Bulevardi i Gjelbër Fut në Bela Komunën e Pejës me Hekurudhat

“Është e pakuptueshme se si hartohen projekte të cilat përfshijnë pronën e hekurudhave pa asnjë konsultim paraprak me Hekurudha dhe pa i marrë parasysh planet dhe projektet e ardhshme të Hekurudhave”, tha për KALLXO.com, Agron Thaçi, kryeshef ekzekutiv i Hekurudhave të Kosovës.

Shumë objekte të përkohshme biznesi në një rrugë të Pejës janë rrënuar nga ana e autoriteteve komunale për t’i bërë vend një bulevardi të gjelbër.

NDËRLIDHUR

Krahas bizneseve që nuk e kanë pritur mirë fillimin e këtij projekti, edhe hekurudhat e Kosovës janë ndarë të pakënaqura me këtë nismë.

Kryeshefi ekzekutiv i Hekurudhave, Agron Thaçi, tha për KALLXO.com se Komuna e Pejës nuk është konsultuar me këtë ndërmarrje, pavarësisht se projekti prek pronat e saj.

“Është e pakuptueshme se si hartohen projekte të cilat përfshijnë pronën e hekurudhave pa asnjë konsultim paraprak me Hekurudha dhe pa i marrë parasysh planet dhe projektet e ardhshme të Hekurudhave”, tha për KALLXO.com, Agron Thaçi, kryeshef ekzekutiv i Hekurudhave të Kosovës.

Thaçi thotë se ndërmarrja ka pasur kontrata me shumë klientë dhe se që nga rrënimi i këtyre objekteve të klientëve, Hekurudhat do të kenë humbje vjetore deri në 100 mijë euro.
Jeton Abazaj, drejtor i Financave në Komunën e Pejës tha për KALLXO.com se ndërmarrja publike Infrakos është dashur që ankesën të dërgojë në Ministri të Infrastrukturës.

“Deri me tani ka pasur njoftim prej hekurudhës që duhet në pajtim me ta edhe realizimi i këtij projekti, mirëpo adresa e asaj letre qe ka ardhë prej hekurudhave ka ardhë gabim se pikërisht Ministria e Infrastrukturës e ka filluar projektin edhe nuk mundet një organ që është nën ministrinë të ndalë apo të stopojë projektin e realizmit të këtij bulevardi,” tha Abazaj për KALLXO.com.

Gani Veselaj, pronar i një pike të shitjes së karburanteve, thotë se komuna nuk i ka respektuar proceduarat e njoftimit.

“Dëbimi me dhunë nga prona, nga biznesi im, në këtë formë nuk është ligjor dhe nuk është në rregull. Do të kërkoj nga organet tjera relevante që ta ruaj biznesin dhe ligjshmërinë,” thotë Veselaj për KALLXO.com.

Ai thotë se veprimet e inspektorëve të Komunës së Pejës janë konfuze.

Por, drejtori komunal i Financave, Jeton Abazaj, tha për KALLXO.com se Komuna e Pejës i ka njoftuar të gjitha bizneset me kohë dhe sipas ligjit.

“Jo vetëm ai biznes po të gjitha bizneset që kanë pasur karakter të përkohshëm janë njoftuar me kohë. Me sa e di unë janë njoftuar javën e parë të muajit mars edhe kanë pasur afat që deri me datën 24 mars t’i lirojnë vetë ato objekte”, tha Abazaj.

Ndërsa ata që janë ankuar kundër këtij projekti, sipas Abazajt, nuk ia duan të mirën qytetit. Projekti i gjelbërimit të kësaj pjese të qytetit mbështetet nga Ministria e Infrastrukturës e cila ka zotuar 1.3 milionë euro.

Por Abazaj thotë se ka marrë edhe një njoftim nga Hekurudhat e Kosovës që projekti të mos fillojë të realizohet derisa të arrihet një pajtueshmëri edhe me këtë ndërmarrje.

Për këtë shkak, ai tha se kryetari i komunës Gazmend Muhaxheri bashkë me ministrin e Infrastrukturës, Lutfi Zharku pritet të takohen me menaxhmentin e Hekurudhave, ndërsa u shpreh optimist se çështjet kontestuese do të zgjidhen javën e ardhshme në mënyrë që të fillojë realizimi i projektit.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me ministrin e Infrastrukturës, Lutfi Zharku, i cili përmes telefonit ka sugjeruar të kontaktohet drejtori i Departamentit për Menaxhimin e Rrugëve, Skender Gashi.

Ky i fundit përmes telefonit tha për KALLXO.com së zyrtarë të ministrisë dhe Hekurudhës së Kosovës pritet të bisedojnë rreth projektit në fjalë që të gjendet një zgjidhje.

Kurse kryeshefi i Hekurudhave të Kosovës, Agron Thaçi, tha së ndërmarrja që ai udhëheq nuk është në dijeni së çfarë projekti po realizohet në Pejë.

“Hekurudhat e Kosovës janë të obliguara ta zbatojnë ligjin, respektivisht të kërkojnë ndalimin e punimeve në pronën hekurudhore, nëse investitori nuk është pajisur me pëlqim paraprak nga hekurudhat. Për projektin e bulevardit ne jemi njoftuar pasi kanë filluar punimet. Nuk kemi asnjë njohuri se çfarë projekti është duke u realizuar atje. Hekurudhat në vitin 2013 kanë dhënë udhëzimet e nevojshme për Ministrinë e Infrastrukturës se çfarë hapash duhet ndjekur,” tha Thaçi për KALLXO.com.

Projekti i bulevardit të gjelbër pritet të realizohet në dy faza ku parashihet të shtrihet nga pjesa hyrëse e qytetit në drejtim nga Prishtina, deri tek rrethrrotullimi sipër stacionit të autobusëve.

08 Prill 2017 - 12:45

Shkodran Nikçi 08/04/2017 - 12:45
NDËRVEPRIMI0

Bulevardi i Gjelbër Fut në Bela Komunën e Pejës me Hekurudhat

by Shkodran Nikçi
NA NDIQNI