Foto e bërë në vitin 2011. Raundi i gjashtë i dialogut teknik në Bruksel në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimi Evropian

Bisedimet e Kushtueshme me Serbinë

Qeveria e Isa Mustafës ka shpenzuar mbi 600 mijë euro në procesin e bisedimeve të Brukselit me Serbinë në vitet e fundit (2015-2016).

Isa Mustafa me t’u bërë Kryeministër e emëroi EditaTahirin si ministre të Dialogut, si përgjegjëse për bisedimet e Brukselit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

NDËRLIDHUR

Për këto 2 vjet, pala kosovare ka zhvilluar disa takime në Bruksel.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar qasje në shpenzimet që kjo ministri ka bërë përgjatë këtyre 2 vjetëve.

Sipas të dhënave që Zyra e Kryeministrit i ka dhënë për Gazetën JnK, del që për këto dy vjet delegacioni kosovar i udhëhequr nga EditaTahiri ka harxhuar plot 608 mijë e 366 euro.

Për vitin 2015 ishin harxhuar 325,040.03 euro, ndërsa në vitin 2016 janë harxhuar 283,326.28 euro.

Qeveria e Kosovës nuk e kishte paraparë që në vitin 2015 ky dikaster qeveritar të ketë kaq shumë shpenzime. Ata fillimisht kishin ndarë buxhet prej 161,808 euro për vitin në fjalë. Por, për shkak të shpenzimeve që nuk ishin parashikuar nga Zyra e Kryeministrit, Qeveria e Kosovës ia ka dyfishuar buxhetin kësaj ministrie. Asaj i janë shtuar edhe 160 mijë euro tëtjera, duke e arritur buxhetin total në 325 mijë euro.

Ndërkohë, në vitin 2016, qeveria kishte ndarë 257,858 euro, mirëpo edhe në këtë vit ministria kishte kërkuar mjete shtesë. Asaj i ishin shtuar rreth 25 mijë euro shtesënë mënyrë që të mbulohen shpenzimet për 2016-ën.

Gjatë 2015-ës kjo ministri kishte shpenzuar për paga 74,857.26 euro, ndërsa në 2016-ën kishte shpenzuar mbi 4 mijë euro më pak, 70,188.61 euro.

Ndërsa për shpenzime jashtë vendit delegacioni kosovar i kryesuar nga ministrja EditaTahiri gjatë 2015-ës ka shpenzuar 40,191.63 euro, ndërsa në 2016-ën 44,051.48 euro. Pra rreth 4 mijë euro më shumë. Këto mjete janë shpenzuar vetëm për stafin e kësaj ministrie që ka udhëtuar jashtë vendit për të marrë pjesë në bisedimet me Serbinë. Anëtarët e tjerë të delegacionit që mund të kenë qenë nga dikastere tjera qeveritare i kanë mbuluar shpenzimet nga buxheti i institucioneve ku ata kanë punuar.

Rreth 100 mijë euro për akomodim

Për akomodim dhe udhëtim të  stafit zyrtar të delegacionit gjatë vitit 2015 janë harxhuar rreth 47 mijë euro. Edhe në vitin 2016 është shpenzuar e njëjta shumë për akomodim dhe udhëtim, pra 47 mijë euro.

Në listë të shpenzimeve figuron edhe një tabelë tjetër me pothuajse të njëjtin përshkrim, akomodimi, e ku kanë shkuar afër 5 mijë euro për vitin 2016.

Në anën tjetër, për dreka zyrtare kjo ministri ka shpenzuar në total brenda dy vjetëveafër 28 mijë euro. Mirëpo ekziston edhe një pjesë tjetër e drekave zyrtare të kësaj ministrie, mirëpo që kanë të bëjë me drekat jashtë vendit. Në 2015-ën janë harxhuar 590.5 euro për dreka zyrtare jashtë vendit. Kurse në vitin 2016, asnjë cent nuk është harxhuar për dreka zyrtare jashtë vendit.

Megjithatë, shpenzimet më të mëdha kjo ministri i ka pasur për bileta të udhëtimit.  Më shumë se 1/3 e shpenzimeve të kësaj ministrie kanë shkuar në bileta të aeroplanit dhe shpenzimeve të tjera të këtij lloji, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit.
Mbi 227 mijë euro përgjatë 2 vjetëve i kanë shkuar Qeverisë së Kosovës vetëm në bileta të udhëtimeve për stafin e Ministrisë së Dialogut.

Ministria që udhëhiqet nga EditaTahiri kashpenzime tjera kontraktuese me vlerë prej 22 mijë eurove për vitet 2015 dhe 2016 që nënkupton shërbime tjera të jashtme për nevoja të ministrisë.

Ndërsa për karburant nga fondi i kësaj ministrie janë harxhuar vetëm 31.82 euro.

Megjithatë harxhimet për karburante janë më të mëdha, por meqenëse Ministria e Dialogut punon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, atëherë shpenzimet e kësaj natyre nuk janë futur në këto planifikime. Sipas Zyrës së Kryeministrit, kjo ministri gjatë 2015-ës ka harxhuar 3,996 euro për karburante, ndërsa për 2016-ën shpenzimet janë dukshëm më të vogla, duke shkuar në vetëm, 2,283 euro.

