Çka Ndodhi në Gjykatat e Kosovës në vitin 2015?

Megjithatë gjyqësori gjatë vitit që e lamë pas ishte në kërkim të fitimit të besimit të qytetarëve, pasi gjykimet e pakta të “peshqve të mëdhenj” zvarritja e proceseve gjyqësore, përfundimi i disa rasteve të korrupsionit pa epilog fajësues, ose dënimet e ulëta e mosvuajtja e dënimit u japin shumë të drejtë atyre që ndihen të pakënaqur me gjykatat në Kosovë.

Rasti që bëri bujën më të madhe ishte ai i kryetarit të Gjykatës së Apelit Sali Mekaj.

Pasditen e 20 korrikut të vitit që lamë pas, kryetari i Gjykatës së Apelit, u arrestua nën dyshimin se  ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar.

Arrestimi i Mekajt humbi dhe dëmtoi edhe më shumë besimin e qytetarëve karshi institucioneve të drejtësisë, ndërsa Këshilli Gjyqësor i Kosovës si pasojë e fillimit të hetimeve pezulloi nga puna Mekajn deri në përfundimin e tyre.

Për Mekajn gjatë 2015-ës nuk pati as ngritje aktakuze, as përfundim hetimesh.

Gjatë vitit që shkoi aktakuza u ngritën edhe ndaj atyre që duhet të ngrënë akte akuzuese.

Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Gjakovës Shpresa Bakija u gjet në bankën e të akuzuarve. Ndaj sa u ngrit aktakuzë në gusht të vitit të kaluar nën akuzat për tri vepra penale, mes tyre edhe për zbulim të fshehtësisë zyrtare.

E arrestuar dhe me aktakuzë përfundoi edhe prokurorja e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Vahide Badivuku.

Gjykime të ministrave e kryetarëve të komunave

Fatmir Limaj, Astrit Haraqija, Valton Beqiri, Ramadan Muja, Sami Lushtaku, Nexhat Demaku, janë vetëm disa nga zyrtarët që patën punë me gjykatat gjatë vitit 2015.

Fatmir Limaj, në vitin 2015 vazhdoi të mbetet i akuzuar. Këtë herë, akuzat kishin të bënin me kohën kur Limaj ishte ministër i Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit. Dy rastet në të cilat Limaj ishte i akuzuar, MTPT 1 dhe MTPT 2, u bashkuan në një rast të vetëm.

Limaj u deklarua i pafajshëm, ndërsa akuzën e quajti të ngritur me urdhër politik. Rasti aktualisht është duke u proceduar, ndërsa  do të duhej të përmbyllet gjatë vitit 2016.

Limaj përpos rastit MTPT ishte pjesë e gjykimit për të tretën herë edhe në rastin Kleçka, për të cilin dy herat e kaluara ishte shpallur i pafajshëm, por pas ankesës së prokurorisë Gjykata e Apelit shqyrtoi “Kleçkën”.

Në listën e të dënuarve nga gjykata e shkallës së parë për vitin 2015, figurojnë edhe ish-ministrat e kulturës, Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri. Që të dyve iu shqiptuan dënime relativisht të lehta me kusht.

Ramadan Muja përkundër se ishte dënuar nga  Gjykata Themelore në Prizren në mars të vitit 2014 për keqpërdorim të detyrës,  ai gati dy vite më pas vazhdon të jetë kryetar i Prizrenit edhe pse ishte gjetur fajtor dhe dënuar me dy vjet burgim me kusht.

Gjykata e Apelit, afër një vit e gjysmë pasi Muja ishte dënuar, vendosi që këtë çështje ta kthejë përsëri në rigjykim në Gjykatën Themelore të Prizrenit, duke e kthyer kështu rastin në pikën zero.

Por, kjo nuk ishte e tëra në rastin Muja gjatë vitit 2015. Në përmbyllje të vitit 2015, Gjykata Supreme e Kosovës i dha një kthesë interesante këtij rasti duke e rrëzuar vendimin e Apelit me të cilin lënda e Mujës ishte kthyer në rigjykim.

Sami Lushtaku, kryetari i Skenderajt në maj të vitit të kaluar u dënua me 12 vjet burgim nga gjykata, nën akuzat për vrasje të kryer në vitin 1998, ndërsa në rastin e njëjtë por për akuzat e keqtrajtimit të civilëve gjatë luftës me 6 vjet burg u dënua Sylejman Selimi.

Sylejman Selimi, ishte pjesë e grupit që u gjykua në rastin e njohur si “Drenica 2”, ku u dënua edhe me 8 vjet burg për keqtrajtim të të ndaluarve në Likovc.

