Auditori Propozon Konkurs për Bordin e Drejtorëve të AKP-së

Qeveria e Kosovës ende nuk ka nominuar emrat e anëtarëve të rinj që do të mund të zëvendësojnë ish-kryesuesin Blerim Rexha dhe dy anëtaret e dorëhequra nga Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Rexha dha dorëheqje më 16 maj të këtij viti pas dorëheqjeve nga bordi të përfaqësues amerikane Bernadete Robert dhe drejtoreshës tjetër në bord Dardane Peja.

Komisioni parlamentar për zhvillim ekonomik ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të bëjë propozimet për anëtarët e ri në bord por ekzekutivi ende nuk ka lëvizur drejt plotësimit të  trupit të drejtues të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore.

“Ne i kemi dërguar me shkrim qeverisë njoftimin për vendet vakante dhe kemi kërkuar që të fillojë procedura e rekrutimit dhe zgjedhjes se anëtarëve të rinj të bordit”, thotë Zenun Pajaziti, kryesues i komisionit parlamentar që mbikëqyrë punën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Qeveria, sipas tij, pritet që të së shpejti të dorëzojë nominimet në komision.

“Unë shpresoj që së shpejti do t’i kemi propozimet nga qeveria dhe ne si komision do t’i trajtojmë dhe t’i përcjellim në seancë të kuvendit”, thotë Pajaziti.  

“Shpresoj që së shpejti do t’i kemi propozimet nga qeveria dhe ne si komision do t’i trajtojmë dhe t’i përcjellim në seancë

Zyra e Kryeministrit nuk ka dhënë përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë kur është pyetur për kërkesën që i është bërë nga komisioni parlamentar.

Çështja e nominimeve të anëtarëve për bord të AKP-së nuk është e sqaruar në ligjin për Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Ligji nuk përcakton qartë se kush duhet të jetë nominues i anëtarëve të këtij trupi drejtues, përveç se është decidive që emërues është Kuvendi i Kosovës.

Por, Zyra Ligjore e Kuvendit të Kosovës i jep të drejtë Zyrës së Kryeministrit që të bëjë nominimet. Zyra Ligjore e Kuvendit nuk përmend asnjë nen të ligjit për AKP-në që e mundëson këtë por bazohet në praktikat e deritanishme të propozimit të anëtarëve të bordit.

ZAP: Përzgjedhja e Bordit të AKP-së të bëhet nëpërmjet konkursit të hapur

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, në raportin për punën e AKP-së përgjatë vitit 2012 që është publikuar këtë muaj, i rekomandon qeverisë dhe kuvendit të Kosovës që të hartojnë dispozita të qarta ligjore për propozimin e anëtarëve të Bordit të AKP-së.

“Ligji i AKP përcakton qartë kriteret për emërim dhe mandatin e BD mirëpo nuk përcakton përgjegjësinë dhe mënyrën e zbatimit të procedurave lidhur me shpalljen dhe dorëzimin e propozimeve të caktuara për kandidatët për emërim nga Kuvendi”, thuhet në raportin e ZAP-it.

Auditori i Përgjithshëm rekomandoi Qeverinë e Kuvendin që të hartojë dispozita që përcaktojnë qartë afatet kohore për përzgjedhjen e anëtarëve të BD në mënyrë që mos të ketë zbrazëtira në funksionimin e agjencisë.

“Procedura për përzgjedhje të anëtarëve të BD duhet të parasheh qartë hapjen e konkursit, zhvillimin e procesit të vlerësimit të kandidatëve dhe nxjerrjen e kandidatëve të propozuar për emërim nga Kuvendi”, theksohet në raport.

“Procedura për përzgjedhje të anëtarëve të bordit duhet të parasheh qartë hapjen e konkursit”.

Përfillja e këtij rekomandimi, sipas Pajazitit, mund të bëhet pas përmirësimit të ligjit dhe të definimit të qartë të kritereve.
 
“Tani për tani kjo mund të bëhet vetëm me mirëkuptim në mes të kuvendit dhe qeverisë”, thotë Pajaziti.

Zyra e Kryeministrit nuk komentoi rekomandimin e ZAP-it kur u pyet nga Gazeta Jeta në Kosovë.

Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit aktualisht kryesohet nga Skënder Komoni që ka pozitën e zv/kryesuesit.

Anëtarë tjerë janë Haxhi Arifi dhe Maja Milovanovic si dhe dy ndërkombtarët Hubert Warsman dhe Mohamed Omra.

Ligji për Agjencinë Kosovare të Privatizimit specifikon që bordi i këtij institucioni mund të mbajë mbledhje edhe me 5 anëtarë por jo të gjitha vendimet mund të merren me këtë përbërje.

Pika 4 e nenit të Ligjit për AKP-në thotë se “Bordi konsiderohet se ka kuorum nëse janë të pranishëm së paku pesë drejtorë, së paku njëri ndër të cilët duhet të jetë drejtor ndërkombëtar”.

Por, për të vendosur lidhur me pagesat që kryen agjencia, siç është shpërndarja e 20 përqindëshit për punëtorët, si dhe pagesat ndaj kreditorëve të mundshëm nevojitet vota e tre anëtarëve ndërkombëtarë të bordit.

Për këtë çështje ka ngritur shqetësim anëtari i këtij bordi Haxhi Arfi.

