Çarshia e Gjakovës: zdrukthtarët, kufomat, rakia dhe librat

Kafeneja ishte plot me shkrimtarë. Disa ishin maqedonasë, shumica kosovarë dhe një grup i vogël britanikë kurreshtarë. Kur nuk ishin duke lexuar shkrime, ose duke bërë muhabet, ishin duke pi raki vendore ose pije të shpisë nga frutat. Anash, njëri shpërfillte të tjerët dhe shfletonte njërin nga librat e grumbulluar lart nëpër rafte.

A ishim në Rive Gauche të Parisit? Ndonjë vend në trend në San Franciso? Jo! Të shtunën në mbrëmje ndodheshim në çarshinë e vjetër të Gjakovës, në lokalin e sapohapur për performancë [artistike] dhe librari “Hapësira Bashkëpunuese”. 

NDËRLIDHUR

Gjithmonë më gëzon mundësia e kombinimit të venës, librave dhe pijeve nga frutat, por në këtë rast u gëzova veçanërisht se [lokalin] e pashë si një përfundim të lumtur të historisë dikur tragjike të Çarshisë së Vjetër të qytetit.

Mund të thuhet që historia e Çarshisë së Vjetër në Gjakovë është një histori e Kosovës në miniaturë. 

Ka fotografi të vjetra që e tregojnë kohën e Perandorisë Osmane- tollovinë nga tregtarët, kalldrëmin e shkelur prej libërlidhësve, saraçëve, ëmbëltorxhinjve dhe nallbanëve dhe mallrat prej gjithë Kosovës dhe më gjerë – ngjala, dyll, duhan, papuqe, fiq dhe kripë – grumbulluar pas qepenave të drunjtë.

Jeta e çarshisë ka përfundue në mënyrë dramatike dhe të dhunshme në mars 1999 kur forcat serbe i  hedhën benzinë dhe e  dhezën për t’u bërë njëri prej zjarreve të shumtë që e djegën Kosovën atë pranverë.

Mandej erdhi Agjencia Evropiane për Rindërtim me një projekt për rindërtimin e çarshisë. Kur kam ardhë në Kosovë, para tetë vjetëve restaurimi i çarshisë ishte i sapopërfunduar, me llak të freskët në drurin e kapakëve të bukur. 

Mirëpo me ec në rrugën kryesore ishte një përkujtim i trishtuar që sado të bukur të jenë janë kapakët dhe kalldrëmi, këto gjëra nuk krijojnë një pazar. 

Shumë prej lokaleve ishin bosh dhe ato që ishin në funksion ishin minimarkete të lira, jo zanate dhe tregtarë me shumicë të së kaluarës. Biznesi më aktiv ishte i një zdrukthtari që vinte gozhdat në një arkivol.

Historia është përmirësue para disa viteve në Çarshi, me hapjen e Çarshisë së Jupave, njërit prej hoteleve-‘butik’ të paktë në Kosovë, në një objekt të vjetër të restauruar në mënyrë elegante. 

Nicole Kidman kishte kaluar natën këtu, kur kishte ardhur në Kosovë dhe ekzistenca e hotelit krijon një version më të lumtur të çarshisë sesa shkatërrimi i vitit 1999 ose heshtja prej druri në vizitën time të fundit në vitin  2006, por ende ishte larg prej ditëve të mira me libërlidhës, saraçë dhe pazar.

Ishte kjo arsyeja që të pi raki në “Hapësirën Bashkëpunuese” me kaq shumë zell. 

Isha në një mbremjë letrare dhe për herë të parë ndjerë diçka të atmosferës së Çarshisë së Vjetër (domëthanë që po gjej ngjashmëri midis një grupi të shkrimtarëve dhe një grumbulli ngalash, dylli, duhani, papuqesh, fiqësh dhe kripe? Mund të jetë edhe më keq). 

Kafeneja ofron libra për shfletim derisa pi, si dhe libra në shitje. 

Ka qenë e shfrytëzuar për koncerte dhe ekspozita dhe duket që përnjëmend ofron atë që emri i saj premton – një hapësirë ku mund të grumbullohen ide dhe njerëz. Ka qenë e hapur prej gushtit si nismë e studentit të Menaxhimit në AUK, Lum Hoxhës që është gjithashtu njëri prej organizatorëve të “Komediafest-it” në Çarshi. 

Ai thotë që myshterinjtë kryesorë janë profesionistë të rinj dhe që ka hapë kafene/ librari, sepse ka dashtë me sjellë gjallëri në Çarshi dhe me kremtue lidhjet kulturore të vendit.

Lidhjet kulturore të Gjakovës janë të shumta – ky është një qytet i njohur si qendër intelektuale dhe ka qenë pjesë e Rilindjes Shqiptare në Shekullin XIX. 

Iniciativa e Lumit dhe myshterinjve së tij më duket si pjesë e rilindjes së re; nuk është vetëm kafenejaei tij, por e pashë që janë ringjallë edhe lokalet tjera, me bare dhe dyqane të reja, të gjithë tue sjellë njerëz dhe treg në Çarshi.

Një shok i imi gjakovar është ankuar kur i kam treguar se ku kam kaluar të shtunën mbrëma, duke pohuar që Çarshia është me plot bare, pa hapësirë të mjaftueshme për zanatli tradicionalë. 

Mirëpo, hapësirat kanë qenë të lira gjatë viteve dhe kanë mbetë bosh. Unë po gëzohem që tani të paktën disa janë mbushë me libra. Dhe raki.

Elizabeth Gowing është bashkëthemeluesja e “The Ideas Partnership”, një OJQ-je kosovare që shfrytëzon fuqinë e vullnetarëve me luftue sfida në edukim, trashëgimi kulturore dhe mjedis. Gjithashtu është autorja e “Travels in Blood and Honey”; becoming a beekeeper in Kosovo (Signal Books, 2011) dhe “Edith and I”; on the trail of an Edwardian traveler in Kosovo (2013) – www.edith-and-i.com – për Edith Durham-in. Mund të kontaktohet në [email protected]

21 Shkurt 2014 - 10:40

Elizabeth Gowing 21/02/2014 - 10:40
NDËRVEPRIMI0