Dënimi Maksimal Praktikisht i Rrallë

Kodi i ri Penal, i cili u miratua nga Qeveria dhe tani do të procedohet në Parlament, parasheh që dënimi më i rëndë në Kosovë të jetë burgimi i përjetshëm.

Deri më tani, sipas KPK-së të hyrë në fuqi më 6 prill 2004, dënimi më i rëndë që mund t’iu shqiptohej kryerësve të veprave penale më të rënda, ishte dënimi me burgim afatgjatë, maksimumi i të cilit arrinte 40 vjet.

Mirëpo, nga hulumtimi që ka kryer Gazeta JnK del se “numërohen në gishtat e njërës dorë” rastet kur gjykatësit në Kosovë kanë shqiptuar dënimet në maksimumin e tyre. Jo pse nuk kryhen vepra të rënda penale, por duket se mungon gatishmëria për shqiptimin e dënimit maksimal, shkaku se gjykatësit ndihen të pasigurt për jetën e tyre.

Në krejt Kosovën janë dënuar tre veta me 40 vjet, një me 36 dhe një tjetër me 30 vjet. Të gjithë këta për veprën “Vrasje e rëndë”.

Mosaplikimi edhe i këtij maksimumi që ishte në fuqi deri më tani, nga gjykatësit në Kosovë, arsyetohet me pasigurinë e tyre për aplikimin e këtij dënimi, sepse gjykatësi e as anëtarët e tyre të familjes, nuk janë të mbrojtur nga organet shtetërore.

Avokati Rasim Krasniqi, miratimin e dënimit me burg të përjetshëm, e sheh vetëm si ligj të shkruar, por që është shumë vështirë për t’u aplikuar në praktikë. “Nuk kemi nevojë vetëm për ligje të mira, por kemi nevojë edhe për ligje të cilat janë të zbatueshme në praktikë”.

Pavarësisht kësaj, prokurorë dhe gjykatës, të intervistuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, konsiderojnë se në rrethanat që është Kosova, ky dënim është dashtë të jetë në fuqi që nga paslufta.

Prokurorja e Qarkut në Prizren, Ervehe Gashi, miratimin e burgimit të përjetshëm e parasheh si preventivë, për faktin se një kriminel para se të kryejë veprën penale duhet mendojë mirë se çfarë e pret. Kjo sipas saj, mund të ndikojë në zvogëlimin nga veprat kriminale në vend, deri në 50 për qind.

Por për propozimin e një dënimi të tillë nga ana e prokurorëve, ajo konsideron se do të duhej të ketë siguri më të lartë. “Unë si prokurore jam e gatshme të propozojë një dënim të tillë, ndërsa mbetet te gjykatësit për shqiptimin e këtij dënimi”, i tha Gashi, Gazetës JnK.
Edhe kryetari i Gjykatës së Qarkut në Prizren, Ymer Hoxha, e ka brengën te niveli jo i kënaqshëm i sigurisë së gjykatësve. Ai thotë se krahas këtij dënimi, do të duhej rritë edhe siguria e gjykatësve.

“Gatishmëria për shqiptimin e dënimit me burg të përjetshëm për kryerësit dhe përsëritësit e veprave penale të rënda nga ana e gjykatësve ekziston, mirëpo për këtë duhet plotësuar disa kushte, që në radhë të parë është vetë siguria e gjykatësve”, i tha Hoxha, Gazetës JnK.
 
Ai tregon se së fundi është kërkuar nga Drejtoria Regjionale e Prizrenit që të ketë një polic statik në hyrje të gjykatës, mirëpo kanë marrë përgjigje negative.
 
Hoxha tregon një rast personal që, sipas tij, tregon se policia nuk mund t’i mbrojë gjykatësit, nëse paraqitet nevoja Me rastin e aplikimit për certifikatë që nuk është nën hetime, ai ka kërkuar nga policia që t’ia sjellin në shtëpi, mirëpo me shumë mund, madje duke e kërkuar disa here në telefon, policia e ka gjetur adresën e banimit të kryetarit të Gjykatës së Qarkut. “Kur mua si kryetar nuk ma dinë adresën e banimit dhe nuk kam siguri, si munden me qenë gjykatësit të sigurt”.

“Policia thonë se jemi duke i ofruar siguri gjykatësve, e në fakt nuk na i dinë as adresat e banimit”, shton ai.

Ndërsa, avokati Hajrip Krasniqi ka një porosi për gjykatësit që nuk guxojnë ta shqiptojnë dënimin maksimal. “Ata që nuk janë në gjendje ta shqiptojnë këtë dënim, duhet t’i lëshojnë vendet e punës, sepse ligjet duhet zbatuar”.

Shqiptimi i maksimumit të dënimit të paraparë me KPK-në, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë është bërë në dy raste: për veprat penale “Vrasje e rëndë” në rastet kur ndaj të pandehurve është shqiptuar dënimi kapital në kohëzgjatje 40 vjet.

Në Gjykatën e Qarkut në Pejë është një rast, kur është shqiptuar dënimi kapital në kohëzgjatje prej 40 vjetësh, për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Në Gjykatën e Qarkut në Gjilan, maksimumi i dënimit të shqiptuar është 36 vjet, për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Ndërsa në Gjykatën e Qarkut në Prizren, shqiptimi i maksimumit të dënimit është 30 vjet. Edhe ky dënim është shqiptuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Ndërsa nga ana tjetër, vetëm gjatë vitit 2010 në nivel të Kosovës janë pranuar nga gjykatat 45 raste të vrasjeve të rënda, ndërsa kanë qenë të trashëguara 72 raste. Nga to, brenda vitit janë shqiptuar 24 aktgjykime.

Kjo tregon se rastet e tilla në gjykatat e qarkut në vend janë të shumta, për të cilat me Kodin Penal të Kosovës është paraparë shqiptimi i dënimit me burgim afatgjatë, mirëpo në praktikë, aplikimi i maksimumit është shumë i rrallë.

E drejta jonë penale nuk e njeh dënimin me vdekje. Ky lloj dënimi është abroguar më 12 dhjetor të vitit 1999 me rregulloren e UNMIK-ut nr. 1999/24. Po ashtu, me rregulloren e UNMIK-ut nr. 2000/59, në vend të dënimit me vdekje është paraparë dënimi me burgim afatgjatë prej 21 deri në 40 vjet burgim.

Njohës të ligjeve pajtohen se është dashtë që të abrogohet dënimi me vdekje, kjo nga fakti se në aspektin human vlerësohet lart heqja e dënimit me vdekje, si sanksion penal kapital, ngase askush nuk ia ka falur jetën njeriut, e po ashtu askush nuk e gëzon këtë të drejtë që ta marrë jetën e tjetrit.

Madje me këtë do të vihej në pikëpyetje më të madhe gjyqësori, për faktin se në rast se do të bëhej ndonjë padrejtësi, duke shqiptuar këtë dënim maksimal do të ishte e pafalshme.

Avokati Hajrip Krasniqi bën një krahasim me SHBA-në, ku në disa shtete ende nuk është hequr nga përdorimi dënimin kapital.

“Përderisa SHBA-ja, që ka një shkallë të lartë të demokracisë dhe akoma vazhdon ta aplikojë dënimin me vdekje, pse ne që jemi një shoqëri e sapodalë nga lufta të mos e aplikojmë dënimin me burg të përjetshëm. Me shqiptimin e këtij dënimi, duhet larguar disa kriminelë që i bëjnë dëm shoqërisë”, thotë Krasniqi.