Arkiv - Ahmet Sylejmani dhe Shyqeri Bajrami në hyrjen e shatorrit të grevistëve të ish-punonjësve të Fabrikës së Tubave të Çelikut | Foto: Blerina Rogova Gaxha

Burrat e Çelikut

616 ditë. Me këtë numër jo simbolik, por real, shtypur me të mëdha, që herë-herë shpërfaq ironinë e luftës së gjatë të ish-punëtorëve të Fabrikës së Tubave të Çelikut në Ferizaj e herë vetë ironinë e një shoqërie të lodhur në ekzistencën në tranzicion. Terreni i betejës së tyre nuk është në ndonjë nga qoshet e fshehura apo në shfaqjet e kohëpaskohshme, por aty, në zemrën e kryeqytetit. 616 ditët dëshmojnë luftën e lodhjen, por jo edhe dorëzimin.

Zakonisht nuk pi çaj në mëngjes, por këto ditë, meqë isha mysafire në një “shtëpi” që në mënyrën e saj i ngjan një shtëpie të rrëfimeve fantastike, e theva rutinën e përditshme të filxhanit të kafesë, duke e pranuar në vend të tij një çaj prej luleje kamomili.

Paçka se ajo nuk është një shtëpi as e përrallave e as e rrëfimeve të çuditshme, por një tendë e madhe në një nga pjesët më të gjalla të Prishtinës, mu para qeverisë së Kosovës, pak metra larg bustit të heroit Skënderbe, pak metra pranë bustit të ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe përballë një super dyqani të një firme botërore siç është Benetton.

Në këto ditë të bukura me diell, trokitja në derën që aspak s’i ngjan një dere të zakonshme, nuk ishte e lehtë. Një burrë me mirësjellje e hap e më fton brenda – “Hyr, ndjehu si në shtëpi.”

Shatorri i madh është shndërruar në shtëpinë e grevistëve, të cilët për 616 ditë të jetës vazhdojnë luftën për atë çfarë konsiderojnë të tyren.

Saga e një beteje

Shyqeri Bajrami (63), i cili për 27 vjet ka punuar në Fabrikën e Tubave të Çelikut në Ferizaj, ka 616 ditë që “orarin e punës’ e kalon në tendën e grevistëve. E gjej vetëm, derisa miku i tij i punës dhe i grevës, ka shkuar të marrë mëngjesin.

Të tjerët kanë ikur në shtëpi për pastrim. “Sot vijnë e ndërrohemi, pastaj unë shkoj pak në shtëpi të pastrohem e të pushoj, pas dy-tre ditësh kthehem sërish”.

Shyqeriu jeton në Ferizaj, nga atje udhëton për në “shtëpinë e dytë” në Prishtinë, siç bëjnë dhe grevistët tjerë.“Kur më vjen radha e mbajtjes së ndërrimit e bahem gati me u nis për Prishtinë, gruaja, të cilën e kam sëmurë, kohëve të fundit po më thotë, se kam me të lanë vetëm si ti që po më lenë… Po çka me i thanë unë…nganjëherë po i them, hajt bre gru se kryhet shpejt, por nuk e di”.

Në tendën e improvizuar në shtëpi, rrinë shtruar gjashtë shtretër, me çarçafë e mbulesa tyrlifare, një tavolinë me disa karrige, një kuzhinë e improvizuar, rroba të varura, bidona uji, frigorifer, një mini shporet gatimi, televizor, dy ngrohëse, një bokall çaji dhe xhevze kafesh.

Foto: Blerina Rogova Gaxha
Foto: Blerina Rogova Gaxha

Por ka edhe qepë. Përgatisni ndonjëherë, e pyes. “Po, – ma kthen, – nganjëherë kur s’kemi pare për ushqim, ziejmë fasule e ndonjëherë edhe makarona”.

