Foto-ilustrim

‘Black November’ në Luftën Ndaj Korrupsionit

Në muajin nëntor janë bërë përgatitje të mëdha për javën kundër korrupsionit që nis në fillim të muajit dhjetor. Në kohën kur po bëheshin përgatitje, disa vendime të gjykatave në Kosovë u dhanë pafajësinë disa të akuzuarve për disa nga rastet më të rënda të natyrës së korrupsionit në Kosovë.

Qëllimi i kësaj analize është të përshkruajë 5 procese të mëdha gjyqësore që u përmbyllën në muajin nëntor me epilog shfajësues, që e bëjnë muajin nëntor si pikë të zezë të luftimit të korrupsionit.

Kjo analizë do të bëhet pa paragjykuar mbi fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarve të këtyre rasteve, por duke vënë në pah se si në Kosovë ngriten aktakuza që ngrehin pas vëmendje të madhe mediatike, e të cilat refuzohen apo konsiderohen të pamjaftueshme nga gjykatat e instancave të ndryshme në Kosovë për të shpallur fajtorë të akuzuarit.

Rrjedhimisht, në fund të vitit kalendarik, Këshilli Gjyqësor por edhe ai Prokurorial verdiktet e këtyre aktgjykimeve i paraqesin si “raste të zgjidhura”, ndërsa të akuzuarit e këtyre rasteve pas proceseve maratonike dhe rrjedhimisht dëmtimeve potenciale që pësojnë, i rikthehen jetës së tyre. Ajo çka nuk rikthehet, e që po zbehet vazhdimisht është besimi i qytetarëve në drejtësinë në vend.

Tenderët e “MTPT-së”

Padyshim se rasti i cili tërhoqi pas vëmendjen më të madhe ishte rasti i njohur si “MTPT”, në të cilin të akuzuar ishin një ministër, këshilltar politik e biznesmen. Hiç më pak se 8 vjet gjykim iu deshën gjykatësve të EULEX-it për ta konstatuar se zëvendëskryeministri Fatmir Limaj është i pafajshëm.

Fatmir Limaj, ish- ministër i Postës dhe Telekomunikacionit, Endrit Shala shef i kabinetit të kësaj ministrie, Nexhat Krasniqi personi përgjegjës i prokurimeve në këtë ministri, Shpëtim Telaku si truproja e Fatmir Limajt si dhe biznesmeni Florim Zuka akuzoheshin lidhur me tenderët për rrugët në Komunën e Gjilanit.

Për shkak të zvarritjes së gjykimit, disa prokurorë janë ndërruar deri në përfundim të procesit. Prokurori i EULEX-it, që e përmbylli këtë lëndë, në fjalën e tij hyrëse dhe atë përfundimtare të një procesi maratonik, ku u dëgjuan me dhjetëra dëshmitarë e u mbajtën po kaq seanca, nuk ngurronte të quante korrupsionin si “kancer”.

“Kur prokuroria ka hapur këtë çështje disa muaj më parë, ka deklaruar se korrupsioni në Kosovë është kancer. Ajo çka ka treguar ky shqyrtim gjyqësor, është ajo që njerëzit janë përpjekur që t’i përdorin lidhjet politike në mënyrë që të kenë beneficione nga MTPT”, kishte thënë Hardaway.

Në anën tjetër Limaj vazhdimisht procesin e tij e quajti politik dhe se aktakuza është ngritur me urdhër politik.

“Ju këtu do ta shihni se me urdhër politik prokuroria i ka hapur hetimet, me urdhër ka bërë ndjekje dhe tani në gjykatë për t’i vërtetuar faktet. Ne do të vërtetojmë se që kanë qenë me urdhër politik për të hapur hetimet dhe prokuroria ka abuzuar me ligjin duke zbatuar urdhrat politikë”, kishte thënë Limaj në tetor të vitit 2015 pa dhënë emra se nga kush ishte urdhëruar aktakuza ndaj tij.

