BE-ja Lavdëron Progresin e Serbisë Drejt Anëtarësimit

Në vizitën e tij të parë në Beograd që nga formimi i qeverisë së re, Fule tha të hënën se Serbia, e cila filloi bisedimet për anëtarësim në janar të këtij viti, ka bërë një progres frymëzues.

“Pak ditë më parë ne shënuam përvjetorin e dhjetë të zgjerimit më të madh të BE-së. Atëbotë në vitin 2004, integrimi evropian i Serbisë dukej si një e ardhme e largët, e sot ai është një siguri e dukshme. Unë jam i bindur se Serbia ka aftësinë që këtë mundësi ta bëjë realitet”, tha ai pas takimit me presidentin e Serbisë, Tomislav Nikoliq.

Ai përmendi ato që Brukseli i sheh si tri prioritete kryesore për Serbinë- reformën dhe ringjalljen ekonomike, sundimin e ligjit dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Nikoliq e pranoi pas takimit se “përmbushja e obligimeve varet nga ne”.

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Catherine Ashton, gjithashtu vizitoi Beogradin më 28 prill për ta dëshmuar mbështetjen e Brukselit për administratën e re serbe.

“Është e mrekullueshme ta shohim Serbinë në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe forca e përkushtimit të secilit me të cilin jam takuar- jo vetëm në qeveri por edhe jashtë saj, është ajo që do të garantojë sukses. Unë shpresoj në kohë të duhur”, kishte thënë Ashton.

Fule do të takohet edhe me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ministrin e Jashtëm Ivica Daçiq dhe kryetaren e Kuvendit Maja Gojkoviq si dhe ministrat e Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme, Nikola Selakoviq e Nebojsa Stefanoviq.

Para vizitës së tij, Fule tha se do ta urojë qeverinë e re për zgjedhjet e fundit dhe do të diskutojë për mbështetjen shtesë ndaj Serbisë në bisedimet për anëtarësim, për të cilat tha se janë duke shënuar progres.

“Puna e BE-së me Serbinë fokusohet në arritjen e një niveli të përgatitjes së vendit i cili nuk do të lë hapësirë për ndonjë dyshim rreth aftësisë për ta marrë përgjegjësinë e plotë atëherë kur vendi t’i bashkohet BE-së”, ka thënë Fule në një intervistë për gazetën “Veçernje Novosti” para kësaj vizite.