Dëgjohet Bjellorusi për Medicus

E plotësuar:

Dëshmitari ka inicialet A.K. dhe ka qenë i përfshirë në rastin Medicus që ishte hapur në fillim të këtij viti. 

Sipas aktakuzës, veshkat u merreshin më së shumti qytetarëve nga Turqia për t’ju dhënë kryesisht izraelitëve në shkëmbim të shumave të mëdha të parave. 

Të pandehurve Lutfi Dervishi mjek dhe profesor urologjisë, Arban Dervishi ekonomist i diplomuar, Driton Jilta mjek nga komuniteti turk dhe punëtor shëndetësor i misionit të OSBE’së, Ilir Recaj mjek njëkohësisht edhe Sekretar Permanent në Ministrinë e Shëndetësisë në kohën e Alish Gashit, Sokol Hajdini mjek anesteziolog, Islam Bytyqi mjek dhe Sylejman Dula mjek iu kishte konfirmuar aktakuza në 2 mars 2011 .

Ata të gjithë akuzohen për krim të organizuar, trafikim me njerëz, ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe shpërdorim i detyrës zyrtare ose i autorizimit – të gjitha në bashkëkryerje.

Të pandehurit akuzohen që së bashku kanë ndërmarrë veprime kriminale duke i transplantuar veshkat e më shumë se 20 personave të ndryshëm nga vende të ndryshme, kryesisht nga Turqia. 

Veshkat u morën pacientëve nga vende të ndryshme duke ju transplantuar kryesisht Izraelitëve në këmbim të shumave të mëdha të parave, deri në 90000 dollarë për një transplanto. Kurse pacientëve (‘dhuruesve’) të veshkave u ishin dhënë premtimet se do të marrin nga 10000 deri në 20000 dollarë. Ky është aktivitet i ndaluar sipas ligjeve të Kosovës. 

Aktakuza si dy persona kryesorë për kryerje e këtyre krimeve përmend Yousuf Sonmez dhe Moshe Harel, i pari turk e i dyti një izraelit i lindur në Turqi. Për të dytë ka një urdhër arresti në Interpol. Turku Sonmez thuhet se është arrestuar në Turqi.

Yousuf Sonmez dhe Moshe Harel po ashtu akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës për vepra të njëjta penale, por se të njëjtit janë në kërkim me që nuk janë gjendur në Kosovë në kohën kur policia ka kryer bastisjet dhe arrestimet. 

Yousuf Sonmez thuhet se ka kryer të gjitha operimet duke bashkëpunuar me spitalin Medicus, ku edhe janë kryer ato. Ndërsa Moshe Harel ka qenë ndërmjetësuesi kryesor dhe njeriu që i ka gjetur pacientët, si ata ‘donatorë’ ashtu edhe ata që i kanë pranuar veshkat dhe kanë paguar për to. 

Të pandehurit i kanë shfrytëzuar pozitat e dobëta materiale të ‘dhuruesve’ duke i shtyrë ata që të kryejnë këto veprime.

‘Dhuruesi’ Y.A. në deklarata e dhëna para hetuesve në nëntor vitit 2008 kishte thënë se ka marrë një premtim në të holla në vlerë prej 20.000 dollarë nga një person i quajtur Ismail. 

‘Dhuruesi’ në deklaratat e tij kishte përmendur borxhet që i ka dhe se me vet dëshirë e kishte bërë një veprim të tillë, “Kam nevojë për para, kisha  shumë borxhe dhe mendoja për një jetë me të mirë”. 

I njëjti kishte treguar se parat do t’i merrte pasi të arrinte në Aeroportin e Stambollit.

Gjykata nuk ka pranuar të lejojë rihapjen e spitalit Medicus, siç ka kërkuar mbrojtja. Ajo po ashtu, ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes që të ndërrohet salla e gjykimit për shkak të kushteve të punës. 

Mbrojtja po ashtu ka kërkuar që t’i dorëzohen materiale në gjuhen shqipe me lidhje me një raport që ka të bëjë me ekspertizën nga dëshmitari i mbrojtur A.S., e cila tregon se i njëjti e ka vetëm një veshkë dhe se e ka një shenjë të dallueshme në pjesën e veshkave. Prokurori premtoi se shumë shpejt do të jenë gati përkthimet.