Pamje nga Peja

Çka të Mos Bëhet Për Pejën Pas Zgjedhjeve Lokale?

Gjatë gjithë qeverisjes së saj të pasluftës, Peja assesi nuk po arrin të këndellet dhe ta marrë veten në drejtim të një qyteti me nam, siç edhe i ka hije. Një nga qytetet më të mëdha të Kosovës tashmë po shndërrohet në diçka që po e bën të padëshirueshme jetesën në të. Me të përfunduar shkollimin e tyre të mesëm, të rinjtë po kërkojnë e gjejnë mundësi për ta braktisur atë. Ata me më pak mundësi i drejtohen Prishtinës, tjerët më me ‘fat’ ikin edhe jashtë vendit.

Gjatë gjithë kësaj periudhe të pasluftës, qeveritë komunale po gjejnë arsyetime “të mira” pse ky qytet ka arritur të përfundojë në këtë gjendje – një pjesë e pushteteve arsyetohet se ato janë opozitë e nivelit qendror dhe qeveritë nuk i mbështetën, gjersa pjesa tjetër, që ndodhë edhe të jetë nga të njëjtat parti me ato të nivelit qendror, realizon projekte ad-hoc dhe prioritet ka vetëm dëshirat e disa prej përfaqësuesve të tyre partiakë.

Peja po zvogëlohet edhe për kah numri i banorëve, ndërsa kur vjen puna tek investimet kjo komunë vazhdon të prijë, por për fat të keq, nga fundi.

Ani pse ka pasur disa ndërrime të pushtetit në qeverisje lokale, me ç’rast lindte edhe shpresa për avancim të caktuar në fushat ku premtohej ndryshimi bazuar në ofertat politike, shumë pak është bërë. Të gjitha ato që janë premtuar nga politikanët në Pejë, e është premtuar shumë, nuk u është përkushtuar as mundimi më i vogël që të realizohen, e fatkeqësisht temat politike marrin drejtim pa krye e pastaj dalin në shesh prioritete tjera të papritura për të cilat nuk është marrë vota e qytetarit. Pritjet e qytetarit në vazhdimësi janë përballë me zhgënjimin. Këto qeverisje janë identifikuar me nepotizëm, afera korruptive, ndërtime pa leje, mosrealizim të projekteve kapitale, largim të donatorëve në mungesë të guximit për investime, që në afat të gjatë po rezulton me shkatërrimin e qytetit.

Peja, ndër qytetet e para në Kosovë, kishte një plan të zotuar urbanistik e zhvillimor, i cili u krijua në vitin 2005 me të cilin mburreshim që të gjithë, sepse ishim të parët me këso planesh, por pothuajse asgjë nuk ka mbetur të jetë e realizueshme nga ai. Ndërtesa të shumta të cilat kalojnë etazhet e lejuara, hapësira publike të cilat nuk dihet ku kanë qenë të planifikuara, sheshe të realizuara aty-për-aty me sipërfaqe të mbyllura e me cilësi të dobët ndërtimi, asfalt e beton që ka zënë krejt hapësirat, jo vetëm brenda qytetit, pasi degradimi është zgjatur edhe nëpër fshatra e në ‘mushkëritë’ e qytetit – Bjeshkët e Rugovës.

Për zyrtarin komunal në Pejë konsiderohet sukses nëse rrënohet një kullë apo ndonjë objekt i vjetër dhe ndërtohet një prej këtyre të ditëve të sotme, me betone, xhama e lloj-lloj ngjyrash. Peja sot ruan 4 metra katrorë kalldrëm. Nga e gjithë vlera kulturore, arkitekturore e antike që Peja ka pasur, po ju vjen fundi edhe objekteve të fundit të kësaj trashëgimie.

Mbeturinat afër stacionit policor në Pejë. Foto: Kallxo.com

Kjo komunë ka edhe Rugovën, për të cilën nuk mburret vetëm Kosova, por sot në fshatrat e saj, në Bogë apo Shkrel, kanalizimet dhe mbeturinat ta zënë frymën e shtëpitë ta zënë edhe diellin. Peja ka edhe tokën bujqësore ndër më të mirat në Kosovë, nëse jo më e mira, por fshatarët po i lënë pas dore dhe po jetojnë me qira në qytet. Qeverisjet që kishte Peja nuk u mërziten e as që u djersitën fort për këtë edhe pse turizmi e bujqësia ne letra janë prioritet e saj në planin zhvillimor.

Gjatë këtyre viteve, komuna e Pejës nuk është përballur vetëm me mungesë investimesh nga jashtë, por edhe me largim të një numri jo të vogël të investitorëve. Në Pejë ka ndodhur edhe një dukuri akoma më shqetësuese; edhe investitorët lokalë kanë filluar që në forma të ndryshme të largohen nga këtu duke hapur përfaqësitë e tyre në komuna tjera përreth, Prishtinë, e gjetiu nëpër Kosovë. Pra, Peja mbetet një ndër komunat që në vazhdimësi varet nga investimet e vogla kapitale nga Qeveria e Kosovës, të hyrat e vogla vetanake dhe nga ndihmat e donatorëve në fusha të ndryshme me kapacitet të vogël zhvillimi.

