Anëtari serb i presidencës boshnjake, Mladen Ivaniq. Foto: Presidenca e Bosnjës dhe Hercegovinës

Bosnja Tall Politikanët për ‘Skandalin’ e Letrës së Gjenocidit

Pasi autoritetet njoftuan një hetim për “skandalin” e letrës së hapur, njerëzit në dy entitetet e vendit, Federatën me shumicë boshnjake dhe kroate dhe entitetin me shumicë serbe Republika Srpska, e hodhën poshtë çështjen si një lojë politike dhe një shpërqendrim nga problemet e vërteta sociale dhe ekonomike.

“Politikanët tanë duket se nuk kanë asgjë më të zgjuar për të bërë, pos të tërheqin vëmendjen nga problemet kryesore në këtë mënyrë”, tha për BIRN Jasmina nga Sarajeva, e cila ndodhet në entitetin e Federatës.

“Kjo thjesht do të kërkojë shumë kohë dhe burime. Gjyqësori do të merret me këtë tani, në vend që të trajtojë krimet e luftës, rastet e korrupsionit dhe çështje të tjera të rëndësishme”, shtoi Jasmina.

Slavko, një shofer taksie nga Banja Lluka, qyteti kryesor në entitetin e Republikës Srpska, reagoi gjithashtu në mënyrë cinike.

“Nuk më bëhet vonë fare për ata dhe për letrat. Ata po tallen me ne. Fillimisht rishikimi idiot në GjND (Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë), tani letra. Askush nuk flet për jetën e vërtetë, ekonominë, industrinë dhe papunësinë”, tha ai.

Debati nisi pasi avokati boshnjak Sakib Softiq javën e kaluar i paraqiti një kërkesë GjND-së në Hagë për një rishikim të çështjes gjyqësore Bosnja kundër Serbisë, e cila e liroi Beogradin për përfshirje t[ drejtpërdrejtë në gjenocidin gjatë luftës së viteve 1992-1995.

Nisma u nxit nga anëtari boshnjak i presidencës trepalëshe të vendit, Bakir Izetbegoviq, edhe pse anëtari kroat dhe ai serb nuk e dhanë pëlqimin e tyre. Ky veprim zemëroi zyrtarët serbë të Bosnjës, të cilët janë zotuar se do të hakmerren.

Skandali politik i letrës më pas thelloi konfliktin midis anëtarit boshnjak të presidencë Izetbegoviq dhe anëtarit serb të presidencës Mladen Ivaniq.

Të tre anëtarët e presidencës morën të martën një letër nga GjND-ja, e cila u kërkon atyre sqarime nëse avokati Softiq është përfaqësuesi legjitim i vendit në GjND.

Letrat arritën në Ambasadën boshnjake në Hagë të premten e kaluar, por Ivaniq kishte kërkuar në mënyrë specifike që letra e tij të dërgohej e pahapur, duke thënë se ai nuk i beson ambasadores së Bosnjës në Hagë, Mirsada Colakovi.

Por përmbajtja e letrave u zbulua nga Izetbegoviq mbrëmjen para se ato të mbërrinin.

Kur letrat mbërritën të martën, Ivaniq tha se zarfi i tij ishte i vetmi që ishte i hapur.

Ivaniq akuzoi “strukturat paralele të qeverisë” besnike të Izetbegoviqit për hapjen e letrës.

Zyra e Izetbegoviqit, nga ana tjetër, tha se letra që i adresohej anëtarit boshnjak të presidencës ishte e vetmja letër që arriti e hapur – me kërkesë të vetë Izetbegoviqit.

Ministri i Jashtëm Igor Crnadak më pas urdhëroi një hetim të ministrisë së tij, si edhe të Ambasadës së Bosnjës në Hagë, për të gjetur se kush ishte përgjegjës që Ivaniq e mori zarfin të hapur.

“Një vend i pamundur”

Disa njerëz në Republikën Srpska thanë se Crnadak kishte bërë lëvizjen e duhur dhe fajësuan Izetbegoviqin për hapjen e letrës.

“Kjo nuk bëhet. Nuk mund ta hapësh letrën e dikujt tjetër në shtëpinë tënde, e jo më pastaj në presidencën boshnjake. Kjo është e pasjellshme. Por nuk prisja asgjë më pak nga Bakir Izetbegoviq”, tha Mirko, një mësues i dalë në pension nga Banja Luka.

“Kjo tregon thjesht sa shumë respekt ka Izetbegoviqi ndaj Ivaniqit – aspak”, tha Dijana, një punonjëse administrative nga Prijedori.

Sreçko, pronar i një biznesi të vogël nga Tesliç, tha se ai nuk dinte se çfarë duhet të mendonte për këtë.

“Kjo tregon thjesht se ç‘lloj vendi është Bosnja. Është një vend i pamundur”, tha ai.

Në të gjithë vendin, njerëzit e kanë përshkruar skandalin politik të letrës si të çuditshëm.

Prej kohësh tashmë, komentuesit social[ vendas i kanë krahasuar skenarët politike që po ndodhin në Bosnjë e Hercegovinë me ato që portretizoheshin në programin komik “Nadrealisti” (“Surealisti”) në televizionin jugosllav të viteve 1980, i cili vinte në dukje absurditetin shoqëror dhe politik.

Jasmin nga Sarajeva e quajti të gjithë situatën e skandalit politik të letrës “shumë idiotësi” dhe tha se kjo tregon pse ai nuk ka absolutisht besim në kompetencën e politikanëve të Bosnjës.

“Nëse ata nuk menaxhojnë dot tri letra, si mund të menaxhojnë ata popullin apo shtetin?”, pyeti ai.

Disa njerëz, si Sërxhani, një teknik kimik i papunë nga Prijedori, në Republikën Sprska, panë edhe humor në të gjithë këtë situatë.

“Ndoshta Izetbegoviqi ishte i shqetësuar për shëndetin e Ivaniqit dhe druhej se ndoshta dikush mund ta kishte helmuar letrën e Ivaniqit me antraks apo diçka të ngjashme dhe ai donte thjesht ta mbronte atë”, tha ai me ironi.

“Pse mendojmë vetëm negativisht? Ndoshta ai thjesht e ka përzemër”, thumbon ai.

Për 26-vjeçarin nga Sarajeva të quajtur Mirza, skandali politik i letrës është “si një episod i ‘Monty Python’ “.

“Unë mendoj se as nuk i shkruan dot të gjitha absurditetet që has në realitet”, shtoi ai. “Është paksa ofenduese për inteligjencën nëse ata presin që njerëzit ta marrin seriozisht këtë”.

Megjithatë, çështja që qëndron pas kësaj – debati mbi faktin nëse avokati Softiq mund të përfaqësojë apo jo në mënyrë legjitime Bosnjën në Gjykatën e Hagës – është serioze.

Të enjten në mëngjes tre presidentët e Bosnjës ranë dakord që secili t’i dërgojë një përgjigje kërkesës së GjND-së për opinionin e tyre, por më vete.