Raportoni Korrupsionin!

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
FLM!

RAPORTI JUAJ
ESHTE DERGUAR

Ato Ishin Dukat Ditë në Trepçë

Minatorët e Trepçës vazhdojnë të jenë ende forcërisht krenarë për të kaluarën e saj si motor industrial i Evropës Juglindore, por edhe këmbëngulës për të ardhmen e saj gjersa qeveria përgatitet të tërheqë kapital privat në ndërmarrjen shtetërore.

“Duhet të jesh krenar që punon në Trepçë dhe unë jam”, Halit Zeneli, 57 vjeçar, i thotë Gazetës Jeta në Kosovë, derisa arrin në hyrjen e minierës në rrëzë të një lugine të bleruar afër Mitrovicës. “Duhet ta mbrojmë e ta mirëmbajmë, sepse është garanci e ekonomisë sonë, ashtu siç ka qenë për Jugosllavinë”, shton ai, me një ton burrështetasi.  

NDËRLIDHUR

Haliti ishte 21 vjeç kur për herë të parë gjeti një vend pune në minierën e Stantërgut, më e madhja e gjigantit industrial ish-jugosllav, në rajonin verilindor të Bajgorës. 

Sot, në moshën 57 vjeçe, ai po rrëshqet ngadalë drejt një pensionimi të rehatshëm, por në rrugëtimin e tij ka fituar shumë shokë, ka ndihmuar familjen e tij të gjerë të jetojë pa mungesa si dhe ka qenë në ballë të tërmeteve politike në rajon. Përkundër gjitha këtyre, ai ende gëzon shëndet të mirë dhe pasionin për Trepçën. Asnjë jetë nuk mund të jetë e zakonshme, e aq më pak ajo e minatorit në Trepçë. 

Afër hyrjes së minierës, ka një re të hollë tymi që del nga një oxhak, shenjë kjo që tregon se puna po vazhdon diku në brendinë e thellë të tokës. 

Ndërtesat janë të stërmëdha, të vjetra dhe në gjendje të keqe. Xhama të krisur u janë vënë dritareve e zëra që jehojnë dëgjohen në salla të zbrazëta, të cilat dikur gumëzhinin me aktivitet. 

Haliti ndërron rrobat e tij, mbath çizmet dhe vendos helmetën. Bën ca hapa më tutje dhe merr  llambën. Punëtorët janë të gatshëm për një ditë të re pune nën tokë, dhe pas pak hyjnë andej përmes një dere të gjelbër mbi të cilën shkruan “Me Fat”. 

Miniera e Stantërgut
Miniera e Stantërgut 

 

Punëtorit të ashensorit (sinjalizuesit) i tregohet që destinimi është Horizonti 10. Ekzistojnë 12 sosh, distanca mes të cilëve është 50 deri në 150 metra. 

Një sirenë e fortë tregon që ashensori fillon të ulet poshtë, një lift hekuri e druri. Ai ndalon pas 750 metrash në thellësi. 

Nëse shihni që tubat e ajrit dhe ujit janë në anën tuaj të majtë, e kuptoni që po shkoni më thellë në minierë. Teksa udhëtohet më tej në brendësi, inxhinieri Hamëz Hamza tregon se asnjë minator nuk lejohet të hyjë vetëm dhe pa llambë. 

“Horizonti 10 është ndërtuar në fund të viteve 1980”, thotë Hamza, një prej mbikëqyrësve të Halitit. “Ka qenë një prej atyre zonave të pasura që janë eksploatuar shumë në vitet e 90’ta, kur asnjë shqiptar nuk punonte këtu. Gjatë kësaj kohe, ata kanë marrë diku 9 milionë tonë xehe, në këtë horizont dhe horizontin 11”.

“Serbët me gjasë e dinin që do t’ju duhet të shkojnë, prandaj zbatuan moton ‘merr e ik’”, thotë ai. “Kanë qenë të pamëshirshëm”.

Ajri është i nxehtë dhe i tymosur në këtë thellësi si dhe ka ujë në galeri. Miniera e Stantërgut është shtëpi e 200 km tuneleve, shpjegohet.

Haliti punon në ekipin planifikues. Detyra e tij është të përgatisë korridore, spirale e oxhaqe të reja. 