Derisa pimë çaj e flasim për jetën në shatorr e jetën dikur në vendin e punës, Shyqeriu thotë se nuk ka si të jetë më keq se ta çosh jetën kësisoj. “Të mbetesh në mëshirë, në pritje, kur asgjë më shumë nuk kërkoj, pos shpagimit të mundit tim”.

Në shprehjen e fytyrës e tonin e fjalëve i duket pak shpresë. Tre katër ditë këtu, tre katër ditë në shtëpi me familjen, një jetë e ndarë në dysh “kjo nuk është jetë! Deri kur?”, nuk e di nëse pyet veten, mua apo pyetja e tij do që të mbërrijë përtej.

Punëtorët e ish-gjigantit ekonomik të Kosovës, Fabrikës së Gypave të Çelikut në Ferizaj, e privatizuar më 2007 nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), kishte lënë pa punë 912 punëtorë të kësaj fabrike.

Në vitin 2000, të larguarit me dhunë nga puna gjatë regjimit serb 1989-1999, e paditën fabrikën në Gjykatën Komunale në Ferizaj, në kërkim të së drejtës personale. Gjykata vendosi që atyre t’iu jepej kompensimi për 10 vjet sa nuk kishin marrë paga.

Vendimin e Gjykatës Komunale e ka konfirmuar edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, por shumën në vlerë prej më shumë se 30 milionë eurosh, të 912 punëtorët nuk i kanë marrë asnjëherë.

27 vjet më vonë, saga e betejës së tyre vazhdon.

Por janë mbushur gjithsej 616 ditë në shtëpinë e improvizuar. Me këtë numër jo simbolik, por real, shtypur me të mëdha, që herë i ngjan një ironie, e herë një numri që përfaqëson dhembjen e grevistëve, me numrat tjerë dhe fjalitë e zverdhura sipër shatorrit, ish-punëtorët e lodhur brenda, të gjitha bashkë flasin për luftën e lodhjen, për drobitjen, por jo edhe dorëzimin.

Megjithëse i ndodhur mu para objektit të qeverisë së Kosovës, kalimtarët e përditshëm ecin shpërfillshëm para shatorrit të grevistëve. Shumë nga ata mbase janë mësuar ta shohin tashmë si pjesë të pandarë të sheshit të kryeqytetit.

Afrohem te dritarja dhe i shoh si kalojnë, siç kaloj edhe unë andej, pa pasë hyrë kurrë brenda.

“Kemi hy hekër e jemi bo çelik”

Në derë hyn Ahmet Sylejmani (62), anëtar i Këshillit grevist. Me po aq bujari sa Shyqeriu, por me një retorikë drejtuesi, më ofron nikoqirllëk. Jam në dispozicion tënd, më thotë, derisa vë në tavolinë një dosje të trashë dokumentesh.

“Të gjitha dokumentet i kam këtu, më pyet çka të duash, para 90-tës e pas 90-tës, gjithçka. Shyqyr Zotit jemi gjallë, e mund të flasim se shumë nga shokët na kanë vdekur.”

E pyes se çfarë i jep forcë që të vazhdojnë luftën për të drejtën e vet. Por Sylejmani, ma pren shkurt, thotë “kemi hy hekur e duket se jemi bo çelik, u kalitëm”.

Për 17 vjet ai ka punuar në IMK, Fabrikën e Gypave të Çelikut, po sot, thotë, nuk mund të zgjedhë, pavarësisht vështirësive.

Nga dita e parë e grevës, më 27 maj 2014, me gjithsej 45 grevistë, deri në ditën e 616-të, dita e fundit e muajit janar 2016, Sylejmani tregon se nga atëherë deri më tash ata kanë dashur të tregojnë se e duan shtetin, “po le të urdhnojë shteti e le ta kryejë këtë punë, i kemi mbajtë 124 protesta, e kjo punë tashma ka me marrë përmasa të mëdhaja, nuk kthehet mbrapsht”.

