Depot Milionëshe Që Nxisin Telashe

Depot me vlerë milionëshe që gjenden në afërsi të stacionit hekurudhor në Prishtinë janë të mbushura me shporetë të importuar nga Serbia. 

Zotërohen nga Hasan Potera një biznesmen nga Podujeva. 

Hapësira totale e pesë depove që është rreth 40 arë në lagjen “Lakrishte” nuk është  në pronësi të tij, por Potera vazhdon të ushtrojë kontroll mbi të dhe të bëjë biznes i papenguar nga shteti.

Potera thotë se është i vetëdijshëm se të në të ardhmen do të ketë telashe me blerësin e depove.

Por këmbëngul se nuk do ta lirojë pronën, përkundër asaj që Agjencia e Privatizimit ia shiti atë Ahmet Maliqit, një bashkëvendësi të tij nga Podujeva më 5 dhjetor të vitit 2012. 

 “Unë nuk e lëshoj pronën, sepse kam investuar aty, edhe pse telashet mund të jenë më të mëdha se në lokalet këtu (supermarketet)”, thotë Potera për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Familja e biznesmenit Potera u gjend në telashe javën e kaluar me familjen Mehmeti. 

Hasan Potera pretendon se dy lokale që i mban nën kontroll në lagjen “Lakrishte” i përkasin atij pasi që ka investuar në to. 

Por AKP-ja ia shiti ato Lavdim Mehmetit që ofertoi me 80 mijë euro. Potera kishte konkurruar në tenderë dhe nuk kishte ofruar më shumë se sa 30 mijë euro për blerjen e dy lokaleve.

Djali i tij Blerimi përfundoi me nëntë penj në kokë, tregon Hasan Potera. 

Por sipas tij, Blerimi kishte bërë një gabim, pasi që e kishte goditur Lavdim Mehmetin në prani të nënës së tij. 

“Kjo nuk është dashur të ndodhte”, thotë Potera.

Policia e Kosovës arrestoi gjashtë veta javën e kaluar, duke përfshirë Blerim Poteren e Lavdim Mehmetin, blerësin e lokalit nga Agjencia e Privatizimit por i liroi më pas për të vazhduar tutje me zhvillimin e hetimeve lidhur me rastin. 

Blerësi i depove akuzon AKP-në për krijim të belave

Kishte paguar  1 milion e 600 mijë euro për të blerë  depot nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, por Ahmet Maliqit nuk ka mundur t’i shfrytëzojë ato asnjëherë. 

Ai po e fajëson tani AKP-në që nuk ka ndërmarrë asgjë për të liruar pronën e blerë. 

Për më tepër, ai thotë se AKP-ja po u krijon bela blerësve të pronave.  

“Gabimi i AKP-së është se po ju len blerësve belatë në derë, pasi që ajo nuk po i liron pronat.  Ky është gabimi ma i keq dhe ma katastrofal i AKP-së”, thotë ai.

Maliqi thotë se do të vijë koha kur do të nisen drejt depove për të kërkuar zotërimin e tyre.

“Unë i kam dokumentet. Herëdokur do të vijë koha që unë do ta shfrytëzojë atë pronë”,  thotë Maliqi. 

AKP-ja kur kishte nxjerrë në shitje këtë pronë kishte cekur se “Ka palë të treta të cilat shfrytëzojnë pronën në fjalë, pa kontratë mbi qiranë me AKP-në”.

Ndërkaq në dokumentet që AKP-ja ua ka dorëzuar tenderuesve, tregohet se bëhet fjalë për kompaninë private “Potera”. 

Ndërkohë Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk i merr parasysh investimet e bëra nga personat që kanë  shfrytëzuar pa marrëveshje me të asetetet e ndërmarrjeve shoqërore.  

Por thotë se nuk ka mundësi për t’i liruar objektet që i ka në pronësi, përkundër që udhëheq procesin e privatizimit të tyre.

“Agjencia nuk mund të marrë rolin e organeve që janë përgjegjëse për ndërmarrjen e masave”, tha Ylli Kaloshi, zyrtar për marrëdhënie me publikun në AKP, duke iu referuar gjyqit e autoriteteve policore. Sipas tij është përgjegjësi e blerësit për të shfrytëzuar mundësitë ligjore për ta liruar lokalin e tij. 