Një trup gjykues i përbërë me shumicë të gjyqtarëve të EULEX-it liroi Limajn dhe të gjithë të akuzuarit e këtij rasti nga të gjitha pikat e akuzës duke i dhënë kështu fund njëri nga gjykimet më të përfolura në vend. Limaj ishte pjesë e PDK-së, ndërsa tash udhëheq partinë Nisma për Kosovën e cila është pjesë e qeverisë së bashku me disa parti, përfshirë edhe PDK-në.

“Studentët”

Rast tjetër i madh që përfundoi me epilog përfundimtar shfajësues nga Gjykata e Apelit ishte edhe rasti i njohur si “Rasti i Studentëve”.

Esat Belaj ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës me 2 vjet e 8 muaj burg për shkak të 8 veprave penale ndër to marrje ryshfeti, ushtrim i ndikimit si dhe veprës penale keqpërdorim i detyrës zyrtare. Kemaj Gashi është dënuar me 7 muaj burg për dy vepra penale. Arian Janova ishte dënuar me 8 muaj burg për ushtrim të ndikimit.

Si pjesë e “Rastit të Studentëve”, Leonard Bytyqi ishte dënuar me 8 muaj burg për veprën ndihmë në kryerjen e veprës penale marrja e ryshfetit. Kushtrim Morina ishte dënuar me 7 muaj burg për ndihmë lidhur me veprën penale të ushtrimit të ndikimit. Mevludin Beqiri ishte dënuar me 8 muaj burg për ushtrim të ndikimit. Gazmend Maliqaj ishte dënuar me 8 muaj burg për ushtrim të ndikimit. Personat e tjerë të dënuar janë edhe: Arton Hoti i dënuar me 7 muaj burg, Albion Haxhijaha me 8 muaj burg, Muhamed Maliqi me 8 muaj burg, Shaqir Reçica dënuar me 3 muaj burg me mundësi të zëvendësimit me gjobë si dhe Amanda Orllati ishte dënuar po ashtu me 3 muaj burg me mundësi zëvendësimi me gjobë.

I akuzuari i parë i këtij rasti Esat Belaj akuzohej se nga 16 janari 2010 deri më 29 janar 2010 si person zyrtar kryetar i organizatës reforma dhe student senator duke shfrytëzuar autoritetin e tij ka pranuar nga e dëmtuara Valbona Jakupi 250 euro për kryerjen e një provimi në Fakultetin Ekonomik ashtu që ka siguruar që në vend të saj në provim të hyjë një kandidate tjetër, por e njëjta në këtë rast nuk ka arritur që ta kryejë provimin.

Belaj në pikën tjetër të akuzës akuzohej se nga 9 deri me 26 shtator të vitit 2012, duke shfrytëzuar ndihmën e të akuzuarve Leondard Bytyqi e Albion Haxhijaha, kërkon dhe në mënyrë të tërthortë pranon nga i pandehuri Albion Haxhijaha 4,500 euro. Sipas aktakuzës, këto para ishin dhënë nga Amanda Orllati me qëllim që ajo të regjistrohej në Fakultetin e Mjekësisë, dega e stomatologjisë.

Po ashtu Belaj akuzohej se si person zyrtar, kryetar i organizatës studentore “Reforma”, duke keqpërdorur detyrën e tij zyrtare kishte siguruar testet e provimit duke shfrytëzuar ndihmën e të pandehurit Kemaj Gashi, i cili shfrytëzon lidhjet e tij dhe të njëjtat i dërgon te referenti kompetent me qëllim që të regjistrojë në fakultetin e Mjekësisë dy kandidatë të cilët edhe arrijnë të pranohen.

Pika tjetër e aktakuzës, e ngarkonte Belajn se duke shfrytëzuar pozitën e tij si kryetar i organizatës studentore “Reforma” dhe student-senator në UP, në mënyrë të tërthortë kishte kërkuar përfitim material që të ushtrojë ndikim të paduhur te personat zyrtarë në UP me ndihmën e të pandehurit Kemajl në periudhën kohore 14 korrik 2009 deri më 24 nëntor 2011 ku kishin kërkuar shuma të ndryshme për regjistrimin e kandidatëve në fakultete, sidomos në atë të mjekësisë duke kërkuar shuma nga 500-5000 mijë euro.