Përpos Selimit, në këtë rast u dënuan edhe nëntë personat tjerë të “Grupit Drenica 2” që akuzoheshin bashkë me Sylejman Selimin.  Isni Thaçi dhe Jahir e Zeqir Demaku u dënuan me nga 7 vjet burg. Gjykata në këtë rast dënimin prej 3 vjetësh ua shqiptoi edhe Agim, Selman, Driton e Bashkim Demajt dhe Fadil Demakut.

Pjesë e këtij rasti ishte edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku. Ai u dënua me 3 vjet burg.

Kryetari i Drenasit, fajtor u gjet edhe Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në një rast të një natyre tjetër.  Ai është dënuar me 1 vit e gjashtë muaj burgim nga gjykata e shkallës së parë nën akuzën e keqpërdorimit të detyrës zyrtare në cilësinë e kryetarit të Komunës së Drenasit.

Për dallim nga Lushtaku dhe Demaku, ndonëse u gjet se Komuna e Shtërpcës kishte lidhur një aneks-kontratë që nuk ishte në përputhje me ligjin e prokurimit në Kosovë, kryetari i kësaj komune Bratisllav Nikoliq, dhe zyrtari i prokurimit i kësaj komune Agim Rexhepi, u shpallën të pafajshëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Kryetari i trupit gjykues vlerësoi se të akuzuarit kishin qenë nën lajthim faktik dhe juridik. http://kallxo.com/zyrtaret-e-lajthitur-lirohen-nga-akuzat-per-keqperdorim/

I pafajshëm u shpall edhe kryetari i Komunës së Dragashit Salim Jenuzi dhe konsulli i Republikës së Kosovës në Sofje, Lulzim Rifaj. Të dy akuzoheshin për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Pafajësia për shpërdorim detyre iu shqiptua edhe ish-kryetarit të Kamenicës Shaip Surdulli.

Gjatë vitit 2015, me aktakuzë u bë edhe një ish-kryetar komune. Mehmet Krasniqi ish-kryetari i Komunës së Obliqit, u akuzua për keqpërdorim të detyrës zyrtare. AI u deklarua i pafajshëm lidhur me aktakuzën. Rasti do të vazhdojë në vitin 2016.

Raste tjera në të cilat u përfshinë zyrtarë të ministrive dhe që zgjuan vëmendje gjatë vitit 2015 ishin gjykimet për Parkun e Biznesit në Drenas dhe për mbetjen e udhëtarëve pa aeroplan në Aeroportin e Prishtinës në vitin 2009.

Rasti i Parkut të Biznesit në Drenas përfundoi me dënimin e të akuzuarve, por dënimet u  konsideruan si relativisht të buta. Nexhat Krasniqi, si ish-shef i prokurimit në Mistrinë e Tregtisë dhe Industrisë u gjet fajtor dhe u dënua me 26 muaj burgim me kusht, ndërsa Adem Zogjani me 10 muaj, Sadri Hykosmani me 8 muaj dhe  Safet  Fazliu 7 muaj burgime me kusht.

Të pafajshëm u shpallën të gjithë të akuzuarit edhe në rastin e udhëtarëve të mbetur në Aeroportin e Prishtinës. Dy zyrtarët e Ministrisë së Transportit, Nexhat Bala dhe Ismal Berisha u shpallën të pafajshëm për akuzën e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Në këtë rast i akuzuar ishte edhe Besnik Mustafa, djali i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa. Ai akuzohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa në fjalën përfundimtare prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ali Rexha u tërhoq nga akuza ndaj tij dhe dy kolegëve të Besnik Mustafës, Shefqet Qerkinit dhe Seladin Ujkanit.

Në bankën e të akuzuarve në vitin 2015, u paraqit edhe drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prizrenit, Nexhat Çoçaj. Ai akuzohet për keqpërdorim  të detyrës lidhur me një manifestim në Komunën e Prizrenit. Ai u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën, ndërsa pritet që gjatë vitit 2016 të ketë epilog lidhur me këtë rast.

Terrorizmi

Të dyshuarit për terrorizëm, janë një dukuri relativisht e re për Kosovën dhe gjykatat e saj. Shumë të rinj kosovarë u bënë pjesë e luftërave me karakter religjioz në Siri dhe Irak duke u rreshtuar krahas organizatave terroriste.

Rrjedhimisht, të njëjtit pas kthimit në Kosovë u përballën dhe vazhdojnë të përballen me aktakuza për pjesëmarrje në grupe terroriste dhe vepra të tjera të ngjashme që lidhen me terrorizmin.

