Ilustrimi: Trembelat

Bllokada Kosovë- Serbi u mundëson të arratisurve ta shijojnë lirinë

Kur erdhi koha që mjeku kosovar Lutfi Dervishi dhe i biri i tij Arbani ta vuajnë dënimin me burg në vitin 2016 për një nga krimet më të tmerrshme të pasluftës në Ballkan, dyshja qe zhdukur.

BIRN mundi të zbulojë se Policia e Kosovës besonte që urologu dhe i biri i tij, të dyshuar se kanë operuar në një rreth trafikimi me organe nga klinika Medicus në Prishtinë që aktualisht janë në rigjykim, kishin kaluar kufirin për të shkuar në Serbi.

Duke e bërë këtë, ata iu bashkuan një numri në rritje të të dyshuarve dhe të dënuarve dredharakë që nxjerrin përfitime nga mungesa e bashkëpunimit në çështje të sigurisë ndërmjet Serbisë e Kosovës, që e shpalli pavarësinë në vitin 2008, por e cila nuk njihet nga Serbia.

Në letër, iniciativat e BE-së dhe OKB-së kanë shtruar rrugën për bashkëpunim policor, shkëmbime të inteligjencës dhe njohje të fletë-arresteve ndërkombëtare.

Por në praktikë, të dyshuarit për vrasje dhe dilerë të drogës po i shmangen drejtësisë duke e kaluar kufirin, të sigurt në dijeninë e tyre deri më tani nuk ka pasur asnjë rast të suksesshëm ekstradimi ndërmjet Kosovës e Serbisë. Një mjeke kosovare e dyshuar se ka kryer trajtime ilegale të IVF madje po ofron shërbimet e saj edhe pasi u arratis në Serbi.

Familjarët e personave të zhdukur në Kosovë gjithashtu po ankohen se kërkimi për më të dashurit e tyre dhe për drejtësi po pengohet seriozisht nga mungesa e bashkëpunimit.

Ministria e Drejtësisë e Serbisë, Policia e Kosovës dhe Misioni i BE-së për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, thanë se ka pasur rrjedhë të rregullt të informacioneve ndërmjet Prishtinës e Beogradit viteve të fundit. Por intervistat me zyrtarët që punojnë për institucionet e BE-së në Kosovë, si dhe me analistë që kanë studiuar në këtë çështje, thonë se procesi është përplot me vështirësi dhe rrallë rezulton me veprime vendimtare.

Kjo bëhet për shkak se Serbia refuzon madje edhe heshturazi ta pranojë pavarësinë e Kosovës, por edhe si rezultat i mungesës së besimit dhe ndjenjës së keqe që është ndërtuar nga të dyja palët, thonë ata.

“Duke mos bashkëpunuar në çështje ligjore dhe të sigurisë, ne vazhdojmë t’i konsiderojmë të dyja vendet si ‘zona të sigurta’ për kriminelët”, tha për BIRN, Florian Qehaja nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.

Skuta e një të dyshuari për trafikim organesh

Në mars të vitit 2016, Gjykata e Apelit e Kosovës vërtetoi verdiktin kundër mjekut të klinikës Medicus, Lutfi Dervishi, dhe djalit të tij Arbanit.

Që të dy ishin urdhëruar që të paraqiteshin në burg për ta vuajtur dënimin për trafikim organesh të disa viktimave të cenueshme për transplantim në klinikën famëkeqe në Prishtinë- por urologu dhe i biri i tij u zhdukën.

Asgjë nuk dihet se si Dervishët u larguan nga Kosova, por policia në Prishtinë tani ka zbuluar se ata besojnë që të dy burrat kaluan kufirin me Serbinë, ku po qëndronin të fshehur përkundër asaj se kishte një ‘lajmërim të kuq’ ndërkombëtar të lëshuar nëpërmjet zyrës së Interpolit të Misionit të OKB-së në Kosovë.

“Sipas informacioneve tona, si L.D. ashtu edhe djali i tij A. Ishin në territorin e Serbisë dhe po fshiheshin atje nga sistemi gjyqësor i Kosovës”, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha për BIRN, duke iu referuar Lutfi Dervishit dhe djalit të tij, Arbanit.

