Bartës i Programit të Gazetarisë, një Kirurg Vaskular

Me 22 shtator 2017 Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) e publikoi listën e gjithë universiteteve dhe kolegjeve private e publike që janë akredituar.

Kallxo.com ka zbuluar që kjo listë tregon se disa programe të universiteteve publike dhe private, janë akredituar përkundër se nuk plotësojnë udhëzimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për akreditim, ku kërkohen që tri bartës të programit të jenë doktor shkence në atë fushë.

Në njërin prej programeve, Luan Jaha, kirurg vaskular paraqitet të jetë bartës i programit ‘Komunikim Masi-Gazetari’ në nivelin master në ‘Kolegjin AAB’.

Luan Jaha është edhe këshilltar i kryeministrit, Ramush Haradinaj, i cili është përkushtuar se do të merret me kualitetin e arsimit gjatë 100 ditëshit të tij të parë në qeveri.

Kur u pyet lidhur me këtë, kryeministri Ramush Haradinaj në intervistë për Emisionin ‘Jeta në Kosovë’ tha se këshilltari i tij është polivalent.

“Luani është bukur polivalent, nuk e them pse është këshilltar i imi. Është ndoshta prej njerëzve më të zot që e çmoj në shëndetësi. Hera e parë që po e dëgjoj prej juve, por ajo që unë di është se e njoh që disa vite dhe ky ka zhvillu plotë aftësi shtesë profesionale”, tha kryeministri Haradinaj.

‘Jeta në Kosovë’ ka kontaktuar Luan Jahën. Ai ka thënë se asnjëherë nuk ka qenë i angazhuar në programin ‘Komunikim Masiv- Gazetari’ në nivelin master në Kolegjin AAB.

“Unë kam kontratë me Fakultetin e Infermierisë të AAB-së dhe asnjëherë nuk kam qenë i angazhuar për mësimdhënie në programin e gazetarisë. Nuk më është bërë kurrë një ofertë e tillë dhe nuk kam nënshkruar asnjë dokument me të cilin kam pranuar një gjë të tillë”, tha Jaha për JnK.

Jaha thotë se involvimi i emrit të tij në programe jashtë infermierisë është abuzim me emrin dhe diplomën e tij.

“Për faktin se jam bartës në listën e gazetarisë kam marrë informatë nga ju, për çka ju jam shumë falënderues. Çdo involvim i imi në programe jashtë infermierisë është abuzim me emrin dhe diplomën time dhe është i papranueshëm për mua. Nëse pretendimet e juaja janë të vërteta do të marr të gjitha masat që ta mbrojë integritetin tim personal dhe profesional”, theksoi ai.

Në ndërkohë përfaqësuesit e ‘Kolegjit AAB’ kanë thënë për ‘Jeta në Kosovë’ se vendosja e emrit të profesor Luan Jahasë në programin e ‘Komunikimit Masiv-Gazetari’ është gabim teknik për të cilin kanë kërkuar nga Agjencia e Akreditimit ta përmirësojnë.

Mirëpo kjo Agjenci nuk e ka bërë këtë përmirësim.

Letra e AAB-së e drejtuar te Agjencisë për Akreditim, e protokolluar dhe e datuar më 31 korrik 2017 thotë se e kanë vërejtur këtë gabim.

“Ne kemi vërejtur që AKA nuk i ka marrë parasysh rregullimet që janë bërë me Zyrtarët për Vlerësim dhe Monitorim të AKA-së dhe nuk e ka marrë parasysh versionin tonë të fundit të dorëzuar në AKA dhe si rrjedhojë janë paraqitur disa gabime te bartësit e disa programeve studimore. Ju lutem gjeni të bashkangjitur listën e saktë me bartësit e programeve”, shkruan Shemsedin Vehapi, prorektor për mësim në AAB.

Në këtë listë të saktë figurojnë dy emra në bazë të së cilëve është akredituar ky program i masterit të gazetarisë dhe komunikimit masiv, Resul Sinani dhe Bashkim Musliu.

Por, kjo nuk e plotëson rregullën e MASHT, udhëzimin administrativ për Akreditim, konkretisht pikën 3.2 që thotë se “Për të siguruar lidhjen mes kërkimit shkencor dhe mësimdhënies në universitete dhe kolegje universitare ky staf i përhershëm me orar të plotë duhet të përmbaj të paktën tre anëtarë për secilin program të studimit”.

E prorektori për mësim në AAB, Shemsedin Vehapi, tha se programi ‘Komunikim Masiv- Gazetari’ në nivelin master nuk ka qenë në proces të akreditimit.

“Konstatimi apo dilema juaj se mos ne e kemi akredituar programin e Komunikimit Masiv në nivelin master me profesor Luan Jahën si profesori i tretë, nuk qëndron, për faktin se ne nuk kemi qenë në proces të akreditimit të këtij programi”, thotë Vehapi në përgjigjen dërguar më 20 dhjetor për JnK.

Përfaqësuesit e Agjencisë së Akreditimit mohuan të kenë bërë gabim teknik me emrin e bartësit Luan Jaha për programin ‘Komunikim Masiv – gazetari’ në Kolegjin AAB.

“Kolegji AAB më datë 31 Korrik 2017 ka dorëzuar shkresë zyrtare në AKA për përmirësimin e disa gabimeve teknike përfshirë personin në fjalë. Por, Kolegji AAB për mbledhjen e fundit të KSHC-së të mbajtur më 22 Shtator 2017 ka paraqitur përsëri personin Luan Jaha si bartës i programit të studimit në programin Gazetari/MA andaj AKA nuk e konsideron se bëhet fjalë për gabim teknik”, tha zyrtari i AKA-së, Shkëlzen Gërxhaliu për Jeta në Kosovë.

Gërxhaliu ka treguar se profesor Jaha vazhdon të figurojë në versionin përfundimtar të tabelës së publikuar në ueb-faqe të AKA-së.

“Bartësit e programit të studimit në Programin Gazetari/ MA në Kolegjin AAB, janë: Resul Sinani, Luan Jaha, Xhevat Syla (Elvin Luku nuk është pranuar meqenëse nuk ka nostrifikim të diplomës)”, tha Gërxhaliu.

Njëri prej ish anëtarëve të bordit të cilët janë shkarkuar nga Shyqyri Bytyçi, ministër i Arsimit më 25 shtator, i ka konfirmuar emisionit “Jeta në Kosovë” në një bisedë jozyrtare se Agjencia ka përmbushur kriterin për tre bartës të programit me doktor shkence. Por, ai e ka pranuar se jo të gjithë bartësit e programit kanë qenë profesorë të fushës.

“Ne kemi pasur qëllim që në fillim të kërkojmë 3 bartës, doktor shkence për çdo program sepse nuk ka pasur as në kolegje private dhe as në universitetet publike. E pas kësaj plani ynë ka qenë me kërku edhe profesor të fushës përkatëse për çdo program. Po këtë nuk e arritëm sepse u shkarkuam”, tha ky zyrtar.

AAB nuk është fakulteti i vetëm në Kosovë ku paraqitet ky problem. Universitetet tjera private, por edhe ato publike, kanë probleme të ngjashme të cilat janë pjesë e një hulumtimi më të gjerë që është duke e zhvilluar “Jeta në Kosovë” dhe planifikon ta publikoj gjatë vitit 2018.