Deputetët Kundërshtues Shpjegojnë Votimin e Tyre

Kundër ligjit për amnisti votuan të gjithë deputetët e grupit parlamentar të Vetëvendosjes. 

Nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kundër votuan vetëm deputetët Nait Hasani e Kimete Bytyqi. 

Kështu votuan edhe deputetët nga Lëvizja për Bashkim, Agim Kuleta dhe Aurora Bakalli, si dhe deputetët e pavarur Alma Lama dhe Emin Gërbeshi.

Përkundër votës së tyre, ligji është aprovuar nga 91 deputetë tjerë më 11 korrik dhe pritet të hyjë në fuqi tetë ditë pas nënshkrimit të tij nga Presidentja e Kosovës.

Ligji i aprovuar amniston ata që kanë kryer veprën penale të rendit kushtetues, të thirrjes për rezistencë, të pjesëmarrjes në turmë e huliganizëm. Veprat e fundit mund të amnistohen vetëm nëse nuk kanë rezultuar në lëndim të rëndë trupor ose vdekje.

Thirrje për rezistencë konsiderohet kur bëhet thirrje që të mos zbatohen vendimet e nxjerra nga personat zyrtarë [institucionet] për çka personi i ndjekur mund të dënohet deri me pesë vjet burg. Nëse një person për shembull nuk ka paguar tatimet për arsye se nuk i ka pranuar institucionet e vendit, konsiderohet e ka bërë thirrje për rezistencë.

Miratimi i tij është bërë në procedurë jo të zakonshme pasi që votimi i parë dhe i dyti kanë ndodhur brenda një dite. Shmangja nga procedura lejohet me rregulloren e Kuvendit të Kosovës nëse për të pajtohen 80 deputetë, siç ka ndodhur për këtë ligj.

Ligji kontrovers nuk ishte votuar herën e parë për shkak të kundërshtimeve të disa deputetëve dhe disa organizatave të shoqërisë civile kryesisht për nenin 3. Ky nen përcaktonte ulje të dënimit prej 20 për qind për disa kategori, përfshirë personat të cilët ende nuk janë dënuar. Sipas nenit 3, që tashmë nuk figuron më në ligj, zbritje nga dënimi do të merrnin personat e hetuar, akuzuar dhe dënuar për veprat penale si disa lloje të vrasjeve, shtrëngimi, kanosja, pengimi i tubimit publik, vjedhja, uzurpimi i paligjshëm i pronës dhe vepra të tjera penale.

Por pse votuan kundër edhe për projektligjin e dytë?

Gazeta ka intervistuar deputetët kundërshtues. Ata thonë se votuan kundër se ligji derivonte nga marrëveshja e 19 prillit në Bruksel, se amnistonte edhe krime jo politike, se nuk është çuar në dëgjim publik ose se nuk ka marrë mendimin e organizatave joqeveritare…

Afrim Hoti: Kryeministri nuk po ndërton paqe mbi drejtësinë

Afrim Hoti

Deputeti Afrim Hoti nga lëvizja Vetëvendosje tha për Gazetën Jeta në Kosovë se janë disa arsye pse nuk e ka miratuar ligjin për amnisti.

“Ndër më kryesoret që më duhet të përmend është fakti se me këtë ligj qeveria e Kosovës po i legalizon krimet makabre që strukturat kriminale të shtetit serb i kanë kryer mbi qytetarët e Kosovës”, tha Hoti.

“Pra, në vend të kërkimit të drejtësisë, Hashim Thaçi në negociata me Ivica Daçiqin po i falë ata”, shtoi ai. “Në këtë kryeministri po e ndërton paqen mbi krimin, e jo paqen mbi drejtësinë. Me këtë ligj Hashim Thaçi shumë paturpësisht ka vendosur të mos jetë në anën e shtetndërtimit dhe vlerave kombëtare”.

