Cili Numër Je Ti?

Selim Koro, 43 vjeç, vitin e kaluar kishte thirrur policinë në Prishtinë për të kërkuar ndihmë por ai ishte keqkuptuar me ta për shkak të numrit të banesës.

“Natën që e kam gjetur banesën të thyer, e kam thirrur policinë. Kam pritur për një kohë dhe pastaj kuptova që diçka nuk është në rregull”, tha Selimi.

Ai e kishte thirrur policinë përsëri për të parë se pse ata nuk arritën në vendin e ngjarjes. Policia i kishte thënë se patrulla ishte në atë rrugë por se atë nuk po e gjenin.

“Dola në rrugë dhe në fund të saj pash veturën e policisë duke biseduar me njerëz të gabuar. Flisnin me një familje e cila jetonte në fakt në numrin që unë u kisha dhënë”, tha Selimi, duke shtuar se njëri prej policëve e kishte pyetur “Cili numër je ti?”.

“Dola në rrugë dhe në fund të saj pash veturën e policisë duke biseduar me një familje e cila jetonte në fakt në numrin që unë u kisha dhënë” Selimi

Selimi edhe sot e kësaj dite nuk e din se cili është numri i vërtetë i banesës ku jeton. Dhe ky duket të jetë problem në tërë vendin dhe për qindra mijë qytetarë pasi adresat dhe numrat nuk janë regjistruar dhe mirëmbajtur në mënyrë koherente. 

Për të vënë rend në këtë fushë është miratuar ligji për “Sistemin e Adresave” i cili ka për qëllim identifikimin dhe vendosjen e numrave të saktë të shtëpive, banesave, objekteve dhe parcelave në tërë Kosovën.

Ky ligj është aprovuar në dhjetor 2011 nga Kuvendi i Kosovës dhe është projekt i Komisionit Europian.

Punën kryesore e bart Agjencia Kadastrale e Kosovës e cila thotë se është në përpilim e sipër të katër udhëzimeve administrative për ta zbatuar ligjin.

Këto udhëzime mëtojnë të rregullojnë çështjet mbi elementet e adresave, si caktimi i formatit të shkronjave, numrave dhe të tabelave të adresave.

Pastaj vendosjen fizike të tabelave të adresave si dhe procedurat e krijimit dhe administrimit të Regjistrit Komunal të Adresave dhe Regjistrit Shtetëror të Adresave.

Ligji për sistemin e adresave parasheh edhe zonat e lira të cilat rezervojnë numrin e caktuar të shtëpisë edhe pse nuk është e ndërtuar në një parcelë.

Tabelat nëpër rrugë do të jenë të madhësisë 30×40 cm, me ngjyrë të kaltër dhe do të jenë në tri gjuhët zyrtare, Shqip, Anglisht dhe Serbisht.

“Disa komuna shkojnë edhe deri në katër gjuhë zyrtare, si për shembull Prizreni ka edhe gjuhën Turke”, tha Ismet Kryeziu, drejtor i departamentit ligjor në Agjencinë Kadastrale të Kosovës.

Ai shtoi se sistemi i adresave është një parakusht i BE-së.

Emrat e rrugëve do të vijnë nga komunat. Por sipas Kryeziut agjencia parasheh që i vetmi problem të dalë me emërtimin e rrugëve në komunat me shumicë serbe.

“Nuk dimë akoma se çfarë emrash do të përdorim nëpër këto rrugë” Ismet Kryeziu

“Nuk dimë akoma se çfarë emrash do të përdorim nëpër këto rrugë”, tha ai.

Kryeziu thotë se ky sistem i ri i adresave menjëherë do të shfrytëzohet pastaj nga policia, posta, emergjenca dhe KEK-u.

“Për numra do t’i marrim parasysh të dhënat nga KEK-u pasi që ata disponojnë të dhëna më të sakta”, tha ai.

Plani është që futja në sistem e adresave të sakta me kushtet e parapara me ligj të nis nga qendra e qytetit drejt periferisë e deri në fshatra.

“Për shembull, në Prishtinë do të niset nga sheshi. Edhe Katedralja do të ketë nurmin e vet”, tha ai.

Me pakon e re, do të emërtohen edhe pjesët e territorit publik si bulevardet, rrugët, rrugicat, sheshet, parqet dhe unazat rrugore.

Po ashtu, urat dhe tunelet do të emërtohen dhe numërtohen me qëllim identifikimi.