Pjesa tjetër e aktakuzës i ngarkonte të akuzuarit: Esat Belaj, Arjan Janova, Mevludin Beqiri dhe Gazmend Maliqaj se nga korriku i vitit 2009 e deri në janar 2012 si persona zyrtarë kishin ushtruar ndikim të paduhur mbi vendimmarrjen te personat zyrtarë lidhur me regjistrimin e personave të ndryshëm në fakultete, sidomos në atë të mjekësisë dhe për këtë kanë pranuar shuma nga 140 e deri në 1400 euro.

I akuzuari Muhamed Maliqi akuzohej se në shkurt – prill 2012 ka kërkuar përfitim pasuror nga Shaqir Reçica në vlerë prej 500 eurove për ta ndihmuar te profesori i fiziologjisë Hysni Daka për kryerjen e provimit për një të afërme të tij, e që më vonë për arsye se nuk u sigurua shuma e plotë nuk arriti ta kryej ëkëtë provim.

Lidhur me këtë rast i akuzuari Shaqir Reçica akuzohej për dhënie të ryshfetit, ndërsa për të njëjtë akuzë por për një rast tjetër akuzohej edhe Amanda Orllati.

Aktgjykimi nga gjykata themelore lidhur me këtë rast ishte shpallur në korrik të këtij viti, ndërsa pas ankesës së mbrojtjes në nëntor të këtij viti Gjykata e Apelit i liroi të gjithë të akuzuarit nga të gjitha pikat e akuzës në “Rastin e Studentëve”.

Gjykata e Apelit gjeti se pjesa ma e madhe e pikave të aktakuzës ishin parashkruar, ndërsa pjesa tjetër lidhur me keqpërdorim të detyrës zyrtare nuk ishte vërtetuar se të njëjtit kishin pozita zyrtare.

“Gjykata e Apelit me vëmendje ka shqyrtuar shkresat e lëndës së bashku me aktgjykimin e atakuar si dhe ankesat ashtu që vlerëson se këto ankesa janë të bazuara. Kjo gjykatë vlerëson se gjykata e shkallës së parë nuk ka vërtetuar drejt gjendjen faktike kur të akuzuarit i ka shpallë fajtorë si në dispozitiv të aktgjykimit të shkallës së parë, për faktin se nuk është vërtetuar se të akuzuarit kishin pozitën e personit zyrtar për të mundur që të kryejnë vepra penale”, thuhet në aktgjykimin shfajësues të Apelit.

Po ashtu lidhur me veprat e ushtrimit të ndikimit, Gjykata e Apelit ka një gjetje interesante që vë në pikëpyetje aktakuzën e prokurorisë dhe aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë.

“Meqenëse bëhet fjalë për ndikim te personi zyrtar ose ai përgjegjës për ta kryer ose jo një veprim, medoemos duhet të dihet se kush është ky person zyrtar tek i cili është ndikuar si dhe pozita e tij zyrtare. Në rastin konkret askund nuk mund të vërehet se prokuroria ka identifikuar personin tek i cili është ushtruar ndikimi”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Pra, kështu një proces maratonik gjyqësor dhe tejet mediatik përfundoi me pafajësinë e të akuzuarve me vendim të Gjykatës së Apelit, ndërsa gjetjet e Apelit janë mjaft shqetësuese lidhur me këtë rast.

Se pse prokuroria asnjëherë nuk identifikoi personat te të cilët pretendohej se u ushtrua ndikimi, por vetëm ushtruesit e pretenduar të ndikimit, mbetet enigmë.

Rasti i OSHP-së

Aktgjykim shfajësues gjatë muajit nëntor pati edhe Hysni Hoxha. Ish-kreu i OShP-së u lirua nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare për kohën sa udhëhiqte “Gjykatën e Tenderëve”.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit Hysni Hoxha dhe Hysni Muhadri, më 20 qershor 2013, në Prishtinë, në cilësinë e personave zyrtarë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me dashje direkte dhe me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie kompania “Conex Group”, në aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i Lokaleve Afariste në Qytezën Pejton”, të iniciuar nga autoriteti kontraktues – Ndërmarrja Publike Banesore në Prishtinë, i kanë tejkaluar kompetencat e tyre, si dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare të tyre.

