Biznesi i Grave

Ideja kishte lindur në 8 marsin e fundit.

Gra, kryesisht me pozita të larta në institucione publike, menduan të nisnin një projekt që do të punonte për fuqizimin e mëtejmë të rolit të gruas derisa gjendeshin të ftuara në darkë për Ditën e Gruas, në Ambasadën e SHBA-së.

Që atëherë ai grup do të takohej rregullisht dhe tash po shtynë idenë e përfaqësimit në biznes përmes kuotës, me legjislacion.

Nëse nisma arrin të kthehet në ligj, bordet e të gjitha kompanive do të detyrohen të kenë përfaqësim të barabartë gjinor. Kështu bordet do të popullohen prej grave të cilat do të kenë peshë në vendimmarrjen biznesore.

Orvatja ka për qëllim forcimin e përvojës dhe kontakteve të grave në biznes, me rezultate barazie që priten sidomos në perspektivë afatgjate.

Shkëndije Himaj, zyrtare e lartë në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) dhe pjesë e këtij grupi, thotë se ato janë duke diskutuar disa projekte. “Megjithatë, projekti i cili është  duke marrë formë më intensivisht është strategjia për rritjen e numrit të femrave në pozitat vendimmarrëse, më saktësisht në bordet e kompanive ose korporatave private dhe publike”, thotë Himaj.

“Projekti i cili është  duke marrë formë më intensivisht është strategjia për rritjen e numrit të femrave në bordet e kompanive private dhe publike” Shkëndije Himaj 

Ajo thotë se ndonëse femra ka më shumë në Kosovë ato dominohen në vendimmarrje. Sidomos në biznes. “Kjo situatë kërkon një iniciativë të këtillë dhe është rruga në të cilën po shkon edhe Bashkimi Europian”.

Himaj shton se të gjitha gratë që kanë iniciuar kuotën në biznes kanë arritur pozitat e tyre mbi bazë meritokracie.

“Personalisht nuk më pëlqejnë kuotat”, tha ajo. “Por ato i hapin rrugën barazisë dhe sjellin rezultate”.

Deputetja Teuta Sahatqija, e cila është kryetare e grupit të grave deputete, thotë  se gratë do ta përkrahnin një projektligj të këtillë.

“Mendoj se paralelisht do të ishte dashur që të hartohet edhe një ligj për përfaqësimin e gruas me kuotë në partitë politike”, tha ajo. “Konsideroj se edhe përfaqësimi me ligj në korporata është një shembull pozitiv”.

 

foto  
Presidentja Jahjaga dhe deputetja Sahatqija në një fabrikë qumështi me pronare femër  

Kjo praktikë aplikohet në Norvegji me legjislacionin e vitit 2003 ku gratë kërkohet të përfaqësohen jo më pak se 40 për qind në bordet e kompanive. Shtetet tjera si Franca dhe Spanja e kishin aplikuar më vonë standardin e njëjtë. Ndërkohë, gjatë viteve të fundit një numër organizatash europiane kanë kërkuar që këtë ta bëjnë standard në gjithë Bashkimin Europian.

Deputetja Sahatqija beson se me kalimin e kohës kuota do të bëhet e panevojshme. As ajo nuk ia dedikon kuotës suksesin e saj në politikë, por ndërkohë e sheh atë të nevojshme pasi thotë se rruga e shumicë së grave drejt barazisë është më e vështirë në Kosovës. 

“Mendoj se paralelisht do të ishte dashur që të hartohet edhe një ligj për përfaqësimin e gruas me kuotë në partitë politike” Teuta Sahatqija

“Popullsia është e përbërë afërsisht prej dy gjinive, por nuk mund të flasim për barazi nëse institucionet drejtohen gati 100 për qind prej burrave”, shton ajo. “Ne nuk duam t’u marrim vendet burrave, ata vetëm duhet t’i lirojnë vendet tona që historikisht i sundojnë”.

Ambasada amerikane, e cila ka qenë nikoqire e darkës ku kishte lindur ideja, pret që ky grup të tregojë rezultate.

“Ne presim që të ketë sa më shumë gra të përfshira në procesin e vendimmarrjes”, thotë Aferdita Krasniqi, zyrtare e ngarkuar për çështje kulturore në ambasadë, e cila shesh përmirësim të pozitës së gruas. “Për shembull e kemi gruan e parë Presidente në  Kosovë”.

