Auditori me gjetje skandaloze për cilësinë e ajrit

Vetëm dy nga dymbëdhjetë stacionet për monitorimin e cilësisë së ajrit kanë qenë funksionale gjatë tërë vitit 2017. Pjesa tjetër e stacioneve kanë pas probleme ose nuk kanë funksionuar fare. Madje, Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se disa nga stacionet që janë nëpër pikat më të ndotura në Kosovë nuk kanë funksionuar gjatë muajve kur ndotja është më e madhe.

Këto të gjetura janë pjesë e raportit auditimit të Performancës “Mekanizmat institucional për rregullimin ligjor, monitorimin dhe raportimin e cilësisë së ajrit”. Në raport thuhet se gjatë viteve 2016 dhe 2017, parametrat e rrezikshëm për shëndetin e njeriut siç janë grimcat e pluhurit PM10 dhe PM2.5 , nuk janë raportuar për muaj të tërë, e sidomos gjatë muajve të dimrit kur këta parametra arrijnë vlera maksimale.

Sipas raportit të auditimit gjatë vitit 2017 ka pasur stacione të monitorimit të cilat kanë qenë të vendosura në zona që karakterizohen me ndotje të lartë të ajrit (siç janë Palaj në Obiliq, Hani i Elezit, Gjilani) të cilët kanë pasur mungesë të të dhënave për disa prej parametrave më shumë 6 muaj gjatë vitit.

“Stacioni i vendosur në Palaj të Obiliqit është i rëndësishëm për të pasur të dhëna të raportuara gjatë tërë vitit pasi që gjendet në një afërsi të madhe me ndotësin e ajrit Termocentralin B. Ndërkohë që si gjatë vitit 2016, ashtu edhe gjatë vitit 2017, ky stacion është karakterizuar me mangësi të mëdha në raportim të të dhënave”, theksohet në raportin e Auditorit.

Pavarësisht monitorimit dhe raportimit të mangët, në ato raste kur është raportuar, janë regjistruar tejkalime alarmante të parametrit PM10 që kanë arritur deri në 400 për qind tejkalim.

“Grimcat e pluhurit janë shumë të rrezikshme për shëndetin e njeriut pasi që janë grimca me diametër shumë të vogël dhe si të tilla mund të udhëtojnë më thellë në mushkëritë tona dhe të shkaktojnë efekte të dëmshme për shëndetin tonë. Efektet e mundshme që mund të shkaktohen nga këto grimca janë rritja e numrit të të sëmurëve me astmë bronkiale, bronkitet kronike, sëmundjet kronike të mushkërive tek moshat e shtyra, rritja e numrit të sëmundjeve kardiovaskulare dhe respiratore, kanceri, shkurtimi i jetës si dhe rritja e shkallës së mortalitetit”, thuhet në raportin e Auditimit të Performancës.

Raporti i Auditimit të Performancës ka gjetur se sistemi i tillë i monitorimit dhe raportimit, që menaxhohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe mekanizmat e saj, nuk u ofron qytetarëve të Kosovës një pasqyrë reale të gjendjes së cilësisë së ajrit, e sidomos jo në kohë reale.

Pallati i Rinisë – Foto: KALLXO.com

Ky sistem i monitorimit dhe raportimit përbën rrezikun që të jetë jo funksional e pa të dhëna sidomos në ato raste kur ndotja e ajrit në vend është shumë e rëndë dhe qytetarët të mos jenë në dijeni në kohën e duhur për të marrë masat e nevojshme për të evituar ekspozimin ndaj ndotjes së ajrit.

“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor po ashtu nuk ka kompletuar gjithë infrastrukturën e nevojshme ligjore dhe fizike për menaxhimin e gjendjes së cilësisë së ajrit si dhe nuk e ka azhurnuar gjithë infrastrukturën ekzistuese ligjore sipas gjendjes aktuale të cilësisë së ajrit”, theksohet në raportin e auditimit.

Besnik Osmani, Auditori i Përgjithshëm, lidhur me këtë raport është shprehur se: “Ndotja e ajrit në Kosovë është shqetësuese për shëndetin e qytetarëve, e akoma më shqetësues është fakti se qytetarët nuk janë të informuar me kohë dhe si duhet për këtë problematikë”.

Procesin e monitorimit dhe raportimit të të dhënave e ka vështirësuar akoma më shumë gjendja jo funksionale, zhvendosja e shpeshtë, siguria dhe dëmtimi i stacioneve që bëjnë monitorimin dhe raportimin e të dhënave për cilësi të ajrit.

Përmes këtij auditimi janë identifikuar disa probleme që e kanë karakterizuar përcaktimin e lokacioneve të disa prej stacioneve të monitorimit të cilësisë së ajrit. Zyrtarët e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) dhe  Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) po ashtu pranojnë se pavarësisht të bazuarit në direktivën evropiane në momentin që janë përcaktuar lokacionet e stacioneve, ka stacione monitoruese të cilat nuk i përmbushin kriteret e vendosjes së stacionit aty ku duhet apo ashtu siç parashihet edhe me Direktiva të BE-së.

“Mangësitë kanë të bëjnë jo vetëm me përcaktimin e lokacionit fillestar, mirëpo edhe me dislokimin e tyre (në momentin kur është vendosur për tu kryer një gjë e tillë). Duhet theksuar se duke u nisur nga problemet e lartpërmendura, në dhjetor të vitit 2015, me iniciativë të MMPH është propozuar të bëhet “Rishikimi dhe Ridizajnimi i Rrjetit Shtetëror për Monitorimin e Cilësisë së Ajrit në Kosovë”, dhe grupi i caktuar punues nga kjo ministri ka bërë përpilimin e dokumentit për adresimin e kësaj çështjeje”, thuhet në raport.