Asnjë projekt i rëndësisë kapitale për Pejën nuk u materializua që nga paslufta. Edhe disa projekte që kanë nisur në masë më të vogël, siç janë disa shkolla, një çerdhe e qendra rinore, ose kanë ngelur në gjysmë dhe nuk shihet mundësia e funksionimit të tyre, ose janë realizuar si objekte që nuk hynë në punë për asgjë. Për investime më të mëdha, as që bëhet fjalë. Këto qeverisje vazhdimisht kanë shfaqur në publik projekte kapitale të cilat mund t’i kenë ëndërruar, për të cilat nuk ka pasur as mundësi e as dije që të shndërrohen në realitet.

Mbeturinat në rrugën drejt bjeshkëve të Rugovës.

Nuk është aspak e lehtë të jesh qytetar pa ndonjë përcaktim partiak, por edhe shumica e atyre të cilët janë nëpër këto parti përfundojnë të pakënaqur me punën e po këtyre partive. Niveli i komunikimit me qytetarin nuk ndjek as edhe një standard; pasi për të pasur standarde, pushteti duhet të heqë dorë nga përfitimi individual dhe ndarjen e tenderëve për aktivistët partiakë dhe familjarët, apo marrjen e vendimeve kokë në vete. Këto gjëra praktikisht i kanë shndërruar këto qeverisje në një sistem ku mbizotëron korrupsioni e nepotizmi, të cilat nganjëherë pa fije frike shfaqet edhe publikisht, e ku as sistemi gjyqësor nuk e merr mundimin apo s’e ka as guximin të merret me to. Në këtë kuptim, këto qeverisje komunale mbeten tërësisht të mbyllura në vetvete dhe të cilat krijojnë skema e programe vetëm për të mirën e tyre individuale.

Edhe pse rruga është nevojë që duhet të plotësohet nga shteti për qytetarin, në të shumtën e rasteve shtrimi i rrugëve është planifikuar në funksion të mbledhjes së votave nga partitë politike. I njëjtë është rasti me këto qeverisje në Pejë. Ka rrugë të cilat janë shtruar edhe nga disa herë, e ka zona të cilat as që mund të paramendojnë asfaltimin e rrugëve në fshatrat e tyre. Kjo ndodh edhe nëpër lagje të qytetit. Pra, nëpërmes shtrimit të rrugës abuzohet me votën e qytetarit.

Rajoni i Dukagjinit, i cili përshin edhe komunën e Pejës, është rajon i pasur me begati natyrore e ujë të bollshëm. Edhe përkundër kësaj, shumë fshatra të kësaj komune akoma vazhdojnë të mbesin pa ujë të pijshëm, duke përdorur formën klasike të puseve, të cilët në disa raste edhe mungojnë, përderisa ka pjesë të shumta të qytetit ku gjatë verës shumë familje e lagje të tëra përballën me mungesë uji të pijes pa ndonjë arsye.

Kanal i hapur në Bogë, shtator 2017.

Ujërat e zeza janë poashtu një problem shumë i madh në Komunën e Pejës. Si qyteti ashtu dhe fshatrat përballen me këtë problematikë. Lumi i qytetit është i stërmbushur nga kanalizimet që derdhen në të, gjersa fshatrat turistik si Boga e të tjerët gjatë gjithë kohës kundërmojnë erë kanalizimesh. Përpjekjet e komunës që të materializojë planin ekzistues për trajtimin e ujërave të zeza për shumë vite me radhë kanë dështuar, edhe pse ka pasur disa donatorë të interesuar të ndihmojnë në këtë drejtim, por mungesa e një vizioni të qartë dhe e përgjegjësisë nga komuna kanë sjellë tek zvarritjet në fillimin e punës.

Shoqëria civile në komunë është mjaft aktive. Organizatat joqeveritare, media dhe qytetarët aktivë, në shumë aspekte ata e kanë shtyrë komunën që të ketë vëmendjen ndaj kërkesave të cilat adresohen nga shoqëria. Duke qenë një pushtet komunal pa shumë përvojë në bashkëpunimin me shoqërinë civile, Komuna e Pejës shpesh nuk ia ka dalë t’i harmonizojë politikat e saj me nevojat dhe kërkesat që ka shoqëria civile. Takimet me qytetarë shpesh kanë mbetur takime për të dëgjuar dhe në të shumtën e rasteve pa veprime konkrete. Ka pasur disa herë probleme që janë shfaqur edhe në opinion në relacionin ekzekutiv komunal me media, e shumë organizata joqeveritare janë apostrofuar si kundërshtarë politikë. Një numër i caktuar organizatave joqeveritare është dashur edhe ta mbyllin aktivitetin e tyre në mungesë të çfarëdo përkrahjes, edhe kur komuna kishte marrë përgjegjësinë për t’i mbështetur organizatat që në raste të caktuara ishin krijuar për të kryer qytetarëve shërbime që komuna nuk mund t’i realizonte,

Do të ishte një urim i madh që të gjithat gjëra të cilat kanë marrë drejtim të gabuar për kaq vite në Komunën e Pejës, të mos vazhdonin më. Tani, kur para nesh kemi një listë të kandidatëve për kryetar komune dhe disa lista të gjata me kandidatë për asamblistë komunalë prej të cilëve më 22 tetor qytetari duhet të zgjedh, shpresojmë se kësaj radhe të ketë më shumë vetëdije, në mënyrë që të fillojë t’u jepet fund të gjithë këtyre të këqijave nëpër të cilat ka kaluar ky qytet e kjo komunë deri më tani. Dhe kështu të krijohen mundësitë dhe rrugë për zhvillimin, dhe Pejës t’i kthehet e mbara.

 

Autori është aktivist i shoqërisë civile në Pejë