Zgjedhja e kryetarit të ri të Parlamentit, Talat Xhaferi, është njohur nga Brukseli dhe Uashingtoni – Foto-Arkiva: morm

Autokracia ka Rënë në Maqedoni – Nacionalizmi jo

Autokracia nacionaliste e VMRO DPMNE në Maqedoni mund të ketë rrokur fundin, por nacionalizmi në vetvete mbetet, i strehuar në zemër të politikës tradicionale.

Talat Xhaferi, kryetari i ri i parlamentit maqedonas mori më në fund postin, disa ditë pas shpërthimit të dhunës në parlamentin maqedonas më 27 prill. Në 26 vjet pavarësi në Maqedoni, kjo është hera e parë që një shqiptar etnik merr një nga tre vendet e larta politike në vend.

NDËRLIDHUR

Por kjo u parapri nga muaj protestash në rrugë dhe pengesë në parlament nga ish-partia qeverisëse VMRO-DPMNE, e cila e drejtoi Maqedoninë këto 11 vitet e fundit, kryesisht në koalicion me Bashkimin Demokratik për Integrim të Xhaferit, BDI.

Si protestuesit, dhe VMRO-DPMNE pretenduan se një qeveri e udhëhequr nga Social Demokratët e Zoran Zaevit, LDSM, do të rrezikonte sovranitetin e vendit, kryesisht për shkak se Zaev kishte pranuar disa kërkesa të vendosura nga partitë etnike shqiptare, përfshirë kërkesën për përdorim më të madh zyrtar të gjuhës shqipe.

Protestuesit u shprehën se ata nuk do të lejonin kurrë që një ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare – forca guerile tashmë e shpërbërë e cila mori pjesë në konfliktin e armatosur të vitit 2001 – të bëhej njeriu i dytë më i fuqishëm në vend dhe shtuan do të përdornin të gjitha mjetet e nevojshme për ta ndaluar këtë.

Por më 27 prill, kur ish-kryetari, Trajko Veljanoski, kërkoi ndalimin e seancës parlamentare në orën gjashtë, ashtu siç bënte çdo ditë për pesë javë të bllokimit të punimeve nga ana e VMRO-DPMNE, LDSM dhe deputetët etnikë shqiptarë mbetën qëndruan dhe zgjodhën kryetarin e ri të parlamentit.

Disa minuta pasi Xhaferi u votua, një turmë njerëzish u lejua të hynte në parlament me ndihmën e disa deputetëve të VMRO-DPMNE, të cilët i hoqën kyçet e rënda të dyerve.

Ata nuk u përballën me asnjë rezistencë nga numri i vogël i policëve dhe rojeve të sigurisë të cilët ishin të pranishëm, ku disa prej të cilëve qartazi i ndihmuan ata të arrinin “objektivat” e tyre.

Ajo që ndodhi u dokumentua me foto dhe video të cilat qarkulluan në mediat botërore ku shfaqeshin qartë banditë, kriminelë dhe anëtarë të njësive policore besnike ndaj ish-partisë në pushtet të cilët sulmuan me forcë deputetë nga shumica e re në sallën e parlamentit për median.

Ndër të plagosurit më rëndë ishte Ziadin Sela, udhëheqës i PDSH Lëvizja për Reformat, një parti etnike shqiptare. Po ashtu edhe Zaev, kreu i Social Demokratëve.

Rreth 100 persona u plagosën gjithsej, përfshirë deputetë, policë dhe qytetarë, pa përmendur dëmet materiale.

Megjithatë nëse shikoje TV Nova atë natë, një televizion pranë VMRO-DPMNE, mund të dëgjoje sesi mësymja u përshkrua si “hyrja më paqësore me dhunë në një parlament në historinë e njerëzimit”.

Ditë më vonë, një bombë gazi e improvizuar u zbulua brenda në parlament.

Fatmirësisht ajo që u planifikua të ndodhte atje nuk u shpalos e gjitha. Maqedonisë iu kursye momenti final i një konflikti etnik. Komuniteti ndërkombëtar, BE, NATO, SHBA dhe Gjermania uruan më pas Xhaferin për pozicionin e ri.

Thuajse të gjitha qeveritë e huaja kanë dënuar dhunën në parlament, me përjashtim të një ose dy qeverive.

Ndërkohë, vizita në Shkup e Zëvendës Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Brian Hoyt Yee më 30 prill dhe 1 maj, solli gjithashtu një ndryshim të madh të situatës, veçanërisht në deklaratat e ish-partisë në pushtet dhe në qëndrimin e presidentit Gjorge Ivanov.

Pas takimit, Ivanov – i cili kishte refuzuar t’i jepte Zaevit mandatin për të formuar qeverinë e re, duke pretenduar se do të rrezikonte unitetin e Maqedonisë – tha se Zaev mjaftonte të garantonte që qeveria e tij nuk do ta rrezikonte vendin.

A është kriza e Maqedonisë pranë një fundi? Kështu duket, edhe pse një pjesë e elitës politike në Maqedoni nuk mbetet e gatshme të lërë pas nacionalizmin si mjet për të kontrolluar votuesit.

Për shembull, një nga gjërat e para që Xhaferi bëri në zyrën e re qe vendosja e disa flamujve të vegjël shtesë. Përveç flamurit të Maqedonisë dhe BE, ai përfshiu flamurin e Shqipërisë.