Ditët e netët nën tendë

Por çfarë llafesh shtron muhabeti i çajit e i kafesë? Në të shumtën e bisedave ata thonë se e kujtojnë kohën kur kanë punuar bashkë, para e pas të 90-ave, momente gëzimi e momente kur bashkëpunëtorët janë mbledhur e organizuar në mbrojtje të punës së tyre karshi rrethanave të rënda në fund të 80-tave e në të 90-tat.

Anëtari i Këshillit grevist pohon se atëkohë shoqëria kosovare në tërësi ka qenë më e afërt ndër vete dhe më e aftë në përballjen e situatave të përbashkëta. “E kështu, duke i kujtu këto, e shtyjmë kohën”.

Në memorien e ish-punëtorëve ka plot detaje të bukura që i kujtojnë, por në jetën e sotme, gjërat duken se kanë ngecur keq. Megjithatë, jo gjithçka është njëjtë për listën e gjatë të gjithsej 912 ish-punëtorëve.

I pari në listë është Abaz Lushi, ndërsa i 912-i, Zyber Namani. Megjithatë derisa të tjerët rrinë në shtëpitë e tyre, janë vetëm 12 vetë që e kanë marrë barrën edhe për 900 të tjerë.

Ahmeti thotë se të tjerët ua kanë besuar atyre këtë çështje, dhe se nga i pari deri te i fundit, nëse e marrin dëmshpërblimin, paratë do të ndahen njëjtë në llogarinë e secilit ish-punonjës të fabrikës.

Dimri ka mbajtur ftohtë këtë vit, e Shyqeriu dhe Ahmeti tregojnë se si më 6 janar, rreth orës 15.30 pasdite i ftohti i madh e bora, i shtyu të dalin jashtë tendës, meqë brenda po mbërdhinin.

“Kjo tenda jonë e ndjeu fort të ftohtin, e ata zotnitë atje lart”, tregon me gisht kah qeveria, “janë nëpër zyre dhe e kanë nxehtë, po me gjasë, njeriu po u bëka çelik. Prej së ftohti e prej ajrit që ndotet, njëri nga grevistët është hospitalizu dhe vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore, po kush lodhet për këtë punë…”.

Derisa jeta dimrit në të ftohtë e verës në të nxehtë, bëhet e rëndë për grevistët, kalimtarët kalojnë shpërfillës ndaj tyre, secili tek ndjekë hapat për të zënë udhët e veta, ndërkohë që banorët e tendës mbesin.

Por këta banorë të “pa shtëpi”, thonë se gëzohen sa herë kanë ndonjë vizitor, të cilët në të shumtën e rasteve janë kosovarë që jetojnë në diasporë, kureshtarë të dinë se çfarë ndodh brenda shatorrit: “Janë kureshtarë me e pa si e çojmë ditën. Vijnë te tenda e na pyesin… na kanë vizituar edhe personalitet të mëdhaja shqiptare e botërore, e edhe patriotë të Kosovës”.

Gati qepët në ditë protestash

Kur mbahen protesta “banorët e shtëpisë” në rrugë, tregojnë se i bëjnë gati qepët, se vetëm kështu e kalojnë më lehtë ndikimin e gazit lotsjellës.

Ahh! – thonë të dy: “Kur njoftohet për mbajtjen e protestës, i bëjmë gati qepët e i mbajnë afër fytyrës, sepse gazi lotsjellës hyn shumë, jashtë s’kemi qysh dalim, e kështu shtyhemi, mandej ndonjë gur që gjuhet këndej na rrezikon. Në protestën e fundit kemi pasë shumë telashe nga gazi këtu brenda, po s’kishim çka me bo, ma vonë hyni policia e na pyeti se a jemi mirë, na thanë me shku në ambulancë, po as që kemi shku”.

Nëpër situata vlugu e në situata të qetësisë e rutinës së përditshme, deri kur mund të duroni, i pyes.

