Autostrada e Vonuar Energjetike Shqipëri-Kosovë Shton Shpejtësinë

Fryn erë e ftohtë dhe dëbore e rrallë bie mbi zyrtarët e sektorit të energjisë nga Shqipëria dhe Kosova si dhe mbi gazetarët e kameramanët që i kanë rrethuar në termocentralin Kosova B. 

Kjo është pika fundore në këtë anë të kufirit të së ashtuquajturës “autostradë energjetike”. Ministrat mbajnë shpinën drejt para kamerave dhe kanë helmeta mbrojtëse, nën linjat e tensionit të lartë që shtrihen mbi kokat e tyre e zhduken në mjegull drejt kufirit me Shqipërinë.

Zyrtarët flasin për rëndësinë e projektit, ndërsa dy makineri të rënda që kanë ardhur enkas për kamerat televizive shtiren sikur gërmojnë. Ato ndërpresin punën për t’u larguar bashkë me delegacionin e qeveritarëve dhe medias kur konferenca në terren përfundon.

Puna e vërtetë ndodh nëpër fushat dhe malet e mbuluara nga bora, ku deri më tash, sipas një tabele të vendosur në Kosova B nga autoritet e qeverisë së Kosovës, janë vendosur 93 bazamente të shtyllave dhe shtruar 12 kilomentra përçues.

Projekti në fjalë që ka filluar punimet vetëm vitin e shkuar, është linja e interkonjeksionit 400 kilovolt Shqipëri-Kosovë, financuar në të dyja vendet nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfË). Deri vitin e shkuar ky ishte thjesht një plan i mbetur në letër që prej 2009-s.

Tregu i përbashkët i energjisë?

Njoftimi zyrtar i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Kosovës mbi takimin e dy ministrave njoftoi edhe për zhvillimin e mëtejshëm të organizmave vendimarrëse për projektin energjetik mes dy vendeve. “Pas themelimit të tregut të përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë për energjinë elektrike, për të ndihmuar punën e Komitetit Drejtues janë themeluar edhe grupet punuese”, thuhet në njoftim. 

Lajmi në fjalë u bë i ditur të martën, pas takimit mes ministrit të Zvillimit Ekonomik të Kosovës, Blerand Stavileci dhe ministrit të Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri. Rreth një vit më parë, të dy vendet nënshkruan një marrëveshje për këtë qëllim, ndërsa Komiteti Drejtues që do të bashkërendojë punën mes palëve, do të drejtohet nga ministritë përkatëse dhe nga insitucione të tjera publike të energjisë.

“Themelimi i tregut” është një vendim institucional i dy qeverive shqiptare, ndërsa projekti i vërtetë në terren është ende në hapat e tij të parë. Ministri Satvileci vërejti se themelimi i një tregu të përbashkët për sektorin e energjisë ka një rëndësi të jashtëzakonshme dhe është “parakusht i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik edhe të Kosovës edhe të Shqipërisë”.

Ministri Gjiknuri tha se pikërisht kjo shtysë apo iniciativë e qeverisë Shqiptare me qeverinë e Kosovës për të krijuar realisht një treg të përbashkët mund të shërbejë si një bërthamë energjetike shumë e dobishme për të gjithë rajonin. “Nëse nuk ka politika integruese energjetike ju e dini që ka një komunitet europian të energjisë i cili i promovon këto”, theksoi ai. 

Gjatë vitit 2013 Kosova ka importuar energji elektrike në vlerë prej 28.45 milionë euro, ndërsa vlera e eksportit ishte 21.34 milionë euro, sipas Zyrës së Rregullatorit për Energjisë (ZRRE). Për të njëjtin vit, Shqipëria importoi 73.36 milionë euro energji, sipas Entiti Rregullator të Energjisë (ERE), ndërsa vlerat e eksporteve llogariten të jenë rreth 44 milionë euro.