KALLXO.com kishte raportuar edhe më herët për shpenzimet e kësaj ministrie në vitin 2015, kur shoferit i ishin blerë rroba me vlerë prej 198 eurove.

Në listën e shpenzimeve figurojnë edhe diku mbi 1 mijë euro për furnizim të zyrës.

Gazeta JnK ka kërkuar dy herë radhazi nga kabineti i ministres EditaTahiri të dijë për numrin e vizitave/takimevetë ministres në Bruksel si dhe me kë është shoqëruar. Këshilltari i Tahirit Dren Zeka ka refuzuar të përgjigjet duke na orientuar t’i shohim të gjitha komunikatat e qeverisë që prej fillimit të mandatit të kësaj ministrie prej fundit të dhjetorit të 2014-ës e deri më tani. Nëvebfaqen e Kryeministrit të Kosovës janë të listuara të gjitha lajmet për Kryeministrin, duke i përfshirë edhe komunikatat e lëshuara nga ministrja e Dialogut.

Shpenzimet e institucioneve tjera

Dialogu për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë jo gjithmonë ka qenë i përbërë vetëm nga ekipi i ngushtë i ministres EditaTahiri.
Varësisht prej specifikës së temës së dialogut, bashkë me Tahirin kanë udhëtuar edhe persona tjerë, zyrtarë të institucioneve përkatëse.

Për shembull Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) përmes zyrtarëve të saj, ka marrë pjesë në 13 takime të Brukselit gjatë vitit 2016, kur është biseduar për kodin telefonik të Kosovës. E shpenzimet e këtyre zyrtarëve janë mbuluar nga vetë ARKEP-i.

“Shpenzimet për udhëtime zyrtare për pjesëmarrje në procesin e dialogut gjithsej gjatë vitit 2016 kanë qenë 57,700 euro, të cilat janë mbuluar nga buxheti i ARKEP-it. Këto shpenzime përfshijnë, biletat, akomodimin në hotel si edhe mëditjet për udhëtime zyrtare”, thuhet në përgjigjen e ARKEP-it për Gazetën Jeta në Kosovë.

Gazeta JnK i ka shkruar edhe Telekomit të Kosovës në lidhje më shpenzimet që zyrtarët e këtij të fundit i kanë pasur në takimet e dialogut ku këta kanë marrë pjesë, mirëpo ata nuk u janë përgjigjur pyetjeve tona.

Pjesë të shumë takimeve kur është biseduar për çështje të energjisë kanë qenë edhe zyrtarët e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Licencës për Operatorin e Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT). Mirëpo zyrtarët e KOSTT-it, nuk kanë udhëtuar asnjëherë në vitin 2016 në bisedimet e Brukselit.

Gazeta JnK ka kërkuar informacione nga ta, në lidhje me shpenzimet që zyrtarët e KOSTT-it i kanë pasur gjatë takimeve të Brukselit, e të cilat janë paguar nga vetë buxheti i tyre.

Këto janë shifrat e shpenzimeve gjatë viteve prej kur ka filluar dialogu për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. KOSTT-i ka thënë se në total për të mbuluar shpenzimet e zyrtarëve të vet që kanë udhëtuar për të marrë pjesë në bisedime, ka shpenzuar 40 mijë e 473 euro. Në vitin 2011 janë realizuar 11 takime, për të cilat janë shpenzuar 11 mijë e 93 euro. Në vitin 2012, janë shpenzuar vetëm 1 mijë e 309 euro për një takim që është mbajtur. Në vitin pasues ishin realizuar 11 takime, pasi në gusht të vitit 2013 ishte nënshkruar marrëveshja për energji. Në vitin 2013 janë shpenzuar 19 mijë e 192 euro nga KOSTT-i. Në vitin 2014 dhe 2015 janë mbajtur nga dy takime për secilin vit për të cilat janë shpenzuar 5 mijë e 391 euro përkatësisht 3 mijë e 488 euro.

Për çështje të energjisë më herët kanë qenë në Bruksel edhe zyrtarët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), takime të cilat janë mbajtur para vitit 2013, ka thënë në një përgjigje të shkurtër zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli.

Në anën tjetër Gazeta Jeta në Kosovë nuk ka arritur të marrë përgjigje nga disa institucione tjera, të cilat potencialisht kanë mundur të marrin pjesë në takime të Brukselit, varësisht prej natyrës së bisedimeve.

Takimi i fundit në Bruksel u mbajt në nivel të lartë politik. Presidenti Thaçi dhe Kryeministri Mustafa u takuan me homologët e tyre serbë në janar të këtij viti.

Në këtë shkrim nuk janë përfshirë shpenzimet që janë bërë nga ana e Kryeministrit të Kosovës dhe stafit të Zyrës së Kryeministrit gjatë udhëtimeve të bëra në Bruksel për të marrë pjesë në bisedimet me Serbinë.

BIG DEAL 4

18 Mars 2017 - 18:08

Taulant Osmani 18/03/2017 - 18:08
NDËRVEPRIMI0

Bisedimet e Kushtueshme me Serbinë

by Taulant Osmani
NA NDIQNI