“Nganjëherë më duket që e di me intuitë se ku gjendet xehja”, shprehet ai. Gjatë kësaj dite, Haliti duhet së pari të përgatisë mbylljen e një zone ku është nxjerrë pjesa më e madhe e xehes, 1 km larg nga lifti. “Mund të shihni shumë dyer të çimentuara në korridore, këto janë dyer që mbyllin zonat pasi të kemi nxjerrë xehen”. 

Qazim Jashari, 55 vjeç, shef i prodhimit në minierë, thotë se zona që po mbyllet nga ekipi i Halitit ishte një prej më të mirave në kuptimin e xehes. “Ka pasur rreth 10.000 tonë xehe. Në secilin ton, ka rreth 170 gram argjend”, thotë Jashari. 

 

Kurrë nuk do të lejojmë privatizimin e Trepçës, do të luftojmë sikurse me Serbët po qe nevoja”, tha ai papritur”, tha Halit.

 

Xehja grumbullohet dhe përgatitet si koncentrat plumbi e zinku. Në të parën, thonë ekspertët, përveç argjendit, ka përqindje të vogla të arit, bizmutit, kadmiumit, antinomit, si dhe përqindje edhe më të vogla të uranit dhe indiumit, metal i çmueshëm që përdoret në prodhimin e ekraneve me prekje të pajisjeve elektronike, si iPad. 

“Qysh prej viteve 1930, nga kjo minierë janë nxjerrë rreth 37 milionë tonë xehe. Besoj që vetë kam monitoruar gërmimin e rreth 2 milionë tonëve xehe”, thotë Jashari, duke thithur cigaren. 

Zyrtarët thonë se aktualisht nxirren rreth 13,000 tonë xehe në muaj, 37 për qind më shumë se vitin e kaluar. Dhe 150 punëtorë të rinj janë angazhuar kohëve të fundit duke iu shtuar 600 punonjësve ekzistues. 

Ndërmarrja thotë se planifikon së shpejti t’i punësojë edhe 150 të tjerë. Sinjalisti, për shembull, që është ndër punët më së dobëti të paguara në minierë, merr pagë prej 400 Euro në muaj. Haliti, si planifikues, fiton 600 Euro, goxha më shumë se paga mesatare e vendit prej rreth 300 Euro. 

Trepça është larg nga të qenit e vdekur, sikurse disa raportime kanë sugjeruar, ndonëse vazhdon të jetë hije e asaj që ishte dikur.

Kohë të mira në horizont 

Ferit Shala, Drejtor i Përgjithshëm i Trepçës, thotë se kohë të mira po vijnë për Trepçën. “Përveç rritjes së prodhimit dhe kapaciteteve tona teknike, Parlamenti po nxjerr legjislacion të ri për mineralet”, shtoi Shala. “Me të ekziston mundësia për rregullimin e çështjeve të menaxhimit [të Trepçës] dhe zgjidhjen e kontesteve të shumta”, tha Shala për Gazeta Jeta në Kosovë. 

Para disa kohe është emëruar një administrator sipas rregulloreve të UNMIK’ut i cili është menduar të punojë në likuidimin e ndërmarrjes, mirëpo ky proces është ndaluar, dhe Trepça është futur në një gjendje të statuskuosë, e pasigurt për të ardhmen e saj. Legjislacioni i ri tash është miratuar nga Parlamenti dhe do të duhej të ndihmonte Trepçën e revitalizuar të ecën përpara, tha Shala, dhe me investime të huaja.

Veç kësaj, paditë e ngritura nga kreditorët e kanë vështirësuar edhe më tej gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për Trepçën. Ata pretendojnë se gjiganti industrial iu detyrohet atyre mbi 50 milionë Euro. Po ashtu, edhe kompani të tjera që kishin nënshkruar kontrata me qeverinë e Beogradit para konfliktit të vitit 1999, kanë ngritur padi. Mirëpo Shala përgënjeshtron saktësinë e këtyre pohimeve dhe beson se ligji është në anën e tij. “Në të vërtetë, ne jemi ata që duhet të ngrisim padi ndaj tyre”, thotë ai.  

Në ndërkohë, prapa në minierë, ekipi i Halitit është duke e hapur një korridor diku 50 metra larg zonës të cilën e mbyllte. Bashkë me mikun e tij të afërt Zenelin, 59 vjeç, ata hapnin vrima në muret gurorë ku pastaj vihet eksplozivë i fuqishëm për të krijuar shtigje të reja. “Është mirë që ka argëtim e shaka, posaçërisht falë Zenelit, sepse kjo punë nuk është edhe aq argëtuese kur të bëhet çdo ditë”, thotë Haliti. 

