Foto: Atdhe Mulla

Beteja e Taksistëve të Prishtinës për t’u Kthyer në Aeroport

Taksistët nga Prishtina po e vazhdojnë betejën disavjeçare për t’u kthyer në Aeroportin e Prishtinës. Ata ishin larguar nga ky aeroport në vitin 2012 pas një vendimi të kryetarit të Komunës së Lipjanit, Shkuri Buja për t’i ndaluar auto-taksitë e qyteteve të tjera të operojnë në territorin e Lipjanit. Ky vendim i kishte prekur 30 taksistë nga Prishtina të cilët operonin në Aeroportin e Ndërkombëtar të Prishtinës, i cili shtrihet në Komunën e Lipjanit dhe atë të Fushë-Kosovës.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar së fundi një aktgjykim përmes të cilit kërkon nga Komuna e Lipjanit të anulohet vendimi i cili bën kufizim të taksistëve nga qytetet tjera që të operojnë në këtë komunë.

“Gjykata obligon organin e paditur që në afat prej 30 ditësh në ri procedurë të vendosë sipas vërejtjeve në aktgjykim dhe me aktvendim të vendosë lidhur me ankesat e paditëses  të datës 21 shkurt 2012”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Gjykata Themelore e Prishtinës është mbështetur në Ligjin mbi Ndërmarrjet Publike kur ka vendosur për të kthyer në rishqyrtimin vendimin e ish-kryetarit të Komunës së Lipjanit.

Në arsyetimin e gjykatës, thuhet se Komuna e Lipjanit ka qenë e detyruar që të shfuqizojë vendimin e kryetarit të komunës  në lidhje me operimin  taksive, pasi që një gjë të tillë e ka detyruar vendimi i kryeministrit numër 01/64 i datës 85/2009, i cili ka qenë përfundimtar.

Sipas Gjykatës Themelore në Prishtinë, komuna jashtëligjshëm ka shfuqizuar vendimin e Qeverisë së Kosovës në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, duke ua ndaluar punën në aeroport taksive nga Prishtina.

“Të gjitha ndërmarrjet publike qendrore janë në pronësi të Republikës së Kosovës, andaj Qeveria e Kosovës ka kompetenca ekskluzive lidhur me ushtrimin e të drejtave të aksionarit… dhe vendos lidhur me të gjitha  çështjet që kanë të bëjë me to në rastin  konkret dhe Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari’”, thuhet në këtë aktgjykim.

Komuna e Lipjanit e ka pranuar këtë aktgjykim, mirëpo ata ende nuk kanë marrë asnjë vendim rreth kësaj çështje.

Bukurie Zejnullahu, zëdhënëse në Komunën e Lipjanit thotë se vendimi është marrë në shkallën e parë, prandaj ata kanë të drejtë që të apelojnë atë. Thotë se Avokati i Komunës së bashku me drejtorin e drejtorisë përkatëse janë duke e analizuar këtë aktgjykim, mirëpo ende nuk ka një vendim për ankimim.

Zëdhënësja e komunës thotë se aktgjykimi i gjykatës kërkon nga komuna rishqyrtimin e vendimit.

“Komuna e Lipjanit ju njofton se lënda është kthyer në rishqyrtim, ne do ta shqyrtojmë përsëri dhe do të vendosim në bazë të dispozitave ligjore”, tha Bukurie Zejnullahu, zëdhënëse në Komunën e Lipjanit, për KALLXO.com.

Ndërkohë, shoqata e Taksistëve të Prishtinës kanë shpresë të madhe pas aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

“Që pesë vjet 30 taksistë janë pa punë  dhe pa të ardhura, secili nga ta është varur nga kjo punë dhe ka mbajtur familjen”, tha Abaz Ajeti, shef i Shoqatës së “Taxi Prishtina”.

Ai tha se çdo taksist në këtë shoqatë e ka hapësirën e ndarë se ku do të punojë.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës ka qenë i autorizuar i taksistëve të Prishtinës në rastin gjyqësor. Ai tha se qysh në fillim ata kanë qenë të bindur se një vendim i tillë nga ana e Komunës së Lipjanit ka qenë i gabuar.

“Nuk ka qenë hera e parë që kanë vepruar kështu si komunë dhe na kanë nxjerrë telashe, por këtë herë procesi zgjati më shumë dhe ne i përdorëm format ligjore dhe tani vendimi është në favorin tonë”, tha Azemi.

Azemi shtoi se tani presin që përmes marrëveshjeve ndërmjet Komunës së Lipjanit dhe asaj të Prishtinës të gjendet dhe  forma e dëmshpërblimit.

Sipas tij, dëmshpërblimi është i madh edhe pse ende nuk janë llogaritur në përpikëri dëmet e shkaktuara.

Vendime të tilla kishte pasur  edhe në vitin 2006 si dhe në vitin 2009, ku lejohej që në aeroport të veprojnë vetëm taksitë nga  Lipjani.

Taksistët e Lipjanit po i frikësohen konkurrencës që potencialisht mund të vijë nga taksistët e Prishtinës në aeroport.

“Ky vendim  është shumë i dëmshëm, sepse ata që  i kanë hjekë të Prishtinës dhe i kanë zëvendësuar me të tjerë taksistë dhe tash  jemi 102 taksistë që punojmë aty”, tha kryetari i Shoqatës së taksive të Lipjanit, Nijazi Dulaku.

Ndërsa Adonis Tahiri, zëdhënës në Komunën  e Prishtinës, tha se ata do e përkrahin Shoqatën e  Taksistëve të Prishtinës në këtë drejtim.

“Sigurisht që kërkesa eventuale për takim do të shqyrtohet dhe do të takohemi me ta. Më tutje do të shohim mundësinë se si mund të kontribuojmë në këtë drejtim, varësisht prej kërkesave që kanë gjatë takimit dhe mundësive tona për përfshirje në këtë çështje”, tha Tahiri.

Por për këtë linjë të udhëtimit Prishtinë- aeroport- Prishtinë, shumë shpejt do të jenë në qarkullim edhe autobusët për të cilët Ministria e Infrastrukturës ka lëshuar gjithsej 18 rende të udhëtimit për këtë relacion, duke filluar nga ora 06:00  deri në orën 22:00.

“Këto nisje, nuk janë ende funksionale për shkak të trajtimit të disa çështjeve. Në  shfrytëzimin e hapësirës së aeroportit nga ana e operatorëve të transportit rrugor që ushtrojnë veprimtarinë e transportit te rregullt me autobus, jemi në pritje të finalizimit të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet MI-së dhe ANP-së nga ekipet e ekspertëve”, tha për KALLXO.com, Zyra për Informim në Ministrinë e Infrastrukturës.

Ndërsa sipas Nijazi Dulakut, kjo linjë nuk është e dëmshme për ta dhe nuk paraqet problem.

“Ka pasur edhe më herët linjë të autobusëve Prishtinë- aeroport, por që s’ka funksionuar gjatë, sepse nuk është një linjë profitabile për autobusë… fluturime ka shumë rrallë dhe me 2-3 udhëtarë, nuk mund të funksionojë një autobus”, tha Dulaku.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës operojnë edhe shumë taksistë të paregjistruar, të cilët operojnë me çmime më të lira sesa taksistët e rregullt. Çmimi nga Prishtina në Aeroport apo nga Aeroporti në drejtim të qyteteve të tjera është më i shtrenjtë se çmimi i rregullt i taksistëve.