Dashnori Rumun

Shkëlqimi i tepihut të kuq zbehet nga pluhuri, jo i harresës, por nga ai lloj pluhuri që vjen prej rrugëve të papastruara të Prishtinës, ambientit të ndotur dhe tymit që na i zë mushkëritë orë e çast. Gjurmët e Festivalit “PriFIlmFest” nuk fshihen kollaj. Pas një jave intensive të projeksioneve fimike në disa kategori, premierave, takimeve publike me kineastë nga vendi rajoni dhe Europa, ndeja të gjata deri në orët e hershme të mëngjesit, ku adrenalina u ushque me muzikë, pije e biseda ndërmjet njerëzve të botës së filmit, tash gjithçka mbetet në kujtesën tonë. Imazhe filmash që prekin thellë në ndërgjegjen njerëzore, portrete që shpërfaqin vuajtje të thella në sytë e personazheve që rrëfejnë histori të (pa) besuara. Gjithçka e projektuar sikur të ketë ndodhur në të vërtetë, ani pse në film. Vrazhdësia e jetës që jetojmë sot, është më e madhe se ajo në film. Të bëmat e këqija të njeriut të ligë  në jetën tonë reale janë më të mëdha se ato të personazheve negative në film.

Një djalosh sharmant me emrin Lucia (George Pistereanu) i joshë femrat me të madhe. Ato dashurohen në të marrëzisht. Ky, shumicën e herave,  i le ato në duart e shokëve, madje edhe në Portin e Detit të Zi në Konstancë. Por, në mesin e zinxhirit të aventuarave të tij është një hallkë e pakapërcyeshme. Lucia, bie në dashuri me Vel-in, vajzë e re, dhe njëra nga viktimat e mundeshme të tij, të cilën e bën të besojë se ky është mashkulli ideal i jetës së saj, ky është dashnori dora vet. Veli ikën nga shtëpia, jeton për ca kohë me një aventurë të çemndur në shoqëri më Lucian dhe përfundon si të gjithë të tjerat; në rrjetën e prostitucionit të etabluar prej kohës në hapësirën ballkanike. Kjo është pak a shumë përralla e filmit rumun “Loverboy” (Dashnori), me regji të Catalin Mitulescu, që fitoi Hyjneshën e Artë për Filmin më të Mirë dhe rolin më të mirë mashkull (aktori George Pistereanu).

I ndërtuar mbi një histori që ka për bazë trajtimin e trafikimit të femrave me qëllime prostitucioni, ky film shkon përtej shablloneve të deritanishme në trajtimin e kësaj tematike. Sepse, karremi për joshje vajzash nuk është karrem i një njeriu që jeton rrethuar me luks, pare, e standard jetësor, por në rastin e këtij filmi karremi kryesor është djaloshi dashnor. Është ai që i bën vajzat të çmenden pas tij. Njeriu që jeton jetën e vet, jo nën hijen e madhe të aristokracisë e as forcës së mafisë së nëntokës. Thjesht, ai është i pashëm, dashnor i mirë, dhe lehtësisht peshkon në mesin e femrave të shumta.

Ada Condeescu, në rolin e Velit, është mishërimi më tipik i një vajze të re, mbushur me plot pasion e ëndrra për të ardhmen. Jeta për të duket si një lojë që duhet ta luash deri në fund, edhe atëherë kur rregullat diktohen nga tjetër kush. Ajo është e vëtdijshme për rrezikun që bartë lidhja e saj me djaloshin dashnor, por e ndodhur në një rrugë dykahore, ku arkazimi dhe ndikimi familjar i bën presion të vazhdueshëm, gati si një pengesë e pakapërcyeshme, në njërën anë, dhe dashuria pasionante që ndjen për dashnorin, në anën tjetër, ajo vendos më në fund – zgjedh rrugën e saj, atë të zemrës. Është kjo rrugë njëkahore, fundi i së cilës mbetet i panjohur. Një romancë që përfundon në tragjedi.

