Aterim në Pikën Zero

Mungesa e një pike referente të dukshme në Prishtinë, shpesh bën që vizitorët e huaj të mos e kenë të qartë se ku saktësisht gjendet ‘qendra’. Plani për të riorganizuar qendrën duke ndërtuar një varg sheshesh dhe stabilimentesh me të cilat do të lidhen këto sheshe ka për synim zgjidhjen e këtij problemi dhe ofrimin e një mjedisi më të përshtatshëm për të gjithë kryeqytetasit. 

Në sheshin e Zahir Pajazitit, atë të Ibrahim Rugovës dhe në sheshin që do të emërohet Adem Jashari do të investohen miliona euro, falë të cilave këto sheshe do të lidhen mes veti për ta formuar boshtin qendror të Prishtinës. 

Por, disa arkitektë dhe artistë nuk besojnë se këto ndryshime do të kenë ndonjë ndikim të theksuar në qytetin i cili ka qenë viktimë e planifikimit komunist dhe zhvillimit të pakontrolluar për shumë vite me radhë. 

Marrëveshja për sheshin:

Pas nënshkrimit të marrëveshjeve mes komunës së Prishtinës dhe dy firmave ndërtimore për rindërtimin e shesheve të Zahir Pajazitit dhe Ibrahim Rugovës gjatë vitit të kaluar, puna në realizimin e këtyre projekteve filloi muajin e kaluar, ndërsa që vendimi se kush do ta ndërtojë sheshin Adem Jashari mbetet të zbulohet në të ardhmen. 

Këto projekte filluan të përfliten që në vitin 2008, por tek në vitin 2010 komuna i ndau mjetet për skemat në fjalë, dhe pastaj ndau 1.6 milion euro për zhvillimin e punimeve (1 milion nga të cilat pritej të vijnë nga donacionet). 

Vetëm një vit më vonë kostoja e parashikuar u ngrit në 4.4 milion euro për Sheshin Ibrahim Rugova dhe 4.6 milion për Sheshin Zahir Pajaziti, ndërsa të gjitha këto mjete do paguheshin drejtpërdrejt nga buxheti komunal. 

Në muajin shkurt të këtij vitit, e përkrahur nga arkitektët e Smart Project, komuna zbuloi propozimet për Sheshin Ibrahim Rugova me sipërfaqe prej 13,000 metrash katror, që bie përafërsisht të jetë sipërfaqja e dy fushave të futbollit. 

Pjesë e këtij plani do të jetë ngritja statujës së heroit kombëtar – Skenderbeut dhe vendosja e skulpturës së liderit të pavarësimit të Kosovës – Ibrahim Rugovës. Do të ndërtohen edhe tri fontana, më e madhja prej të cilave do vendoset para Teatrit Kombëtar. 

Poashtu kanë filluar edhe punimet në ish-Hotelin Union, i cili është dëmtuar keq nga flakët që e kapluan në vitin 2009 dhe i cili është pjesë e sheshit. 

Benettoni, që në vitin 2007 e kishte blerë këtë ndërtesë me firmën kosovare QMI për 3.2 milion euro, do t’i investojë edhe 10 milion euro në këtë ndërtesë për t’ia ruajtur ‘vlerat arkitekturale’. 

Edhe punimet në Sheshin e Zahir Pajazitit, i cili do t’i ketë 15,000 metra katrorë, do të fillojnë menjëherë. Ky projekt përfshin tri nën-sheshe katrore: pjesa e parë pranë monumentit të ushtarit të rënë të UÇK-së – Zahir Pajazitit, pjesa e dytë përbëhet nga një auditorium pranë Hotelit Grand dhe pjesa e tretë përfshin hapësirën drejt rrugës Luan Haradinaj. 

Këto tri nën-sheshe do të kenë fontana, një fushë loje dhe hapësira të mbuluara për shitësit e librave, të cilët aktualisht e kryejnë afarizmin e tyre në banakë të improvizuar. Sipas planeve, 25 – 30 për qind të hapësirës do të jetë e gjelbëruar. Do ndërtohen edhe tualete publike. 

Punët është parashikuar se do të fillojnë edhe në sheshin Adem Jashari, në të cilin aktualisht gjendet monumenti i vëllazërim-bashkimit nga epoka e Jugosllavisë. Propozimet për këtë shesh përfshijnë krijimin e parkingut nëntokësor dhe zëvendësimin  e monumentit në fjalë me një monument të dedikuar për heroin e UÇK-së. 

