Debati i Kërcënuar

Nëna (Shqipe Biba) shikon me llupë e me nge një album të madh fotografish për t’ia përzgjedhur një grua djalit të saj të hijshëm e rreth të tridhjetave. 

Ardi (Shpend Xani) më në fund martohet me Lenën (Yllka Gashin), një grua bukuria e së cilës ia mbush syrin vjehrrës. 

Por sa herë të shkojnë në shtrat ata i drejtohen njëri-tjetrit:

“Natën e mirë grua!”.
“Natën e mirë burrë!”.

Njëherë të ngjet me ato legjendat për shqiptarët që s’dinë ta bëjnë atë punën, por disa ditë pasi martohen kundër vullnetit të tyre, Ardi e Lena i rrëfejnë njëri-tjetrit sekretet e tyre. 

Lena nuk është e virgjër dhe ka një tjetër të dashur. Ardi është homoseksual. 

Kafetë e shërbyera në mënyrën tradicionale dhe maniret sipas zakonit vazhdojnë deri kur bëhet e qartë për vjehrrën se nusja nuk ka për t’i lindur nipa e mbesa. 

Ardi e Lena ndahen, por mbesin miq. 

Filmi i metrazhit të shkurtër “Lena & Me” është një ngjarje e vërtetë e një martesë të aranzhuar nga prindërit e dy të rinjve shqiptarë të cilët jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

 
Pamje nga filmi Lena & Me  

 

Ishte prodhuar në vitin 2010 në kuadër të Institutit të Filmit Maurice Kanabar të Unversitetit të New York-ut ndërsa aktorët Yllka Gashi, Shpend Xani dhe Shqipe Biba kishin fituar çmimin për aktrim në ekip “Ensemble Acting Award”. Në Kosovë, ndër të tjera, filmi është dhënë në kuadër të “Dokufestit” në verën e 2011-tës dhe në shtator këtë vit në “Nine Eleven”.

Askush nuk e kishte pushtuar skenën publike për ta ndaluar shfaqjen e tij, atëherë. As në SHBA e as në Kosovë. 

“Kur e kam shfaqë filmin në Amerikë kam pritur që do të ketë reagime pasi që atje shqiptarët janë më konservativë”, thotë regjisorja Blerta Basholli. “Por nuk kam marrë ndonjë koment lidhur me këtë”.

Regjisorja thotë se tek ne ende janë tabu këto tema. 

“Askush nuk flet për seksin si akt aq hapur e lëre më për orientimin seksual”, thotë Basholli.

Fundi i 2012-tës u shënua me ngjarjet rreth pengimit të lansimit të edicionit të revistës Kosova 2.0 kushtuar seksit nga organizata me frymë më radikale islamike dhe huliganë. Avokati i popullit, Sami Kurteshi, e quajti javën e kaluar ndërhyrjen si “zaptim të hapësirës publike”. 

Astrit Salihu, ligjërues i filozofisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se është befasuar që përkundër xhirimeve të shumta që ekzistojnë nuk janë marrë masa kundër ndërhyrësve. “Unë i kisha arrestu edhe i kisha vendos para gjyqit”.

Sipas Salihut, disponimi kundërshtues reflekton një masë më të madhe dhe jo vetëm ata që kanë ndërhyrë. 

“Sot shoqëria jonë është pak e çekuilibruar”, thotë ai. “Kemi problem me konceptimin e demokracisë. Ende mendohet se demokracia është që secili të bëjë gjithçka që do”.

Përkundrazi, shtohen Salihu, pikërisht në këtë shoqëri, në vitet 70-të nuk kishte pasur kësi problemesh. “Si duket atëherë kësi organizime pak me ekstreme ose kësi përpjekje që dikush ta marr të drejtën mbi duart e veta nuk kanë ekzistuar”. 

Regjisorja Blerta Basholli

“Prania përcaktimit të tij nuk është marrë si diçka tragjike”, kujton ai.Salihu tregon se në lagjen e tij në vitet ’70-të jetonte edhe një homoseksual i deklaruar publikisht. “Ai haptas shprehej se ishte homoseksual. Përveç aty-këtu që kishte ngacmime prej fëmijëve, zakonisht prej më të moshuarve nuk ka pasur ngacmime dhe si person ishte i pranuar në shoqëri”. 

Allahu

Ligjëruesja e antropologjisë në UP, Nita Luci, i sheh ngjarjet e dhjetorit si shfrytëzim i dhunës për të arritur qëllime politike. 

“Është kërcënim i shtetit sekular të Kosovës”, tha ajo. 

Filozofi Astrit Salihu thotë se, bazuar në atë që ka parë, organizatorët thirreshin tek “Allahu si referencë”. 

“Natyrisht që vetvetiu një njeri që i referohet një instance të tillë është njeri i cili nuk është i gatshëm për debat, sepse me Allahun nuk flitet”, thotë Salihu. “Allahut i nënshtrohesh ose nuk i nënshtrohesh, por nuk bëjmë debat me të”.

Prandaj, sipas tij, ndërhyrësit nuk kishin cak seksin, por debatin.

“Ata nuk janë organizuar kundër grupeve me orientime në këtë rast po kundër debatit”, thotë Salihu.

E debati është në korrelacion të drejtë me demokracinë. 

Sipas filozofit Salihu, përmbysja e sistemit me të cilin kemi jetuar deri më 1999 ka pasur relfektime të drejtpërdrejta edhe në sistemin e vlerave tradicionale. 

“Legjislacioni, prania e ndërkombëtarëve e as organizimi i qindra workshopeve e harxhimi i miliona eurove për avancimin e shoqërisë civile nuk janë të mjaftueshme për me ndërru vetëdijen e një shoqërie”, thotë ai. “Ky është një proces pak me i gjatë”.

Regjisorja Basholli, e cila për tri vjet ka jetuar në New York, ku ka kryer studime postdiplomike, thotë se vetëm një numër i vogël i të rinjve kosovarë kanë shëtitur jashtë vendit.   

Astrit Salihu

“Të rinjtë që kanë dalë e që kanë kontakte më shumë me botën janë një numër jo shumë i madh. Çfarë t’i bëjmë popullsisë që nuk ka dal kurrë nga Kosova”, pyet ajo.

Është vështirë të krijohet një koncept multi-kulturor, tolerant dhe më i hapur për njëri-tjetrin kur të rinjtë nuk kanë kontakte kulturore me vende tjera, thotë Salihu. 

“Derisa nuk liberalizohemi dhe nuk kemi kontakte me Europë do të mbetemi kështu. Shoqëria jonë nuk mund të europianizohet përderisa është e ‘getoizuar’”, shton ai. 

“Nuk munden as europianët të kërkojnë prej nesh të bëhemi europianë përderisa nuk na lejojnë të dalim në Europë”.

Dalja në Europë vetëm përmes internetit nuk është e mundshme, thotë Salihu.

“Interneti sot është shpesh e ndihmon injorancën. Kjo mund të shihet edhe me gjithë atë që u tha për fundin e botës”, tha ai. 

Megjithatë, thotë filizofi Salihu, edhe pse jemi shoqëri pak më tradicionale në fushën e lirisë seksuale, ka hapësirë dhe kushte për debat.

“Nuk mendoj se jemi shoqëri që nuk jemi të gatshëm për tema të tilla”, tha ai. “Dhe pavarësisht kundërshtimeve, askush nuk mund të ndalë orientimin seksual të njerëzve”.