Megjithatë, ka pasur raste në të kaluarën kur AKP-ja kishte arritur të lironte pronën që konsideronte se është uzurpuar. 

Në maj të vitit 2012, AKP-ja me ndihmën e Policisë së Kosovës kishte dëbuar nga ferma e pulave biznesmenin Abdurrahman Konjufcën, xhaxhain e deputetit të “Vetëvendosjes” Glauk Konfjucës.

AKP-ja në një përgjigje të mëhershme për Gazetën Jeta në Kosovë ka thënë se rasti i Konjufcës është i ndryshëm, por nuk ka treguar saktësisht se cilat janë specifikat e këtij rasti që e dallojnë prej tjerëve. 

Kontesti mes Infrakos e AKP-së 

Ndërkohë Hasan Potera, zotëruesi faktik i depove, thotë se nuk do ta lëshojë pronën pasi ka kontest gjyqësor për të. Thotë se ka investuar mbi 100 mijë euro në rregullimin e depove dhe se shteti duhet t’ia kompensojë këtë shpenzim. 

Ai ka treguar dy kontrata vjetore mbi qiranë e viteve 2002 e 2004 të lidhura me ish-ndërmarrjen shoqërore “Gërmia”. Thotë se bazohet në këto kontrata kur kërkon kompensimin e investimeve.   

Por aktualisht thotë se ka kontratë me dikënd tjetër për shfrytëzimin me qira të depove.

“Jo, unë kam investuar aty dhe kam marrëveshje me ‘InfraKos-in’. Me sa unë e di, kjo tokë është e ‘InfraKos-it’, dhe ligjërisht qëndroj në rregull. Unë nuk kam pse të liroj këtë pronë” insiston ai.

Potera nënshkroi një kontratë mbi qiranë me ndërmarrjen “Infrakos”, disa ditë pasi Agjencia Kosovare e Privatizimit nxori në shitje këtë njësi të ish-ndërmarrjes shoqërore “Gërmia”.

AKP-ja njoftonte se ofertuesit në valën e likuidimit numër 18 duhet të regjistroheshin deri më 27 nëntor 2012 në zyrën qendrore të saj.

Një prej tyre ishte Hasan Potera që thotë se ofertoi me mbi 700 mijë euro. 

Por një ditë më vonë më 28 nëntor biznesi i tij familjar “Potera”, nënshkroi kontratë mbi qiranë me ndërmarrjen publike “Infrakos”. 

Në kontratën mes palëve shënohet se është e lidhur në afat të përkohshëm dhe se “Potera” duhet të paguajë mbi 500 euro për shfrytëzimin e depove. 

Dy ditë më vonë, më 30 nëntor 2012, ndërmarrja “Infrakos” ngriti padi në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme me pretendimin se AKP-ja shiti pronën e saj. 

Nëpërmjet kësaj padie “Infrakos-i” kërkonte kthimin e pronës së tij.

Labinote Ismaili, zyrtare informimi në Dhomën e Posaçme, konfirmoi se ende nuk është marrë asnjë vendim lidhur me padinë e ngritur nga ndërmarrja publike që menaxhon hekurudhat e Kosovës. 

Lidhur me ngritjen e padisë pas nxjerrjes në shitje nga AKP-ja, ende nuk ka dhënë përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë drejtori i “Infrakos-it”, Agron Thaçi. 

Por AKP-ja në dokumentet që u kishte dhënë tenderuesve të interesuar kishte shënuar se prona i përket ndërmarrjës shoqërore “Gërmia” dhe bazohej në një vendim të mëhershëm të Komunës së Prishtinës të vitit 1964. 

Nëpërmjet këtij vendimi ishte bartur pronësia e depove nga Hekurudhat tek NSH “Gërmia”. 

AKP-ja ende nuk ka dhënë përgjigje lidhur me padinë e “Infrakos-it”.

Por Ylli Kaloshi, zyrtar për marrëdhënie me publikun në AKP, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se shitja e këtij aseti ishte bërë në mënyrë të hapur dhe pjesëmarrës kishin qenë edhe konkurrentët për blerjen e saj.