ATK Kërcënon Kallxuesit e Korrupsionit

Menaxhmenti i Administratës Tatimore të Kosovës ka nxjerrë vendim përmes të cilit stafit të ATK-së ua ndalon çdo deklarim dhe komunikim me media pa miratimin paraprak të drejtorit të përgjithshëm të këtij institucioni.

Shkak për këtë njoftim, menaxhmenti i ATK-së e ka marrë hulumtimin e emisionit “Jeta në Kosovë”, të titulluar “Vjedhja e Organizuar Tatimore”, një hulumtim disamujor që është nisur kur një hetues në ATK ka raportuar në KALLXO.com për një vjedhje multi-milionëshe në tatime.

Në këtë hulumtim, kallxuesi Murat Mehmeti, hetues në ATK, ka folur me emra për firmat fantome të përfshira në këtë skandal dhe personat që, sipas tij, e penguan hetimin e këtij skandali brenda ATK-së. Ai ka dëshmuar se si është dëmtuar për vjet të tëra me dhjetëra miliona euro buxheti i shtetit nga dhjetëra biznese të cilat kanë punuar me faktura fiktive.

Vjedhja e Organizuar Tatimore

Në emisionin që udhëhiqet nga autorja Jeta Xharra, sinjalizuesi Murat Mehmeti, ka rrëfyer në detaje se kush ishin personat dhe bizneset që e dëmtuan buxhetin e shtetit. Ai ka rrëfyer edhe për vështirësitë me të cilat ai është ballafaquar në kryerjen e punës së tij si hetues në ATK, problemet që ai ka patur me eprorët e tij dhe heshtjen e zyrtarëve përgjegjës karshi vjedhjes së organizuar të tatimeve.

ATK-ja thotë se me këtë emision është dëmtuar imazhi i këtij institucioni. Në dokumentin e ATK-së i cili mban datën 29.11.2016, njoftohet stafi i këtij institucioni se në asnjë rast ata nuk guxojnë të deklarohen për ndonjë media pa aprovimin paraprak nga ana e drejtorit të përgjithshëm të ATK-së, në të kundërtën ata kërcënohem se do të sanksionohen.

Vjedhja e Organizuar Tatimore 2

“Ditëve të fundit në opinionin publik kemi hasur në disa emision televizive me Administratën Tatimore të Kosovës e në veçanti lidhur me Njësinë për Hetime dhe Inteligjencë”, thuhet në dokumentin që ka siguruar KALLXO.com.

Në shkresë thuhet se ATK-ja i ka kërkuar kryeprokurorit të shtetit të hetohet rasti i transmetuar në emisionin televiziv “Jeta në Kosovë”, me temën “Vjedhja e Organizuar Tatimore”.

ATK-ja shqetësohet për imazhin

“Para ligjit jemi të barabartë të gjithë dhe dëmtimi i imazhit të institucionit nga kushdo qoftë nuk na bën të ndihem mirë, por secili shkelës duhet të sanksionohet me dënimin e merituar”, thuhet në shkresën e menaxhmentit të ATK-së që i është shpërndarë të gjithë stafit.

Në shkresë urdhërohen punëtorët për rrugën e drejtë të raportimit të korrupsionit dhe shkeljeve të ndryshme.

vendimi1

vendimi2

“Duke u mbështetur në atë se këto emisioni ndikojnë në perceptimin për ATK-në rruga drejtë për stafin është ngritja e dyshimeve në organet kompetente”, thuhet në shkresën e nënshkruar nga Arsim Syla, menaxher në ATK.

Kallxuesi Murat Mehmeti, Shef i njësive të hetimeve në ATK, thotë menjëherë pas zbulimit të evazionit fiskal për një numër të madh të kompanive në Kosovë, ka pasur presion nga zyrtarë të ATK-së për t’u larguar nga pozita e tij.

