Biden Kujton Titon

Përktheu: Kaltrina Ahmeti

A e ka shtuar SHBA-ja (shumë e zënë këto ditë me kriza të shumta në Lindjen e Mesme) qëllimisht interesin e saj në Ballkan, apo analistët janë duke lexuar shumë në faktin se dy nga zyrtarët më të lartë nga Uashingtoni kanë gjetur kohë për të vizituar dy kryeqytete të rajonit brenda një jave të vetme?

Zëvendës-presidenti Joe Biden ishte në Zagreb më 25 nëntor, ndërkohë që Sekretari i Shtetit John Kerry është duke udhëtuar për në Beograd më 3 dhjetor.

As vizita nuk është bilaterale. Zagrebi po priste samitin Brdo-Brijuni, një forum rajonal i themeluar më 2013 që mblidhte liderët e ish-republikës jugosllave, së bashku me Shqipërinë dhe Kosovën. Beogradi është vendi për një takim ministror të OSBE-së. Por, gjithashtu është e vërtetë se prania e SHBA në të dyja rastet mund të ketë qenë në një nivel më të ulët.

Takimi i Zagrebit ishte dedikuar për dy çështjet më të ngutshme dhe të ndërlidhura të ditës: kriza e refugjatëve/emigrantëve dhe terrorizmit.

Valë e paparë e njerëzve nga zonat e luftës në Siri dhe Irak dhe të tjerëve që kërkojnë një jetë më të mirë sa më larg nga Afganistani, Pakistani dhe Bangladeshi, Afrika e Veriut,  përdorën “itinerarin ballkanik” për të arritur Europën Veriore.

Kjo i ka tensionuar institucionet dhe shërbimet lokale, si dhe ka destabilizuar marrëdhëniet mes fqinjëve, siç u tregua nga episodi i fundit i mbylljes së kufirit dhe nxehu shkëmbime verbale ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë.

Biden, 73 vjeçar, një veteran i politikës dhe diplomacisë amerikane, përmendi në Zagreb se ai “kujton Titon” (vizita e parë në Jugosllavi ka qenë kur presidenti i saj i famshëm ishte gjallë), por mesazhi i tij kryesor ishte se Amerika nuk është duke e rivendosur interesin e saj në Ballkan për arsyen e thjeshtë se “SHBA nuk  e kishte lënë kurrë”.

Pra, kush ka të drejtë: Biden apo ekspertët politikë? Në fakt, të dyja palët.

Diplomacia amerikane po i kushton një vëmendje të  veqantë Ballkanit, të cilën Uashingtoni kishte filluar ta bëjë (me gjysmë zemre në fillim), gjatë shpërbërjes traumatike të ish-Jugosllavisë.

Më pak entuziazëm se disa shtete të BE-së, SHBA-ja e njohu shkëputjen e Sllovenisë dhe Kroacisë; Administrata e Bill Klintonit ka hyrë në konfliktin e përgjakshëm në Bosnje dhe në fund ka ndërmjetësuar paqen më 1995 në Dejton. Duke bombarduar Serbinë në vitin 1999 ka themeluar terren për pavarësinë e Kosovës, e cila erdhi disa vite më vonë.

Në ditët e sotme, ambasadorët amerikanë janë një prani e fuqishme në të gjitha kryeqytetet e rajonit, duke mos u druajtur për ndërhyrje në çështjet lokale përtej rregullave dhe protokolleve diplomatike.

Qëllimi i deklaruar i Uashingtonit në Ballkan është stabiliteti (duke e mbajtur atë “në orbitë”, është qëllimi i papërcaktuar), dhe deri më tani, kjo ka pasur sukses. Rajoni është ende i brishtë, por më i fortë sesa përpara. Me Slloveninë (nga viti 2004) dhe Kroacinë (nga viti 2013) në BE dhe NATO, pjesa tjetër e rajonit është në një udhë që çon në derë të Brukselit.

Shpejtësia e udhëtimit ndryshon. Magneti i BE-së nuk është më aq i fortë si më parë, por në përgjithësi, procesi i anëtarësimit mbetet mjet për modernizimin demokratik, ekonomik dhe institucional të vendeve kandidate.

