Ben-Af i Padëshiruar për Akademinë Policore

Akademia policore ka vendosur që kadetët e saj të mos ushqehen më nga kompania “Ben-Af” nga Suhareka e cila që nga gushti 2011 ishte e kontraktuar për shërbime të përgatitjës dhe furnizimit me ushqim. 

Kontrata e lidhur ndërmjet palëve më 31 gusht 2011 përfundon më 30 gusht të vitit 2013, por Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), një agjenci ekzekutive e ministrisë së punëve të brendshme, planifikon që të mos e kontraktojë më këtë kompani. 

AKSP-ja e mori këtë vendim më 15 maj të këtij viti kur lëshoi referencë negative “për kompaninë “Ben-Af”.  

“Këtë shërbim e ka kryer në mënyrë jo-profesionale dhe me cilësi shumë të dobët, Bekim Dakaj

“Këtë shërbim e ka kryer në mënyrë jo-profesionale dhe me cilësi shumë të dobët dhe nuk na është përgjigjur me kohë për shërbimet sipas specifikacionit teknik të dosjës së tenderit dhe kontratës”, thuhet në referencën negative të nënshkruar nga Bekim Dakaj, menaxher i prokurimit në AKSP, që i është lëshuar kontraktorit të ushqimit.

“AKSP-ja nuk e çmon punën dhe profesionalizmin e kësaj ndërmarrje si dhe kjo paraqet pëngesë për marrjën (lidhjën) e ndonjë kontrate me AKSP-në në të ardhmën”, thuhet në këtë dokument të siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë pas kërkesës për qasje në dokumente publike.

Kompania ishte shpallur fituese në tenderin e AKSP-së dhe kishte ofertuar me çmimin për njësi 79.40 euro për muaj.

Njoftimi për dhënie kontrate nuk përmban vlerën e përgjithshme të kontratës mes palëve.

Vendimi i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike është marrë gati një muaj e gjysmë para se më 25 qershor të këtij viti të ndodhte rasti i trajtimit me simptoma të helmimit të  17 kadetëve. 

Më 25 qershor në spitalin e Vushtrrisë u trajtuan gjashtëmbëdhjetë kadetë ndërsa një u dërgua në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

Ismail Smakiqi, drejtor i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP) në Vushtrri, bëri përgjegjës shërbimet jo-cilësore të kompanisë “Ben-Af”, për rastin që ndodhi të mërkurën e javës së kaluar. 

Bahtir Visoka, mjek kujdestar më 25 korrik në Spitalin e Vushtrrisë, pati konfirmuar se kadetët i ishin nënshtruar terapisë orale që ka të bëjë kryesisht me kompensimin e lëngjeve të humbura.

“Ben-Af”, pohon se nuk beson që kadetët janë helmuar.

“Ne nuk konsiderojmë që ka pasur helmim dhe jemi në pritje të raportit të Inspektoratit të AVUK. Nuk besojmë se ka mundësi kur ushqehen 150 persona të helmohen 2 apo 3”, thuhet në përgjigjet e kësaj kompanie. 

“Ne nuk konsiderojmë që ka pasur helmim dhe jemi në pritje të raportit të Inspektoratit të AVUK. Ben-Af

Drejtori i AKSP-së Smakiqi po ashtu konfirmon se inspektorë të Agjencisë së Veterinës e Ushqimit të Kosovës (AVUK), inspektorë sanitarë të komunës së Vushtrrisë dhe inspektorë të shëndetit publik në Mitrovicë janë duke bërë shqyrtimin e rastit dhe do t’i dorëzojnë akademisë policore raport për rrethanat që çuan në helmimin e 17 kadetëve.

AVUK konfirmon se ka bërë inspektimin e kuzhinës në AKSP. 

“Për verifikimin e kushteve higjieniko-sanitare të hapësirave ku përgatitet dhe ruhet ushqimi  janë marrë 15 strisho (mostra) nga sipërfaqet punuese dhe duart e personelit dhe 3 mostra të ushqimit të konsumuar po atë ditë të ruajtur 72 orë sipas procedurave të kuzhinës”, thotë Lamir Thaçi, zyrtar për informim në AVUK. 

Sipas tij, pas kryerjes së analizës do të konstatohet shkaku që çoi deri në trajtimin e kadetëve me simptoma të helmimit dhe brenda muajit t’i dorëzohet akademisë policore raport për të gjeturat e inspektimit.

AKSP-ja bën zgjidhje të përkohshme për ushqim 

Disa ditë pas rastit të trajtimit të kadetëve në qendra spitalore kompania nga Suhareka nuk furnizon më me ushqim akademinë policore dhe është tërhequr një muaj para se të skadonte kontrata e lidhur mes palëve. 

Besnik Kuqi, zyrtar ligjor në “Ben-af”, konfirmon se kompania ka ndërprerë furnizimin me ushqim të akademisë policore.   

“Prej datës 1 korrik ne nuk jemi duke furnizuar akademinë policore. Kemi pasur kontratë edhe një muaj, deri në gusht, por jemi marrë vesh që ta ndërprejmë këtu dhe të presim analizat e AVUK-ut”, thotë Kuqi.

