Curr Gjocaj: “Tolaj Kishte Pushtet Monarku”

Seanca e radhës në Rastin “Tolaj, Bukoshi, e të tjerët”, vazhdoi edhe të premten e 8 marsit, me dëshminë nën betim të tre dëshmitarëve.

Në këtë seancë përveç neuropsikiatrit Afrim Blyta dhe ish-sekretarit permanent në Ministrinë e Shëndetësisë Haxhi Kamberi, që ushtroi detyrën përgjatë vitit 2010, dëshmoi edhe Curr Gjocaj, drejtor i Departamentit të Shërbimeve Shëndetësore në MSH.

Curr Gjocaj u bë i njohur si daja i gruas së Adem Grabovcit në aferën e përgjimeve telefonike “Pronto”, kur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, i  kërkoi kryeministrit Thaçi kthimin e Gjocajt në punë, gjatë dhjetorit të vitit që shkoi.

Gjocaj i tregoi të premten para gjykatës problemet që kishte me Ilir Tolajn, pak kohë pasi kishte nisur punën si inspektor shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë, gjatë vitit 2007.

Tolaj në atë kohë kryente detyrën e sekretarit permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa Gjocaj drejtonte një komision që kishte për detyrë mbylljen e disa lokaleve fitimprurëse Brenda QKUK-së dhe verifikimin e diplomave që dyshohej se disa mjekë i kishin falsifikuar në Bullgari.

Gjocaj i tha trupit gjykues se derisa drejtonte komisionin ndjente presionin indirekt të Tolajt nëpërmjet njerëzve të tij të besueshëm, që çështja e dyshimit për falsifikim diplomash të zgjidhej siç donte sekretari permanent, tash në suspendim.

Gjocaj përmendi Din Kastratin si një njeri me pikëpamje të njëjta me Tolajn që kishte respektin e anëtarëve tjerë të komisionit.

“Tolaj ishte i bindur se mjekët ishin falsifikatorë, megjithatë ne si komision arritën deri në përfundim tjetër andaj anuluam suspendimin e tyre edhe pse ndaj shumicës ngeli dyshimi i bazuar”, tha Gjocaj.

Prokurorja Maria Bamieh e orientoi kështu dëshminë e Gjocajt, për të treguar se Tolaj ishte përzier në punët e prokurimit, derisa avokati i Tolajt Korab Rexhepi, kërkoi nga prokurorja që ajo t’i analizojë mirë kompetencat e sekretarit permanent.

“Ilir Tolaj ka arritur gjithçka që ka pasur për qëllim. Ai ka pasur pushtet monarku, mbiabsolut. Curr Gjocaj

Curr Gjocajt,  tash drejtor i Departamentit të Shërbimeve Shëndetësore në MSH, i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës në maj të vitit të kaluar.

Bazuar në një vendim të një komisioni disiplinor brenda MSH-së, të datës 12 maj 2011, ndaj tij ishte vendosur për shqiptimin e masës disiplinore – Ndërprerje e Marrëdhënies së Punës.

Ai ishte i vlerësuar si i padisiplinuar pasi që kishte keqpërdorur pushimin mjekësor që kishte marrë.
Komisioni Disiplinor kishte gjetur se përkundër pushimit mjekësor të dhënë nga MSH-ja, ai ishte angazhuar të punonte si mjek në spitalin e Ferizajt.

Por, Gjocaj në gusht të vitit të kaluar ishte ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) ndaj vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë. Në mesin e shumë pretendimeve se MSH-ja kishte vepruar kundërligjshëm, ai kishte përmendur edhe faktin që kishte qenë duke u mjekuar në “International Medicine Hospital”.

Ndërkohë, ish-sekretari permanent Ilir Tolaj më 27 tetor 2011 kishte nxjerrë një vendim ku theksohej se po zbatohej vendimi i Këshillit. Por, Gjocajt i ndërrohej pozita e punës. Nga drejtor për shërbimet shëndetësore, ai do të punonte si drejtor i Qendrës së Shërbimit Profesional të Shëndetit Mendor në Ferizaj.

Gjocaj nuk pranoi ndërrimin e vendin të punës, pasi i tha gjykatës se kjo gjë ia cenonte intelektin. Në dhjetor të vitit 2012, në aferën e përgjimeve telefonike që mori emrin “Pronto”, u zbulua se për Gjocajn po flisnin Adem Grabovci dhe kryeministri Hashim Thaçi.

Curr Gjocaj është kthyer që disa muaj në vendin e tij të punës.

Në vazhdim të dëshmisë, Gjocaj tha se Tolaj krijoi struktura me njerëz të tij të besueshëm në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Ilir Tolaj ka arritur gjithçka që ka pasur për qëllim. Ai ka pasur pushtet monarku, mbiabsolut dhe paralelisht krijoi struktura që do të bënin gjithçka për të”, deklaroi Gjocaj.

“Ilir Tolajn e kam shok prej çerdhes dhe me të kemi bashkëpunuar gjithmonë si shokë. Afrim Blyta

Ndryshe për Tolajn foli neuropsikiatri Afrim Blyta gjatë dëshmisë së tij.

“Ilir Tolajn e kam shok prej çerdhes dhe me të kemi bashkëpunuar gjithmonë si shokë. Për të mund të flas në aspekt profesional dhe shoqëror, por jo në cilësi të Sekretarit Permanent”, deklaroi Dr.Blyta.

Blyta përshkruajti se si në vitin 2009 me mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë nisi një projekt për trajtimin e sklerozës së shumëfishtë, një sëmundje nga e cila janë të prekur rreth 1 mijë kosovarë, ndërsa barnat për të kushtojnë shumë shtrenjtë.

Projekti përfshiu tetëdhjetë të sëmurë nga skleroza që sipas neuropsikiatrit Blyta arritën rezultate shërimi përtej parashikimit, derisa filluan të mungojnë barnat dhe mjetet që nga fundi i dhjetorit 2010 deri në qershor 2011.

Blyta për dështimin e këtij projekti akuzoi sekretarin permanent Haxhi Kamberin që tha se i ka shkruar disa herë për mungesë barnash që trajtojnë sklerozën.

I treti që dëshmoi në seancën e së premtes ishte sekretari permanent Haxhi Kamberi që kreu detyrën e tij gjatë vitit 2010. Dëshmia e Kamberit zgjati katër orë.

Kamberi tha se Bukoshi nuk përmendi arsye personale për mosvazhdimin e kontratës me “Jona Med”-in dhe YESS- Farm”-in.

Prokurorja Bamieh në seancën e së premtes njoftoi se ende po shqyrtohet  zgjerimi I akuzave për Rastin “Tolaj, Bukoshi dhe të tjerët”. Gjithashtu tha se është pranuar kërkesa për vazhdimin e arrestit shtëpiak të Ilir Tolajt si dhe caktimin e masave për tre të pandehur tjerë.

Në fund, Tolaj kërkoi nga gjykata që t’i vendosen në konton e tij paratë e dorëzanisë, rreth 50 mijë euro që i kishte deponuar në gjykatë, kur po ndiqej për një vepër tjetër penale.

Prokurorja Barnieh kërkoi që këto para të mbeten  aty ku janë, në gjykatë.