Ata akuzoheshin se duke i fshehur provat e siguruara nga ATK-ja para dy anëtarëve tjerë të panelit shqyrtues të drejtuar nga Hysni Hoxha, ku në mungesë të këtyre provave anëtarët e panelit bien në lajthim dhe refuzojnë ankesën e operatorit ekonomik ankues, me ç‘rast kompanisë “Conex Group” i kanë sjellë dobi materiale në shumë prej 1.779.759,54 euro.

Gjykata në shpalljen e aktgjykimit më 27 nëntor të këtij viti shpalli aktgjykimin lirues, sipas të cilit nuk ishte provuar se kreu i OShP-së kishte keqpërdorur detyrën e tij.

Për më tepër, për arsyetimin e trupit gjykues lidhur me këtë rast do të dihet vetëm pas publikimit të aktgjykimit kur do të dihet edhe nëse Prokuroria Speciale do të bëjë ankesë.

Rasti i inspektoratit të punës

Ushtruesi i Detyrës së Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës në Ministrinë e Punës në Prishtinë, Skender Gashi, me aktgjykimin e datës 28 prill 2017 ishte gjetur fajtor dhe dënuar me 1 vit burg nga Gjykata Themelore e Prishtinës nën akuzën e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Gashi akuzohej se më datë 23 shkurt të vitit 2009 ka shfrytëzuar detyrën e tij duke tejkaluar- mospërmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim të mundësimit të përfitimit të dobisë pasurore personit tjetër, respektivisht kompanisë N.T.P “Bujari”- Njësia Punuese “As-Petrol”, në Ferizaj. Ai akuzohej se në cilësinë e kryeinspektorit me rastin e vendosjes në procedurën e shkallës së dytë lidhur me ankesën e parashtruar nga pronari i kompanisë Avni Salihu, ka aprovuar këtë ankesë me vendimin nën nr. P-47 të datës 3 shkurt 2009.

Sipas aktakuzës, me këtë vendim është ndryshuar vendimi i shkallës së parë të Inspektoratit të Punës me numër 209/08 të datës 22 dhjetor 2008, ashtu që dënimin me gjobë të shqiptuar prej 22,500 euro e ka zbritur në shumën prej 4 mijë eurove me arsyetimin se pronari i kompanisë dhe viktima kanë lidhje farefisnore si dhe shuma e shqiptuar nga shkalla e parë do të rezultojë me falimentimin e këtij biznesi.

Aktakuza pretendonte se në fakt, i akuzuari ka vendosur kështu për shkak të ndikimit dhe presionit të ushtruar nga persona të tretë të paidentifikuar, identitetin e të cilëve nuk e ka treguar as vetë i akuzuari, por të njëjtin fakt e ka pranuar.

Bashkë me të akuzuarin Gashi, në këtë rast në shkallë të parë akuzoheshin edhe Agim Millaku, Murat Vokshi dhe Jovica Filipoviq të cilët ishin liruar nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Gjykata e Apelit duke vendosur sipas ankesës së mbrojtësit të Gashit, Nikë Shala ka gjetur se me asnjë provë nuk mund të vërtetohet se i akuzuari ka pasur për qëllim që për vete të ketë ndonjë përfitim të dobisë pasurore e aq më parë të dëmtojë dikë tjetër.

Më tej ne vendimin lirues të Apelit thuhet se me nuk ka asnjë element inkriminues në veprimet e të akuzuarit Gashi, e as që ka prova që mbështesin se i akuzuari ka keqpërdorur pozitën e tij.

Aktgjykimi i Apelit më tej sqaron se në këtë rast nuk është shkaktuar asnjë pasojë e dëmshme, por përkundrazi kemi të bëjmë me shqiptimin e dënimit në procedurë administrative ku secila palë e pakënaqur ka mundur të përdorë mjete të jashtëzakonshme juridike në procedurë administrative.

