Foto: EBU/Facebook

Çudirat e Eurosong-ut

Mes tingujve të larmishëm, grafikave, ngjyrave dhe performancave domethënëse, edhe ky Eurosong nuk kaloi pa komente, madje edhe incidente.

Kënga përfaqësuese e Mbretërisë së Bashkuar u ndërpre nga një pjesëmarrës, i cili ia rrëmbeu mikrofonin këngëtares, duke bërë thirrje: “Nazistë të Mbretërisë së Bashkuar, ne kërkojmë liri”! Sidoqoftë, ngjarja kaloi pa ndonjë bujë. Vetë formati e zhvendosi në kohë fokusin nga skena tek fansat dhe situata u mor nën kontroll menjëherë, aq sa dukej sikur ai incident të ishte pjesë e shfaqjes.

Pavarësisht se ngjyrimet politike të këtij formati mbahen shpesh jashtë diskursit të përgjithshëm, këngët konkurruese për çmim në këtë festival përmbajnë sigurisht material për thirrje apo ndërgjegjësim për një kauzë të caktuar, shembull i këngës së Italisë, një baladë e zezë për sulmet terroriste nëpër Europë, asaj të Francës mbi një fëmijë të lindur në anije refugjatësh nigerianë në Mesdhe dhe krizën e refugjatëve në BE, apo këngës së Danimarkës e cila bën thirrje për zgjidhje paqësore të konflikteve, frymëzuar nga një legjendë vikingësh.

Radio Times shkruan që Eurosong është një ndeshje mes pop-it dhe politikës. Portugalia në këtë rast, pavarësisht se pothuaj në çdo Eurosong është përfaqësuar me këngë që vejnë në pah problemet e tyre të brendshme politike, u përfaqësua me një xhaz melankolik, tërësisht i mbështjellë nga ideja që kuptimi i këtij festivali është muzika dhe vetëm muzika.

Surpriza më e madhe këtë vit erdhi nga Irlanda, e cila u përfaqësua me një këngë për një histori magjepsëse dashurie të një çifti gay, duke adresuar kësisoj të drejtat e komunitetit LGBTI. Këtë vit organizatorët e Eurovizion-it i dhanë fund kontratës me transmetuesin kinez Mango TV, pasi zgjodhën të mos e transmetonin këtë performancë ngase shfaqja e një çifti gay bie ndesh me rregullat kineze të censurës. Mango TV censuroi po ashtu edhe këngëtarin shqiptar Eugent Bushpepaj, për shkak të tatuazheve të tij të dukshme. Unioni i Transmetuesve Evropianë (EBU) e quajti këtë censurë si mohim i larmisë, vlerave universale dhe gjithëpërfshirëse, tashmë traditë e Eurovizion-it, i cili i feston këto përmes muzikës.

Meqë ra fjala tek Eugent Bushpepaj, mos të anashkalojmë faktin që edhe dy shqiptarë tjerë ishin krenarisht pjesë e këtij formati. Eleni Foureira përfaqësuese e Qipros dhe e renditur në vend të dytë në tabelën e votimeve, ndonëse kënga e saj ishte e një stili klishe ‘alla-Beyonce apo Elena Paparizu e Eurosong 2005-ës’, gjë që në njëfarë forme tregon mungesën e risisë në këngët përfaqësuese të Qipros, Greqisë, duke mos lënë anash vendet e Ballkanit, si Serbia me tingujt e saj të përhershëm popullorë të ndërthurur me muzikën moderne.

Ermal Meta është përfaqësuesi tjetër shqiptar i Italisë në duet me Fabricio Moro, të cilët pas votave të publikut u renditën në vendin e pestë. Shqipëria, si asnjëherë u rendit e shtata nga votat e 43 shteteve, por nga votat e publikut u zhvendos në vendin e 11-të. Sidoqoftë, kjo konsiderohet të jetë një sukses pasi kënga përfaqësuese e Eugent Bushpepaj, ‘Mall’, u votua më tepër edhe për arsye të zhanrit. Shtete që njihen si me numër të lartë të fansave të rock-ut dhe metal-it si Polonia, Hungaria e vendet Skandinave kanë dhënë vota edhe për këngët e këtij zhanri.

Reagimet e fundit por jo më pak të rëndësishme qenë mbi fitoren e Izraelit në këtë Eurosong. New York Times shkruan për fitoren e Izraelit si diplomatike dhe strategjike. Nuk mund të përshkruhet euforia kombëtare me t’u mësuar fitorja e këngës ‘Toy’ të Neta Barzilai, e cila kishte një mesazh domethënës, përtej asaj që u quajt ‘kënga e pulës’. Vetë titulli do të thotë ‘lodër’ dhe Neta pasqyron pushtetin e grave, mospranimin e trajtimit si lodër, drejtësinë shoqërore, duke imituar tingujt e pulës si metaforë e burracakërisë dhe frikës për të ballafaquar diçka ndryshe. Gjatë momentit kur ajo mori çmimin fitues falënderoi Evropën dhe fansat për vlerësimin e larmisë, përqafimin e vlerave universale dhe pranimin e të ndryshmes.

Ky çmim erdhi si një ëmbëlsim pasi Natali Portman, aktorja e mirënjohur amerikano-izraelite, refuzoi çmimin e rëndësishëm ‘Genesis’ (Gjeneza) të dhënë nga Izraeli për çdo hebre që ka arritur kulmin e karrierës dhe suksesit në jetë. Portman e kish refuzuar çmimin me deklaratën se: ‘’nuk mund ta mbështes Netanjahun, dhunën, korrupsionin, pabarazinë dhe abuzimin e pushtetit’’.

Përtej mesazheve të ndërgjegjësimit dhe ngritjes së vetëdijes, fitorja e Izraelit shihet si e qëllimshme, për statusin e vetë shtetit. U katapultua menjëherë në vend të parë nga votat e publikut pasi qëndronte në vend të tretë nga votat e shteteve. Izraelitët e konsiderojnë fitoren si përligjje kombëtare dhe një shenjë e mirë pasi në imazhin e vendit ka ndikuar rrëmuja e mbi 50 viteve konflikti me Palestinën.

Ndërsa kryeministri Benxhamin Netanjahu, parashikoi menjëherë edicionin e ardhëm të Eurosong në kryeqytetin e shenjtë të Jeruzalemit, i cili ende po lufton të njihet nga ndërkombëtarët, duke e quajtur Neta-n si ambasadoren më të mirë të Izraelit.

Netanjahu madje bëri një shfaqje të vogël me ‘krahë të pulës’ të dielën dhe e postoi atë në Twitter. Ndërkaq javën e kaluar, pak para se Izraeli të sulmonte brenda natës bazat iraniane në Siri, kryeministri qëndroi për dhjetë orë në Moskë, nën shoqërinë e Vladimir Putin, si i ftuar i tij i nderit në paradën e fitores së Luftës II Botërore ndaj Nazistëve.

Izraeli mori pjesë për herë të parë në Eurovizion në vitin 1973 dhe ka fituar çmim të parë tri herë të tjera, përkatësisht në vitet 1978, 1979 dhe 1998.

15 Maj 2018 - 15:36

Lorena Beshello 15/05/2018 - 15:36
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend