Marjan Dema, rektor i UP-së - Foto: KALLXO.com

Dema: Enver Hasani Vetë e Krijoi dhe e Kontrolloi Kontratën e Përkthimeve

Rektori Marjan Dema ishte dëshmitar në gjykimin e paraardhësit të tij në krye të UP-së, Enver Hasanit.

Rektori aktual i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, tha se ish-rektori Enver Hasani vetë e kishte krijuar dhe vetë e kishte kontrolluar kontratën për përkthimin e librave.

NDËRLIDHUR

I pyetur nga prokurorja Drita Hajdari se në çfarë e mbështet këtë pohim, Dema tha se tash e ka të qartë se pse Hasani e kishte larguar nga puna zyrtarin e prokurimit Kreshnik Gashin, sipas tij, pa ndonjë arsye, dhe e kishte sjellë në punë Hakif Veliun.

“Tash e kam të qartë si loti se çfarë ka ndodhur. Sjellja e Hakif Veliut si zyrtar i prokurimit pa konkurs, largimi i Kreshnik Gashit pa arsye. Me dhjetëra herë më ka pyetur se çka po ndodh me tenderin e përkthimeve. Afërsia e tij me këtë institut është e mjaftueshme për të dëshmuar pohimin tim”, u përgjigj dëshmitari Dema.

Tutje, dëshmitari deklaroi se tenderi për përkthimin e librave ishte shpallur dy herë por që i njëjti kishte dështuar në të dy herët, kurse për herën e tretë ishte mbajtur me këmbënguljen e Enver Hasanit. Ai tha se së bashku me Enver Hasanin dhe Hakif Veliun si dhe zyrtar nga Agjencioni i Prokurimit ishin takuar në një restorant ku ishte diskutuar që të shkohet me një operator ekonomik pra njëburimor.

Takimi në restorant

“Është shpallur tenderi, dy herë ka dështuar siç më kujtohet, herën e tretë me këmbënguljen e Enver Hasanit është mbajtur. Me Agjencionin për Prokurim jemi takuar ne restorant “Pishat” dhe pas kësaj ky organ ka bërë revokimin e një neni qe të i jepet tenderi operatorit në fjalë”, tha rektori Dema.

Rektori deklaroi se në atë kohë ishin dënuar shumë profesorë për plagjiaturë dhe kishte menduar se me të vërtetë është prioritet përkthimi i librave.

Ai tha se kontrata ishte nënshkruar me 5 dhjetor të vitit 2008 dhe se ai nuk kishte qenë prezent gjatë nënshkrimit të kontratës pasi që sipas tij detyra e vetme e tij ishte caktimi i komisionit për organizim të punëve.

Dhe se detyrë e këtij komisioni kishte qenë që të kontrollojë shërbimin për të cilin është bërë pagesa, të vlerësojë sasinë dhe cilësinë e materialit të përkthyer nga ana e Institutit për studime ndërkombëtare dhe sipas tij nuk ka qenë detyrë e komisionit që të merret me çmimet e shërbimeve.

I pyetur nga prokurorja se nëse rektori kishte pasur mundësi që më herët ta shihte kontratën, ai u përgjigj se vetëm para dy ditëve e kishte parë kontratën kur e kishte përgatitur dosjen para se të vinte ne gjykim.

Dëshmitari Marjan Dema tregoi në gjykatë se vetëm në vjeshtën e vitit 2009 kishte mësuar se ishte bërë ndryshimi i kontratës kur me ftesën e Enver Hasanit ishin takuar së bashku me Hakif Veliun në një restorant në Gërmi dhe se krejt çka kishte kuptuar ishte se në vend të një mijë fjalë është ndryshuar në një mijë karaktere gjë që ka lëvizur pesë fish çmimin, një mijë fjalë për 12.65€.

Prokurorja Hajdari e pyeti rektorin se nëse gjatë procedurës se tenderimit apo më pas të ishin takuar ndonjëherë me përfaqësues të Institutit Studimor Ndërkombëtar nga Tirana.

Kurse Marjan Dema tha se para nënshkrimit të kontratës nuk ishte takuar asnjëherë me përfaqësues të ISN-së dhe se madje as që i njihte.

