BIK-u më 6 Korrik Merr Vendim për Rrahjen mes Hoxhallarëve (TV)

Sulmi fizik ndaj Imamit të Gradicës është dënuar edhe nga Bashkësia Islame e Kosovës, zyrtarë të së cilës edhe njëherë bëjnë me dije se feja Islame është kundër dhunës dhe nuk e pranon atë si zgjidhje.

“Domethënia e fjalës Islam është paqe”, thotë Ahmet Sadriu, udhëheqës i sektorit për shtyp dhe veprimtari botuese pranë Bashkësisë Islame  të Kosovës.

Sadriu thotë se rasti i imamit Osmani është përcjellur në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe se në mbledhjen e datës 6 korrik do të vendoset për rastin.

“Me këtë rast këshilli i Bashkësisë Islame në Drenas ka mbajtur mbledhje urgjente, e ka shqyrtuar rastin dhe pastaj lëndën e ka përcjell te ne”, thotë Ahmet Sadriu.

Sipas tij në mbledhjen e së shtunës nga Komisioni Disiplinor që është në kuadër të Bashkësisë Islame do të shqyrtohet ky rast dhe do të caktohen masat përkatëse.
 
E për rastet e mëhershme kur shërbyes të Bashkësisë Islame kanë treguar sjellje të pahijshme, Sadriu tregon se BIK-u, ka ndërmarrë masa disiplinore.
 
“Ka pas dënim në të ardhura, ku i është ndalë paga me përqindje, pastaj suspendim i përkohshëm, dhe largim nga puna” , thotë Sadriu.

Ndërsa në FSK thonë se ende nuk kanë marrë ndonjë shkresë zyrtare nga institucionet kompetente për personin konkret.

“Në rastin konkret Liman Musliu është zyrtar civil (shërbyes civil) i punësuar nga MFSK me shërbim në Komandën e Forcës Tokësore të FSK-së dhe për këtë vlejnë dispozitat e Rregullores së Qeverisë nr. 04/2011 për Procedurat Disiplinore për Shërbyesit Civil të miratuar me datë  09.06.2011”, thotë Ibrahim Shala zëdhënës i Ministrisë së FSK-së.

Sipas tij Ministria e FSK-së ka komisionin disiplinor për trajtimin e të gjitha shkeljeve disiplinore për shërbyesit civil që shërbejnë në MFSK dhe FSK.

“Andaj, Komisioni Disiplinor në MFSK do t’i filloj procedurat disiplinore në momentin e paraqitjes së rastit për shkelje të supozuara nga kushdo qoftë, dhe do t’i shqiptojw masën disiplinore në pajtim me dispozitat e Rregullores nr. 04/2011 për Procedurat Disiplinore për Shërbyesit Civil”, thotë zëdhënësi i Ministrisë së FSK-së.

Rasti në fjalë sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka ndodhur më 29 qershor 2013 kur Imami  Osman Musliu dhe vëllai i tij Limani kanë shkuar në lokalet e Bashkësisë Islame në Drenas dhe kanë hyrë në zyrën e Gazmend Mehmetit, Imamit të Gradicës, të cilin pas një fjalosjeje e kanë rrahur me grushta dhe shqelma duke i shkaktuar lëndime trupore. 

Për këto veprime Gjykata Themelore e Drenasit më 2 korrik 2013 ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej 15 ditësh ndaj imamit dhe vëllait të tij Liman Musliu, i cili është pjesëtar i FSK-së.

Në këtë seancë Osman Musliu e pranoi se e ka rrahur imamin e Gradicës, por tha se është penduar.