Ilustrimi: Kallxo.com

Cila Është Partia më e Madhe në Vend?

Në zgjedhjet lokale të mbajtura me 22 Tetor 2017, befasia më e madhe ishte se Vetëvendosje nuk arriti të befasojë. Shumë kryetarë të tanishëm do të gjendën prapë në balotazh. LDK arriti të fitojë më shumë komuna, PDK arriti të rrijë në balotazh në shumë komuna, por të vazhdon të bjerë në vota, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje gjithashtu do të shkojë në balotazh në 6-7 komuna, por dështoi ta përdorë momentumin e zgjedhjeve të 11 qershorit që të dalë partia më e madhe në nivelin lokal.

Nëse krahasojmë partitë pa koalicione, renditja në zgjedhjet nacionale ka qenë VV-LDK-PDK dhe në zgjedhjet lokale LDK-PDK-VV.  Atëherë cila është partia më e madhe në vend?

Lumir Abdixhiku nga LDK në mbrëmjen e 22 tetorit, shkruajti: “Lidhja Demokratike e Kosovës është rikthyer si partia më e madhe në vend.” Por a është kjo e vërtetë, a mund të themi tash se LDK është partia më e madhe në Kosovë?

Vitin e kaluar isha në një event në Berlin të disa akademikëve që prezantonin modelet e tyre për prognoza shkencore të zgjedhjeve të shtatorit 2017 në Gjermani. Një prej komponenteve se si e përcaktonin fituesin eventual dy akademikë ishte përmes zgjedhjeve të federatave apo Landtagsëahlen, sepse shumë shpesh ato në Gjermani edhe reflektojnë rezultatin në zgjedhje nacionale. Por një variabël në një vend nëse vendoset e matet në një vend tjetër del me një rezultat krejt ndryshe. Sidoqoftë, a mund ta themi një gjë të tillë për Kosovën, se zgjedhjet lokale i reflektojnë ato nacionale apo anasjelltas?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj nuk duhet vetëm t’i interpretojmë numrat njësoj të dy palë zgjedhjeve, por duhet të analizojmë nëse kanë ndryshim esencial këto zgjedhje në Kosovë.

Por si janë të ndryshme zgjedhjet e lokale prej atyre qendrore? Në nivelin qendror votohet kandidatët për deputet të cilëve u prin një kandidat për kryeministër, vlerësohet performanca e partisë në nivel qendror, partishmëria e individit ndaj partisë si dhe programi i partisë apo fushata.

Në anën tjetër, edhe zgjedhjet komunale varen nga faktorë të njëjtë, por në nivelin mikro dhe në esencë janë thuajse komplet të ndryshme ngase flasim për njerëz tjerë me performanca dhe popullaritet krejtësisht tjetër. Si kandidati për kryetar komune, kandidatët për asambleistë, performanca e partisë në nivelin lokal, partishmëria e individit me degën lokale dhe programi\projektet e planifikuara, bashkë me fushatën lokale.

Kandidati për kryetar\kryeministër

Në lexim të parë mund të ngjasojnë si faktorë të ngjashëm, por duhet diferencuar qartë kur themi kandidati për kryetar e për kryeministër se po flasim për njerëz të ndryshëm që marrin përqindje të ndryshme të votave. Për shembull, Albin Kurti i Vetëvendosjes ndoshta ka mund të marrë vota më së shumti në Ferizaj, por në anën tjetër kandidati i PDK-së për kryetar Agim Aliu është tejet i popullarizuar në Komunë, bile shumë më shumë se Kadri Veseli apo Hashim Thaçi. Qysh nga fillimi i zgjedhjeve Vetëvendosje kritikohej që nuk ka zgjedhur kandidatët e duhur nëpër shumë komuna në të cilat kishte elektorat nga zgjedhjet nacionale. Në zgjedhjet lokale edhe kandidatët e pavarur në disa komuna kanë sukses më shumë se partitë, sidomos në ato ku PDK nuk do të kishte konkurrencë, si Skenderaj, Hani i Elezit, e tash në balotazh edhe Shtimja i rrezikohet PDK-së nga kandidati i pavarur.