Megjithatë, në rastin e të dy vendeve ndër vite, çmimet mesatare të importit janë ndjeshëm më të shtrenja se ato të eksporteve.

Takimi mes dy ministrave në Kosovë, ndjek takimin e një dite më parë në Shqipëri ndërmjet kryeministrave Edi Rama dhe Isa Mustafa, të cilët vunë theksin edhe të bashkëpunimi në sektorin energjetik, por vetëm në terma të përgjithshëm.

Dy kundër “Ballkanit”

Gjergji Simaku, drejtor i Burimeve të Rinovueshme dhe Efiçencës së Energjisë në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, më parë një ekspert i njohur për çështje të energjisë, thotë për Gazeta Jeta në Kosovë se linja e interkonjeksionit 400 kilovolt i çliron të dy vendet nga pushteti i firmave rajonale të energjisë dhe mundëson krijimin e një tregu të përbashkët të enrgjisë elektrike.

“Ndërtimi i kësaj linje mundëson lidhjen e Shqipërisë dhe të Kosovës në rrjetin europian të pavarur nga tregu rajonal, i cili dominohet nga Serbia”, shpjegon Simaku.

Diversifikimi i burimeve të energjisë është i një rëndësie parësore, duke qenë se Kosova prodhon praktikisht 100 për qind nga qymyri linjit, ndërsa Shqipëria nga burimet ujore. Si rrjedhojë, të dyja vendet mund të kenë shkëmbime të energjisë me efikasitet maksimal, duke krijuar edhe mundësinë e eksporteve dhe blerjeve të përbashkëta me tregun e BE-së.

Diçka e tillë do të ulte nevojën për importe të energjisë elektrike nga firmat rajonale të energjisë, ku më së shumti fiton firma serbe EFT. Këto të fundit, ndër vite kanë blerë edhe linjat e transmetimit të energjisë që lidhin Kosovën dhe Shqipërinë me tregjet e energjisë, duke kontrolluar edhe më shumë kostot e importeve.

“Në rastin e Shqipërisë, kjo linjë e re krijon pavarësi nga linja 400 kilovolt me Podgoricën”, thotë Simaku. Ai e shpjegon vonesën e këtij projekti nga ana e Shqipërisë, me sabotimin e qëllimshëm nga qeveria e ish Kryeministrit Sali Berisha. “Ai nuk e dëshironte realizimin e këtij projekti”, vëren ai.

Më parë, në vitet 2012 dhe 2013 kur ishte ekspert i pavarur, Gjergji Simaku ka deklaruar në disa intervista për mediat në Shqipëri se projekti kishte mbetur peng i bllokimeve të ish Kryeministrit të vendit dhe mafies ballkanike të energjisë.

Akuzave të tilla dhe të ngjashme me to, ish Kryeministri Sali Berisha iu përgjigj se ishin orvatje të mafies për të përfituar nga ky proces. “Për Sali Berishën mafia nuk ka atdhe, atdhe i saj është shpella ku ndahen paratë e krimit”, tha ai.

Ana e errët e një tenderi

Ndonëse projekti për përzgjedhjen e firmës që do të ndërtonte linjën e transmetimit të energjisë Shqipëri-Kosovë u paraqit në vitin 2009, ky proces njohu vonesa tepër të gjata nga qeveria e Shqipërisë, çka në ndërlikimet që pasuan, e çoi ekzekutivin në përplasje të hapur me KfË.

Në vitin 2011 u hap tenderi për ndërtimin e linjës. Projekti i financuar nga KfË, në vlerën 42 milionë euro pati një përvojë të trazuar. Qeveria e Shqipërisë, ndonëse kishte marrë ofertat nga dy kompanitë në garë, ajo kroate “Dalekovod” dhe boshnjakia “Energoinvest”, nuk merrte vendim për muaj me radhë.