Rastet që bënë bujën më të madhe gjatë vitit 2015, janë rasti i Liqenit të Badovcit ndaj pesë personave të arrestuar te ky liqen në mëngjesin e 11 korrikut të vitit të kaluar. Fillimisht u ngritën dyshime për helmim të ujit, por këto dyshime nuk dolën të vërteta pasi që në aktakuzën që u ngrit  më 10 dhjetor doli se qëllimi ishte helmimi i ujit por leximi i një deklarate besnikërie ndaj liderit të ISIS-it.

Rast tjetër i terrorizmit që bëri bujë mediatike ishte edhe rasti i Zeqirja Qazimit dhe të tjerëve. Zeqirja Qazimi dhe të tjerët akuzohen për vepra penale që ndërlidhen me terrorizëm. Zeqirja Qazimi dhe të tjerët  kishin mohuar akuzat dhe deklaruar veten të pafajshëm.

Po ashtu ndoshta njëri nga rastet që bëri jehonën më ta madhe në Kosovë, është rasti i Slobodan Gavriqit.  Ai ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2014 dhe i ishin zënë rreth 12 kilogram eksplozivë. Ndaj tij ishte ngritur aktakuzë në korrik të vitit të kaluar. Rasti është duke vazhduar dhe pritet të ketë epilog gjatë këtij viti.

Raste tjera të rëndësishme

Viti 2015 kishte një llojllojshmëri të madhe të rasteve që u paraqitën në gjykatë. Ngjarjet politike në vend e veçanërisht ato që ndodhën në Kuvendin  e Kosovës, rezultuan me arrestime të shumta të aktivistëve  e po ashtu edhe të deputetëve  të opozitës, ndaj disa për të cilëve u ngrit edhe aktakuzë.

Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj- Bujupi dhe Faton Topalli janë disa nga deputetët ndaj të cilëve u ngrit aktakuzë, u arrestuan dhe vuajtën edhe paraburgim. Gjithsej 13 deputetë të opozitës kaluna nëpër procedura policore e gjyqësore nën dyshimet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Rast tjetër i rëndësishëm në vitin 2015 që mori epilog në këtë vit ishte edhe gjykimi për vrasjen e policit të njësisë speciale Enver Zymberi në korrik të 2011-ës. Radovan Radiqi dhe Millovan Vllaskoviqi u shpallën të pafajshëm për vrasjen e Zymberit.

Për dallim prej tyre, 6 policët e njësisë speciale të Kosovës, u gjetën fajtor dhe u dënuan lidhur me rastin e truprojave të Vulinit.

Gani Konjuhi u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, ndërsa me dënime me kusht u dënuan Sabit Sadiku, Naim Durmishi, Nexhmedin Sahiti, Sevdaim Abdullahu dhe Ilmi Rexhepi. Ata akuzoheshin për keqtrajtim të disa personave gjatë vizitës së ish-shefit të zyrës për Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin në Kosovë më 7 janar 2013.

Me 3 vjet e 2 muaj burg dhe me 4000 mijë euro gjobë u dënua edhe Shefki Hallaqi, i njohur si “Sheki”. Ai nga Prokuroria Themelore në Prizren akuzohej për përdorim dhe armëmbajtje të armës duke sulmuar stacionin e Policisë së Kosovës në Prizren.

Rasti i Naser Kelmendit, i cili edhe pse i arrestuar në maj të vitit 2013, dhe i cili akuzohet për vrasje dhe narkotikë, nuk ka arritur të përfundojë gjatë vitit 2015, ndërsa kjo pritet të ndodhë në vitin 2016. Kelmendi vazhdimisht ka deklaruar se ndihet i pafajshëm.

Ngjashëm me Kelmendin po vazhdon edhe gjykimi i Enver Sekiraqës që akuzohet për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, ndonëse seanca fillestare lidhur me këtë rast ishte mbajtur në tetor të vitit 2014. Sekiraqa po ashtu asnjëherë nuk e ka pranuar fajësinë për veprat që i ngarkohen. Pritet që gjykimi të përfundojë këtë vit.

Rast tjetër, i cili ndodhi për herë të parë në Republikën e Kosovës, ishte edhe rasti i parë i shqiptimit të dënimit me burgim të përjetshëm.

Rast tjetër i rëndësishëm në Kosovë në vitin 2015 ishte edhe rasti i gjykimit të ish-deputetit Gani Geci. Ai akuzohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqrit në gusht të vitit të kaluar.

Edhe pse gjatë 2015-ës kishte shumë gjykime të zyrtarëve të lartë, lëndët e të cilëve filluan, vazhduan ose morën epilog vitin e kaluar, dënimet e buta, dështimi i prokurorisë për të provuar fajësinë dhe si rezultat shpallja si të pafajshëm e shumë të akuzuarave, veçanërisht për korrupsion, e së fundmi edhe dyshimi edhe arrestimi i figurave kyçe të institucioneve të drejtësisë nuk kontribuuan në krijimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.