Megjithatë nuk është e qartë nëse ky informacion i ka kaluar Serbisë, sepse EULEX, UNMIK dhe ministritë e drejtësisë të Kosovës dhe Serbisë refuzuan të komentojnë për këtë çështje.

Në janar 2017, Lutfi Dervishi hyri sërish në Kosovë pasi Gjykata Supreme urdhëroi rigjykim të rastit. Ai shumë shpejt u arrestua por Arbani besohet se ende është në Serbi, sipas policisë.

Rigjykimi i Lutfi Dervishit rifilloi në korrik të vitit 2017 dhe po vazhdon ende.

Mjekja e kërkuar e IVF-së arratiset

Gjina Zeqiri | Foto: KALLXO.com

Një mjeke tjetër e cila përfitoi nga shtigjet ligjore për t’iu shmangur autoriteteve të Kosovës është Gjina Zeqiri, një gjinekologe dhe themeluese e Global Hospital, një klinikë në Prishtinë e specializuar për trajtim me IVF.

Në nëntor të vitit 2014, klinika e saj ishte bastisur nga Policia e Kosovës e cila dyshonte në Zeqirin për një numër veprash, përfshirë lejimin e prindërve për ta zgjedhur gjininë e fëmijëve në këmbim të pagesës, blerjen e spermës dhe vezorëve nga njerëz të cenueshëm dhe punësimin e embrionologëve të pa licencuar, sipas një aktakuze të ngritur nga prokurorët në janar të vitit 2016 të cilën e ka siguruar BIRN.

Përkundër që ishte e kërkuar nga Policia e Kosovës, Gjina Zeqiri u arratis në Serbi, nga ku ajo kishte mundësinë të ofrojë shërbime të ngjashme përmes një uebsajti në gjuhët shqipe e serbe, edhe pse ajo mohon të ketë pasur ndonjë klient.

Në shkurt 2014, Zeqiri kishte regjistruar kompaninë e quajtur Global IVF në Bujanovc, një komunë afër kufirit me Kosovën popullata shumicë e të cilit janë shqiptarë, dhe një muaj më vonë ajo filloi të kërkojë zyrë me qira në këtë qytet. Zeqiri është me prejardhje nga kjo zonë.

Nexhat Behluli, pronar i objektit të marrë me qira nga Zeqiri, tha se ajo fillimisht kishte filluar të shesë pajisje mjekësore por në maj të atij viti, ajo e kishte transformuar zyrën në një klinikë për IVF.

“Unë e paralajmërova atë që nuk doja që aty ta bënte këtë [IVF], dhe në marrëveshjen tonë thamë që ajo do të shiste pajisje mjekësore dhe nuk do të ishte klinikë”, tha ai.

Pasi ajo kishte refuzuar ta ndryshojë kontratën, ai i vendosi një dry të ri derës. Zeqiri më pas, pasuksesshëm e kishte paditur Behlulin për t’i marrë paratë të cilat i kishte investuar.

Sipas dokumenteve të gjykatës, të siguruara nga BIRN, Zeqiri po bënte trajtim të IVF dhe aborte në këtë qendër me një licencë të marrë nga Ministria e Shëndetësisë e Serbisë, edhe pse ajo e mohon këtë.

Përkundër këtyre pengesave, në dhjetor, pasi u arratis nga Kosova, sajti globalivf.net ishte regjistruar dhe përmes tij ajo vazhdonte të ofronte shërbimet e infertilitetit në gjuhën shqipe dhe serbe nëpërmes “klinikave rajonale dhe ndërkombëtare” si dhe konsultimeve online.

Zeqiri, e cila insiston se është e pafajshme në akuzat për të cilat ngarkohet, tha për BIRN se planifikon të ofrojë shërbime IVF në një klinikë të re por se ende nuk e ka nisur biznesin. Ajo mohoi versionin e ngjarjeve të përshkruar nga pronari i objektit që e kishte marrë me qira.

Ajo tha se nuk mund të kthehet në Kosovë sepse bespon që nuk do ta ketë një gjykim korrekt.