Në atë kohë, KfË i kërkoi qeverisë shqiptare shpjegime për vonesat. “Ne po shikojmë me shqetësim të shtuar vonesat në procesin e dhënies së kontratës për ofertuesit më të mirë për këto dy projekte të mëdha energjetike. Ndonëse për të dyja projektet raportet finale u janë dërguar javë më parë, por deri më tani aprovimi përfundimtar nga OST nuk është dhënë, ku si rrjedhojë është vonuar fillimi i negociatave për kontratën dhe nënshkrimin e saj”, thuhej në letrën e drejtorit të Bankës Gjermane për Zhvillim, Roland Siller.

Si rrjedhojë, fituese e tenderit u shpall “Dalekovod” nga Kroacia, por pati sërish vonesa në përfundimin e hapave administrativë për zyrtarimin e marrëveshjes dhe nisjen e punës. Në një letër drejtuar Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), zyrtarë të kësaj kompanie thanë se prej më shumë se 3 muaj e gjysmë nuk ka asgjë lidhur me projektin për të cilin kjo kompani është shpallur fituese.

Nasip Naço, ish ministër i Energjisë nga partia e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) deklaroi se vonesat vinin për shkak të firmës që kishte paqartësi me kontratën, por nuk dha sqarime konkrete për pikat në diskutim. Naço, sot është ministër Drejtësie i të njëjtës parti, pasi kjo e fundit theu aleancën me PD dhe është aktualisht pjesë e shumicës qeverisëse me Partinë Socialiste.

Tenderi u anulua në tetor të vitit 2012 nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), pas bllokimeve dhe vonesave të përsëritura. Në dhjetor të po atij viti, qeveria shqiptare njoftoi ribërjen e tenderit duke marrë përsipër kostot shtesë prej 12 milionë eurosh. Tenderi i ri, cili u krye në fillim të vitit 2013, njohu si fituese “Energoinvest”, pronë e Damir Fazlliç, e cila në fakt ofronte një shumë më të ulët, 27 milionë euro kundrejt 36 milionë eurove të “Dalekovod”.

KfW e konsideronte firmën kroate më të aftë teknikisht se ajo boshnjake, pavarësisht diferencave në çmim, ndërsa opozita shqiptare, sot pjesë e shumicës qeverisëse, si dhe disa medie, akuzuan se kjo firmë e përfitoi kontratën sepse ishte në pronësi të biznesmenit Damir Fazlliç, mik dhe këshilltar i Sali Berishës.

Detajet teknike të “autostradës”

Sipas Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë, projekti i ndërtimit të linjës së tensionit të lartë 400 kV Kosovë-Shqipëri, është i ndarë në dy LOT-e. LOT1 përfshin ndërtimin e linjës interkonjeksionit e cila lidh nënstacionet NS Kosova B (Kosovë) dhe NS Tirana 2 (Shqipëri) me një gjatësi totale prej 241.5 km. 

Ndërsa LOT2 përfshin ndërtimin dhe instalimin e pajisjeve të tensionit të lartë në këto nënstacione, si dhe infrastrukturën e nevojshme për ofrimin e shërbimeve të rregullimit sekondar (frekuencë – fuqi), në mes të Operatorit të Sistemit, Transmetimit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë (OST).

Kompania kroate “Dalekovod” do të ndërtojë linjën në pjesën e Kosovës ndërsa kompania nga Bosnjë Hercegovina “Energoinvest” (me pjesën kryesore të kapitalit shtetëror) do të realizojë ndërtimin në pjesën e Shqipërisë.

Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit të tensionit të lartë 400kV Kosovë-Shqipëri parashikohet të ndikojë në optimizimin e dy sistemeve, ngritjen e kapaciteteve transmetuese, si dhe ngritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së sistemeve elektroenergjetike të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe po ashtu do të ndikojë në zhvillimin e tregut të të dy vendeve si dhe tregut rajonal të energjisë elektrike.

Artikullit i kontribuoi Qëndresa Mustafa