Ministri Arsim Bajrami gjatë një ceremonie të ndarjes së bursave për studentët e dalluar | Foto: KALLXO.com

Avancat e Kundërligjshëm të Ministrisë së Arsimit

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kishte paguar avancë në vlerë prej 108 mijë e 671 eurove për ndërtimin e shkollës fillore në Klinë. Avanci ishte paguar pa aprovim paraprak dhe në kundërshtim me Ligjin e Buxhetit.

“Pagesat e avancave pa aprovimet e duhura është në kundërshtim me buxhetin dhe bart me vete rrezikun që të ndodhin pagesa jashtë kontrolleve të duhura në njërën anë dhe shmangie nga suficiti buxhetor”, thuhet në raportin e Zyrës së Auditorit për Raportin Financiar të Ministrisë së Arsimit për Vitin 2016.

Raporti ka vënë në pah se MASHT-i ka pasur vonesa shumëvjeçare për ndërtimin e shkollave.

“Nga 11 projektet e filluara në vitin 2009, gjashtë prej tyre janë përfunduar, dy  ishin në proces të pranimit teknik, derisa në tri  të tjera ende vazhdojnë punimet”, thuhet në raportin e Auditorit.

Për më tepër, auditori ka gjetur se MAShT-i nuk kishte aplikuar sanksione penale ndaj kompanive me arsyetimin se rrethanat e vonesave kanë qenë të dyanshme: mungesa e buxhetit, ndryshimet në specifika dhe neglizhenca e kompanive nga ana tjetër.

Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur parregullsi edhe tek institucionet tjera që janë nën këtë ministri, siç është Qendra e Studentëve.

Auditori ka gjetur se Qendra e Studentëve kishte bërë vazhdimin e dy kontratave kornizë në vlerë prej 743 mijë eurove përkatësisht 426 mijë eurove, në mënyrë të kundërligjshme.

“Pas skadimit të kontratave, të dyja janë vazhduar edhe për periudhën njëvjeçare. Arsyetimi ishte nevoja e domosdoshme për furnizim në QS dhe pritja që ky furnizim të realizohet përmes AQP”, thuhet në raport duke vlerësuar se çdo devijim nga korniza ligjore mund të shfaqë rrezikun e jotransparencës së shpenzimit të parasë publike dhe transaksioneve potencialisht të dëmshme për MAShT-in.

Parregullsi nëpër tenderë dhe menaxhim të kontratave, auditori ka gjetur edhe nëpër universitetet publike që janë nën Ministrinë e Arsimit.

“Tek projekti ‘Hartimi i Planeve Kryesore për UHZ’ ( Universiteti i Pejës ‘Haxhi Zeka) me vlerë 143,525 euro, e cila ishte bërë në marrëveshje me Komunën e Pejës, nuk kishte plan për menaxhimin e kontratës. Përveç kësaj, raporti i pranimit nuk përmban detajet e nevojshme për të kuptuar se kompania ka përfunduar aktivitetet sipas specifikave të kërkuara në dosjen e tenderit”, thuhet në të gjeturat e auditimit.

Auditori ka gjetur se në disa raste në Universitetin e Pejës dhe në Universitetin e Prizrenit nuk ka pasur fare menaxher të kontratës ose ishin caktuar formalisht.

“Në dy  raste, nuk ishin emëruar fare menaxherët e kontratës dhe në gjashtë raste tjera – tre  në UHZ dhe katër në UPZ menaxherët ishin caktuar formalisht, por nuk ishin bërë planet për menaxhimin e kontratave”, është thënë në raportin e auditorit.

Institucioni më i lartë i arsimit është vlerësuar se ka pasur edhe parregullsi në procedimin e pagesave.

“Në procedimin e 17 pagesave të ndërlidhura me mallrat dhe shërbimet me vlerë 425,722 eurove,  ne kemi gjetur se fillimisht ishin pranuar mallrat/shërbimet dhe fatura, ndërkaq më vonë ishte bërë (zotimi i mjeteve, kërkesa për blerje dhe urdhërblerja). Po ashtu te tetë pagesa të investimeve kapitale me vlerë 526,249 euro, zotimi ishte bërë pas faturimit”, thuhet në të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm.

Po ashtu kjo ministri nuk kishte bërë edhe mbylljen e avancave  të zyrtarëve të saj brenda afatit ligjor, por me vonesa deri në dy muaj.

“Në dy raste në vlerë prej 15,198 eurove, avancat nuk ishin mbyllur dhe arsyetuar brenda afatit ligjor. Vonesat ishin 30 dhe 58 ditë. Kjo është në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ nr.2004/07 për Udhëtimet Zyrtare, derisa ka ndodhur për shkak se zyrtarët nuk i kanë sjellë dëshmitë lidhur me shpenzimet e realizuara”, thuhet në raportin e auditorit.

Po ashtu MASHT-i sipas auditorit, kishte bërë edhe pranim jo të rregullt të mallrave, gjë që mund të rritë rrezikun që të pranohen mallra të cilësisë jo të mirë dhe në kundërshtim me kushtet e kontraktuara.

Auditori ka gjetur se në Ministrinë e Arsimit ka paqartësi edhe në bazën ligjore për blerjen dhe shpërndarjen e teksteve shkollore.

“Bazuar në Ligjin nr.04/L-032 për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, MASHT ka nxjerrë Udhëzimin Administrativ nr. 13/2016 për Pajisjen e Nxënësve me Tekste Shkollore, Përdorimin dhe Ruajtjen e Tyre, i cili udhëzim bie ndesh me ligjin në fjalë. Ky udhëzim i obligon nxënësit/prindërit që t’i ruajnë dhe t’i kthejnë tekstet në fund të vitit shkollor, derisa ligji potencon që tekstet jepen falas. Edhe brenda vet ligjit ka kundërthënie, ngase në njërën anë precizon që tekstet jepen falas dhe në anën tjetër e obligon MASHT-in që të nxjerrë udhëzim të veçantë për shpërndarjen dhe ruajtjen e tyre”, është thënë në raport.

E kur jemi te librat shkollorë, auditori ka gjetur se drejtoritë e arsimit në Drenas, Malishevë, Prizren, Rahovec, Ferizaj dhe Viti nuk kanë deklaruar stoqet.

“Mosdeklarimi i stoqeve mund të ndikojë në rritjen e kërkesave për tekste shkollore në krahasim me nevojat reale dhe në rritje të panevojshme të shpenzimeve”, ka thënë auditori.