Besimtarët Myslimanë po Festojnë Bajramin

Kryemyftiu i Kosovës, Naim Tërrnava, iu është drejtuar me një mesazh të gjithë besimtarëve myslimanë, duke kërkuar nga qytetarët kultivimin e tolerancës, dashurisë ndër-njerëzore dhe humanitetit.

Ai ka theksuar se me përfundimin e muajit të Ramazanit, të gjithë ata që kanë agjëruar janë të gëzuar, pasi që kryen një obligim me sukses ndaj krijuesit.

Por sipas tij, edhe në ditët në vazhdim, besimtarët, assesi nuk guxojnë të lënë anash lutjet dhe obligimet e tjera fetare. “Besimtarët myslimanë edhe pse po ndahen sot nga muaji i Ramazanit të bekuar, kjo nuk do të thotë se po lirohen edhe nga detyrimet e mëtutjeshme të fesë islame”.

Më tutje, Tërnava ka shtuar se shoqëria kosovare ka nevojë për themele të shëndosha dhe duhet të ngrihet mbi bazën e punës së ndershme. “Prandaj duke shfrytëzuar këtë rast e këtë ditë të shenjtë, të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë të bashkëveprojnë drejt ndërtimit të një shoqërie të shëndoshë, të pastër e të ndershme dhe të mos lejojmë që në mesin tonë të depërtoj virusi degjenerues e devalvues”.
 
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, si zakonisht, organizon pritje në selinë e saj, nga ora 9 deri në mesditë.

Me rastin e Bajramit, krerët e institucioneve të Kosovës u kanë dërguar mesazhe urimi udhëheqësve të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe të gjithë besimtarëve myslimanë

Në këtë ditë feste dhe gëzimi, uroj që të jeni të lumtur e të bashkuar dhe të festoni me familjarët, miqtë dhe me më të dashurit tuaj, me të mirat dhe begatitë që ua ka dhuruar Zoti, ka uruar mes tjerash presidentja Atifete Jahjaga.