Foto nga: Pajtim Çuni & Vjosa Çerkini

Bifurkacioni i Nerodimes Rrjedh Përsëri

82-vjeçari Avdyl Qerimi mban mend sesi kur ishte djalë i ri bluante drithë në mullirin e Nikës që nga koha osmane, të cilit fuqinë ja sillte lumi Nerodime në Kosovën juglindore.

Për njerëzit si Qerimi, Nerodime ishte një burim i krenarisë lokale, që ndahej në një pikë në veriperëndim të qytetit të Ferizajt në dy degë që përfundojnë udhëtimin e tyre në dy dete të ndryshme, një fenomen që njihet si bifurkacion.

Përfaqëson të vetmin rast bifurkacioni në Evropë dhe një nga dy në botë, ku Orinoco në Brazil është tjetri. Pra ishte e dhimbshme për Qerimin, ambientalistët dhe qytetarët e Ferizajt që vitet e shpërfilljes, ndotjes dhe ndërtimeve ilegale e kishin lënë Nerodimen të thatë, dhe pikën e saj të bifurkacionit një pamje keqardhëse prej bari dhe balte.

Duke iu përgjigjur presionit publik, autoritetet rregulluan shtratin e lumit muajin e kaluar dhe e restauruan rrjedhën e tij dhe të bifurkacionit. Kryeministri Isa Mustafa, personalitete të tjera, aktivistë të mjedisit dhe banorë të Ferizajt morën pjesë në ceremoninë që filloi restaurimin e fenomenit të veçantë, ku mes tyre ishte dhe Qerimi.

“Të drejtën me ta thanë nuk po muj me i besu syve të mi,” i tha ai BIRN. “Mendja nuk ma kish marr që bifurkacionin e shoh edhe një herë me ujë. Unë para 10 dite isha për drekë në këtë restorantin afër, por në dy degët e Bifurkacionit s’ka pas pikë uji, pos barit e therrave.”

Kryetari i Ferizaj Muharrem Svarqa tha që komuna po punon në një projekt ideor për ta mirëmbajtur bifurkacionin. Ministri i Mjedisit në atë kohë, Ferid Agani, i tha BIRN që komuna është e obliguar “që ta rregullojë më tutje bifurkacionin, që ka rëndësi për turizëm dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.” Ndërkohë, Agani ka dhënë dorëheqjen.

Shaban Kashtanjeva, që ka emëruar restorantin e tij aty afër “Bifurkacion”, tha që mezi pret ringjalljen e turizmit.

“Shumë vizitorë vijnë të shohin këtë mrekulli natyrore. Fatkeqësisht, gati të gjithë deri tani janë larguar të zhgënjyer,” tha ai. “Por tash që uji erdh e bifurkacioni u funksionalizua, këtu është bërë mrekulli.”

Duke dërguar ujërat e saj në Detin Egje dhe Detin e Zi, bifurkacioni i Nerodimes gëzon mbrojtje ligjore që nga 1979 si ‘Rezervat Special Natyror’. Por statusi i tij është shpërfillur me vite nga ndotja dhe ndërtimet që e shpërfillin vlerën mjedisore të zonës dhe potencialin turistik.

Kur ka vizituar Kosovën verën e kaluar, gjeologu dhe palentologu gjerman Norbert Jost ka thënë që kishte pritur të shihte ndarjen e lumit. “Por nuk e pashë,” tha ai. “E për më keq më pati brengosur fakti që në bifurkacion kishte ndërhyrë edhe faktori njeri,” kishte thënë ai, duke e përshkruar fatin e bifurkacionit në atë kohë si “të mjerueshëm”.

Kenan Gashi, drejtor i organizatës jo-qeveritare Avonet për të drejtat me bazë në Ferizaj tha që autoritetet lokale dhe qendrore në Kosovë, si dhe qytetarët e papërgjegjshëm janë bashkëfajtorë.

“Shkaktarët kryesorë për mos funksionimin e bifurkacionit janë gjendja jashtëzakonisht e keqe e shtratit të lumit, shfrytëzimi i ujit në mënyrë të pa kontrolluar si dhe shterja e krojeve, si pasojë e prerjeve të mëdha të pyjeve,” tha Gashi për BIRN para se rrjedha e lumit të restaurohej.

Eksperti i turizmit Zeke Ceku, ish-kryetar i Shoqatës së Turizmit në Kosovë, kishte shpresuar për kohëra më të mira: “Bifurkacioni është pjesë e trashëgimisë kombëtare [të Kosovës] dhe një margaritar, përbën atraksion natyror për zhvillimin e turizmit,” tha ai.

Qerimi tha që shpreson që edhe mulliri që ai kishte vizituar kur kishte qenë i ri të bluante drithë përsëri.

“Besoj se tash njerëzit kanë me ardhë e me e vizitu më shumë ketë vend të mrekullueshëm e te bekunë,” tha ai. “Shumë mirë u ba që erdhe uji e bifurkacionin nuk e lan me u shtjerr e me u harru.. Por edhe na tash edhe ma shumë duhet me e ruajt.”

 

Ky artikull është prodhuar si pjesë e Bursës për Raportim Cilësor, si pjesë për projektin Media for All i zbatuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese dhe i mbështetur nga Zyra e BE-së në Kosovë.