Daçiq: Kosova Mbetet Burim Destabiliteti

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se vendet e ish- Jugosllavisë kanë mësuar mësimet nga e shkuara e trazuar, por se bashkëpunimi i duhur rajonal ende po mungon.

“Dhjetë vjet pas Luftës së Dytë Botërore, liderët europianë u takuan dhe formuan Komunitetin Europian. Njëzet vjet pas konfliktit në Ballkan, ende po jetojmë në të shkuarën dhe bashkëpunimi rajonal ende mungon”, tha Daçiq, në panelin e quajtur “Paradigma e re në rajon: A është Ballkani më në fund një histori suksesi?”.

“Epilogu i atij konflikti ende po vazhdon, ndërsa Kosova mbetet burim mungese stabiliteti në rajon. Por qeveria serbe do të ndërtojë ura drejt institucioneve në Prishtinë”, shtoi ai.

Daçiqi tha se vendet e tjera në rajon kanë shkaktuar paqëndrueshmëri dhe kanë penguar përpjekjet për dialog dhe bashkëpunim, duke e njohur Kosovën si vend të pavarur.

Duke folur për krimet e luftës të kryera gjatë luftërave të shpërbërjes së Jugosllavisë, Daçiq tha se të gjithë autorët e krimeve duhen sjellë para drejtësisë dhe “se të gjitha viktimat meritojnë drejtësi, përfshirë edhe ato serbe”.

Daçiq paralajmëroi se Kroacia, ndërsa po hyn në BE, po fillon të humbasë interesin në Ballkan.

Zëvendësministrja e Bosnjës për Punët e Jashtme, Ana Trisic Babic, nuk ishte dakord, duke thënë se Kroacia nuk do të humbasë interesin në rajon, duke qenë se ende ka çështje të pazgjidhura në Bosnjë, përfshirë kufirin e përbashkët 1000 kilometra, dhe sepse ende ka një numër të madh kroatësh që jetojnë në Bosnjë.

Ajo iu bashkua thirrjeve të kryeministrit serb për bashkëpunim më të madh ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Duhet të gjejmë një mënyrë për t’u lidhur rajonalisht, duhet të gjejmë një qëllim të përbashkët si BE-ja dhe të ecim bashkë”, tha Trsic Babic.

Miroslav Lajcak, zëvendëskryeministri i Sllovakisë dhe ish-përfaqësues i lartë i BE-së në Bosnjë, tha se vendet e Ballkanit kanë “karrige bosh që po presin për ta në BE”, por se ende janë një numër reformash që duhen implementuar.

“Nuk duhet të jeni të fiksuar pas datave, ose deklaratave të politikanëve të ndryshëm të BE-së. Përkundrazi, duhet të fokusoheni në reforma që implementojnë standardet europiane, në vendet tuaja”, tha Lajcak.

Zëvendëskryeministri serb dhe ministër i Drejtësisë, Aleksandar Vuçiq, shpreson se Serbisë do t’i jepet data për fillimin e negociatave për të hyrë në BE, në pranverë ose në verë të vitit të ardhshëm.

“Nëse më pyesni mua se cilat do të jenë kushtet e anëtarësimit për Serbinë, do të thoja se do të përqendrohen rreth çështjes së Kosovës, veçanërisht zgjidhjen e çështjeve në veri të Kosovës”, tha Vuçiq.

“Serbia do të bëjë më të mirën për t’u bërë pjesë e BE-së dhe do të përpiqet të zgjidhë çështjen e Kosovës në mënyrë paqësore”, përfundoi ai.