muzike. 

“Magjia e Prishtinës qëndron te njerëzit dhe energjia e tyre e pashtershme, një energji që e mban qytetin dhe vetë njerëzit që jetojnë në të. Disa herë kishim bindjen se e tëra kjo do të shpërbëhet, por gjithmonë ka njerëz që punojnë dhe përpiqen që ta mbajnë qytetin në binarë,” thotë Krasniqi. 

Ajo tregon se çfarë do ta bënte një të shtunë të përkryer në Prishtinë.

“Do të shkoja në ‘Dit’ e Nat’’ për kafe – një espreso të shkurtër, e më pas t’i hipi taksisë e të shkoj në parkun e Gërmisë për një shëtitje dhe çaj. Më pas do të kthehesha në qytet, do drekoja në ‘Pjatë’ dhe do vizitoja Galerinë Kombëtare.”