Një ecje drejt horizontit 11 shihen qindra hapësira, dikur të pasura me xehe, të cilat tash janë mbyllur. 

Pak kohë pasi ekipi i Halitit përfundon punën e tij, fillon nxjerrja e xeheve dhe kjo po ndodhë aktualisht në horizontin 11, më shumë se 820 metra nën tokë. 

Duke planifikuar
Sot asgjë nuk ndodhë pa plan

 

Një vagon ngarkohet me koncentrat dhe pastaj kalon nëpër binarë drejt një pusi të madh të minierës nga ku do të nxirret jashtë për flotim, procesi i ekstraktimit të xeheve të çmueshme. “Pasi të përfundojë procesi i flotimit, ato vendosen në kamionë në formë koncentratit të zinkut dhe plumbit dhe dërgohen në Tivar [Mal të Zi] dhe pastaj nga aty me anije për në perëndim”. 

Dita e punës për Halitin përfundon në ora 15:00 dhe përkundër përpjekjeve të mëdha, ai nuk është djersitur shumë, përveç se bluza e tij ka marrë ngjyrë të kuqe të mbyllët.

Disa persona që nuk agjëronin gjatë muajit të Ramazanit, drekonin në një dhomë të improvizuar afër tymtarit kryesor dhe ashensorit, por jo edhe Haliti. 

Ditë të arta për tregtarët mitrovicas 

Haliti duket më i ri pas një dushi dhe rrobave të reja. Është e dukshme se ai nuk është personi më i moshuar në këtë mjedis, ku mosha mesatare e punonjësve është 55 vjeç. “Ai është diplomati ynë, njeriu që di si të flasë”, tallet Zeneli për Halitin, gjersa largohet nga makina që lëvizë rrugës për në qytetin e Mitrovicës.

Trepça në vitin 1989 kishte 25,000 punonjës, që punonin në miniera të ndryshme dhe impiante përpunimi anembanë Kosovës, por që kryesisht gjendeshin në pjesën veriore të Mitrovicës. “Për këtë arsye nga Mitrovica ka shumë pak persona që kanë ikur për në diasporë”, shpjegon Haliti, duke iu referuar eksodit të kosovarëve drejt Bashkimit Europian, posaçërisht në Gjermani dhe Zvicër. “Të gjithë kishin punë, dikush në Trepçë, dikush në arsim, në komunë ose në spital. Siç thoshin tregtarët, ‘në Mitrovicë mund të shesësh çka të kesh’”.

Mirëpo Trepça, dhe rrjedhimisht edhe Mitrovica, nuk u rimëkëmbën për t’u kthyer në ato ditë qetësie. Disa komplekse të Trepçës në qytete tjera u privatizuan, të tjerët nuk janë hapur kurrë. 

Shumë minatorëve i është dhënë pensionimi i hershëm sipas një udhëzimi administrativ të vitit 2007 të Ministrisë për çështje sociale dhe mirëqenies. Punonjësit e pensionuar bien në kategori të ndryshme sipas kësaj rregulloreje, tha Ferat Shala. Rreth 1,156 punonjës janë subvencionuar me 100 Euro në muaj, gjersa 1,832 pranojnë pensione të hershme prej 70 Euro në muaj.

“Gjithashtu, është edhe një grup i 490 pensionistëve të cilët marrin 50 Euro në muaj”, tha Shala.

 

Çdo muaj ata dërgonin rreth 150 kg ar të pastër të kategorisë së parë për në Beograd”

 

Haliti duhet t’i falënderohet punës së palodhshme të tij, por edhe fatit, për vendin e mirë të punës dhe gjendjen e tij të mirë. 

Ulur në një kafene në sheshin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, ai shpjegon se rroga e tij dikur ishte e barabartë me 5,000 Euro të sotshme në muaj. “I merrnim rrogat rreth datës dhjetë të secilit muaj – Ende e mbaj në mend, kur avitej ajo datë, dyqanet zbrazeshin brenda dy orëve”. 

“Mund të blije çka do që dëshiroje, sikurse që munden ata në Amerikë sot, siç kam dëgjuar”, tha ai. “Posaçërisht vitet para vdekje së Titos ishin vërtetë të mira”.

