Termocentralet e Kosovës | Foto: KALLXO.com

Bordi Nuk Vendos Rritjen e Pagave Për Punëtorët e KEK-ut

Bordi i ri i KEK-ut e ka shqyrtuar mundësinë e rritjes së pagave të punëtorëve të KEK-ut, përkundër që kjo ndërmarrje gjatë gjithë vitit të kaluar ka raportuar se është në krizë për shkak të mos-prodhimit të energjisë elektrike.

“Është diskutuar, por nuk është marrë kurrfarë vendimi sepse duhet me ditë a i kemi kushtet financiare a jo”, ka thënë Faruk Hajrizi, kryetar i Bordit të KEK-ut i zgjedhur në nëntor të vitit 2017 nga qeveria Haradinaj.

Ai më tej ka shtuar se nuk kanë pasur asnjë lloj presioni nga aksionari për rritjen e pagave por se për rritjen e pagave kanë marrë shkresa nga sindikata e punëtorëve të KEK-ut.

Kërkesa për rritje të pagave ka ardhur nga Sindikata e KEK-ut, ndërkohë që koalicioni PAN në fushatën parazgjedhore e kishte premtuar një rritje të pagave për 100 euro në mënyrë lineare.

Kryeministri Haradinaj e kishte ripërsëritur këtë premtim gjatë një vizite që kishte në muajin dhjetor në Korporatën Energjetike të Kosovës kur kishte thënë se “po, e kemi paraparë rritjen e pagave”.

Skënder Bucolli, nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun e KEK-ut ka thënë për KALLXO.com se menaxhmenti i KEK-ut do të mbajë qëndrim për rritjen e pagave gjatë procesit të vendimmarrjes.

“Ngritja e mirëqenies se punëtorëve të KEK-ut, si aset kyç në realizimin e performancës së mirë të korporatës, ka qenë dhe është një nga objektivat kryesore të menaxhementit të KEK-ut. Në këtë vijë, menaxhementi ka bërë analizat e nevojshme, duke marrë parasysh të gjitha aspektet e gjendjes operative dhe financiare të koorporatës, dhe konform situatës së përgjithshme do të mbajë qëndrim gjatë procesit të vendimmarrjes”, ka theksuar Bucolli.

Kërkesa për rritjen e pagave është dërguar në muajin qershor të vitit 2017 nga ana e sindikatës së punëtorëve të KEK-ut. Nga punëtorët është kërkuar që rritja e pagave të fillojë që nga korriku i vitit 2017.

Në vitin 2014, punëtorëve të KEK-ut u është rritur rroga për 100 euro. Marrëveshja mes punëtorëve të KEK-ut dhe qeverisë së udhëhequr nga Hashim Thaçi në atë kohë ka qenë që deri në vitin 2017 mos të ketë kërkesa për rritje të pagave.

Izet Mustafa nga Sindikata e Punëtorëve të KEK-ut ka thënë për KALLXO.com se në muajin janar ka pasur një takim me kryeministrin Haradinaj ku edhe ai ka premtuar që do të realizohet premtimi të cilin ai e ka dhënë gjatë fushatës zgjedhore.

“Jam i vetëdijshëm që situata është e komplikuar, është e ngarkuar në aspektin ekonomik për shkak të zhvendosjes mirëpo besoj që punëtorët e meritojnë ngritjen e pagave”, ka theksuar Mustafa.

Ai ka shtuar që kërkesë e punëtorëve nuk është vetëm rritja e pagave por edhe ngritja e vlerës së shujtës.

“Ne aktualisht e kemi me vlerë 1 euro e 75 cent edhe kemi kërkuar që kjo vlerë të rritet afërsisht rreth 3 euro, por ende vendim rreth kësaj kërkese nuk ka”, theksoi Izet Mustafa nga Sindikata e Punëtorëve të KEK-ut.

Ai shtoi se edhe pse është i vetëdijshëm për situatën ekonomike që është krijuar në KEK, ata si Sindikatë do të qëndrojnë në ballë të kërkesave të punëtorëve për rritje të pagave dhe për përmirësim të kushteve të punës.