Rexhep Selimi: Copy-paste e rekomandimeve të Daçiqit 

Rexhep Selimi

Deputeti Rexhep Selimi, po ashtu nga Lëvizja Vetëvendosje, pohoi për Gazetën Jeta në Kosovë se nuk e ka votuar ligjin për amnisti pasi, së pari, ligji ka ardhur si rezultat i marrëveshjes që është nënshkruar nga kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. “Ne e kemi kundërshtuar marrëveshjen”, tha ai.

Arsyeja e dytë, shtoi Selimi, është se ligji është copy-paste e rekomandimeve “të bëra nga ana e Daçiqit në bisedime”. 

“Po ashtu nuk është ndjekur afati kohor për miratimin e këtij ligji, nuk kanë marrë pjesë organizatat jo-qeveritare dhe nuk është vënë në dëgjim publik”, shtoi Selimi.

Nait Hasani: Në ligj nuk përfshihen luftëtarët e UÇK-së

Nait Hasani

Sipas deputetit Nait Hasani, përkundër ndryshimeve nga projektligji i parë, në ligjin e votuar ende kanë mbetur të meta “të cilat e dëmtojnë interesin e përgjithshëm të Kosovës”.

“Në projektligj, përveç veprave politike në kundërshtim me rendin kushtetues, janë edhe kontrabanda, droga, duhani, nafta…”, tha Hasani, në seancë plenare ditën e votimit.

“Në projektligj po ashtu nuk hyjnë luftëtarët e UÇK-së të cilët kanë bërë luftë çlirimtare dhe tani janë burgosur ose janë nën hetime”, shtoi ai.

Aurora Bakalli: Kundër ligjit sepse jemi kundër marrëveshjes

Aurora Bakalli

Deputetja Aurora Bakalli thotë se arsyeja kryesore prapa votës së saj kundër ligjit për amnistinë është se subjekti politik i saj, Lëvizja për Bashkim, është kundër marrëveshjes ndërmjet Kosovës e Serbisë. “Marrëveshja si rrjedhojë e ka sjellë edhe ligjin për amnistinë”, tha Bakalli.

“Arsye shtesë është fakti që konsiderojmë se ligji është ndërmarrë në mënyrë tepër të ngutshme. Gjithashtu, gjatë analizimit të projektligjit kemi identifikuar edhe amnistime ‘jo politike’ të cilat i konsiderojmë me motive të dyshimta”, shtoi Bakalli.                                                                        

Emin Gërbeshi: Barazohen kriminelët dhe qytetarët e mirë

Emin Gërbeshi

Deputeti i pavarur Emin Gërbeshi i tha gazetës se këtë ligj nuk e ka votuar pasi me të “po barazohen kriminelët me njerëzit e mirë që e kanë respektuar ligjin dhe institucionet e Kosovës”.

“E dyta, më brengos fakti që bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar që të miratohet ligji me çdo kusht pa e shikuar përmbajtjen e ligjit. Nga ana tjetër bashkësia ndërkombëtare në vazhdimësi ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar”, shtoi Gërbeshi.

Alma Lama: Ligji nuk specifikon datën

Alma Lama

Deputetja e pavarur Alma Lama pohoi për Gazetën Jeta në Kosovë se janë tri arsye që e kanë shtyrë të votojë kundër ligjit. 

“Arsyeja e parë është se nuk pajtohem që po amnistohen krimët kundër individit. Me këtë, shteti po i tërheq të drejtën juridike viktimës dhe kjo është në kundërshtim me nenin 22 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenin 13 të Konventës Europiane për të drejtat e njeriut”, tha Lama.

“Arsyeja e dytë është se nuk specifikohet data prej cilës kohë duhet të fillojë amnistia. Pra e lë të hapur datën e fillimit dhe është e përcaktuar vetëm data e mbarimit. Kjo do të thotë që cilatdo krime të para luftës dhe mbas luftës mund të amnistohen. Ndërkohë që në veri kanë funksionuar gjykatat deri më 17 prill 2008”, shtoi deputetja. 

“Arsyeja e tretë është se unë kam kërkuar të përcaktohen grupet të cilat amnistohen dhe veprat. Veprat të cilat amnistohen duhet të kenë qëndrime politike, e nuk duhet të legalizohen krimet ordinere”, tha Lama.