“Prej datës 1 korrik ne nuk jemi duke furnizuar akademinë policore. Besnik Kuqi 

Drejtori i Akademisë Policore Ismail Smakiqi thotë se ndërprerja e kontratës është bërë pasi që kompania njoftoi se nuk mund të vazhdojë më me furnizimin me ushqim.  

AKSP-ja, sipas tij, është pajtuar me këtë dhe ka bërë zgjidhje të përkohshme të furnizimit me ushqim. 

“‘Ben-af’ nuk është duke furnizuar dhe as shërbyer në mensën tonë. Kjo kompani ka njoftuar që nuk mund ta ofrojë këtë shërbim deri në fund të afatit të validitetit të kontratës”, thotë Smakiqi. 

Kontrata e lidhur mes palëve skadonte më 30 gusht të këtij viti. 

Aktualisht Akademinë Policore është duke e furnizuar përkohësisht kompania “Amazona”, me bazë në Obiliq. 

“‘Ben-Af’ ka bërë marrveshje me kompaninë ‘Amazona’ dhe ne kemi ndihmuar që të bëhet një marrëveshje në mes tyre, që ne të mos mbesim pa ushqim”, thotë Smakiqi. 

Sipas tij, kontraktori i deritashëm ka bërë marrëveshje me këtë kompani pasi që “Amazona” është shpallur fitues në tenderin e ri të Akademisë Policore për furnizim me ushqim. 

Më 6 qershor të këtij viti akademia policore shpalli fitues konzorciumin “Amazona & NTP Apetiti”, që kërkoi 800 mijë euro për ofrimin e shërbimit të përgatitjës dhe furnizimit me ushqim. Kriter për dhënie të tenderit ishte çmimi më i ulët. Ben-Aff kishte kontratë të ndryshme të furnizimit, për njësi. Akademia nuk ka treguar se sa i ka paguar kompanisë. 

“‘Ben-Af’ ka bërë marrveshje me kompaninë ‘Amazona’ dhe ne kemi ndihmuar që të bëhet një marrëveshje në mes tyre, që ne të mos mbesim pa ushqim, Ismail Smakiqi

Gani Ferizi,drejtor i kompanisë “Amazona”, thekson se furnizimi i përkohshëm është duke u bërë bazuar në marrëveshjën e përbashkët me Akademinë Policore e kompaninë “Ben-Af”. 

“Kemi filluar me furnizim në akademinë policore vetëm që të mos e lëmë keq, pa ushqim”, pohon Ferizi. 

Akademia policore, përkundër që ka shpallur fitues në qërshor këtë operator, ende nuk ka lidhur deri më tash kontratë me të pasi që rasti është duke u trajtuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit. 

Një kompani që humbi në garë ka parashtruar ankesë në OSHP kundër vendimit të Akademisë Policore që shpall fitues konzorciumin “Amazona”-“NTP Apetiti”. 

Smakiqi thotë se nuk e di se kush është ankuar. OSHP-ja nuk zbulon emrin e kompanisë që ka parashtruar ankesë.

Ardian Behra, kryesues i sekretariatit të OSHP-së, thotë se kjo përben informacion sekret pasi që kompania që ka parashtruar ankesë ka të drejtë edhe që të tërhiqet dhe të mos marrë pjesë në seancë gjyqësore. 

Smakiqi thotë se vendimi për furnizim të përkohshëm me ushqim nuk paraqet problem për vendimin që do të nxjerrë OSHP-ja.

AKSP-ja, sipas tij, do të zbatojë vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit edhe nëse është negative dhe në rastin e dytë do ri-tenderojë procesin përgjatë kohës sa furnizimi i përkohshëm vazhdon. 

OSHP-ja nuk dha përgjgigje se me cilën datë mund të marrë vendim për ankesën ndaj AKSP-së. 

Akademia policore e pakënaqur me shërbimet e “Ben-Af”-it

Akademia Policore kishte dhënë vërejtje ndaj kompanisë nga Suhareka përgjatë kohës së kontraktimit më 2012 e 2013 pasi që ishte e pakënaqur me cilësinë e ushqimit. 

AKSP-ja lëshoi referencë negative në maj të këtij viti pas dy vërejtjeve me shkrim që i kishte dhënë “Ben-Af”-it përgjatë përiudhës së kontraktimit.

Më 4 tetor të vitit 2012 AKSP i dërgoi vërejtje kompanisë ku i kërkonte ngritje të cilësisë së shërbimit me ushqim.

Vërejtja e dytë përmes së cilës kërkohet ngritjen e cilësisë së shërbimeve është dhënë më 25 mars të vitit 2013.

Zyra e Prokurimit, kur dha vërejtjën e dytë, bazhohej në raportin e Komisionit për Mbikqyrjën e Kontratës që kishte gjetur se kompania kishte shërbyer pije me afat të skaduar. 

