Aty ku Kosova Udhëheq Duke Bërë Mirë

Më 27 qershor, së bashku me kolegen time Kadire Tahiraj, shkuam në Gjenevë për ta përfaqësuar Kosovën në një tubim katër ditorë global të organizuar nga Mukwege Foundation, për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës dhe aktivistët që i përkrahin ata.

Atje takuam njerëz nga mbarë Bota, që flisnin shumë gjuhë dhe që i diskutonin konfliktet e ndryshme, por vuajtja e të mbijetuarve kishte të njëjtën gjuhë dhe ndjenjë.

Por ky nuk ishte një samit i zakonshëm global, dhe të paktën jo për faktin që shumica e pjesëmarrësve ishin gra. Ishte samit në të cilin Kosova nuk ishte e margjinalizuar si fusnotë, por mori vend qendror: kishte konsensus që plani i Kosovës për t’i kompensuar të mbijetuarit ishte model që duhej të përcillej nga të tjerët. U ndjemë krenare si kurrë më parë, fillimisht për punën tonë, por edhe për shtetin tonë. Tani ka ardhur koha që këtë plan ta kthejmë në realitet.

Në Gjenevë, nuk kishte nevojë të tregosh gjerë e gjatë se sa e vështirë ka qenë të thyesh heshtjen e grave të cilat ende vuajnë nga trauma dhe i frikësohen stigmatizimit të shoqërisë. Gratë nga Kongo, Ruanda, Iraku, Libia, Kolumbia, Bangladeshi, Guinea, Mali, Filipinet, Sudan Jugor, Burundi, dhe natyrisht motrat tona nga Bosnja, e dinin mirë këtë rrëfim. Ato dinin për durimin dhe përkushtimin e organizatave të grave dhe aktivistëve të cilat me vite, nëse jo me dekada, kanë luftuar neglizhencën e institucioneve dhe indiferencën ose anatemimin e shoqërisë. Ato e dinin sa të guximshme janë gratë që flasin për përvojën e tyre, që kërkojnë t’iu njihet sakrifica dhe kërkojnë drejtësi.

Na janë dashur vite të tëra pune të aktivisteve për të drejta të grave dhe të drejta të njeriut që shoqëria kosovare të pranoj realitetin e mijëra të mbijetuarve. Në vitin 2015, me rastin e bërjes së instalacionit “Mendoj për ty” të artistes Alketa Xhafa Mripa, që u mbështet nga presidentja e atëhershme Atifete Jahjaga, për herë të parë që nga viti 1999 pamë që njerëzit filluan ta pranojnë çështjen e dhunimit si krim lufte dhe të tregojnë ndjeshmëri për viktimat.

Na duhet një pranim i tillë për të lobuar për zbatimin e plotë të Ligjit për Vlerat e Luftës. Sa njerëz në Kosovë ende nuk e dinë që ndërkohë që të gjitha kategoritë e rreshtuara në ligj, sikur që është rasti me veteranët dhe invalidët civilë, marrin pension mujor që disa vite, të mbijetuarit e dhunimeve, të cilëve ligji ua premton të njëjtin benefit, nuk e kanë marrë asnjë cent?

E megjithatë, gjithçka është gati, të gjitha rregulloret janë në fuqi. Në prillin e kaluar (2016), komisioni qeveritar për të verifikuar statusin e të mbijetuarve është themeluar. Aplikuesit për pensione mund të aplikojnë përmes organizatave joqeveritare, si individë dhe përmes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale; privatësia e tyre do të garantohet. Në maj, komisioni u takua joformalisht për herë të parë nën mbikëqyrjen e kësaj ministrie.

Nuk ka arsye për vonesa të mëtutjeshme tani. Ua kemi borxh të mbijetuarve. Shumë prej tyre janë pa profesion, të papunë dhe me mundësi të vogla për të gjetur punë. Kanë probleme mjekësore, kryesisht si pasojë e asaj nëpër çfarë kanë kaluar. Shumë prej tyre po moshohen, të tjerat po vdesin. Edhe sa duhet të presin? Ato pritën që Kosova të rindërtohet, që të mbahen zgjedhjet dhe të krijohen qeveri të njëpasnjëshme. I dëgjuan premtimet e bëra nga përfaqësuesit e të gjitha partive dhe iu besuan atyre. Por, manovrimet aktuale politike dhe taktikat paszgjedhore po ju shkaktojnë shumë shqetësim.

Pritën drejtësi, dhe drejtësia i dështoi. Këto ditë, ato duhet ta shikojnë në lajme presidentin serb Vuçiq dhe qeverinë e tij derisa luajnë rolin e liderëve demokratik në Shtëpinë e Bardhë. Por këta janë njerëzit e njëjtë që e udhëhoqën Serbinë para 20 vitesh; ata e dinë ose do të duhej ta dinin se çfarë bënë forcat e tyre të sigurimit në Kosovë. Pse vetëm akterët e zakonshëm- aktivistët dhe të mbijetuarit- po kërkojnë nga Vuçiq që t’i pranojë krimet e kryera ndaj tyre?

Kjo pyetje kërkon përgjigje të gjatë, dhe edhe më shumë kohë për të gjetur zgjidhje për çështjen që e ngritë. Nuk luftuam aq shumë që të kalojmë më shumë kohë në bisedime. Po i kthehemi të kaluarës vetëm me qëllim që të krijojmë të tashme dhe të ardhme më të mirë. Kjo është arsyeja që kërkojmë nga qeveria e Kosovës t’i respektoj obligimet ligjore ndaj kategorisë së të mbijetuarve të dhunimeve dhe të filloj menjëherë kompensimin e tyre me pension dinjitoz.

Veprimi institucional është borxhi ynë ndaj të mbijetuarve tanë, por edhe të mbijetuarve të tjerë që janë pjesë e lëvizjes globale për t’i dhënë fund kësaj praktike. Është fjala për aktivistë që kanë dëgjuar për arritjet tona dhe duan ta marrin Kosovën si shembull. E kemi themeluar një punëtori për të diskutuar se si të mendojmë për kompensim në nivel global. Si përfaqësuese nga Kosova, kemi ulëse në këtë punëtori në nivel ekspertësh që i ofrojnë komentet e tyre për planin e veprimit. Çfarë t’u themi atyre? Që kjo çështje ka mbetur vetëm fjalë? Ku do të gjejnë shpresë?

Autorja Feride Rushiti është Themeluese dhe Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës Rehabilituese të Kosovës për Viktimat e Torturës