Ndërsa, Hulumtimi i emisionit “Jeta në Kosovë” ka faktuar se shumë biznese të rregullta janë amnistuar edhe nga prokuroria. Dëshmitë e prezantuara në emision kanë bërë që ambasadorë, zyrtar të Bashkimin Evropian të kërkojnë nga prokuroria e shteti që t’i zgjerojë hetime për këtë rast.

Dosja rreth reagimeve për kallxuesit për këtë çështje.

Përkundër këtyre reagimeve për mbrojtje të kallxuesit dhe thirrjeve për hetime shtesë, ATK-ja sërish i ka kërcënuar të punëtorët që synojnë të kallxojnë korrupsionit. Në dokumentin që mban nënshkrimin e menaxherit në Divizionin e Standardeve Profesionale Arsim Syla, thuhet se dëmtimi i imazhit të ATK-së do të sanksionohet.

Kërcënimi se do ketë ndëshkime për ata zyrtarë të cilët komunikojnë me media në çfarëdo forme, pa leje nga drejtori gjeneral i ATK-së, ka filluar t`i shqetësojë punonjësit e këtij institucioni. Në kushte anonime, një zyrtar ATK-së, ka deklaruar se ata po frikësohen se janë duke u kontrolluar nga Menaxhmenti i tyre çdo komunikim përfshirë edhe rrjetet sociale.

“Kam përshtypjen që po na i kontrollojnë edhe komunikimet në media sociale, edhe në telefon dhe tash me këtë qarkore që na ka ardh frikësohemi që kemi me e humbë vendin e punës nëse shihemi duke folur me gazetarë, madje edhe privatisht – qëllimi i kësaj qarkoreje është që të udhëhiqet ATK-ja me frikë të përhershme për “transfer” ose përjashtim nga puna”, tha zyrtari që preferoi të mbetet anonim për shkak se druan që do ta humbë vendin e punës.

Vendim antikushtetues

Lidhur me vendimin e ATK-së përmes së cilit kërcënohet stafi me procedura disiplinore dhe sanksione tjera, në rast se ata deklarohen për media, kanë reaguar edhe deputetët nga Komisioni për Media në Kuvendin e Kosovës.

Deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku, kryetare e këtij komisioni parlamentar e kontaktuar nga KALLXO.com vendimin e ATK-së e ka quajtur antikushtetues dhe të kundërligjshëm. Sipas saj me një vendim të tillë ATK po cenon lirinë e shprehjes.

“Së pari është e palogjikshme dhe është antiligjore. Kemi shkelje të Kushtetutës me të cilën garantohet fjala e lirë, ka nen të caktuar në Kushtetutë ku garantohet liria e fjalës. Një vendim i tillë mendoj se është papjekuri e një institucioni  dhe ata duhet ta rishikojnë menjëherë këtë. Ka raste kur edhe mund të paragjykohemi nga mediat, mirëpo kjo nuk nënkupton që duhet t`ua ndalojmë komunikimin”, ka deklaruar deputetja Izmaku.

Vendimin e ATK-së deputetja e Vetëvendosjes Shqipe Pantina, njëherit anëtare e komisionit parlamentar për media e sheh si përpjekje për t`ua mbyllur gojën sinjalizuesve të korrupsionit. Ajo ka thënë se transparenca nuk e dëmton në asnjë rast asnjë institucion.

“Është e natyrshme se në çdo institucion duhet të ketë rregull sa i përket komunikimit. Mirëpo, në asnjë rast nuk guxojmë të cenojmë lirinë shprehjes së asnjë zyrtari. Por, kur institucionet duan të fshehin diçka siç është pra rasti me ATK-në, ata mundohen sa më shumë me kufizu të drejtën e punëtorëve”, ka thënë deputetja Pantina.

Ajo ka kërkuar që jo vetëm mediat, por e gjithë shoqëria civile të angazhohen më  shumë kundër çdo vendimi i cili cenon lirinë e shprehjes.