“Doja ta rihapja klinikën por isha e bllokuar dhe po prisja të shihja çka po ndodh në Kosovë”, tha ajo. “Asnjë shtet nuk është i interesuar të më lejojë të punoj pasi që jam viktimë e një shteti jofunksional si Kosova”.

Gjykata Themelore në Prishtinë urdhëroi lëshimin e një fletë-arresti ndërkombëtar ndaj saj në qershor të vitit 2017, por Ministria e Drejtësisë e Kosovës nëse është lëshuar një ‘lajmërim i kuq’ i Interpol-it.

Institucionet e Kosovës dhe Serbisë refuzuan të komentojnë për këtë rast përderisa Zeqiri tha për BIRN se ajo vazhdon të udhëtojë e lirë.

Asnjë ekstradim për të dyshuar për vrasje

Grafika: Trembelat

Nuk janë vetëm të dyshuarit nga Kosova që kanë përfituar nga mungesa e bashkëpunimit në çështje të sundimit të ligjit mes Prishtinës dhe Beogradit për t’iu shmangur drejtësisë.

BIRN ka gjetur tri raste në të cilat Policia e Kosovës ka arrestuar individë qoftë të kërkuar apo të dënuar për krime të rënda në serbi, por të cilët janë liruar.

Policia e Kosovës tha se Ernad Bishevac, i kërkuar në Serbi për vrasje që nga viti 2012, ishte arrestuar në Kosovë në shtator të vitit 2014, por që autoritetet serbe thane se nuk do të bëjnë kërkesë për ekstradim. Bishevac ishte liruar dhe qëndroi i lirë për një vit para se të arrestohej në Serbi. Ai tani është duke vuajtur dënimin me burg prej 16 vitesh për vrasje dhe tentim-vrasje.

Predrag Vukosavleviq, i njohur si Predrag Vuliçeviq, ishte i kërkuar në Serbi pasi u gjet fajtor për kontrabandë me drogë, dhe iu shqiptua dënimi me burg prej 3 vitesh kur u arrestua në Kosovë në mars të vitit 2015 bazuar në një fletë-arrest të lëshuar nga Serbia. Përsëri, Policia e Kosovës i tha BIRN-it se Serbia refuzoi ta kërkojë ekstradimin.

Policia e Kosovës tha se një i dyshuar tjetër për krime, Aleksandar Vukadinoviq, ishte arrestuar në Kosovë në shkurt të vitit 2016, një muaj pasi një ‘lajmërim i kuq’ i Interpol-it ishte lëshuar nga Serbia pasi që akuzohej për ‘mito dhe korrupsion’.

Sipas mediave serbe, Vukadinoviq ishte gjetur fajtor se ka qenë pjesë e një grupi të krimit të organizuar të përfshirë ë kontrabandë të tekstilit në Serbi nga Turqia dhe shtetet tjera. Ai u arrestua në vitin 2006 dhe u dënua me 2 vjet e 3 muaj burg në vitin 2012, sipas raportimeve.

Policia e Kosovës tha se Prishtina e kishte informuar policinë e Serbisë për arrestimin e tij dhe se organet e rendit në Beograd kishin kërkuar që Vukadinoviq të sillet në mënyrë joformale në pikën më të afërt kufitare. Meqë Vukadinoviq mbante edhe shtetësi të Kosovës, Policia e Kosovës nuk ishte në gjendje ta deportojë.

“Bazuar në përgjigjet nga rastet e lartëpërmendura, përgjigja ishte e njëjtë: që Serbia nuk do të kërkonte që shtetasit e saj të ekstradohen nga Kosova. Besohet se kjo ka të bëjë me mosnjohjen e Kosovës nga ana e Serbisë”, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

BIRN nuk ishte në gjendje ta konfirmojë fatin e Vuliçeviqit dhe Vukadinoviqit pas lirimit të tyre pasi që Ministria e brendshme e Serbisë nuk u përgjigj në kërkesat për të dhënë informata.

Policia e Kosovës shtoi se Serbia asnjëherë nuk ka kërkuar një ekstradim nga Kosova, dhe “asnjëherë nuk ka arrestuar persona që kanë qenë të kërkuar nga autoritetet e Kosovës”.