“Katër kompani kanë aplikuar dhe tani jemi në proces të përzgjedhjes së kompanisë që do të fillojë punimet,” tha përfaqësuesi i komunës, z. Muhamet Gashi, në deklaratën e dhënë në gusht të vitit 2011. 

Sa i përket monumentit të vëllazërim-bashkimit, ai thotë: “Ajo nuk ka kurrfarë vlerash, as kulturore, as politike as historike.”

Gashi kërkoi falje për vonesën por tha se do t’ia vlente. “E di se i tërë procesi që ndërlidhet me këto sheshe na mori shumë kohë, por lajmi i lumtur është se Sheshi Ibrahim Rugova ka filluar të punohet ndërsa punimet në Sheshin Zahir Pajaziti do fillojnë gjatë disa ditëve në vijim,” tha ai. 

“Ne jemi duke u përpjekur që të realizojmë diçka të ngjashme si shtetet fqinje. Megjithëse janë shprehur dyshime lidhur me punën e komunës dhe të kompanisë, pasi që të përfundojë procesi, do të kemi ndërtuar një pjesë të shkëlqyeshme të qytetit,” shtoi ai. 

“Prishtina ka pasur nevojë për këtë për vite të tëra dhe do të jenë gjeneratat që vijnë ato që do ta gëzojnë punën që po bëhet,” vazhdoi ai. 

Nuk ka pasur konsultime:

Por, disa OJQ shfaqin dyshimet e tyre. Iniciativa për Progres (INPO), organizatë kjo që monitoron punën e komunës së Prishtinës, tha se vonesa prej pothuajse katër vitesh është e papranueshme për projekte të tilla madhore. 

“Është e papranueshme që të shpenzohen tetë milion euro në dy sheshe në kushte të këtilla – pa vizion dhe pa profesionalizëm,” tha hulumtuesi Edmir Sejdiu. 

Zgjidhja më e mirë, thotë ai, do të ishte bashkimi i tri projekteve, gjë që do të rezultonte me dizajn më të mirë dhe shpenzime më të ulëta. 

INPO theksoi se këto katër vite që kur ky plan është vënë në tavolinë, komuna kurrë nuk e ka pyetur publikun se cilat janë preferencat e tij. 

Në anën tjetër, Sadri Ramabaja, deputet komunal nga radhët e Vetëvendosjes, ka vënë në pikëpyetje edhe shfrytëzimin e parasë publike. 

Komuna “po luan me figurat historike që përfaqësohen në këto sheshe” ankohet ai. “Ne shpesh e kemi kritikuar këtë projekt, por ai nuk varet nga ne.”

Arkitektët qëndrojnë indiferent:

Arbnor Murati, arkitekt i mirënjohur kosovar që punon në një zyre zvicerane, thotë se planet aktuale  çojnë dëm një mundësi të mirë për të ripunuar si duhet qendrën e qytetit. 

Ai tha se shumë qytete të mëdha të Evropës nuk mund të bëjnë ndryshime radikale për shkak se duhet të mbrojnë trashëgiminë e tyre, por Prishtina nuk e ka atë problem. “Prishtina ka diçka që qytetet tjera në Evropë nuk kanë,” tha ai. “Këtu ekziston një hapësirë që mund të shfrytëzohet, ndërsa qytetet tjera nuk mund t’ia lejojnë vetes që të kthehen prapa dhe të krijojnë hapësira duke rrënuar diçka.”

Një grup arkitektësh është grumbulluar nga komuna për të diskutuar për të ardhmen e shesheve, por sipas disa burimeve të afërta me procesin, ky grup shpejt u shpartallua. Planet për të sjellë ekspertë nga Londra në Prishtinë, të cilët do ndihmonin në përcaktimin e dizajnit, gjithashtu dështuan. 

Sali Shoshi, Drejtor i Zyrës në Kosovë të Organizatës Trashëgimia Kulturore pa Kufij, ankohet për faktin se komuna ka dëshmuar shumë pak transparencë gjatë tërë procesit. 

“Duhet të ketë edhe ndërveprim mes këtyre shesheve, ndërveprim ky të cilin unë nuk po e vërej,” tha ai. Ai po ashtu tha se ky proces është dashur të përshkohet me diskutime mes ‘grupeve të interesit, artistëve, arkitektëve dhe qytetarëve.”

