Bajram Rexhepi: Situata e Pasluftës Ndihmoi Kriminelët në Kosovë

Në një konferencë të organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë rreth bashkëpunimit rajonal në luftimin e krimit të organizuar, Rexhepi Rexhepi u shpreh se në Kosovë situata e pasluftës “e ka ndihmuar biznesin e kriminelëve”.

“Pozita gjeostrategjike e Kosovës në Ballkan dhe kushtet e krijuara pas luftës, u mundësojnë grupeve të ndryshme kriminale të zhvillojnë aktivitete të krimit të organizuar”, tha Bajram Rexhepi.

Ai tha se ndonjëhere suksesi i agjencive të zbatimit të ligjit vetëm sa i detyron kriminelët të gjejnë rrugë të tjera prandaj “bashkëpunimi rajonal është bërë kyç” në luftimin e dukurive kriminale.

Sipas ministrit, Policia e Kosovës ka ngritur kapacitetet e veta dhe se po lufton me grupet e tilla.

“Policia e Kosovës ka punuar shumë në ngritjen e kapaciteteve të saj duke përfshirë këtu edhe themelimin e disa drejtorive të caktuara si ajo për bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e sundimit të ligjit, drejtoria për mbrojtjen e dëshmitarëve, njësia për luftimin e krimit kibernetik” u shpreh Bajram Rexhepi.

Ai tha se bashkëpunimi rajonal në çështjet e sigurisë ka qenë dhe mbetet prioritet edhe përkundër faktit që Kosova ka shumë kufizime në skenën ndërkombëtare.

“Kemi pasur 16 raste të përfunduara të përbashkëta me shtetet si Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Zvicra, Austria, Hungaria, dhe vende te tjera”, tha Rexhepi.

Ndërsa zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha, tha se krimi i organizuar është dukuri komplekse pandaj, sipas tij bashkëpunimi, me institucionet tjera është i pashmangshëm.

Ai rekomandoi që duhet të ketë bashkëpunim me organizatat si Europoli, Interpoli dhe të tjera.

“Organizatat ndërkombëtare sidomos Europoli dhe Interpoli duhet të kenë rol më aktiv në bashkëpunimin dhe koordinimin në mes të shteteve të ndryshme”, deklaroi Rexha.

Kryeprokurorja e Prokurorisë Speciale në Kosovë Sevdije Morina tha se grupet kriminale operojnë me mjetet teknike shumë të sofistikuara për çka është e vështirë t’u vihet në gjurmë.

Por, sipas saj, Prokuroria po bën përpjekje të vazhdueshme që t’i luftojë këto grupe duke i kaluar edhe kufijtë kombëtarë.

Edhe Hamdi Ibrahimi Kryetar i Gjykatës Themelore të Prishtinës u pajtua se krimi i organizuar mund të luftohet vetëm nëse mes shteteve ka bashkëpunim transnacional.

Në konferencën e organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë janë janë shpalosur rekomandimet për planet strategjike të Kosovës në luftimin e krimit të organizuar në vend.

Shefi i këtij misioni, ambasadori Jean- Claude Schlumberger, tha se për ta fituar luftën ndaj krimit të organizuar në vend, duhet të forcohet bashkëpunimi rajonal

Sipas tij, shumica e qeverive në rajon kanë bërë përpjekje që të ndryshojnë legjislacionin dhe strategjitë duke krijuar kështu strategji të bashkëpunimit rajonal.

Ai tha se OSBE i ka ndihmuar të gjithë akterët relevantë për hartimin, ndryshimin, dhe zbatimin e strategjise së Kosovës dhe planin e veprimit për luftimin e krimi të organizuar, terrorizmit dhe trafikimit me narkotikë 2013-2020.

“Policia e Kosovës ka shënuar progres të konsiderueshëm viteve të fundit dhe ka arritur që të zhvillojë një varg operacionesh kundër krimit të organizuar duke sekuestruar mallëra të dyshimta dhe duke arrestuar të pandehurit por edhe duke shtuar përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar”, u shpreh ambasadori Schlumberger.