“Në përgjithësi, ka mungesë të bashkëpunimit në hetimin e veprave të ndryshme penale dhe sidomos atyre që kanë të bëjnë me hetimin e rasteve siç janë kontrabanda me emigrantë ose terrorizëm”, tha zëdhënësi.

Vrasja që u bë rast i ri testi

Askund dështimi i sundimi i ligjit nuk është më i dukshëm se në veri të Kosovës, pjesë e cila nuk ka qenë nën kontroll as të Prishtinës as të Beogradit që nga fundi i luftës në vitin 1999.

Hetimi për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, i vrarë janë selisë së partisë së tij në qytetin e ndarë të Mitrovicës në janar, tani po ofron një test të ri për bashkëpunimin e kufizuar ndërmjet dy vendeve.

“Bashkëpunimi në zbatim të ligjit ndërmjet Kosovës e Serbisë është i orkestruar përmes një lëmshi të organizatave ndërkombëtare dhe marrëveshjeve gjysmë të zbatuara, të gjitha të penguara nga antagonizmat politikë dhe mungesa e besimit”, tha për BIRN, Bojan Elek, autor i një raporti në vitin 2015 rreth bashkëpunimit Kosovë- Serbi nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga BE ndërmjet dy vendeve, të cilat filluan në vitin 2011, kanë prodhuar disa rezultate të prekshme rreth çështjeve siç janë liria e lëvizjes, por edhe këto janë shpesh jo mjaftueshëm të zbatuara, sipas një raporti të hollësishëm nga Zyra e BIRN në Kosovë.

Për shembull, një marrëveshje që synonte ta parandalojë Serbinë për ta bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale nuk e ka ndalur Beogradin që t’i kundërshtojë përpjekjet e Prishtinës për t’iu bashkuar Europol-it, Interpol-it dhe një numër organizata thera për zbatim të ligjit.

Asnjëra palë deri më tani megjithatë nuk ka provuar ta vendosë bashkëpunimin në çështje të sigurisë në agjendë të bisedimeve në Bruksel, sipas BE-së.

Kjo bllokadë nënkupton që Prishtina mbetet e varur nga organizatat ndërkombëtare për një pjesë të madhe të bashkëpunimit në sundim të ligjit, duke shkaktuar shumë zemërim te zyrtarët kosovarë.

Kosova ende varet në Misionin e OKB-së, UNMIK, i vendosur sapo kishte përfunduar konflikti në vitin 1999, për të lëshuar fletë-arreste ndërkombëtare, të njohura si ‘njoftime të kuqe’, përderisa misioni i BE-së për sundim të ligjit ndërlidh me Euoropol-in. Si UNMIK ashtu edhe EULEX janë të mandatuara për ta lehtësuar komunikimin ndërmjet forcave policore të Kosovës dhe Serbisë.

Në vitin 2011, Kosova themeloi një Njësi Ndërkombëtare Koordinimi për Zbatim të Ligjit brenda Policisë së Kosovës si pjesë e një projekti të mbështetur nga BE për ta krijuar një rrjet të njësiteve të tilla përgjatë Ballkanit Perëndimor nëpërmjet të cilit forcat mund të bashkëpunojnë.

Përderisa informacionet nga Njësiti Koordinues nuk mund të përdoret si dëshmi në gjykatë, kjo deriçkë ka rezultuar në rast të rrallë të bashkëpunimit. Pas një kërkese nga policia e Serbisë, dy të dyshuar për vrasje  ishin arrestuar në Kosovë për vepra me drogë, që nuk lidheshin me akuzat e Serbisë. Ata ishin lënë në zonën neutrale të kufirit ku ishin arrestuar nga Policia e Serbisë, thotë raporti i Bojan Elek.

Pas vendosjes në Kosovë në vitin 2008, EULEX ishte ngarkuar me menaxhimin e komunikimit me shkrim ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të njohur si Asistenca e Dyanshme Ligjore, dhe ishte kërkuar që të ndërhyjë në ndërmjetësimin e rasteve të ekstradimit në dhe nga shtetet të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

EULEX tha se dështimi nga të dyja palët për t’u pajtuar për Asistencën e Dyanshme Ligjore e mbajti bashkëpunimin deri në vitin 2013, kur informata filluan të rrjedhin. Por situata sërish u përkeqësua në tetor 2014, kur Serbia refuzoi ta njohë dorëzimin e mandatit te Zyra e përfaqësuesit Special të BE-së në Prishtinë, për të cilën tha se nuk është neutrale në çështjen e pavarësisë së Kosovës.