Punësimet në postë

Rast tjetër penal ku kishte të akuzuar për marrje dhe dhënie të ryshfetit ishte edhe ai ku ndër të tjerë, akuzohej edhe Gazmend Isufi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Gazmend Isufi në pozitën e Drejtorit të Kontrollit të Brendshëm në Postën e Kosovës (PTK), ka kërkuar dhe ka marrë shuma të ndryshme parash, nga disa persona, për punësimin e familjarëve të tyre në PTK.

Isufi ishte dënuar me 1 vit burg me kusht dhe 5,000 mijë euro gjobë nga Gjykata Themelore e Prishtinës, në fund të muajit maj të këtij viti. Dënime me kusht u ishin shqiptuar edhe të akuzuarve tjerë të këtij rasti.

Gjykata e Apelit duke vendosur sipas ankesave i shpalli të pafajshëm të gjithë të akuzuarit. Në vendimin e Gjykatës së Apelit thuhet se provat të cilat janë administruar në shqyrtim kryesor, nuk kanë vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat janë akuzuar dhe shpallur fajtorë nga ana e gjykatës së shkallës së parë.

Bilanci i nëntorit

Vetëm brenda një muaji, 5 raste të mëdha të veprave që hyjnë në kapitullin e korrupsionit morën pafajësinë. Dy raste pas proceseve maratonike përfunduan me aktgjykime lirues qysh në shkallën e parë, ndërsa tri të tjera, të cilat ishin dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, u liruan nga Gjykata e Apelit me arsyetime se nuk është provuar kryerja e veprave.

Sigurisht se dilema më legjitime lidhur me këto raste është se pse u duhen gjykatave në Kosovë deri në 8 vjet kohë për të konstatuar se nuk ka prova, kur procedura penale ka paraparë faza fillestare ku mund të atakohen provat dhe të hidhet aktakuza.

Një epilog shfajësues pas një procesi disavjeçar, e bënë legjitime dyshimin e ngritur nga të akuzuarit se aktakuzat ndaj tyre ishin ‘përndjekje politike’.

Edhe më kurioze është se si Gjykata Themelore e Prishtinës mund të dënojë një person duke e cilësuar atë “person zyrtar” dhe pastaj Gjykata e Apelit, gjen se personi nuk e ka pasur cilësinë zyrtare dhe pikërisht mbi atë bazë e liron nga akuza si të pafajshëm.

Si shpjegohet që për një gjë kaq elementare gjykata themelore dhe ajo e apelit të kenë dallime diametralisht të kundërta?

A është aq e komplikuar për Gjykatën Themelore që të të dënojë një person për ushtrim ndikimi pa specifikuar se në cilin person zyrtar është ushtruar ndikimi dhe Gjykata e Apelit në anën tjetër e liron të akuzuarin mbi këtë bazë?

Dilema tjetër është se si është e mundur që gjykata themelore e dënon dikë për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe Gjykata e Apelit më pastaj konstaton se nuk është ofruar asnjë provë e vetme që ka pasur ndonjë veprim inkriminues dhe se shkelja ka qenë thjesht administrative.

Përgjigja për këto pyetje sigurisht se gjendet diku në trekëndëshin polici-prokurori-gjykatë, por derisa të gjenden përgjigjet, sistemi i drejtësisë në Kosovë po vazhdon të zhbëhet përmes vendimeve që në njërën anë dëmtojnë edhe më shumë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë, e në anën tjetër padyshim se shkelin të drejtat e të akuzuarve që mbahen peng me vite të tëra në procedura gjyqësore për t’u shpallur të pafajshëm në fund të procesit.

Në situatë të tillë humbjet janë të gjithanshme. Fillimisht humben resurse njerëzore dhe financiare në gjykimin e këtyre lëndëve me vite të tëra. Humbjet mund të rriten më tej edhe nga kompensimet eventuale që personat e persekutuar mund të kërkojnë si kompensim, pasi që të shpallen të pafajshëm. Humbja me e vështirë e matshme dhe ndoshta e pandreqshme është ajo që i shkaktohet sistemit si tërësi dhe besimit që ky sistem gëzon te qytetarët e republikës.