“Dhe në punë, ushqimi ishte i mirë”, vazhdon ai, “për shembull, kishin mish pule të përgatitur për mrekulli të cilën na e sjellshin në minierë”.

Pas një aso dite të lodhshme pune, Mitrovica ishte edhe vend i mrekullueshëm për t’u shtendosur. “Shkonim në kinemanë e qytetit për të parë filma, merrnim ushqime të shpejta dhe shëtitnim në korzo ose uleshim në ëmbëltore dhe në çajtore”, kujton Haliti. Sot nuk ka kinema, dhe qyteti është i ndarë në dyshe nga ura mbi lumin Ibër. “Sinqerisht, njerëzit ishin më realë në atë kohë dhe flisnin më drejtë”, shtoi ai.

Në vitet e shtatëdhjeta, Haliti kishte blerë Kasetofon për të dëgjuar muzikë patriotike. 

Ndonjë herë, ai do të shkonte dhe përcillte Xhevdet Pecin dhe Ismet Bogujevcin, atëherë boksierë të famshëm shqiptarë, në ndeshjet e tyre. 

Ai tregoi se në një rast, kishte shkuar për ta përcjellë një ndeshje futbolli të ekipit mitrovicas Trepça kundër Borski Rudnikut të Serbisë. “Ne humbëm 2-1 por goli ynë ishte vërtet i bukur. Bëmë aq shumë zhurmë në qytetin serb tërë ditën”, thekson ai. “Rrugës për në shtëpi, erdhi lajmi se Tito kishte vdekur. Më kujtohet se pati ndjenja të përziera në mesin e personave në autobus”.

 

“Edhe në kohëra të vështira, unë kam qenë optimist dhe nuk jam larguar nga Kosova. Disa herë e shihja Trepçën në ëndrra”.

 

Ky ishte vetëm fillimi i dekadave të humbura të Jugosllavisë dhe të Trepçës. Vetë Haliti kishte marrë pjesë në grevat e njohura të minatorëve që kishin filluar në Stantërg më 1988, duke  kundërshtuar veprimet e Slobodan Milosevicit për heqjen e autonomisë së Kosovës. 

Pak kohë më vonë, ai iu bashkua marshimit të minatorëve drejt Prishtinës. “Ne i thyem barrikadat në hyrje të qytetit. Shumë prej nesh na rridhnin lotët kur pamë reagimin pozitiv të popullit”.

Haliti ishte burgosur për 60 ditë dhe e kishte humbur vendin e punës më 1989 sikurse të gjithë bashkëpunëtorët tjerë shqiptarë. Më pas vijoi shpërbërja e Jugosllavisë. 

“Në ndërkohë, ata [Serbia] ishin në biznesin e eksploatimit të Trepçës”, tha ai. “Njerëzit ende i mbajnë mend xhipat që arrinin në shkritore në Zveçan, të shoqëruar nga dy policë në motoçikleta, në ora 12 në mesnatë për ta marrë arin”, shtoi ai. “Çdo muaj ata dërgonin rreth 150 kg ar të pastër të kategorisë së parë për në Beograd”, pohon ai. 

Jo Privatizimit 

Haliti ecën drejt dyqanit të tij të rrobave, ky i punojnë dy djem. “Askush nuk shet sikur unë në Mitrovicë, të gjithë më njohin”, thotë ai. Djemtë shesin çdo gjë, nga xhinset deri te palltot. 

Më 1989, kur shqiptarët u dëbuan nga Trepça, Halitit iu desh të gjejë një mënyrë alternative për të mbijetuar nga ndryshimi radikal. Hyri në tregti dhe vendosi një pikë shitjeje në tregun në qendër të qytetit. “Udhëtoja për në Turqi, Bullgari, Poloni për të sjellë mallra. Punët shkonin mjaft mirë dhe djemtë e mi do të më ndihmonin sa po të dilnin nga shkolla. Ata tani kanë përvojë të madhe”. 

“Pas luftës ishin vetëm pesë ose gjatë butikë në Mitrovicë, përfshirë tonin”.

Krahas kësaj, Haliti u angazhua në ‘Këshillin Financues’, institucionin e famshëm paralel që mblodhi ‘tre përqindëshin’ për të mbështetur arsimin, shëndetësinë dhe ndihmën humanitare për shqiptarët. “Vërtet kemi bërë shumë gjëra të mrekullueshme. Gjithmonë kam dashur të shkojë në luftë ku edhe ishte vëllai im, mirëpo e ndihmova UÇK’në me cigare, para dhe ushqime. Mendoj se edhe kjo ishte e rëndësishme”.