Beogradi insistoi që kërkesat duhet të vazhdojnë të drejtohen përmes EULEX-it, duke rezultuar në një periudhë prej rreth 12 muajsh gjatë të cilës komunikimi, të paktën zyrtarisht, u ndal. Kjo rrugë pa krye u zgjodh kur Beogradi tha se do t’i pranonte kërkesat nëse ato vijnë përmes Delegacionit të BE-së në Beograd, sipas një vlerësimi të financuar nga BE.

Por BIRN gjithashtu zbuloi se gjatë kësaj zbrazëtie, me kërkesa zyrtare nga Zyra e BE-së në Prishtinë të grumbulluara në Ministrinë e Drejtësisë të Serbisë, duplikatet e së paku dhjetë rasteve të Asistencës Ligjore të Dyanshme i janë ridërguar ministrisë në Beograd nga EULEX, edhe pse mandati i saj teknikisht kishte mbaruar.

“Në mënyrë që të punohet në disa raste të rëndësishme të krimeve të luftës dhe krimit të organizuar me të cilat janë marrë prokurorët dhe gjykatësit ndërkombëtarë, ne heshturazi u pajtuam që EULEX Beograd ta dërgojë një kopje të rastit [kërkesës], përderisa origjinali ishte tashmë diku atje në ministri [të Serbisë]”, shpjegoi një zyrtar i lartë i BE-së i përfshirë në proces.

I njëjti zyrtar i BE-së, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se përgjithësisht të gjitha palët kanë qenë të pakënaqura me bashkëpunimin ligjor ndërmjet Kosovës e Serbisë, duke shtuar se përderisa procesi administrativ ka qenë i shpejtë, transferi i informatave ka qenë “me të vërtetë i ngadalshëm”.

Familjet e të zhdukurve të luftës kërkojnë përgjigje

Në fshatin Suhodoll i Poshtëm, një paralagje e qytetit të ndarë të Mitrovicës në veri të Kosovës, ekipet e mjekësisë ligjore vazhdojnë të gërmojnë në një varrezë masive, duke kërkuar përgjigje për familjarët e të zhdukurve.

Bajram Qerkini është duke e kërkuar të birin e tij që nga viti 1999. Ai ishte 30 vjeçar kur u mor nga forcat serbe në qendër të Mitrovicës. Për shumë vjet, Qerkini ka drejtuar një shoqatë të familjarëve të personave të zhdukur, por në vitin 2017 ai u bashkua me Milorad Trifunoviqin, një serb nga Kosova, për ta themeluar Qendrën Burimore për Persona të Zhdukur.

Të dy burrat theksojnë mungesën e komunikimit mes Serbisë e Kosovës si një faktor kryesor në pengesën për t’i gjetur më të dashurit e tyre dhe të zhdukurit tjerë nga lufta.

“Ne u bëmë bashkë si familje shqiptare, serbe, rome e ashkali për ta kërkuar të vërtetën për fatin e tyre. Por ne nuk mundemi të bëjmë shumë të vetëm, pa bashkëpunimin e të dyja palëve [Beogradit dhe Prishtinës]”, tha Qerkini.

Kolegu i tij Trifunoviq foli me zemërim të njëjtë rreth kërkimit për vëllain e tij, i cili u zhduk në vitin 1999. Ai ishte 32 vjeçar dhe u zhduk një ditë para se të martohej.

“Janë 1658 persona për të cilët po presim të dimë ku janë. 560 prej tyre janë serbë”, tha Trifunoviq.

“Pajtimi duhet të ndodh, por do të jetë e vështirë që të ketë drejtësi pa komunikim”, shtoi ai.

