Dënimi i Pussy Riot Demaskon Diktaturën e Putinit

Një shkrimtar nga Koha e Artë e letërsisë ruse kurrë nuk do të mund të thurte së ëndërruari një skenar kaq absurd dhe një rrëfim kaq të stërholluar sikurse ndjekja e bendit të punkut Pussy Riot, që u gjet fajtor nga një gjykatë ruse dhe u dënua me dy vjet burg.

Sikur ky teatër absurditeti të mos mjaftonte, qeveria e Putinit shkoi edhe më tej kur, përjashta gjykatës, policia rrahu dhe arrestoi aktivistin rus për demokraci (dhe kryesuesin e HRF-së) Garry Kasparov. Ai u lirua disa orë më vonë dhe tash është nën hetime për “kafshimin” e një zyrtari policor.

Disa prej nesh që po mundohemi të mbajmë të drejtat e njeriut në krye të kulturës dhe debateve publike rrallë mund të gjejmë dhuratë më të madhe sesa këtë rrëfim të shkëlqyer. Ai shpërfaqë natyrën neo-cariste të regjimit të Vladimir Putinit.

Pussy Riot është një grup feminist i muzikës punk rok e përbërë prej dhjetë grash të cilat veshin maska të bardha, hollona dhe funa. Grupi ishte themeluar më 2011 si përgjigje ndaj vendimit të atëherë kryeministrit Vladimir Putin për të garuar për President në përpjekje për të vazhduar të mbetet lideri faktik i Rusisë. Bendi bën fushatë për të drejtat e njeriut, demokraci dhe reformim të sistemit rus të drejtësisë.

Më 21 shkurt 2012, Pussy Riot performuan një “punk lutje” në Katedralen e Krishtit, Shpëtimtarit, në Moskë. Lutja e tyre përfshinte një këngë që i kërkonte Virgjëreshës Mari të “largonte Putinin”, përplot me një gjuhë kritikuese dhe profane. Zgjodhën një vend me shumë kuptim: Kishën Ortodokse Ruse, që haptazi e kishte përkrahur Putinin. Anëtaret ishin nxjerrë jashtë kishës në pak se një minutë. Ato më vonë edituan dhe publikuan një video të performancës së tyre online.

Më 3 Mars, 2012, tri anëtaret e grupit Nadezhda Tolokonnikova, Maria Alekhina dhe Yekaterina Samutsevich – Nadia, Masha dhe Katya – u arrestuan dhe u akuzuan për veprën penale “huliganizëm i motivuar nga urrejtja fetare”. Që atëherë ato janë mbajtur në burg.

Dhjetë dëshmitarë – mes tyre një roje e sigurisë, një mbajtës qirinjsh dhe një sakristan – thanë se ata pësuan “dëmtime morale” dhe kështu konsiderohen viktima të lutjes së bendit, sipas kodit penal rus. Avokati që përfaqëson rojen e sigurimit, Vladimir Potan’kin, ka thënë se klienti i tij ishte lënduar mentalisht dhe se tash ka problem me gjumë. Tutje, në një lëvizje që s’ia vlen as për një doracak gjepi të klasit të tretë, avokatët thanë se anëtaret e Pussy Riot ishin të lidhura shumë ngushtë me vetë Dreqin.

Natyra e debatit për lirinë e fjalës, të fesë dhe shprehjes politike shpesh keqintepretohet kur ai i folur është thellësisht ofendues, i vrazhdë, vulgar ose madje edhe keqdashës. Të folurit “Nice” (sjellshëm) rrallë kërkon mbrojtje. Është ajo që shkakton ofendim, me qëllim apo ajo, që duhet të mbrohet nëse një shoqëri do të mbetet e lirë. Cenoja lirinë e shprehjes një personi dhe efektivisht ia keni cenuar atë të gjithëve. Në ato rrethana të rralla kur kufizimet në fjalën e lirë janë të lejuara, ato duhet të jenë relevante, të domosdoshme dhe në përputhje me qëllimet legjitime demokratike – zakonisht bazuar në kohë, vend, zakone dhe jo në përmbajtje. Nëse Pussy Riot do të kishte ndërhyrë në ceremoninë fetare ose nëse ato do të bënin zhurmë në 4 të mëngjesit në lagje të qeta, do të kishte bazë për t’ua kufizuar veprimet. Sidoqoftë, ndjekja e Pussy Riot nuk plotëson asnjë prej këtyre kushteve.

Parodia, ironia dhe humori janë disa prej armëve më të fuqishme kundër autoriteteve, veçanërisht të llojit despotik. Kjo është përse Sokrati ishte dënuar me vdekje; kjo është përse kriticizmi i Volterit ndaj monarkisë absolutiste franceze ishte aq tundues sa që ai ishte detyruar në azil prej Parisit; kjo është përse presidenti ekuadorian Rafael Correa, që me hipokrizi sapo i dha azil Julian Assanges, kishte paditur një gazetar dhe një gazetë për 24 milionë dollarë në lidhje me një kolumne që tallej me të si një tiran; kjo është përse Hugo Chavez në Venezuelë e bëri përbuzjen ndaj tij krim me ligj, gjë që çoi në hetime ndaj karikaturistëve; kjo është përse Manal Al- Sharif frikësohet për jetën e saj në Arabinë Saudite vetëm pse vozitë veturë dhe sfidon ndalesën ndaj vozitëseve femra; kjo është përse Ai Weiwei është goditur me akuza për kinse evazion fiskal pasi është tallur me diktaturën Kineze dhe përse Aung San Suu Kyi ishte mbajtur nën arrest shtëpiak nga armata e Burmës deri pak kohë më parë. Mendja despotike është krejtësisht e zhbërë dhe e pambrojtur përballë mospajtimit krijues.

Putini e kupton mirë çfarë nënkuptonte Haveli kur thoshte “Unë vërtet jam banor i një sistemi ku fjalët janë në gjendje të lëkundin tërë strukturën e qeverisë, ku fjalët mund të dalin më të fuqishme se 10 divizione ushtarake”. Në Rusi, një lutje e thjeshtë punku e ka bërë qeverinë të dridhet. Ajo që Putini ka dështuar të kuptojë është se mostoleranca e tij do t’ia bëjë punët edhe më keq regjimit të tij.

Vet shprehja “Pussy Riot” ka hyrë tashmë në fjalorin e pop-kulturës deri aty sa Madona, Bjork, Stin dhe Paul McCartney, mes dhjetëra artistësh, të gjithë kanë deklaruar mbështetje publike për bendin. Sot po mbahen koncerte “Lirojeni Pussy Riot” në 48 qytete të botës.

Sikurse “Nadia” me shumë elegancë dhe saktësi vërejti në deklaratën e saj përmbyllëse:

“Në masë të madhe, nuk është se anëtaret e Pussy Riot janë në gjykim këtu. Nëse ne do të ishim në gjykim, kjo ngjarje vështirë do të ishte kaq e rëndësishme. Ky është një gjykim i tërë sistemit politik të Federatës Ruse…Përkundër faktit se ne jemi fizikisht këtu, ne jemi më të lira se të gjithë ata që ulen përreth nesh. Ne mund të themi çdo gjë që duam dhe themi çdo gjë që duam…Kështu që, hapni të gjitha dyert, hapni palltot; Ejani, shijojeni lirinë me ne”.

Artikulli është botuar fillimisht në Forbes dhe Gazeta Jeta në Kosovë ka të drejtë ripublikimi. Thor Halvorssen është themelues the president i Fondacionit për të Drejtat e Njeriut me seli në New York. Pedro Pizano është asistent për strategji dhe zhvillim në HRF.