“Kësaj rradhe do t’ju jepet një vërejtje, me shpresë se do të ndikojë pozitivisht në rritjën e kualitetit të shërbimeve dhe respektimit të kushteve të kontratës, Bekim Dakaj

“Njëherit ju njoftojmë se kësaj rradhe do t’ju jepet një vërejtje, me shpresë se kjo vërejtje do të ndikojë pozitivisht në rritjën e kualitetit të shërbimeve dhe respektimit të kushteve të kontratës”, thuhet shkresën e menaxherit të prokurimit në AKSP, Bekim Dakaj.

Dakaj thoshte se, sipas kontratës, nëse do të vazhdohej me shkelje tjera, kontrata do të ndërpritej. 

Gazeta Jeta në Kosovë i dërgoi pyetje Arben Gegajt, menaxher i kontratave në “Ben-Af”, por ai nuk komentoi për vendimet e akademisë policore që flasin për parregullsitë në zbatimin e kontratës.

Përkundër dy vërejtjeve dhe lëshimit të referencës negative AKSP-ja nuk i kishte shkëputur kontratën kompanisë “Ben-Af”.

“Shkëputja e kontratës edhe përkundër vullnetit menaxherial nuk ka qenë në interesin e institucionit për arsye se akademia nuk ka pasur mundësi ligjore për të mbuluar këtë shërbim si shumë të nevojshëm për shkaqe procedurale duke shtuar faktin se ligji për Prokurimin Publik i ka të caktuara afatet dhe kushtet për përzgjedhjën e kompanive”, thotë Smakiqi i akademisë.

Sipas tij, divizioni i prokurimit, me qëllim që akademia të mos mbetet pa ushqim, ka hapur tenderin e ri për furnizim me ushqim më 16 maj të këtij viti disa muaj para se të skadonte kontrata me kompaninë “Ben-Af”. 

Më 6 qershor të këtij viti akademia policore shpalli fitues konzorciumin “Amazona & NTP Apetiti”, që kërkoi 800 mijë euro për ofrimin e shërbimit të përgatitjës dhe furnizimit me ushqim. Kriter për dhënie të tenderit ishte çmimi më i ulët.

Pije me afat të skaduar e shërbim i parregullt i ushqimit

Një komision i AKSP-së për mbikqyrjën e zbatimit të kontratës i krijuar nga drejtori i përgjitshëm Ismail Smakiqi dorëzoi një raport pune më 21 mars të këtij viti.

Raporti i komisionit pohon se ka pasur parregullsi në racionet e ushqimit për mëngjes dhe darkë. Komisioni prej pesë anëtarësh monitoroi kuzhinën e AKSP-së ku operon “Ben-Af”, prej datës 25 deri më 28 shkurt të këtij viti.

Ushqimi për mëngjes ishte i pamjaftueshëm si dhe në të shumtën e rasteve shërbehej ushqim i njejtë.

Raporti pohon se për darkë në të shumtën e rasteve shërbehej ushqim i njejtë nga racioni i drekës.

Dreka, sipas raportit, shërbehej konform rregullave dhe po ashtu kishte racione plotësuese me arsyetimin se kishte kërkesa nga shfryteëzuesit.

Komisioni kishte gjetur se kishte pasur parregullsi edhe tek furnizimi me pije.

“Pijet në kanaqe-nga gjithsejtë 72 komplete pije të verifikuara- 6 prej tyre janë me afat të skadimit të datës 10.03.2013”, thuhet në raport. Inspektimi i pijeve ishte bërë më 21 mars 2013. 

“Pijet në kanaqe-nga gjithsejtë 72 komplete pije të verifikuara- 6 prej tyre janë me afat të skadimit të datës 10.03.2013, raport

Ankesa për pije me afat të skaduar kishte pasur edhe nga zyrtarët e akademisë policore.

Bahri Bylykbashi, instruktor në Njësinë e Trajnimeve të Policisë Kuftiare, i raportonte Akrem Racajt, drejtor i Trajnimeve të Specializuara, për pijet me afat të skaduar që kadetët i kishin konsumuar gjatë ushtrimeve praktike më 20 mars të këtij viti.

“Me të shkuar atje gjatë kohës së drekës kemi vërejtur se pijet freskuese ‘Shwppes Real” nga gjithsejtë 21 kanaqe 17 prej tyre kane qenë me afat të skaduar (10.03.2013). Vlen të ceket se këto 17 copë kanaqe me afat të skadimit janë vërejtur tek pasi që janë konsumuar ose edhe gjatë konsumimit”, thuhet në shkresën e Bylykbashit drejtuar Racajt.

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar më herët për probleme të kontratave të kompanisë “Ben-af” me institucionet publike. Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) kësaj kompanie i kishte gjetur parregullsi në kontrata e saj për mensat në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) ku ndër shkeljet ishte ajo e furnizimit me pije jo cilësore.

Kjo kompani nuk ishte e përgjegjshme edhe ndaj autoriteteve tjera publike pasi që nuk përmbushi një kontratë publike me komunën e Malishevës si dhe ishte favorizuar nga ministria e punëve të brendshme, komuna e Suharekës dhe ajo e Prizrenit.