Probleme me përcaktimin e lokacioneve kanë pasur në stacionet e monitorimit të cilësisë së ajrit në Mitrovicë dhe Gjilan.

Stacioni i monitorimit në Mitrovicë është vlerësuar se është i përshtatshëm të vendoset në lokacionin e stacionit meteorologjik të kësaj komune, mirëpo gjatë vitit 2013 ky stacion është dislokuar nga ky lokacion, pasi qe ka qenë kërkesë e Komunës së Mitrovicës që lokacioni i lartpërmendur të lirohet sepse është verifikuar që është pronë private.

Më tutje, IHMK ka marrë lejen e komunës për të vendosur stacionin në oborrin e shkollës fillore “Eqrem Qabej” pasi që është vlerësuar se ai lokacion i përmbushë kriteret e kërkuara. Pozicioni aktual i këtij stacioni thuhet se ndodhet në afërsi të lokacionit të mëparshëm dhe se i plotëson kriteret e kërkuara sipas direktivës evropiane.

Stacioni i monitorimit të cilësisë së ajrit në Gjilan që prej prillit të vitit 2012 ka qenë i vendosur në oborr të objektit të komunës ku frekuenca e popullsisë dhe trafikut është e lartë, mirëpo, gjatë vitit 2013, komuna ka kërkuar që të largohet stacioni nga oborri i objektit të saj, dhe me këtë rast është vendosur në park të qytetit në rrugën “Idriz Seferi”.

Probleme tjera që janë identifikuar nga Raporti i Auditimit e që kanë ndikuar në mos funksionimin e stacioneve monitoruese kanë të bëjnë me dëmtimin apo vjedhjen e stacioneve nga faktori njeri.

Stacioni i vendosur në Dardhishtë të Komunës së Obiliqit ka qenë jashtë funksionit për shkak që pjesa më vitale e stacionit është vjedhur. Ngjashëm ka ndodhur edhe me stacionin e vendosur në Mitrovicë, ku për shkak të dëmtimit që i është bërë kondicionerit të ajrit nga faktori njeri, ky stacion nuk ka gjeneruar asnjë të dhënë për vitin 2016.

Sipas zyrtarëve të IHMK-së faktorët kryesor që kanë ndikuar në dëmtimin dhe vjedhjen e stacioneve janë mungesa e mirëmbajtjes dhe servisimit të stacioneve. Në nëntor të vitit 2016 IHMK ka nënshkruar kontratë me operatorin e përzgjedhur ekonomik për “mirëmbajtjen e rrjetit të stacioneve për monitorimin e cilësisë së ajrit”.

Në raport thuhet se IHMK në mungesë të buxhetit të mjaftueshëm për servisimin e të gjitha stacioneve është detyruar të prioritizojë vetëm 4 stacione, përkatësisht stacionin e Dardhishtës, Hanit të Elezit, Drenasit dhe Mitrovicës.

“Arsyet e përzgjedhjes kanë të bëjnë me vlerësimin që IHMK ka bërë dhe nga i cili ka rezultuar se këto 4 stacione kanë pasur më shumë probleme gjatë periudhës kur është lidhur kontrata si dhe për shkak që lokacionet ku janë të vendosura stacionet janë zona industriale dhe paraqesin probleme në aspektin e cilësisë së ajrit”, theksohet në raport.

Ngecje nga Raporti i Auditimit janë evidentuar edhe në nivel lokal që kanë të bëjnë me mos miratimin e planeve lokale për mjedis, mos raportimin e implementimit të këtyre planeve si dhe mos përtëritjen e planeve në momentin kur ato nuk janë të vlefshme.

Zyra Kombëtare e Auditimit, ka dhënë rekomandimet e veta, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë se autoritetet përgjegjëse, respektivisht Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Agjencioni për mbrojtjen e mjedisit, Instituti Hidrometeorologjik si dhe Komunat, të intensifikojnë përpjekjet e tyre për krijimin e një kornize të plotë ligjore dhe fizike si dhe mekanizmave të qëndrueshëm e efikas të monitorimit dhe raportimit. Përmirësimi i ngecjeve të identifikuara, do të ndihmoj në identifikimin e masave konkrete për tu ndërmarrë për të përmirësuar gjendjen e cilësisë së ajrit.

Aktualisht në Kosovë janë të vendosura 12 stacione të monitorimit të cilësisë së ajrit. Tri prej këtyre stacioneve janë të vendosura në Komunën e Obiliqit– në oborrin e Qendrës së Mjekësisë Familjare, Dardhishtë – në oborrin e një shkolle fillore, dhe Palaj – tek parku i KosovaMont. Këto stacione janë të influencuara nga ndotjet që shkarkohen nga termocentrali A dhe B , trafiku, djegia e lëndëve për ngrohje, eksploatimet e minierës së thëngjillit, etj. Këto stacione i janë dhuruar Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik nga Banka Botërore, ndërkaq që kjo ministri në fund të dhjetorit 2012 i ka kaluar në pronësi të MMPH-së dhe në menaxhim të AMMK/IHMK.

Në qytetin e Prishtinës janë të vendosura dy stacione për monitorimin e cilësisë së ajrit. Njëri nga këto stacione është i vendosur në oborrin e ndërtesës së Rilindjes pasi që frekuenca e popullsisë është më e lartë, ndërkaq tjetri është i vendosur në oborrin/lokacionin e IHMK-së. Këto dy stacione janë të influencuara nga ndotësit e ndryshëm të ajrit që shkaktohen nga KEK, trafiku, djegia e lëndëve djegëse për ngrohje, etj.

Stacionet tjera janë të vendosura në: Drenas, Hani i Elezit, Mitrovicë, Gjilan, Prizren dhe Pejë.