“Para nënshkrimit të kontratës nuk jam takuar kurrë dhe kurrë nuk i kam njohur. Më 12 dhjetor 2008 me kërkesën e Enver Hasanit kemi shkuar në Tiranë. Aty jam takuar për herë te parë në restorant me Albert Ragipin dhe Jorgji Qirjakon”, tha ai.

“Enver Hasani njihej prej më herët me ata të ISN-së”

Ai tha se ata u kishin bërë një pritje fenomenale dhe se aty kishte mësuar se Enver Hasani njihej prej më herët me ta pasi që gjatë asaj ndeje ata kishin biseduar rreth të kaluarës së tyre dhe se ka qenë darkë ku ata kanë biseduar në mes vete dhe nuk është diskutuar në lidhje me kontratën.

I pyetur nga prokurorja se nëse rektori Marjan Dema kishte pasur një zarf me vete të cilin do të mund ta kishte dorëzuar në Tiranë, rektori me këmbëngulje mohoi të kishte pranuar apo dorëzuar një zarf të tillë. Ai madje tha se kjo ishte një nga arsyet se pse kishte dashur që të dëshmonte pasi që në media të ndryshme kishte dëgjuar të lakohej emri i tij në lidhje me një zarf të tillë.

Gjatë gjithë seancës pati përplasje në mes të prokurores Drita Hajdari në njërën anë dhe mbrojtësit të Enver Hasanit, Bajram Tmava në anën tjetër, kryesisht rreth pyetjeve të cilat prokurorja e shtetit i parashtronte dëshmitarit në lidhje me mënyrën e parashtrimit të të cilave kohë pas kohe kundërshtonte avokati Tmava.

Avokati Tmava gjatë marrjes në pyetje kërkoi të dinte nga rektori se pse në një interviste televizive të dhënë në prill të vitit 2016 kishte thënë se është i bindur se Enver Hasani është i pafajshëm dhe do të dëshironte që një gjë e tillë të provohej dhe që sipas tij në kohën e Hasanit universiteti kishte qenë në kohërat me të mira, kurse sot po dëshmon ndryshe.

Pse dëshmitari e ndryshoi mendimin për Enver Hasanin

Por rektori Dema tha se në atë kohë ai kishte menduar ashtu por pasi që i kishte analizuar gjërat tani ka tjetër mendim.

“Enver Hasani është planifikues shumë i mirë dhe është e vërtetë që në atë kohë kam menduar ashtu, por pasi që kamë analizuar për një kohë të gjatë tash e kamë të qartë si loti se çka ka punu, Enver Hasani ka qenë në gjendje me kry çdo gjë pa e ditë unë. Në lëndët që unë i kam udhëhequr ka qenë në gjendje me kry punë pa e ditë unë, prapa shpinës time, por publikisht nuk mu ka përzi”. deklaroi rektori Dema.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Enver Hasani në cilësinë e rektorit të UP-së, Hakif Veliu si shef i Zyrës së Prokurimit në UP dhe Albert Rakipi si drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN), si persona zyrtarë dyshohet se kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i Librave nga Gjuha Angleze në Gjuhën Shqipe për Nevojat e Universitetit të Prishtinës” të datës 5 dhjetor 2008.

Në kontratë vlera e saj ishte përcaktuar 500 mijë euro, ndërsa çmimi i pagesës për njësi -1000 fjalë 12.65 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës së prokurorisë, të pandehurit sipas marrëveshjes paraprake kanë lidhur një kontratë të re në të cilën kanë shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit dhe datën e njëjtë të kontratës origjinale duke ndryshuar nenin 17 të kontratës, ashtu që në vend të çmimit për njësi – 1000 fjalë 12.65 euro, kanë shënuar çmimin për njësi -1000 karaktere 12.65 euro.

Në aktakuzë pretendohet se ky ndryshim çmimi i ka mundësuar përfitim më të madh Institutit për Studime Ndërkombëtare.

Në dhjetor të vitit 2015 Enver Hasani, Hakif Veliu e Albert Rakipi u deklaruan të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.

Seanca e radhës pritet të mbahet të premten me ç’rast do të jepet edhe fjala përfundimtare.

10 Tetor 2017 - 20:03

Blerta Iberdemaj 10/10/2017 - 20:03
NDËRVEPRIMI0