KEK gjatë vitit të kaluar kishte ulur prodhimin e energjisë elektrike për shkak të mungesës qymyrit. Në mungesë të prodhimit të energjisë elektrike, furnizimi i rregullt me energji ishte mundësuar falë importit të energjisë elektrike. Në ndërkohë kishte edhe kosto të tjera, siç ishte rritja e kostos së shpronësimit të një pjesë të Shipitullës krahasuar me planifikimin fillestar. Po ashtu, KEK-u është obliguar t’i punësojë edhe rreth 100 punëtorë të rinj, që po ashtu ndikon në rritjen e shpenzimeve për personel.

KEK-u nuk është përgjigjur pyetjeve të KALLXo.com për nivelin e humbjeve që kishte vitin e kaluar për shkak të mungesës së prodhimit. Gazeta ka kërkuar përgjigje nga KEK-u për nivelin e prodhimit vjetor të energjisë të realizuar dhe asaj që ishte planifikuar në fillim, për nivelin e planit dhe prodhimit të qymyrit dhe ndikimin e këtyre dy elementeve në të hyra të KEK-ut.

Kriza e KEK-ut shpaloset në një shkresë që KOSTT-i e kishte adresuar tek institucionet me rastin e udhëzimit të ZRRE-së për heqjen nga tarifat e energjisë koston e humbjeve në veri të vendit. KOSTT në këtë shkresë thotë se KEK-u nuk ia ka kthyer një borxh që i detyrohet (rreth 4 milionë euro), pas vendimeve të ZRRE-së.

Në shkresën e KOSTT-it thuhet se është dashur t’i sigurojë nga dy burime 12.7 milionë euro: KEK-u është obliguar nga ZRRE-ja që të furnizojë KOSTT-in me rrymë për një vlerë prej 10,7 milionë euro, si detyrim rregullues për të hyrat e realizuara nga KEK-u për vitin paraprak; si dhe 2 milionë euro KOSTT-i do t’i siguronte nga tarifat e energjisë.

KOSTT-i alarmon që KEK-u e ka pasur të pamundur ta kryejë obligimin që kishte marrë nga ZRRE-ja për furnizim me energji për shkak të problemeve me furnizim me qymyr.

“Për shkak të problemeve në prodhimin e energjisë elektrike nga KEK, KOSTT maksimalisht do të realizojë të hyra në vlerë prej 6.8 milionë euro”, thuhet në shkresën e KOSTT.

KEK vazhdimisht ka pasur telashe me caqet e uljes së shpenzimeve operative të vendosura nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Faktori i efikasitetit i vendosur nga ZRRE-ja kërkonte nga KEK-u që çdo vit të ulë nivelin e shpenzimeve për operim dhe mirëmbajtje dhe për personel. Kjo ulje nënkupton që ZRRE-ja ia ulë buxhetin që shkon për operim, mirëmbajtje dhe personel KEK-ut.

KEK-u vazhdimisht ka kërkuar nga ZRRE-ja që t’ia heqë këtë faktor, pasi e ka të pamundur për të arritur. Madje në një nga shkresat e KEK-ut, thuhet se ZRRE-ja ende nuk ia njeh si shpenzim pagat për 120 punëtorët e punësuar në KEK bazuar në një memorandum të lidhur në mes të KEK-ut dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Ky memorandum parashihte punësimin e 120 punëtorëve sezonalë, mirëpo atyre u është vazhduar kontrata.

“KEK në letrën e datës 19 shkurt 2016 drejtuar Bordit të ZRRE-së ka paraqitur kërkesën për të njohur koston e 120 punonjësve fizikë të cilët janë të përfshirë sipas memorandumit të mirëkuptimit në mes të KEK dhe Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale. Kjo kosto ende ka mbetur pa u përfshirë në koston e personelit të KEK”, thuhet në komentet që KEK-u i kishte bërë në ZRRE. Nëse ZRRE-ja ia njeh një shpenzim KEK-ut, kjo do të thotë se ia lejon KEK-u që ato mjete t’i fusë në çmimin e energjisë që në fund paguhet nga qytetari.

E Zyra e Rregullatorit i ishte përgjigjur KEK-ut duke i thënë se skemat sociale nuk mund të përfshihen në fatura.

“Faktorët e efikasitetit caktohen gjatë shqyrtimeve periodike për kohëzgjatjen e periudhës rregullative në mënyrë që të lejojë kompanitë e rregulluara, të bëjnë plane afatgjata dhe të identifikojnë fushat, ku përfitimet e efikasitetit mund të arrihen. Nuk mund të pritet që konsumatorët e energjisë elektrike të paguajnë çmimin e ndonjë skeme të punësimit social në sektor”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.