Aleksandar Vuçiq. Foto: Darko Vojinovic/AP

Çfarë Kosova (nuk) Mund të Presë nga Thirrja e Vuçiqit për Dialog

Ndërsa optimistët mund të kenë mirëpritur thirrjen e fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për një debat të brendshëm brenda Serbisë rreth Kosovës, vëzhguesit frikësohen se kjo lëvizje do të shërbejë për të shtrënguar kontrollin tashmë të konsiderueshëm të Vuçiqit në pushtet.

Vuçiq shkroi në një pjesë të komentit, botuar nga e përditshmja e Beogradit ‘Blic’ në fund të muajit të kaluar, duke bërë thirrje që serbët të “tregohen realistë” për Kosovën dhe të ndalojnë futjen e kokës në rërë si struci. Artikulli nxiti një debat të madh, duke ndarë teori të shumta konspiracionesh në mediat sociale në Serbi.

Duke qenë të paanshëm, ende është shumë herët për të gjykuar se sa e vërtetë është kjo thirrje për një dialog të brendshëm, por shenjat e para nuk janë shumë premtuese për një numër arsyesh.

Fillimisht, Vuçiq flet nga një pozitë e dominimit (absolut) në politikën dhe mediat serbe, të cilat ai, drejtpërsëdrejti ose nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tij, nuk ngurron t’i përdorë për të sulmuar kundërshtarët e tij politikë dhe zëra të tjerë kundërshtarë në shoqërinë serbe.

Në të vërtetë, forcimi i pushtetit nga Vuçiqi ka ndihmuar në përkeqësimin e lirisë së medias dhe në shkallëzimin e retorikës armiqësore ndaj gazetarisë kritike dhe investigative. Pa dyshim, një mjedis i tillë është më pak i favorshëm për një dialog të vërtetë mbi çështje aq të rëndësishme sa kjo.

Në të njëjtën mënyrë, duke gjykuar nga sjellja e tij deri tani, thirrja e Vuçiqit është në fakt një thirrje për më shumë pushtet vendimmarrës. Si shumë udhëheqës të tjerë me mendje autoritare më parë, Vuçiq po dërgon një mesazh të qartë: Kosova është një problem i madh për popullin serb dhe vetëm unë kam guximin, njohurinë dhe mençurinë për t’u marrë me të dhe kështu lehtësoj vendin nga kjo çështje e rëndë.

Sidoqoftë, në një kontekst më të gjerë, kjo nuk do të ishte krejtësisht negative nëse nuk do të ishte për faktin se nuk është plotësisht e vërtetë. Teksti i Vuçiqit është kontradiktor në shumë pika dhe nuk sugjeron asnjë vision (pozitiv) të qartë dhe konkret ose udhërrëfyes.

Më e rëndësishmja, thirrja e Vuçiqit për dialog dhe “kompromis historik” nuk tregon një ndryshim në pozitën e tij personale apo atë të shtetit serb ndaj pavarësisë së Kosovës, siç sugjeruan disa (naivisht) politikanë në Kosovë.

Armiqësia “e pandryshuar” për Kosovën

Me gjithë dialogun e Brukselit dhe një numër marrëveshjesh të rëndësishme mbi policinë, gjyqësorin dhe energjinë, që në fakt hapin rrugën për integrimin e serbëve të Kosovës (veçanërisht ata në pjesën veriore të vendit) në sistemin kosovar, Serbia vazhdon të dëmtojë në mënyrë aktive pavarësinë e Kosovës, si brenda vendit (nëpërmjet strukturave të saj që kontrollohen drejtpërdrejt nga partia e Vuçiqit) dhe ndërkombëtarisht, duke bllokuar anëtarësimin e saj në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Shteti serb jo vetëm që angazhohet aktivisht në dëmtimin e shtetësisë së Kosovës, por gjithashtu nuk ka ndryshuar qëndrimin e tij armiqësor dhe etnocentrik ndaj shqiptarëve të Kosovës, që nga lufta e fundit. Mjafton të përmendim se institucionet shtetërore serbe kanë dështuar të dënojnë, e lëre më të marrin përgjegjësi ose të kërkojnë falje për krimet në shkallë të gjerë të kryera kundër shqiptarëve të Kosovës. Përkundrazi, udhëheqësit institucionalë të Serbisë mohojnë çdo keqbërje dhe përgjegjësi institucionale.

Një numër shembujsh e demonstrojnë këtë qëndrim. Fillimisht, duke iu referuar numrit t[ hulumtimeve nga BIRN, zyrtarët dhe policët e Beogradit që morën qindra kufoma të shqiptarëve të vrarë nga Kosova në Serbi, dhe i fshehën ato në varre masive nuk janë ndjekur penalisht, me zyrtarët e shtetit serb që angazhohen aktivisht në mbulimin e krimit.