“…Pa kompletimin e bordit dhe veçmas anëtarit ndërkombëtar, shpërndarja e 20 përqindëshit  gjegjësisht pjesa e mbetur për punëtorët e Kosovës, nuk bëhet pasi në këtë rast kërkohet vota afirmative e 3 përfaqësueseve ndërkombëtarë në bordin e AKP-së”, thotë Arifi.  

“Pa kompletimin e bordit, shpërndarja e 20 përqindëshit gjegjësisht pjesa e mbetur për punëtorët e Kosovës, nuk bëhet”

Ligji për AKP-në parasheh që Qeveria e Kosovës të bëjë edhe nominimin e anëtarëve ndërkombëtarë të cilët mandatohen më pas nga Kuvendi.

Arifi deklaron se më 24 maj të këtij viti i ka dërguar shkresë kryeministrit Hashim Thaçi ku i ka kërkuar  nominimin e  përfaqësuesve që mungojnë në bordin e AKP-së.

Ai pohon se ende nuk ka marrë ndonjë informatë për ndonjë propozim të mundshëm nga ana e Qeverisë.

“…Deri më tani nuk kemi ndonjë informatë të tillë sa i përket kompletimit të bordit të AKP-së”,  thotë ai.

Arta Gosalci, zyrtare për informim në AKP, thotë se bordi i drejtorëve vazhdon të kryej detyrat e rregullta dhe përgjegjësitë që ka në bazë të kornizës ligjore nën udhëheqjen e zëvendëskryesuesit të bordit.

“Bordi ka mbajtur dy mbledhje të rregullta që nga dorëheqja e tre anëtarëve në maj 2013. Mbledhjet janë mbajtur më 23 maj 2013 dhe më 27 qershor 2013”, thotë Gosalci.

Agjencia Kosovare e Privatizimit në dy mbledhjet e fundit ka marrë vendime që ndërlidhën me administrimin e ndërmarrjeve shoqërore, aprovimin e transaksioneve të shitjeve nëpërmjet likuidimit e privatizimit si dhe aprovimin e buxhetit e të raportit të punës

“Në këto dy mbledhje janë marrë vendime të ndryshme sipas rendit të ditës të paracaktuar, përveç vendimeve që ndërlidhen me nenin 15.2.7 të Ligjit për AKP-në”, thotë Gosalci.

Ky nen parasheh kryerjen e pagesave ndaj kreditorëve e pronarëve të ndërmarrjeve shoqërore të cilat duhet të bëhen nga të ardhurat që rezultojnë nga aktivitetet e agjencisë.

AKP: Mbledhjet e kryesuara nga Rexha – konfidenciale

Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit refuzoi kërkesën e Gazetës Jeta në Kosovë për të pasur qasje në procesverbalet e mbledhjeve të kryesuara nga Blerim Rexha, sipas ligjit për qasje në dokumente publike.

“Bordi i Drejtorëve në mbledhjen e mbajtur me datë 27 qershor 2013 ka shqyrtuar dhe ka vendosur që t’ua refuzojë kërkesën për kopjet e procesverbaleve të takimeve të bordit ku ka kryesuar z. Blerim Rexha me arsyetimin se një dokument i tillë konsiderohet i natyrës konfidenciale dhe sipas dispozitave ligjore lëshohet vetëm sipas kërkesës së organeve kompetente të drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e Bordit të AKP-së.  

“Një dokument i tillë konsiderohet i natyrës konfidenciale dhe sipas dispozitave ligjore lëshohet vetëm sipas kërkesës së organeve kompetente të drejtësisë”.

Ish- kryesuesi i bordit Blerim Rexha në letrën njoftuese të dorëheqjes më 16 maj të këtij viti kërkonte falje ndaj qytetarëve të Kosovës dhe deputetëve. Rexha thoshte se nuk kishte mundur të zbatonte rekomandimet e deputetëve për rritje të transparencës dhe ndryshimit të modelit të privatizimit.

“… AKP duhet të ndërrojë qasjen ndaj pronës, aseteve që privatizon dhe menaxhon. Kjo është e padiskutueshme. Sigurisht se kjo sfidë kërkon njerëz të rinj”, kishte deklaruar Rexha.

Dorëheqje nga bordin e para pati dhënë përfaqësuesja amerikane  Bernadette Roberts më 13 maj 2013.

Ambasada Amerikane në Kosovë njoftonte se Roberts ishte e pakënaqur me udhëheqjen që i bëhej agjenicsë por nuk  konkretizonte se çfarë vendime kundërshtonte përfaqësuesja amerikane.

“… Është e domosdoshme që qeveria të angazhojë individë kompetentë dhe etikë për të zhvilluar një proces të drejtë dhe transparent të privatizimit, nga i cili përfiton Kosova si e tërë dhe jo interesat individuale”, thuhej në përgjigjen e ambasadës amerikane dhënë Gazetës Jeta në Kosovë.

Dy ditë pas dorëheqjes së saj, nga pozita e anëtares së bordit u tërhoq edhe një përfaqësuese vendore Dardane Peja.

Ajo pati deklaruar se rrethanat e krijuara e kishin shtyrë të marrë këtë vendim, por nuk kishte  konkretizuar se me çfarë nuk pajtohej lidhur me punën e bordit.

“Largimi i tyre është padyshim si pasojë e keqinformimit nga individë të caktuar, brenda dhe jashtë AKP-së”, thoshte Rexha për largimin e dy anëtarëve të bordit të AKP-së.

Të gjitha dorëheqjet mbeten ende në thelb një mister për publikun.