Përderisa EULEX ka qenë i suksesshëm në kryerjen e ekstradimeve nga disa vende që nuk e njohin Kosovën, si Sllovakia dhe Bosnja e Hercegovina, nuk ka pasur ndonjë ekstradim ndërmjet Kosovës e Serbisë pasi që Prishtina e Beogradi nuk kanë arritur ende ndonjë marrëveshje në këtë çështje.

Këto probleme administrative dhe vijat e paqarta janë ilustruar sërish nga deklaratat e fundit publike rreth bashkëpunimit Kosovë- Serbi rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Përderisa institucionet e Kosovës thanë se ka një shkëmbim të informatave ndërmjet ministrive të dy vendeve dhe nëpërmjet “bashkëpunimit ndërkombëtar gjyqësor”, Serbia tha se EULEX është duke ndërmjetësuar në transferin e inteligjencës.

EULEX tha për BIRN se po ndihmon në këtë rast duke shërbyer si ndërlidhës ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Ministritë e drejtësisë të Kosovës dhe Serbisë thanë për BIRN se kanë pranuar disa informata nga njëra- tjetra.

‘Mungesa e bashkëpunimit nënkupton mungesë të drejtësisë’

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Reshat Millaku, i cili është i ngarkuar për hetimin e rasteve më të rënda, përfshirë edhe krimet e luftës dhe korrupsionin e nivelit të lartë, tha se bashkëpunimi ndërmjet zyrave të prokurorive të Kosovës dhe Serbisë është gati i pamundur.

“Nëse nuk ka bashkëpunim, nuk mund të ketë drejtësi për viktimat”, tha Millaku. “Ne jemi duke kërkuar vazhdimisht bashkëpunim me prokurorinë e Serbisë, jo vetëm për krime të luftës por edhe në çështje të krimeve ordinere, por ata po refuzojnë”.

“Ata kanë kërkuar informata rreth qytetarëve tanë në raste të krimeve të luftës në Kosovë, por ne nuk mund t’u japim informata të tilla sepse kjo i përket përgjegjësisë së Prokurorisë së Kosovës”.

“Duke e parë që Serbia nuk ka vullnet të bashkëpunojë, ne kemi vendosur që të mos u përgjigjemi kërkesave të tyre”.

Por Ministria e Drejtësisë në Beograd mohoi akuzat se nuk ka pasur bashkëpunim. Në një letër për BIRN, Zyra për Informim e Ministrisë tha: “Vetëm nga viti i kaluar, të dhënat tregojnë se kanë qenë 316 kërkesa për asistencë ligjore në të dyja drejtimet. Kërkesat mbulojnë të gjitha veprat penale, krimet e luftës, krimi i organizuar dhe terrorizmi”.

“Në fund, është e rëndësishme të përmendet se nuk ka pengesa ligjore për bashkëpunim, nëse ka vullnet politik”, thuhet në letër.

“Theksojmë se Ministria e Drejtësisë e të ashtuquajturit shtet i Kosovës ka refuzuar drejtpërdrejt të veprojë në kërkesat e bëra nga Prokuroria e Serbisë në krimet e luftës”, insistoi Ministria.

Një burim nga gjyqësori i Serbisë tha se kjo deklaratë i referohet në mënyrë specifike përpjekjes kontroverse të Serbisë për ta ekstraduar kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i dyshuar për krime të luftës nga prokuroria serbe.

Elek parashikoi që bashkëpunimi rreth hetimit të vrasjes së Ivanoviqit dhe luftës kundër krimit të organizuar nuk ka gjasë që të japë frute në situatën aktuale.

“Ka obstruksione nga të dyja palët, për aq sa mund të them, prandaj besimi i përgjithshëm në mesin e serbëve të Kosovës është se ky rast [i Ivanoviqit] nuk do të zgjidhet, siç nuk janë zgjidhur shumë të tjerë”, tha Elek.

“Qytetarët e Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ndihen të qetë dhe krimi i organizuar po lulëzon”, paralajmëroi ai.

Raportim shtesë nga Paulina Nushi, Visar Prebreza and Nikola Lazic. 

Ky artikull është prodhuar në kuadër të Shkollës Verore të BIRN për Gazetari Hulumtuese dhe projektit “Gjurmimi i Dokumenteve për një Qeverisje më të Mirë”.