Siç pritej, ky gjest nxiti debat të fortë në opinionin publik. Shumë maqedonas, jo vetëm përkrahësit e VMRO-DPMNE, e kritikuan atë si një provokim të panevojshëm.

Por realisht, për vite të tëra, kur LSDM dhe VMRO-DPMNE kanë mbajtur pushtetin, zyrtarët shqiptarë në Maqedoni – zëvendëskryeministrat, ministrat, kryetarët e komunave kanë bërë të njëjtën gjë duke vendosur flamuj të vegjël të Shqipërisë në tavolinat e tyre pa shkaktuar diskutim publik.

Xhaferi përdori të njëjtin flamur në zyrën e tij kur ishte ministër i mbrojtjes në qeverinë e mëparshme të udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe kur ishte zëvendësministër i mbrojtjes në qeverinë e udhëhequr nga LDSM një dekadë më parë.

Mos ndoshta loja e “flamujve të vegjël”, vetëm disa ditë pas ngjarjeve të përgjakshme në parlament, zbuloi mungesën e pjekurisë politike në vend? Apo ishte thjesht një vazhdimësi e politikës së BDI për të joshur shqiptarët me flamuj dhe gjeste “patriotike”?

Besa, një tjetër parti etnike shqiptare dhe gjithashtu pjesë e shumicës së re, por edhe rivali kryesor i BDI-së në kampin politik shqiptar, që fitoi pesë vende në parlament në zgjedhjet e 11 dhjetorit, gjithashtu po e përdor nacionalizmin për përfitime politike.

Më 27 prill, ndërsa deputetët e VMRO-DPMNE këndonin në parlament himnin kombëtar dhe këngë të tjera patriotike në përpjekje për të penguar zgjedhjen e Xhaferit, një deputet i Besës kërkoi të fliste – dhe në vend të kësaj filloi të këndonte himnin kombëtar shqiptar në përgjigje të zhurmës së kolegëve të tij.

Këndimi i himnit shqiptar u përdor nga disa si një justifikim për sulmin që pasoi, ndërsa disa nga deklaratat e vjetra dhe të keqinterpretuara të Selës u përdorën si “justifikim” për sulmin brutal që mund t’i kishte marrë jetën.

Ndonëse përdorimi i flamurit shqiptar në Maqedoni në nivele të caktuara të administratës është i rregulluar dhe përdorimi i flamujve të vegjël të tavolinës nuk bie ndesh me ndonjë rregullore të tillë, shumica e maqedonasve e konsiderojnë këtë flamur si provokim.

Nga ana tjetër, shumica e shqiptarëve thonë se maqedonasit zemërohen nga të gjitha simbolet shqiptare në përgjithësi, pavarësisht se cilat dhe ku shfaqen.

Të dy kanë të drejtë, sepse nacionalizmi nga të dyja palët është ushqyer për dekada nga politika, media dhe sistemi arsimor.

Duke pasur parasysh këtë, ishte e lehtë që kriza në Maqedoni – fillimisht një krizë që shpërtheu ndaj klasës qeverisëse të papërgjegjshme dhe kriminale – të kthehej në krizë etnike.

Çështjet ndëretnike në Maqedoni nuk janë trajtuar kurrë në mënyrë substanciale, të plotë dhe të qëndrueshme. Shumëçka që nuk është arritur të zgjidhet është fshehur nën tapet.

Për këtë arsye, disa nga çështjet kryesore të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit të 2001, e cila i dha fund konfliktit midis maqedonasve dhe shqiptarëve etnikë, zbatimi i të cilave duhej të përfundonte në vitin 2004, mbeten të pazgjidhura dhe shfaqen herë pas here për të ndërlikuar arenën politike dhe shoqërore të vendit.

Një çështje e tillë është përdorimi zyrtar i shqipes, simboleve shtetërore, kompetencave të qeverisë lokale dhe më shumë.

Në vend që t’i zgjidhnin këto çështje, qeveritë në Maqedoni, veçanërisht ato të mëparshmet, thjesht ndanë Maqedoninë jo vetëm simbolikisht, por edhe fizikisht.

Kjo fillon nga ndërtesa e qeverisë maqedonase, ku shqiptarët dhe sekretariati për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit ndodhen veçmas në një nga anët e ndërtesës.

Diçka e tillë shihet edhe te ministritë që kanë zyra etnikisht të ndara. Pastaj kemi edhe shkollat ​​e përziera ku nxënësit shqiptarë dhe maqedonas shkojnë me turne të ndryshme, përdorin kate jo të njëjtat, dhe anë ose ambiente të ndryshme nga njëri-tjetri. E njëjta gjë edhe për shumë kafene dhe rrugë.

Zgjedhja e Xhaferit, e cila hap rrugën për formimin e një qeverie të re, mund t’i ketë sjellë fundin autokracisë nacionaliste të VMRO DPMNE në Maqedoni. Por nacionalizmi do të qëndrojë në Maqedoni, jo vetëm në margjina, por si pjesë e politikës tradicionale.

Përvoja e mëparshme e vështirëson besimin se Maqedonia do të gjejë forcën e brendshme për t’u përballur me këtë.

09 Maj 2017 - 21:35

Petrit Saraçini, BIRN 09/05/2017 - 21:35
NDËRVEPRIMI4

Autokracia ka Rënë në Maqedoni – Nacionalizmi jo

by Kallxo
NA NDIQNI

Send this to a friend