Familja Biden gjatë vizitës në Kosovë në vitin 2016. Foto: Shtëpia e Bardhë

‘Biden’ si Rrugë për t’u Shkelur dhe Shembull për t’u Ndjekur

Joseph R. “Beau” Biden III ishte djali i madh i Zëvendës Presidentit amerikan Joe Biden, prokuror, ushtarak dhe politikan. Për një kohë, Beau ishte edhe në Kosovë, ku ndihmoi në funksionalizimin e sistemit të drejtësisë. Ai ndërroi jetë në moshën 46 vjeçare, pas një sëmundje me kancer.

Pasi e kishte kuptuar se i biri i tij ishte diagnostifikuar me kancer, Joe Biden kishte parë të arsyeshme që ta njofto Presidentin Obama, ngase kjo mund të ndikonte edhe në ushtrimin e detyrave të tij si Zëvendës President. Ai i ishte rrëfyer presidentit Obama se nëse Beau e lë punën, nuk do të kishte mundësi financiare t’i mbulonte shpenzimet e trajtimit, andaj ai është duke planifikuar që ta shesë edhe shtëpinë. Obama i ishte lutur atij që të mos e shesë shtëpinë, ngase mjetet do t’ia huazonte ai.

Joe Biden ishte zgjedhur senator më 1972, kur ishte vetëm 29 vjeç, dhe karriera e tij publike nuk është ndërprerë asnjëherë për tani e 44 vite. Por, në vitet e tij të shtatëdhjeta, Biden kishte ardhur në situatë kur konsideronte shitjen e shtëpisë për të paguar faturat e shërimit të të birit. As Joe e as i biri i tij nuk e kishin konsideruar ndihmën financiare nga shteti si opsion për të mbuluar kostot e shërimit. E as Presidenti Obama nuk kishte thënë se nuk ke nevojë të shesësh shtëpinë, do e paguajmë nga buxheti i Shtëpisë së Bardhë.

Në fillim të dhjetorit 2016, në media rrodhi një vendim sekret i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli për ndarjen e 18.000 eurove nga buxheti i Kuvendit për Zëvendës Kryetarin Xhavit Haliti për mbulimin e kostos së një intervenimi kirurgjik në një spital në Zvicër. Përkundër asaj se Zëvendës Kryetari merr një pagë vjetore prej 30 mijë eurosh, ka të deklaruara 110 mijë euro para të gatshme dhe pasuria e tij e paluajtshme kalon një milion euro, prapëseprapë Kryetari i Kuvendit mori vendim të paligjshëm dhe të paarsyeshëm për ndarjen e 18.000 euro të taksapaguesve.

Pak ditë pas marrjes së këtij vendimi nga Kryetari i Kuvendit, Qeveria mori vendim tjetër për ndarjen e mbi 34 mijë eurove për mbulimin e shpenzimeve të shërimit të deputetit Bardhyl Meta. E kështu ishte vepruar edhe për mbulimin e shpenzimeve të ish kryetarit të Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemajli, ish Kryetarit të Komunës së Pejës Ali Lajçi, ish kryetarit të Komunës së Istogut Fadil Ferati, e shumë e shumë politikanëve të tjerë.

Në vitin 2009, Bajrush Xhemajli, me veturën zyrtare, duke vozitur mbi shpejtësinë e lejuar, kishte shkaktuar aksident komunikacioni në dalje të Prishtinës. Xhemajli ishte transportuar për shërim urgjent jashtë vendit, përderisa viktimës së tij, 21 vjeçarit Labinot Rrustemi, nuk i ishte ofruar ndihmë e veçantë. Nga lëndimet e marra i riu kishte ndërruar jetë në QKUK.

Gjithnjë, këto vendime arsyetohen me atë se po i ndihmohet dikujt që ka nevojë dhe se këta individë kanë dhënë shumë për vendin. Edhe Beau Biden kishte luftuar për vendin e tij si pjesë e ushtrisë amerikane në Irak, kishte shërbyer si prokuror për nëntë vjet, e babai i tij kishte karrierë politike mbi 40 vjeçare, dhe përkundër asaj se familja Biden ia ka përkushtuar jetën shërbimit publik, askujt nuk i kishte shkuar ndërmend që me taksat e qytetarëve të mbulohen shpenzimet e shërimit të Beau.

Përderisa komunat, qeveria e kuvendi ndajnë taksat e qytetarëve për shërim të politikanëve, taksapaguesit presin me vite në listat e pritjes për shërim jashtë vendit, e në të shumtën e rasteve nuk e marrin këtë shërbim asnjëherë. Në vitin 2015 ishin 780 qytetarë në listat e pritjes së Ministrisë së Shëndetësisë për shërim jashtë vendit.

Në qershor të 2016, Qeveria mori vendim që autostrada Gjilan-Ferizaj të emërtohet si autostrada ‘Beau Biden’. Në arsyetimin e tij para kabinetit qeveritar, Kryeministri Mustafa tha se “emërtimi i rrugës po bëhet si shenjë falënderimi për të gjithë ata që kanë kontribuar në ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, veçmas për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Beau Biden do të nderohej shumë më mirë nëse institucionet gjyqësore në Kosovë, në ngritjen e të cilave kontribuoi edhe ai, do të ishin funksionale dhe do të gjykonin të gjitha ato raste kur qeveritarët marrin vendime të jashtëligjshme për t’i ndarë me dhjetëra mijëra euro për shërim të politikanëve jashtë vendit, përderisa me qindra qytetarë presin në radhë për ta marrë këtë ndihmë nga Ministria e Shëndetësisë. Beau Biden do të nderohej shumë më shumë në rast se politikanët e Kosovës ndjekin shembullin e familjes Biden, ku posti publik nuk shikohet si mundësi për përfitim personal, por si obligim për t’u shërbyer zgjedhësve.