BIK Shpenzon 2.5 Milionë për Haxh në Vit

Imami i një xhame në Podujevë, Idriz Bilalli, ka akuzuar Bashkësinë Islame të Kosovës në krye me Naim Tërnavën se ka keqmenaxhuar me fondet e saj dhe se ka shkelur kushtetutën e këtij institucioni që drejton komunitetin mysliman në vend.

“Nuk na është dhënë raporti financiar të cilin kemi arritur vetë ta sigurojmë në mënyra tjera”, ka thënë Bilalli, i cili kishte qenë pjesë një procesi të brendshëm e të acaruar zgjedhor të bashkësisë.

Bilalli ka thënë po ashtu se ai është larguar nga kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Podujevë pikërisht për shkak se e ka kundërshtuar myftiun Tërnava

BIK’u është kritikuar për mungesë të transparencës në lidhje me fondet që sillen mes 5.5 dhe 6 milionë eurosh e që mblidhen nga besimtarët vendës. Në një dokument të siguruar nga Jeta në Kosovë shihet që në vitin 2011 buxheti i BIK-ut ishte planifikuar të jetë 6 milionë euro, derisa në vitin 2009 ka pasur buxhet edhe më të madh – 6.5 milionë euro.

Drejtori financiar i BIK’ut, Kasim Gërguri, ka thënë se ky institucion fetar ka ndërtuar xhami si dhe ka ndihmuar edhe Fakultetin e Studimeve Islame e medresenë në Prishtinë. Po ashtu, BIK’u, ka thënë ai, ndihmon organizimin e vullnetarëve që shkojnë në haxh gjë që i kushton asaj për çdo vit diku 2.5 milionë euro.

Gërkuri ka thënë se një shumë prej rreth 2.2 milionë eurove, për të cilën BIK është kritikuar se e ka shmangur pa dhënë dëshmi në vitet e kaluara, ekziston e deponuar në bankat kryesore në vend.

Po ashtu në BIK nuk shpallen konkurset për punëtorët e rinj, kjo bashkësi nuk është e regjistruar dhe një mijë punëtorët e saj nuk paguajnë kurrfarë takse, përfshirë as tatim në të ardhura personale.

Drejtori i financave të BIK’ut i ka arsyetuar të gjitha këto me faktin se nuk janë të regjistruar dhe se nuk ka ligj për bashkësitë fetare.

Por  drejtuesit e saj kanë thënë se janë plotësisht të interesuar të sillen në harmoni të plotë me ligjet e vendit.

“Kemi kërkuar 100 herë që të regjistrohemi por për shkak të mungesës së ligjit kjo ka qenë e pamundur”, ka thënë Fahrush Rexhepi, anëtarë i Kryesisë së BIK’ut.

Anjë femër në BIK

Derisa në Kosovë janë afërsisht 800 xhami, në asnjë prej tyre nuk ka imame femër, ndërsa edhe pse BIK ka afër 1 mijë punëtorë as këtu nuk ka asnjë femër.

“Edhe pse 48 për qind e popullatës jane gjini femërore dhe myslimane, për këtë nuk shqetësohet askush, nuk ka mbështetje”, ka thënë Azemine Kukaj, mësimdhënëse në medresen “Alaudin”, në Prishtinë.

Ajo ka thënë se edhe pse është hapur departamenti i gruas në kuadër të BIK, nuk është se është zgjidhur pjesëmarrja e femrës në BIK.

Ndërsa në zgjedhjet e fundit të cilat janë mbajtur në Këshillat e Bashkësive Islame në mbarë Kosovën, asnjë delegate nuk kanë qenë femër.

Zgjedhjet në BIK me parregullësi

Bashkësia Islame e Kosovës është institucioni më i lartë fetar për besimtarët islam në vend dhe mbahet gjallë prej fondeve  të cilat i mbledhë prej tri burimeve të ndryshme: nga anëtarësia, qiraja dhe nga donacionet.

foto  
Xhemati duke falur xhumanë  

BIK nuk është organizatë e regjistruar sepse nuk janë as organizatë qeveritare e as institucion shtetëror. Janë bashkësi fetare dhe Kosova tash, tek pas 12 vjetëve pas luftës, është duke përpiluar ligj për bashkësi fetare që do të duhej të rregullonte mes tjerash edhe atë se kujt BIK-u duhet t’i japë llogari.

Momentalisht, BIK i jep llogari vetëm kryesisë së vet e cila zgjedhet çdo katër vjet.

Në secilën xhami të Kosovës mbahen zgjedhjet për delegatë për këshillin e bashkësisë në komunën përkatëse – kjo i bie përafërsisht si përzgjedhja për degë të partisë. Pastaj, këta delegatë të përzgjedhur të xhamive mbajnë kuvend në të gjitha komunat e Kosovës për të zgjedhur kryesinë dhe kryetarin e këshillit të bashkësisë islame për atë komunë – që i bie sikurse me e përzgjedh kryetarin dhe qeverinë e komunës. 

Roli kryesor i këtyre të përzgjedhurve është që të mbledhin fonde prej xhematit dhe një pjesë të mjeteve prej 10-15 për qind e buxhetit vjetor t’i dërgohet Bashkësisë Islame në Prishtinë.

Nëpër disa komuna të Kosovës, po kontestohen pikërisht këto zgjedhje të nivelit lokal.

Zgjedhjet në Këshillat e Bashkësive janë duke u përcjellë me pakënaqësi të mëdha, sipas Osman Musliut, imam i xhamisë në Drenas, i cili ka thënë se në këtë qytet nuk janë mbajtur zgjedhjet fare dhe se vetëm imamët e xhamive kanë emëruar në shtëpitë e tyre kë kanë dashur.

“Këto më së paku kanë qenë zgjedhje, këto kanë qenë emërime të Naim Tërrnavës”, ka thënë Musliu.

Derisa në Drenas nuk janë mbajtur zgjedhjet, në një pjesë të xhamive edhe në disa që janë mbajtur janë bërë dallavere. Në Podujevë zgjedhja e delegatëve për Kuvendin e Këshillit të Bashkësisë Islame ka shkuar në rregull, por pakënaqësitë kanë filluar kur myftiu Naim Tërnava e ka larguar nga lista imamin aktual të xhamisë së qytetit “Met Podjeva”, Idriz Bilalli.

“Nuk e di për çfarë verifikimi e ka fjalën Naim Tërrnava, kur i ke kalu të gjitha filtrat”, është ankuar Bilalli i mllefosur me heqjen nga lista edhe përkundër faktit se ai ka pasur më së shumti vota.

Disa nga delegatët e Kuvendit të Këshillit të Bashkësisë Islame në Podujevë kanë dërguar ankesë tek  Ombudspersoni.

Ramadan Mexhuani, delegat i Këshillit të Bashkësisë Islame në Podujevë ka thënë se “delegatët e kanë thënë fjalën e vet dhe kanë votuar”.

Ndonëse zgjedhjet në këshillat e Bashkësisë Islame të Kosovës u cilësuan si të suksesshme prej saj, një numër zyrtarësh e pësuan për shkak të parregullsive të tyre.

Musli Vërbani, imam në xhaminë e Kaçaniku, ka sulmuar kryeimamin e Sabri Bajgiora.
Imami Vërbani thotë se nuk e ka pasur për qëllim që ta sulmojë fizikisht kryeimamin Bajgora, mirëpo sipas Vërbanit ky i fundit është përgjegjës për problemet në Kaçanik – edhe aty thuhet se kishte mospërputhje mes rezultateve dhe zgjedhjes së bërë nga anëtarët.