Peja për shembull ka fituar shumicën absolute të votave në zgjedhje lokale, por Avdullah Hoti si kandidat për kryeministër nuk mundi t’i fitojë votat e njëjta nga Peja. Apo edhe Ramush Haradinaj si kandidat i PAN nuk ka mundur t’i fitojë votat e njëjta që i fitoi kandidatja e PDK-së në Mitrovicë.

Pra ka shembuj të shumtë që pohojnë se kandidati i qendrës për kryeministër apo kandidati lokal për kryetarë komune dallojnë shumë edhe pse vijnë nga partia\koalicioni i njëjtë.

Lista e deputetëve vs. lista e asambleistëve

Kur flasim për listë të deputetëve dhe të asamblesë, mund të jenë të dyja lista të kandidatëve, por në listën e deputetëve lidhja e votuesit me kandidatin është më impersonale dhe më meritokratike. Kjo vjen për arsyen se statistikisht është me pak e mundshme që të ketë lidhje personale me kandidatin për deputet, por edhe nëse ka prapë i ka 4 vota të tjera për deputet, ngaqë sistemi zgjedhor në Kosovë lejon votimin për 5 deputetë. Në listën e asambleistëve lejohet vetëm një votë dhe ka më shumë gjasë që ai që garon të ketë direkt lidhje familjare me ne apo lidhje shoqërore me kandidatin në asamble. Partitë janë të vetëdijshme për këtë dhe vendosin në lista të tyre asambleistë nga lagje të ndryshme në qytetin si dhe fshatrat e komunës. Prandaj nëse një individ është votues i Vetëvendosjes, por i afërti i garon për PDK-në atëherë është shumë e mundshme që ta votojë PDK-në në zgjedhje lokale. Ngaqë, sidomos në një vend fisnor e tradicional si Kosova, lojaliteti ndaj familjes dhe shoqërisë është shumëfish më i madh se ndaj partisë.

Partia  në nivel qendror dhe ajo në nivel lokal: Një parti mund të dështojë në nivelin qendror por mund të jetë e suksesshme në nivelin lokal. Shembull i mirë për këtë është Vitia, qytetarët e së cilës janë tejet të pakënaqur me nivelin qendror dhe kanë votuar në zgjedhje nacionale Vetëvendosjen, por janë të  kënaqur me qeverisjen e kryetarit të tyre të komunës nga LDK, i cili ka kaluar pa balotazh. E njëjta vlen edhe për opozitën. Votuesit e Vetëvendosjes mund të jenë të kënaqur me performancën e opozitës në nivelin qendror, por jo në atë lokal. LDK dhe PDK shquhen për degë të organizuara dhe te etabluara në nëpër qytete të mëdha e periferike, AAK këtë e ka në disa komuna me elektorat të koncentruar kryesisht në rajonin e Dukagjinit, ndërsa Vetëvendosje vazhdon të ketë problem që të etablohet nëpër qytete e sidomos në ato periferike.

Vetëm se një parti ka fituar në zgjedhjet nacionale nuk përkthehet në atë se do të ketë sukses në zgjedhjet lokale. Elektorati kosovar ka treguar se bën dallim të dukshëm mes politikës të qendrës dhe asaj lokale. Edhe pse për shembull, Kadri Veseli dështon të rezonojë me elektoratin e PDK-së njësoj si Thaçi, kandidatët lokalë të PDK-së vazhdojnë të jenë mjaft të dashur për elektoratin lokal të PDK-së, e shembuj të tillë janë në Ferizaj, Prizren dhe Mitrovice, ku PDK ka dalë e para. Në anën tjetër suksesi në qendër i Lëvizjes Vetëvendosje po vazhdon të mos përkthehet në sukses në nivelin lokal. Përderisa në LDK politikanët e qendrës po dështojnë e ata lokalë po kanë sukses, në Vetëvendose po ndodh e kundërta. Politikanët e qendrës janë ndër më të votuarit në Kosovë, por politikanët në nivelin lokal dështojnë të konsolidojnë elektoratin e periferisë. Si p.sh. në Ferizaj, Mitrovicë të Jugut dhe Gjilan, Vetëvendosje doli e para në zgjedhje nacionale, ndërsa në zgjedhjet lokale as nuk hyri në balotazh.