Me disa pengesa dhe frustrime, natyrisht. Dhimbja e kokës është suksesi më i madh i Amerikës, Bosnja. Dy dekada pas marrëveshjes së nënshkruar të Dejtonit,  është e qartë se çmimi për ndalimin e luftës ishte forcimi i ndarjës etnike të Bosnjës dhe krijimi i një shteti jofunksional.

Uashingtoni është i frustruar me paaftësinë e tij për të rihapur Dejtonin dhe të riorganizojë Bosnjën, kryesisht duke fajësuar entitetin dominuës serb, Republikën Srpska. Realiteti është se, me kaq shumë nivele të organeve në njësinë tjetër qeverisëse, Federata Boshnjake-Kroate, ka interesa të tjera vetjake që i mbajnë gjërat e njëjta.

Në jug, Maqedonia nuk është në gjendje për të ecur përpara në rrugën e saj në BE dhe NATO për shkak të kontestit të pakuptimtë të emrit me fqinjin e saj, Greqinë, anëtar i vjetër i klubit perëndimorë. Është më të vërtetë e çuditshme se si Uashingtoni është i pafuqishëm si një ndërmjetësuës në këtë lëmsh.

Përderisa Shqipëria është tashmë në NATO dhe duke negociuar me BE-në, dhe Mali i Zi është disa hapa prapa, Uashingtoni është duke i kushtuar vëmendje të veçantë vendit më të madh në rajon, Serbisë, një vend banorët e të cilit adhurojnë Rusinë, por që për çështjet praktike – të udhëtimit, studimit , argëtimit, tregtisë dhe punës – shkojnë në Evropën Perëndimore dhe SHBA.

Serbia zotohet se ajo kurrë nuk do të vendosë sanksione kundër Moskës, por kryeministri i saj, Vuqiq, i cili organizoi një paradë ushtarake për Presidentin Vladimir Putin, e vizitoi atë muajin e kaluar dhe në nëntor udhëtoi për në Pekin, gjithashtu ka kryer një akt të rrallë gjatë këtij viti: zyrtarisht ka hyrë dy herë në Shtëpinë e Bardhë.

Herën e parë, në qershor, Vuqiq ka biseduar me këshilltarin e Obamës për Sigurinë Kombëtare Susan Rice, dhe herën e dytë, në shtator, me nënkryetarin Biden.

Vizita fundit u pengua disi nga një letër proteste e nënshkruar nga një grup prej pesë kongresmenëve të cilët pretenduan për praktika korruptive nga disa prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Vuqiçit.

Por në përgjithësi, Uashingtoni zyrtar është i kënaqur me udhëheqësit aktualë serbë. Ata janë një surprizë pozitive: ish-radikalët janë duke udhëhequr vendin drejt BE-së, janë përmirësuar marrëdhëniet me të gjithë fqinjët, ekzekutojnë  reforma ekonomike dhe marrin pjesë në dialogun substancial me “Prishtinën” (kod fjala për qeverinë e Kosovës).

Kjo nuk do të thotë që Serbia është pajtuar formalisht me pavarësinë e Kosovës: ajo është ende një bretkocë shumë e madhe për tu gëlltitur dhe duhet shumë punë është ende për t’u bërë (po ashtu edhe në Prishtinë).

Ndërkohë, bashkëpunimi ushtarak SHBA-Serbi po përparon, dhe ditën e kaluar një copë akulli ishte thyer nga vizita e Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, i cili u mirëprit me bukë dhe kripë, simbolet tradicionale të mikpritjes serbe.

Megjithëse Uashingtoni është në dijëni për lëvizjet ruse që shkëputin Serbinë nga rruga e BE-së, deri më tani, situata është nën kontroll. Për shkak të kësaj, vizitat e Kerrit në Zagreb dhe e Bidenit në Beograd janë një çështje e rutinës diplomatike dhe vëmendje e veçantë në të njëjtën kohë. Ballkani është nën një ombrellë të Perëndimit, por shiu jashtë është duke u përkeqësuar.

Edhe ne e kujtojmë Titon.