Raportoni Korrupsionin!

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
FLM!

RAPORTI JUAJ
ESHTE DERGUAR

Atifete Jahjaga – nga Police, në Presidente të Kosovës

Të qenit i panjohur në politikë dhe pasuria modeste mund të mos jenë pengesë në shtetin që është lodhur nga politikanët e korruptuar të cilët mbi të gjitha duken të prirë për ta pasuruar veten.

E re, praktikisht e panjohur, pa përvojë në politikë, dhe femër – të gjitha këto bënë që Atifete Jahjaga të jetë kandidat pa gjasa të zgjidh krizën e fundit institucionale në Kosovë dhe të bëhet presidente e radhës e shtetit.

NDËRLIDHUR

Por, duke pasur parasysh grindjen politike dhe luftën e brendshme që ka karakterizuar politikën kohëve të fundit, këto tipare jokonvencionale presidenciale në një shoqëri ende patriarkale duket se kanë qenë pikërisht ato që e çuan këtë 35 vjeçe në postin më të lartë të vendit brenda natës.

Pasi u zgjua në mëngjesin e 8 Prillit si zëvendësdrejtore e Policisë së Kosovës, Jahjaga sigurisht se nuk e kishte idenë se deri në fund të ditës ajo zbulohej si kandidate e kompromisit për pozitën e Presidentit të Republikës. 

Se ajo ishte e panjohur më herët, tregon fakti se nuk kishte kërkime të saj në Wikipedia deri në momentin që u shpall kandidatura e saj për presidente të mërkurën në ora 21:00.

Duke pasur parasysh se mbështetej nga koalicioni qeverisës i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, dhe Aleancës Kosova e Re, AKR, si dhe nga partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, asaj praktikisht i garantohej pozita. 

Gjithashtu, afërsia e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëri që ajo të futet në garë. Jahjaga e filloi karrierën e saj në polici si efektive e rregullt policie 11 vite më parë, duke nisur ngritjen e saj nga niveli rajonal deri në zyrat qendrore në Prishtinë. 

Ajo ka punuar në pozita prej më të ndryshmeve, duke përfshirë asistente e Zëvendëskomisionerit për Personel dhe Trajnime, asistente e Zëvendëskomisionerit për Polici Kufitare, asistente ekzekutive speciale e Zëvendëskomisionerit për Administratë, si dhe asistente e Zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës. 

Jahjaga u emërua Zëvendësdrejtore e Përgjithshme e Policisë së Kosovës në shkurt 2009. E diplomuar në fakultet të drejtësisë në Prishtinë, ajo përfundoi studimet pasuniversitare në Universitetin Leicester në Britani dhe në Universitetin Virginia në SHBA. 

Po ashtu, ajo ndoqi trajnime për zbatim të ligjit në Qendrën e Studimeve Aplikative në Negocime Ndërkombëtare në Gjenevë, në Akademinë Shtetërore të FBI-së në Quantico, si dhe mori pjesë në seminare në Qendrën Marshall dhe Qendrën Asia-Pacific.

Ajo ka pranuar mirënjohje për cilësi të lidershipit. Në shkurt 2008, ajo u shpërblye me titullin Ambasadore e Paqes nga Programi Botëror për Ushqim i OKB-së, ndërsa në qershor 2009 pranoi mirënjohje nga Drejtori i FBI-së, Robert Mueller.

Si yll në ngritje në Policinë e Kosovës, vitin e kaluar ajo takoi ish Presidentin e SHBA-së George Bush dhe Sekretaren aktuale të Shtetit, Hillary Clinton.

Në një konferencë shtypi të mërkurën në ora 12:30, kur u prezantua si presidentja e radhës, ajo pranoi nderime të larta nga Ambasadori i SHBA-së, Chris Dell.   

“Atifete Jahjaga është zgjuar sot në mëngjes pa ditur gjë që jeta e saj do të ndryshonte.  E di shumë mirë se ajo kurrë nuk e ka kërkuar këtë nder.  Megjithatë, në përputhje me mënyrën si ka jetuar ajo, kur detyra e thërret, ajo i përgjigjet asaj pa ngurrim”, tha Dell. 

“Në një kohë kur institucionet e Kosovës janë dëmtuar dhe janë ngritur shumë pyetje a është Kosova e aftë për të siguruar drejtësi për popullin e saj, unë besoj se Atifete Jahjaga do të jetë një simbol i rëndësishëm i përkushtimit të vendit për drejtësi dhe që presidenca e saj do të shënojë fillimin e një kapitulli të ri dhe konstruktiv në historinë e vendit”, shtoi ai.

Dell shtoi se ajo ka fituar “admirimin dhe respektin e të gjithë atyre që kanë punuar me të, prej Sekretares Klinton e deri te qindra policë e police amerikanë.” 

“Si mikeshë për kohë të gjatë e Amerikës; ajo tash i takon vendit dhe unë e di se edhe ju do ta admironi dhe do ta respektoni atë po aq sa e duam dhe e respektojmë edhe ne,” përfundoi ai.

E martuar me Astrit Kuçin, efektivja e lindur në Gjakovë ka deklaruar për Agjencinë Kundër Korrupsionit, AKK-në, se ajo jeton në Prishtinë në një banesë të marrë me qira dhe se fiton 12,504 Euro në vit nga rroga e saj në polici.

Kjo thjeshtësi padyshim se do të ketë efekt pozitiv me qytetarët e lodhur duke parë se politikanët po pasurojnë veten në dëm të shtetit.

Ky artikull është botuar më herët në BIRN në gjuhën angleze, më 10 Dhjetor 2010.

 

ETIKETA

25 Shtator 2011 - 3:18 pm

BIRN 25/09/2011 - 3:18 pm
NDËRVEPRIMI0
KOMENTE0

TRENDING