Fisnik Ismajli, krijuesi i monumentit ‘New Born’, që aktualisht paraqet mbase monumentin më të spikatur të Prishtinës, thotë se korzoja – shëtitorja e qytetit –  ishte traditë e përnatshme e prindërve të tij e cila do duhej ringjallur. 

Sheshet e reja do të vendosen në qoshet e zonës aktuale të këmbësorëve, duke shtuar kësisoj mundësitë për organizimin e korzosë, por Ismajli thotë se për të funksionuar ajo duhet të ofrohen edhe kushte adekuate. 

“Gjatë viteve të nëntëdhjeta gjërat ndryshuan dhe kafenetë, klubet dhe baret u shndërruan në vendtakime të rinisë, pasi që në bulevarde nuk ofrohej kurrfarë argëtimi për rininë urbane,” tha ai. 

“Unë besoj se bulevardet duhet të ndryshohen gramatikisht, se në to duhet ofruar mundësi argëtimi dhe ndërveprimi. Për shembull, në një bulevard të bukur duhet të ketë kafene me shumë karrige në të cilat njerëzit do ulen, do pinë diçka dhe takohen me miqtë e tyre.”

“Unë do dëshiroja të ketë një zonë të vogël për skejtbord, një terren të vogël basketbolli, në të cilën sportistët do të luanin dhe do të argëtonin shikuesit e rastit. Ajo pjesë duhet të rrethohet nga vegjetacion i dendur, të ketë banka për të moshuarit, të ketë tabela shahu dhe mjete tjera argëtimi,” shtoi ai. 

Labirint i pakuptimtë?

Jeton Neziraj, skenarist dhe ish-Drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, thotë se Prishtina sot është shndërruar në një qytet të shëmtuar përplot cedent dhe pa kurrfarë ngrohtësie. 

“Pikësëpari, ka mungesë të shesheve, parqeve dhe hapësirave tjera,” thotë ai. “Unë tmerrohem nga fakti se të gjithë cepat e Prishtinës po u shiten kompanive ndërtimore, ndërsa, për aq sa unë di, sheshet e reja thjeshtë do të krijojnë një labirint të pakuptimtë,” tha ai. 

Shkrimtari Gëzim Aliu ka pak shpresë se komuna do të jetë në gjendje ta ricivilizojë qytetin përmes ndërtimit të shesheve të reja. 

“Sheshi nuk është thjeshtë hapësirë përmes së cilës duhet kaluar. Ai është mjedis i gjallë ku zhvillohet arti dhe kultura. Prishtina nuk ka sheshe të tilla. Ato hapësira që quhen sheshe duhet parë si hapësira të rrezikshme, të cilat ndodhen mes ndërtesave dhe zhurmës së komunikacionit,” shtoi ai. 

“Mungesa e artit konceptual mund të vërehet në planet aktuale,” shtoi Aliu. 

Regjisori Bekim Lumi gjithashtu mendon se Prishtina është larg nga ikja e trashëgimisë komuniste. “Me mënyrën se si është ndërtuar gjatë kohës së komunizmit, Prishtina nuk ofron mundësi për të marrë frymë lirshëm dhe në mënyrë urbane.” 

“Hapësirat që quhen sheshe nuk ngjajnë me sheshe të mirëfillta. Sheshet të cilat do ndërtohen nuk bazohen në plane përkatëse apo në analiza arkitektonike, prandaj edhe ato do dështojnë,” shtoi ai. 

Përkrahja në rrugë:

Ndërsa bota artistike nuk rresht së ankuari, njerëzit e rëndomtë në rrugë janë shumë më pak skeptikë. Ismail Avdiu, qytetar i Prishtinës, thotë se sheshet janë shenjë pozitive e ndryshimit. 

“Ne qytetarët gjithmonë ankohemi dhe rrallë i shohim gjërat në frymë pozitive,” thotë ai, duke shikuar më tej drejt punishtes ku do të ndërtohen sheshet e reja. 

“Këto sheshe do të kenë parqe në të cilat fëmijët tonë do të mund të luajnë dhe mendoj se kjo është e rëndësishme,” shtoi ai. 

Miku i tij, Abdurrahman Maxhuni, pajtohet me të. “Ne i kemi pritur këto sheshe me vite të tëra – tani do t’i kemi ato,” tha ai. “Nga ajo që kam parë në panotë reklamuese, plani urban duket i mirë, ngase do t’iu ofrojë hapësirë fëmijëve dhe shitësve të librave.”

Ky artikull është financuar nga projekti BICCED, përkrahur nga Programi Kulturor Zviceran.