Në mënyrë të ngjashme, kur Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) pohoi në një raport se shefi aktual i Ushtrisë serbe, Lubisha Dikoviq, ishte komandant i Brigadës së 37-të të Armatës Jugosllave, përgjegjëse për sulmet ndaj katër fshatrave në zonën e Drenicës, midis datës 5 dhe 27 maj 1999, ku vdiqën të paktën 69 shqiptarë të Kosovës, raporti u dënua nga presidenti serb, Tomislav Nikoliq dhe kryeministri, Aleksandar Vuçiq, të cilët thanë se pretendimet e FDH-së ishin të dëmshme dhe kishin për qëllim shkatërrimin e reputacionit të ushtrisë. Jo shumë kohë më pas, Nikoliq i dha urdhrin “Shqiponja e Bardhë’ Dikoviqit, për kontribute të jashtëzakonshme në ndërtimin dhe komandimin e ushtrisë.

Për më tepër, sipas një raporti të fundit nga Qendra për të Drejtën Humanitare, gjykatat serbe gjykuan në mënyrë të padrejtë 1,874 shqiptarë të Kosovës nga viti 1998 deri në vitin 2000, shumë prej të cilëve ishin të pandehur që u transferuan në burgjet e Serbisë pas përfundimit të luftës në Kosovë, në qershor të vitit 1999.

Serbia nuk u distancua nga të dënuarit për krime lufte

Askush nuk ka dhënë përgjegjësi për këto krime. Shumë prej këtyre gjykatësve dhe prokurorëve vazhdojnë të jenë pjesë e sistemit. Edhe më keq, institucionet serbe kanë refuzuar të distancohen nga të dënuarit e krimeve të luftës të ICTY.

Kur u lirua ish-oficeri i ushtrisë, Vladimir Lazareviq, i cili po vuante dënimin për krimet e luftës në Kosovë, u prit si një hero nga dy ministra të lartë serbë. Është e turpshme që pothuajse dy dekada që nga përfundimi i konfliktit, qeveritë e njëpasnjëshme serbe (duke përfshirë ato të etiketuara si pro-evropiane) nuk kanë marrë ndonjë përgjegjësi institucionale për krimet e shtetit serb në Kosovë. Në vend të kësaj, ata angazhohen aktivisht në mohimin dhe mbulimin e krimeve. Në të vërtetë, e njëjta gjë vlen edhe për palët / vendet e tjera të përfshira në konfliktet e viteve 1990, që vazhdojnë të mohojnë ose minimizojnë çdo keqbërje nga ana e tyre. Për sa kohë që ky qëndrim vazhdon, çdo bisedë e “kompromisit historik” dhe “pajtimit” do të shfaqet si demagogji e pastër.

Ajo që perceptohet si një qëndrim ofendues i udhëheqësve institucionalë serbë nga ana e shqiptarëve të Kosovës manifestohet çdo ditë,jo vetëm në shtypin pro-qeveritar (që shkruan histori rreth kërcënimit nga ‘terroristët shqiptarë’ pothuajse çdo ditë), por edhe në diskursin politik. Pavarësisht nga fakti se që nga viti 2011 Serbia ka qenë e angazhuar në dialogun me Kosovën të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe ka arritur një duzinë marrëveshjesh, institucionet e Kosovës dhe udhëheqësit e tyre janë përmendur në një mënyrë të pështirë si ‘shqiptarët’ ose ‘pala shqiptare’. Kosova dhe institucionet e saj (që përfshijnë edhe serbët e Kosovës) mohohen vazhdimisht në diskursin politik të udhëheqësve institucionalë të Serbisë, sikur të mos ekzistojnë. Në vend të kësaj, logjika themelore duket të jetë se Serbia po flet vetëm me krerët e një grupi etnik, jo me një partner të barabartë që ka të drejtën për organizim institucional dhe shtetësi. Në këtë mënyrë, krerët e Serbisë nuk e mohojnë vetëm shtetësinë e Kosovës, ata e mohojnë vetë kapacitetin e shqiptarëve të Kosovës në veprimet politike-institucionale. Prandaj mantra ‘shtet i rremë’ (lažna država).

Përpjekje për t’i rivizatuar kufijtë?

Pra, çfarë qëndron prapa nismës së Vuçiqit? Mund të mendohet për tre faktorë të besueshëm.