Bastionet dhe thyerja e tyre

Bastionet në Kosovën e pasluftës u krijuan varësisht me influencën që grupet e ndryshme e kanë pasur para luftës qoftë krahu i paqes. LDK me rezistencë civile apo krahu i luftës (PDK & AAK) me rezistencë ushtarake. Komunat partizane këto parti pastaj i kanë mbajtur diku më suksesshëm e diku më pak suksesshëm. Në anën tjetër partitë e pasluftës: AKR, Alternativa dhe Vetëvendosje vazhdimisht kanë problem t’i thyejnë bastionet e të parave. Mënyra më e suksesshme deri tash ka qenë që, si parti të pasluftës të përfundojnë së pari në balotazh e pastaj ta fitojnë balotazhin përmes koalicioneve ose mobilizimit të votueseve të partive të tjera. Kjo ndodhi në 2013 me Prishtinën dhe Vetëvendosjen, Pejën dhe LDK-në, Mitrovicën e Jugut dhe AKR-në, etj.

Mbetet tejet sfiduese për këto parti ta rikthejnë komplet bastionin për një mandat. Prandaj edhe çdo parti që ka thyer bastionin rikandidon kryetarin e tanishëm që ta rikonformon fitoren në atë bastion dhe t’i japë vetes kohë ta konsolidojë mbështetjen në komunë, para se të mund ta kandidojë një figurë tjetër nga ajo parti. Nëse partia sfiduese e bastionit fiton me dy mandate me kandidat të ndryshëm, atëherë edhe e institucionalizon prezencën në atë bastion me partinë e jo vetëm kryetarin e bastionit. E derisa kjo të ndodhë, bastionet vazhdojnë të votojnë për partitë e tyre tradicionale.

I njëjti bastion nuk vlen për zgjedhje nacionale, sidomos kur tradhtohet votuesi nga qendra. Votuesit e LDK-së kanë qenë të tradhtuar ngaqë në 2014 kanë bërë koalicion me PDK-në, e votuesit e PDK-së kanë qenë të tradhtuar ngaqë partia e tyre ka kandiduar për kryeministër një kandidat të një partie tjetër. Nga këto dy tradhti, nga konsistenca e Vetëvendosjes përgjatë viteve, performanca në Prishtinë dhe ngaqë Vetëvendosje shihej si opozita e vetme në Kosovë ajo e shumëfishoi votën në zgjedhjet nacionale.

Shtyrja e narrativit se LDK apo VV është partia më e madhe është problematike ngaqë njëra ka rezultat më të mirë në zgjedhje nacionale e tjetra në ato lokale. LDK është problem që mund të jetë partia e parë në zgjedhjet nacionale me dikë si Isa Mustafa apo Avdullah Hoti, ndërkohë që Vetëvendosje vazhdon të jetë e dobët në nivelin lokal me kandidatë të gabuar.

Dy mësimet kryesore të këtyre zgjedhjeve janë se votuesi kosovar voton shumë ndryshe në zgjedhjet lokale në krahasim me ato nacionale dhe se votuesi kosovar është i papërcaktuar dhe nuk është edhe aq lojal ndaj partisë.

Lufta mes partive është që ta fitojnë votuesin a papërcaktuar: PDK si pjesë e koalicionit PAN do ta ketë të vështirë që të ngritet edhe nëse koalicioni PAN korrë suksese në qeverisje, ngaqë sukseset i atribuohen zakonisht kryeministrit si lider që vjen nga partia tjetër, pra AAK. Ndërsa LDK dhe Vetëvendosje do të përpiqen që të jenë partia opozitare më e fortë.

Fakti që është vërtetuar që votuesi kosovar është aq i lëkundshëm saqë voton për parti të ndryshme në zgjedhje të ndryshme pikërisht ua pamundëson partive që ta rrahin gjoksin se janë partia më e madhe në vend. Ky fakt vetëm se e rrit garën e partive për performancë dhe është një ndër gjërat më të mira që mund të përjetojë demokracia e re kosovare.

 

Mehdi Sejdiu është hulumtues në Gjermani e Kosovë. Ai studion Shkencat Politike në Universitetin e Heidelberg-ut.

Opinionet në rubrikën e komenteve i përkasin autorit dhe jo domosdoshmërisht përkojnë me ato të BIRN.