Me dhjetra filma për trafikim janë realizuar në dekadat e fundit, por të rrallë janë ata që kanë kapërcyer konstrukcionin tematik. Filmi “Loverboy” e ka arritur atë. Linja e romancës në mes dy të rinjve, jeta e tyre e thjeshtë, e varfër në dukje, por e mbushur së tepërmi me pasion, na bën të besojmë kanë qenë të mjaftueshme për ta përvetësuar edhe gjykimin e jurisë për një vlerësim pozitiv. Filmi ka një skenar që vë në pah, jo elemente të ndonjë filozofie ose imagjinate të stisur, por brishtësinë e jetës si një shpatë me dy teha, që ngado që ta prekësh të prenë, madje të gërvisht deri në dhimbje të pambaruar.

Trafikanti dashnor në këtë film nuk është njeriu që në mbarim të historisë së treguar në film përfundon me dënimin e merituar. Këtu nuk ka fund të gëzuar, as të pritur, por vjen një fund nga i cili dashnori mbijeton. Hipur mbi motoçikletën e tij karakteristike ai vazhdon rrugën drejt peshkimit të radhës. Ai është heroi i kohës sonë, që iu bën ballë të gjitha tundimeve të dashurisë së projektuar. Është njeriu zemërgur që nuk nënshtrohet kundrejt asnjë lloj hijeshie. E ka shumë të vështirë ta nxjerr nga goja fjalën: të dua. Heroi të cilit nuk i rezistojnë femrat. Ky të ngjason në një hero ballkanik që nuk vret me armë por me shikim. Viktimat e tij nuk pikojnë gjak por përfundojnë në një pellg lotësh zemërimi e vuajtjesh.

Filmi “Loverboy” nuk mund të konsiderohet si film i imagjinatës së tejskajshme, përkundrazi, ky është një film-mozaik i të gjitha dromcave të shoqërive që vuajnë, jo vetëm nga mungesa e ligjshmërisë dhe e mirëqenies ekonomike, por edhe nga një krizë kronike e moralitetit shoqëror. Kriza e moralit shënjon edhe krizën e besimit. E mungesa e besimit përfundimisht varros edhe dashurinë. Si në jetë ashtu edhe në film.

Dashnori rumun nuk pati asnjë konkurent nga Kosova, sepse asnjë projeksion kosovar i metrazhit të gjatë nuk u shfaq përgjatë gjithë javës së festivalit PriFilmFest. Mbase, dashnori kosovar s’do të ngadhënjente përballë atij rumun, por të paktën është pritur që një nga historitë tona kolektive ose personale që ka ngulitur rrënjë tash e sa kohë të rrëfehej përmes një projeksioni filmik. E, ja që kjo nuk ndodhi. Në kategorinë e filmave të metrazhit të gjatë shqip foli vetëm projeksioni i veçantë i filmit “Faja e gjakut” të Joshua Marston.

Në Ballkanin e trazuar si një kazan  i mbushur me plot gjak që vlon, histori që përsëriten e përvetësohen, me dashurinë e rrejshme si një mjaltë e moçme, rrëfimi në film nuk është më rrënqethës se sa vet realiteti jetësor. Urrejtja, egoizmi dhe smira e personazheve në film nuk janë më të theksuara dhe më të dallushme se sa vet natyra e njeriut të kësaj ane. Një përrallë filmi ballkanik nuk përfundon më tragjikisht sesa veta fundi i betejave ndër shekuj. Pra, ajo çka ne shohim në këta filma nuk është më keq se sa përditshmëria që jetojmë.

Filmat janë të bukur kur na japim ëmbëlsi dhe fantazi të pakufijshme, por janë t’urryer kur në ta ne shohim veten dhe trupin tonë lakuriq si në pasqyrën e thyer të një kohe që nuk dëshirojmë të na përsëritet. As në ëndërr.

(Autori është dramaturg dhe skenarist.)