Së pari, iniciativa e Vuçiqit mund të jetë thjesht një përpjekje për të devijuar vëmendjen nga kritikat në rritje, brenda dhe jashtë vendit, për sundimin e tij autoritar dhe frikën e kapjes institucionale dhe shtetërore. Në shumë raste, Vuçiq ka treguar aftësi të mëdha, kur është fjala për shmangjen e debatit për çështje serioze brenda vendit dhe në të njëjtën kohë duke bërë gjeste simbolike që i japin atij pikë në nivel ndërkombëtar.

Së dyti, kjo mund të jetë një masë paraprake në dritën e presioneve në rritje të BE-së për të hapur një faqe të re në dialogun me Kosovën, që përfundimisht do të rezultojë në nënshkrimin e një marrëveshje ligjërisht detyruese që, siç shpresojnë optimistët, do të normalizojë marrëdhëniet pa njohje të qartë dhe do t’i mundësonte Kosovës që t’i bashkohet OKB-së. Megjithatë, duke gjykuar nga ritmi i ngadalshëm i zbatimit të marrëveshjeve aktuale dhe paaftësia e BE-së për të formuluar një qëndrim të përbashkët mbi statusin e Kosovës, një marrëveshje e tillë nuk duket e mundshme në të ardhmen e afërt.

Faktori i tretë i mundshëm i një ideje të tillë lidhet me përpjekjet për të ringjallur (për herë të fundit) një ide shumë të vjetër. Gjegjësisht, ndarja e Kosovës dhe riorganizimi i kufijve në rajon përgjatë vijave etnike. Teksti i Vuçiqit mund të japë një të dhënë, ai shkruan si në vijim: “Ne duhet të përpiqemi të jemi realistë, të mos humbim apo të japim atë që kemi, por nuk presim të marrim atë që kemi humbur shumë kohë më parë”.

Zëvendëskryeministri Ivica Daçiq, aleati i Vuçiqit, ishte edhe më i drejtpërdrejtë kur bëri thirrje që veriu i Kosovës të mbetet pjesë e Serbisë. Nuk është sekret se një ndarje e Kosovës shihet nga shumë politikanë serbë si zgjidhje “kompromisi”. Në fund të fundit, kjo ekspozon obsesionin e përgjithshëm nacionalist me territorin në kurriz të njerëzve. Si do të justifikohej në një mënyrë tjetër një zgjidhje e tillë, që lë shumicën e serbëve dhe monumenteve historike fetare serbe në Kosovë ose në “Shqipërinë e Madhe”?

Megjithatë, një ndarje e Kosovës nuk është qëllimi përfundimtar. Është mjeti për një projekt politik dhe nacionalist më të madh e më të vjetër të shteteve “më të mëdha” të bazuara në parimin e homogjenitetit etnik. Politikanët nacionalistë në të gjithë rajonin nuk e kanë pranuar me të vërtetë konceptin e shteteve multietnike (Bosnja, Maqedonia dhe Kosova), të cilat janë ndërtuar kryesisht si rezultat i ndërhyrjes ndërkombëtare. Me gjithë kompleksitetin e tyre, këto shtete nuk janë bërë jofunksionale për shkak të parimeve të tyre themelore kushtetuese, por sepse janë dëmtuar nga sipërmarrësit etnikë lokalë dhe rajonalë. Ashtu si në vitet 1990, ata po sulmohen dhe dëmtohen nga të njëjtët politikanë nacionalistë që kurrë nuk pushuan së ëndërruari shtetet kombëtare “të mëdha”.

Në tërësi, Kosova vështirë se mund të presë ndonjë gjë pozitive nga nisma e Vuçiqit. Problemet historike zgjidhen duke adresuar shkaqet në thelb dhe duke marrë përgjegjësinë për çdo keqbërje. Më e rëndësishmja, ato zgjidhen kur të drejtat dhe nevojat e njerëzve, jo fitimi territorial, vendosen mbi gjithçka tjetër.

Në terma konkretë, kjo kërkon që Prishtina dhe Beogradi të angazhohen në zgjidhjen e të gjitha çështjeve serioze, duke përfshirë, por pa u kufizuar në, çështjen e personave të pagjetur, kthimin e tyre, ndjekjen pa dallim të çdo krimi dhe mirëqenien shoqërore dhe politike të njerëzve lokalë. Ftesa e Vuçiqit, në vend të kësaj, synon të ringjallë spektrin e vjetër të shteteve “të mëdha” që kanë përhumbur rajonin për një kohë të gjatë dhe ju ka kushtuar shumë popullit të saj.

Gëzim Krasniqi është Zhvillues i Karrierës në Sociologji në Universitetin e Edinburgut, në Mbretërinë e Bashkuar.

Mendimet e shprehura në seksionin e komenteve janë vetëm të autorëve dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.