Pantina ka theksuar se vendimi i ATK-së është një tentim për t`i frikësuar të gjithë ata zyrtarë të cilët kanë për të treguar lidhur me parregullsitë që po ndodhin jo vetëm në ATK, por edhe në shumë institucione tjera.

Thirrje për mbrojtje ligjore të sinjalizueseve/ kallxueseve

Në anën tjetër, Flutura Kusari, Juriste e së Drejtës së Medias, vendimin e ATK-së e konsideron të papranueshëm. Ajo ka thënë se është joprofesional dhe i papranueshëm fakti se ATK-ja nuk e konsideron sinjalizimin si e drejtë e lirisë së shprehjes së punëtorëve.

“Ky veprim i ATK-së është tentativë që të frikësojë sinjalizuesit që tashmë kanë folur publikisht dhe ata që planifikojnë të sinjalizojnë në të ardhmen. Por, ATK duhet ta ketë të qartë se sinjalizimi publik, siç ka ndodhur në këto raste, evitohet dhe imazhi rikuperohet vetëm nëse ajo i heton profesionalisht shqetësimet e ngritura nga punëtorët. Të dy sinjalizuesit kanë folur publikisht vetëm pasi ankesat e tyre të brendshme janë injoruar vazhdimisht”, ka thënë Kusari.

Ajo ka theksuar se  me teknologjinë digjitale në dispozicion është gati e pamundur të mbahen fshehtë informacionet andaj sinjalizuesit do të vazhdojnë të sinjalizojnë.  Por, ajo ka theksuar faktin e mungesës ë legjislacionit adekuat i cili do t’i mbronte sinjalizuesit nga hakmarrja drejtuesve të institucioneve.

“Sinjalizuesit duhet të frikësohen nga mungesa e legjislacionit adekuat që të mbrojë ata nga veprimet hakmarrëse ndaj tyre. Rasti i Murat Mehmetit duhet të merret si sinjalizim për vetë sinjalizimin, pra nevojën për të përmirësuar dhe saktësuar legjislacionin”, thënë Flutura Kusari, Juriste e së Drejtës së Medias.

Dren Ajeti nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se sanksionimi i punonjësve të cilët komunikojnë me media është në kundërshtim me vet ligjin për shërbyesit civilë. Ai ka thënë se ndalimi apriori i komunikimit ndër të tjera paraqet një pengesë të jashtëzakonshme në luftën kundër korrupsionit.

“Fatkeqësisht media sot është institucioni më i besuar në luftën kundër korrupsionit. Themi fatkeqësisht sepse besimi i qytetarëve në eprorët institucionalë apo prokurorialë ka rënë aq shumë, sa zbulimi i informative që mund të zbulojnë një aferë korruptive u dërgohet direkt mediave. Në këtë rrafsh, edhe Ligji për Mbrojtjen e Informatorit në nenin 3.3 decidivisht ndalon largimin nga puna apo çfarëdo forme tjetër të ndëshkimit të punonjësit i cili bën publik një veprim kundërligjor brenda institucionit: Ndaj informatorit për shkak të informimit qëllim mirë të veprimeve kundërligjore, nuk mund të ndërmerren masa të dënimit apo disiplinore, pushimit nga puna, largimit të përkohshëm (suspendimit) nga puna apo të ekspozimit të diskriminimit”, ka thënë Dren Ajeti nga Grupi Për Studime Juridike dhe Politikë.

Ai ka shtuar se asnjë institucion nuk ka bazë ligjore dhe kushtetuese që të ndal kontaktin me media për punonjësit e saj nëse qëllimi i të punësuarit është raportimi i një rasti korrupsioni.

“Veprimi i ATK-së  veçse e parandalon nxjerrjen e veprave korruptive në publik dhe luftën ndaj korrupsionit në përgjithësi”, ka përfunduar Ajeti.

Sonte “Jeta në Kosovë”, transmeton pjesën e tretë të emisionit “Vjedhja e Organizuar Tatimore”.