Pak kohë pasi ishte punësuar në vitet 1970, Haliti ishte zhvendosur nga një fshati i Bajgorës, aty afër. Ai kishte blerë një shtëpi nga një banor serb. “Ishte rastësi që ai ishte një serb nga i cili babai im e kishte blerë tokën në fshat. Im at u tall me të se herën e tretë do të blinte tokë nga ai në Kralevë [Serbi] dhe kjo e pati zemëruar shitësin”.

“Trepça kishte dhënë banesa për të gjithë punonjësit e saj që ishin në nevojë, por unë nuk preferoja të jetoja në banesë,” kujton Haliti.

Më vonë ai e kishte blerë një shtëpi të re nga një Boshnjak në hyrje të qendrës së qytetit. Ajo është shtëpia e sotme e tij, ndonëse është rinovuar gati tërësisht pas luftës. Qëndron sikur një vilë dhe aty jetojnë të tre djemtë e tij. 

Në shtëpi, Haliti tregon fotoalbumet bashkë me gruan e tij, Naxhijen. Në dhomën e mysafirëve, kristalet e papërpunuara që Haliti i kishte sjellë në shtëpi dekorojnë raftet e dhomës. “Ato duken aq të bukura kështu si janë. Kjo është Trepça”, shprehet ai. “Edhe në kohëra të vështira, unë kam qenë optimist dhe nuk jam larguar nga Kosova. Disa herë e shihja Trepçën në ëndrra”.

Haliti thotë se më shumë se një herë në javë kalon përtej lumit Ibër për t’i vizituar të afërmit e tij në veriun e dominuar me serbë. “I thashë gruas sime, ‘ti je kushërirë  e Shote Galicës, ti s’duhet të kesh frikë të vish me mua’”, tallej ai, duke iu referuar luftëtares së njohur kundër regjimit serb në Kosovë në vitet e 1920.

Iftari, prishja e agjërimit, po afrohet. Ndonëse agjëron, Haliti nuk shkon mbrëmjeve në xhami për t’u falur. “Nuk ka asgjë më mirë se të falesh, po janë bërë disa njerëz me mjekra kohëve të fundit, që po sjellin gjëra të huaja, e që nuk i pëlqej fare”.

Ai ecë drejt pensionimit me shëndet të mirë, një mbarim karriere që assesi nuk është i garantuar në botën e rrezikshme të minierave. Haliti përsërit se është njeri me fat pasi ka kaluar nëpër gjithë ato peripeci, por se ka diçka kah ende mban veshin ngritur. 

“Kurrë nuk do të lejojmë privatizimin e Trepçës, do të luftojmë sikurse me Serbët po qe nevoja”, tha ai papritur. “Trepça ka rezerva për 200 vjet të ardhshme dhe ne duhet ta mbajmë atë sikurse edhe shëndetin e qytetit”.

Safet Peci, i cili punon si ekspert gjeodezie në minierë, tha se do të ishte e pafalshme nëse Qeveria vendos të heq dorë nga minierat e çmueshme të saj. “Është pasuri shumë e madhe për ekonominë tonë; ajo mund të mirëmbahet vetëm nëse mbetet në pronësi publike. Mendoj se vetëm Vetëvendosja po bën punë të mirë në këtë drejtim”. 

Xehe
Xehja para nisjes për flotim

 

Ferat Shala është po ashtu kundër privatizimit të Trepçës dhe ka mbështetje të madhe nga punonjësit. Ai thotë se, për aq sa di, nuk ka pasur shenja zyrtare apo private që Agjencia Kosovare e Privatizimit është e interesuar në privatizimin e Trepçës. 

“Në fakt, ne jemi të interesuar që ta modernizojmë ndërmarrjen dhe ta bëjmë atë konkurruese në tregun evropian, një vend që e meritojmë, aty ku Trepça ndodhej para viteve të 90’ta”, dhe me këtë, të gjithë minatorët shpresojnë një rikthim në Ditët e Arta. 

ETIKETA

24 Shtator 2011 - 2:48 pm

Artan Mustafa, Petrit Çollaku 24/09/2011 - 2:48 pm
NDËRVEPRIMI0
KOMENTE0