Mirëpo Luljeta Demolli, nga Qendra për Studime Gjinore, thotë se ky përmirësim duhet të jetë thelbësor.

“Statistikat zyrtare tregojnë pabarazi të konsiderueshme që prekin gratë në Kosovë. Shkalla e përgjithshme e analfabetizmit ende është e lartë si dhe problemi i shkrimleximit për gratë është ende prezent”, tha Demolli.

“Papunësia tek gratë është 55 për qind dhe prania e grave në punësimin publik është 37 për qind. Përmirësimi i barazisë gjinore është i llogaritur vetëm me ekzistencën e mekanizmave dhe ligjeve për këtë çështje ndërsa vazhdon të ketë shumë paragjykime për gratë ”, ka shtuar Demolli. 

“Statistikat zyrtare tregojnë pabarazi të konsiderueshme që prekin gratë në Kosovë” Luljeta Demolli

Sipas saj, pozita dhe integrimi social i gruas sidomos në viset rurale është shumë i ultë dhe kjo reflektohet gjithashtu  edhe te mosintegrimi i grave në institucionet e pushtetit lokal – sidomos në ato vendimmarrëse.

“Që nga paslufta, në Kosovë asnjë grua, edhe pse janë kandiduar, nuk është zgjedhur kryetare e komunës”, tha Demolli.

Sipas ligjit aktual për barazi gjinore, në një institucion publik duhen të jenë të paktën 40 për qind të të njëjtës gjini. Në nenin 3, pika 3.2., thuhet “pjesëmarrja e barabartë e femrave dhe meshkujve sipas nenit 3 pika 3.1 arrihet në rastet kur pjesëmarrja e një gjinie në institucione, organe ose në nivele të pushtetit është 40 për qind”.

Ndërkohë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu mendon se bizneset do ta përkrahin nismën e re – të zgjerimit të kuotës në korporata publike e private. 

“Ne si Odë Ekonomike e kemi shprehur disa herë shqetësimin se gruaja nuk është e përfshirë mjaftueshëm në biznes dhe nuk qëndron aspak se nuk ka gra të zonja për t’u marrë me këtë punë. Përfaqësimi i tyre në borde do të jetë një metodë efikase se problemi i tyre nuk zgjidhet në konferenca me tematikë gjinore por me punë konkrete si kjo”, tha ai..

“Kjo është një iniciativë reale në krahasim me shumë të tjera që deri tash e trajtojnë çështjen e gruas si të jetë ajo vetëm brengosëse për një ditë ose një javë”, thotë Gërxhaliu, duke iu referuar aktiviteteve me moto “dita e gruas”, “java e gruas” etj.

Fakte Bazuar në të dhënat e shoqatës “Norma” në një raport të vitit 2011:

KEK – Nga listat e të punësuarve del se në KEK, në vitin 2011, kanë qenë të punësuar 7.804 punëtorë, prej të cilëve 573 ose 7 për qind femra dhe 7.231 ose 93 për qind meshkuj.

PTK – Në vitin 2011 kanë qenë të punësuar gjithsej 3354 persona, prej tyre 794 ose 24 për qind janë femra dhe 2560 ose 76 për qind meshkuj.

KGJK – Nga numri i përgjithshëm prej 244 gjyqtarëve të të gjitha niveleve të gjykatave në tërë Kosovën, vetëm 69 ose 28 për qind janë gjyqtare femra dhe 157 ose 72 për qind meshkuj.

Prokuroria e Shtetit –
Edhe në prokuroritë e qarqeve gjendja është përafërsisht e njëjtë me atë në gjykata. Nga 88, sa ka gjithsej prokurorë në tërë Kosovën, 26 ose 30 për qind janë femra dhe 62 ose 70 për qind meshkuj.

Shkollat fillore – Nga ky numër, në shkollat fillore janë gjithsej 21.063 punonjës arsimorë, prej të cilëve 41 për qind femra dhe 59 për qind meshkuj, kurse në shkollat e mesme, nga gjithsej 6.196 punonjës, 33 për qind janë femra dhe 67 për qind meshkuj.