Ilustrim: Jeta Dobranja/Trembelat

Çdo Ditë u Importuan 95 Vetura të Vjetra

Ligji i ri për regjistrimin e veturave që kufizon regjistrimin e tyre sipas vjetërsisë nga janari i 2018-ës ndikoi në rritjen e importit para hyrjes në fuqi të këtij ligji. Importi i veturave të përdorura u rrit përderisa Interesimi për vetura të reja mbeti në nivelin e njëjtë.

Paralajmërimi gjashtë muaj më herët për ndalimin e importimit të veturave të vjetra në fillim të vitit 2018 shkaktoi rritje të mëdha të importit të veturave. Në bazë të statistikave del që tregtarët e veturave kanë bërë stoqe të mjaftueshme të veturave të vjetra. Numri i veturave të importuara ishte për 40% në vitin 2017 krahasuar me vitin 2016.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka grumbulluar dhe analizuar të dhëna nga Dogana e Kosovës lidhur me importin e veturave për dy vjetët e fundit.

Në vitet 2016 dhe 2017 importi i veturave të vjetra ka qenë i lartë. Nga gjithsej 64 mijë e 204 vetura sa erdhën në Kosovë për  vitet 2016 dhe 2017, 90 deri 92 për qind e tyre ishin të përdorura dhe 8 deri në 9 për qind përbënin veturat e reja dhe vetura hibride me një përqindje të papërfillshme.

Nga importi i përgjithshëm i veturave në Kosovë për vitet 2016-2017, u mblodhën mbi 152.3 milionë euro taksa.

Vetura të përdorura

Sipas të dhënave të siguruara rezulton se për dy vjetët e fundit në Kosovë erdhën 59 mijë e 58 vetura të përdorura. Këto përbënin mbi 90 për qind të importit të veturave. Vlera e përgjithshme si bazë doganore ishte 272.2 milionë euro prej të cilave u volën taksa doganore prej 137.1 milionë eurove.

Në vitin 2016 numri i veturave të përdorura të importuara në Kosovë ishte 24 mijë e 323 copë ku vlera e përgjithshme e tyre ishte 118.3 milionë euro. Për këto vetura në buxhetin e vendit nga taksa në import u mblodhën gjithsej 57 milionë euro, ku prej tyre ishin 11.4 milionë euro doganë, 19.4 milionë euro akcizë dhe 26.2 milionë euro TVSh.

Në vitin 2016 mesatarisht çdo muaj u importuan 2 mijë e 27 vetura të përdorura. Përgjatë vitit, numri më i madh i veturave që erdhën në Kosovë nga jashtë ishte në muajin dhjetor ku u importuan 2 mijë e 702 copë, përderisa më pak u importuan në janar 1 mijë e 357 sosh.

Ilustrim: Jeta Dobranja/Trembelat

Hyrja në fuqi e ligjit të ri për automjete në qershor të 2017-ës, sipas së cilit nga  janari i vitit 2018 nuk mund të regjistroheshin vetura më të vjetra se 10 vjet. Ky ligj ndikoi që importi i veturave të përdorura të shënonte rritje.

I shtyrë nga ky ligj, interesimi për vetura të përdorura në vitin 2017 shënoi rritje në krahasim me një vit më parë. Në këtë vit importi u rrit për 42.8 për qind. Kjo ndikoi në rritjen e nivelit të të hyrave nga taksat për 40 për qind në krahasim me 2016-ën.

Në vitin 2017 u importuan 34 mijë e 735 vetura, vlera e përgjithshme e tyre ishte 153.9 milionë euro. Për importin e këtyre veturave u derdhën në arkën e shtetit 80.1 milionë euro, prej të cilave 14.7 milionë në emër të taksës doganore, 30.6 milionë euro akciza dhe 34.8 milionë euro TVSh.