Ahmeti e Shyqeriu përsërisin se janë njerëz të fjalës e të besës, dhe se grevës, rreth dy vjet më parë, i kanë hyr për të mos u dorëzuar, deri sa të realizohet ajo që ligjërisht konsiderojnë se u takon:

“Vendimet, tu ia nis prej Gjykatës themelore të Ferizajit të 2002-tës e deri te Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, te legjislacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës i vitit 2014, vendimit të qeverisë, deri te rekomandimi i Gjykatës Supreme që e përcaktoi burimin e mjeteve, të gjitha këto janë vendime të formës së prerë, nuk mund të ndryshojnë, e ne do të vazhdojmë derisa të respektohen ato e të në paguhet puna jonë”, thotë Sylejmani, duke u thirrur në atë çfarë ligji u ka thënë deri më sot.

Ai tregon se 28 kërkesa të Këshillit grevist i drejtuar kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, gjatë vitit 2014-2015, por asnjë përgjigje deri më tash nuk kanë marrë. Kryeministri i sotëm, thotë, “tash po lypë kime, s’unë po gjen kime, se dokumentacioni është knap”.

Premtimet e gënjeshtërta

Gjatë fushatës zgjedhore të 2014-tës ndërkaq, grevistët tregojnë se vizitat në “shtëpinë e tyre” qenë shpeshtuar.

Pothuaj të gjitha partitë ua kanë hapur derën e shnosh zemrën: “Partitë e mëdhaja na ka premtu se nëse vijnë në pushtet kanë me na e zgjidhë çështjen, secila pa përjashtim”.

Por ishte kryeministri në largim atë kohë, Hashim Thaçi, ai i cili shkoi përtej. Në njërin nga hotelet e Ferizajit ai shtroi darkë për të gjithë grevistët e ish-punëtorët, rreth 1000 veta.

Ja si e kujtojnë: “Thaçi na uroi për këtë çështje e na e dha punë të kryeme, e kryeministri kur ta jep fjalën duhet me e mbajtë bre… Mandej u arsyetu se bordi nuk është komplet, tash është aty afër Isës, e edhe bordi u kompletu,… Unë vërtetë s’e di çka po presin, pse po luajnë kështu me ne…”.

Dera e hapur dhe pritja e fundit

Përtej hipokrizisë së fushatave zgjedhore, Sylejmani, si anëtar i Këshillit grevist, thotë se në rast se bordi i AKP-së lëshon vendim negativ, ata do të radikalizohen, po në ç‘mënyrë e kanë menduar, këtë të fshehtë, ia lë kohës.

Mes dosjes me një grumbull letrash, nxjerr edhe kërkesën e fundit drejtuar Presidentes, me qëllim ndikimin në kryerjen e obligimit ligjor.

Derisa shfleton dosjen e letrave ndër vite, Sylejmani ripërsërit se për heqje dorë as që bëhet fjalë: “Nëse ka shtet ka me u realizu e drejta jonë, e nëse s’ka shtet, atëherë s’ka me u realizu. Kjo është shkurt e qartë. E këta zotnitë duhet me i çelë sytë, veshët e trunin me e blu pak, me i kry detyrat e veta e kësaj çështje me ia vnu pikën”.

Ai që më hapi derën, Shyqeriu, merr një kovë të gjere e nis i lan faqet e duart. Derisa pastrohet, sikur mërmërit se është marre, “ata e kanë shitë fabrikën dhe kanë hongër me djersën tonë. A shitet tanë ajo industri për aq pak pare…”.

Të dy më përcjellin te dera e “shtëpisë”. Mbi derë valëvitet flamuri kuq e zi, pas tij rri plot nur ndërtesa e qeverisë. Numra që janë zverdhur e ditë që janë shtuar. Kalimtarë që ikin.

Kryeqyteti ndërkaq, nga qetësia e mëngjesit, nis të gjallërohet e të shpengohet pak nga pak. “Je e mirëpritur, kurdo, këtu jemi!”- thonë nikoqirët e shtëpisë.

Tenda e grevistëve përballë nd%rtesës së qeverisë | Foto: Blerina Rogova Gaxha
Tenda e grevistëve përballë ndërtesës së qeverisë | Foto: Blerina Rogova Gaxha