Përgjatë muajve të viti 2017, mesatarja e importit të veturave ishte prej 2 mijë e 895 vetura për muaj, një mesatare dukshëm më e lartë në krahasim me një vit më parë. Krahasuar me muajin janar, në dhjetorin e 2017-ës u pesëfishua sasia e importit të veturave. Vetëm në muajin dhjetor u importuan 7 mijë e 60 vetura.

Përderisa me hyrjen e tyre në Kosovë kontribuuan me miliona euro taksa në kufi në importimin e këtyre veturave, përgjatë jetëgjatësisë së tyre në qarkullim në rrugët e vendit, këto vetura do të kontribuojnë në ndotjen e ajrit.

Kohëve të fundit kryeqendra e Kosovës Prishtina është përballur me ndotje të ajrit. Madje sipas matjeve të bëra, të “Air Qualty Index” Prishtina zuri vendin e parë si qyteti më i ndotur në botë. Si masë emergjente, Komuna e Prishtinës kishte marrë vendim për ndërprerjen e qarkullimit të veturave në disa rrugë të kryeqytetit për të ulur nivelin e ndotjes.

Vetura të reja

Gjatë dy vjetëve të fundit në Kosovë erdhën gjithsej 5 mijë e 110 vetura të reja vlera e përgjithshme ishte mbi 74.3 milionë euro, prej të cilave u kontribuua në arkën e shtetit me 15.2 milionë euro taksa në kufi.

Në vitin 2016, u importuan gjithsej 2 mijë e 63 vetura, vlera e së cilëve mbërrin në rreth 31.5 milionë euro. Janë 6.8 milionë euro taksa të cilat u grumbulluan nga importi i këtyre veturave. Mbi 1 milion euro u grumbulluan taksë doganore, mbi 5.7 milionë euro TVSh dhe mbi 42 mijë euro akcizë.

Mbi 2 mijë e 847 vetura u importuan në 2017-ën, me vlerë të përgjithshme të importit prej 42.9 milionë eurove u importuan në Kosovë nga vendet e jashtme. Rreth 8.4 milionë euro taksa u mblodhën nga importi i këtyre veturave, ku pjesa më e madhe nga TVSh-ja 7.7 milionë euro, taksa doganore mbi 630 mijë euro dhe mbi 50 mijë euro akcizë.

Në dy vjetët 2016 dhe 2017 muajt janar dhe shkurt kanë qenë të dobët sa i përket importit të veturave të reja, përderisa në muajin dhjetor të viti të kaluar shënohet një shifër më e lartë përgjatë dy vjetëve të fundit- 435 vetura.

Vetura hibride

Janë 36 vetura hibride të cilat u importuan në Kosovë gjatë dy vjetëve- 2016 dhe 2017. Këto 36 vetura kishin një vlerë, bazë doganore prej 143 mijë e 143 euro, ku prej të cilave u volën taksa 38 mijë e 640 euro. Dy nga këto vetura janë blerë nga Komuna e Zveçanit, e cila pagoi 64 mijë e 500 eurove për to.

Në mesin e këtyre të dhënave të Doganës, vërehet se është importuar një veturë hibride me vlerë 76 mijë euro pa përfshirë taksat e përgjithshme doganore.

Sa i përket ndotjes së ajrit në Kosovë nga vetura, nga të dhënat e raportit të Institutit GAP, del se më shumë se gjymsa e veturave në Kosovë që djegin naftë duke liruar më shumë ndotje.

Nga viti 2010 deri në vitin 2016 nga veturat e importuara në Kosovë sipas llojit të motorit mbi 62 për qind e tyre djegin naftë dhe 38 për qind djegin benzinë.

Nga djegia e një litre benzinë lirohen 2.9 kilogramë dyoksid karboni dhe nga e njëjta sasi naftë lirohen 3.1 kilogramë dyoksid të karbonit.

07 Mars 2018 - 21:45

Rrahman Ramaj 07/03/2018 - 21:45
NDËRVEPRIMI2
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend