Gjyqtarja e vrarë të enjten në Tiranë, Fildeze Hafizi. Foto: Facebook.

Ashpërsimi i Dënimeve Nuk e Zmbrapsi Dhunën në Familje

Me gjithë politikat e ashpra penale të zbatuara pas një pakete ligjore të miratuar në vitin 2013 numri i krimeve në familje në Shqipëri nuk është ulur, ndërsa specialistët flasin për zgjidhje që përfshijnë shoqërinë dhe jo vetëm organet ligjzbatuese.

Fildeze  Hafizi, 39 vjeç, u ekzekutua me dy plumba të enjten në Tiranë, ndërsa policia arrestoi si autorin e dyshuar të krimit, ish-bashkëshortin e gjyqtares, Fadil Kasemi, 53 vjeç. Kasemi ishte dënuar më herët nga gjykata për dhunë ndaj bashkëshortes, por duke përfituar nga një amnisti dhe ulje të tjera të dënimit ai u lirua vetwm 1 vit e 6 muaj pas arrestimit.

NDËRLIDHUR

Vrasja nga ish-bashkëshorti e Fildeze Hafizit, nënë e dy fëmijëve dhe gjyqtare në Shkodër u pasua me reagime të ashpra dhe zemërim publik. Një protestë me dhjetra qytetarë u mbajt para Ministrisë së Drejtësisë të hënën, ndërsa krimi ka rikthyer debatin mbi dhunën në familje, dënimet ndaj dhunuesve dhe reagimin e institucioneve që shihen si përgjegjëse për situatën.

Kështu megjithë dënimet e ashpra penale që u miratuan në vitin 2013 me porpozim të ish-ministrit të Drejtësisë Eduard Halimi, që institucionet thonë se zbatojnë në këto raste, numri i çështjeve të dhunës në familje vijoi të rritej çdo vit, sipas raportit vjetor  për krimin të Prokurorisë së Përgjithshme.

“Pavarësisht politikës së ashpër penale që ka ndjekur organi i prokurorisë, ku gjatë vitit 2016 janë dërguar për gjykim një numër i lartë procedimesh…., konstatohet një tendencë në rritje e veprës penale të dhunës në familje”, –thuhet në raportin vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme. I njëjti raport vë në dukje se mbi 90 për qind e atyre që ushtrojnë dhunë apo kryejnë krime të tjera në familje janë meshkuj.

Gati çdo muaj policia raporton krime të rënda në familje, ndërsa prej 18 vrasjesh që ndodhën në kryeqytet vitin që shkoi, 7 apo 38 për qind ishin sipas policisë së qarkut, krim brenda familjes pas konflikteve për xhelozi e të ngjashme. Në rang vendi, në vitin 2016 policia raportoi 17 viktima të dhunës në familje, ose 22.5 për qind e vrasjeve që u regjistruan.

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri vinte në dukje gjatë fillimit të këtij viti po ashtu se numri i vrasjeve dhe dhuna brenda familjes ishte e lartë dhe e thekson atë si një nga problemet kryesore për Policinë e Shtetit. “Ndërkohë që gati 75% të vrasjeve në vendin tonë, janë për 3 motive: motive familjare, motive të pronësisë, motive të dobëta”, tha ai gjatë analizës së punës së policisë për vitin që shkoi.

Zv/kryeprokurori i Krimeve të Rënda Genti Osmani i pyetur nga BIRN lidhur me efektet që solli në uljen e krimit në familje “Paketa Halimi” siç u pagëzuan ashpërsimi i kodit penal tha se fatkeqësisht impakti është shumë i vogël.

“…Qëllimi i dënimit është parandalimi i posaçëm (dënimi i autorit) dhe së dyti (parandalimi i përgjithshëm) që lidhet me sensibilizimin e shoqërisë për moskryerjen e këtyre veprave për shkak të sanksioneve të larta. Sa i përket parandalimit të posaçëm, çështjet janë lehtësisht të dokumentuara dhe dënimet pothuajsë në të gjitha rastet maksimale. Sa i përket parandalimit të përgjithshëm fatkeqësisht rezultatet nuk kanë qenë të pritshmet…”-thotë prokurori Osmani.

Për sa i përket forcimit të politikës penale në rastet e krimit në familje prokurori Osmani thotë se kuadri ligjor është i plotë madje me standarde të larta, por të vështira për tu aplikuar. “Masat që parashikon ligji janë të vështira për t’u aplikuar në realitetin shqiptar. Kemi raste kur bashkëshortët jetojnë në një apartament 50 m/2, si mund të aplikohet ndalimi për t’iu afruar 100 metra bashkëshortit tjetër…?”-pyet prokurori.

Sipas tij rrugët ligjore për këto probleme janë ezuaruar dhe se situata mund të përmirësohej vetëm nëse vihej theksi te “formimi kulturor”. “Ndoshta duhet një vlerësim më i kujdesshëm i rasteve në trajtimin e tyre nga agjencitë ligjzbatuese. [Por] vetëm rritja e formimit kulturor, ndërgjegjësimi që partnerja nuk është pronë private do të kishte impakt në uljen e masës së dhunës”, tha Osmani.

Ai theksoi se shihte në shoqërinë shqiptare “doza të forta maskiliste”. “Nuk pranohet lehtë nga bashkëshorti fakti që gruaja mund të kërkojë divorcin. Që në momentin e parë të lidhjes ajo konsiderohet si pronë e tij, mund të bëjë cfarë të dojë me të”, thotë ai.

Ndërkohë edhe në raportime të mëparshme të BIRN rreth këtij problemi, u zbuluan mangësi të ngjashme në disa prej qyteteve më të mëdha në vend. Kancelari i Gjykatës së Korçës Esmerald Xhafa i tha BIRN se në shumë raste, për shkak të mungesës së një sistemi mbrojtje për viktimat e dhunës, përshkallëzimi i dënimit nuk kishte efekt. “Në vetvete nuk është vetëm masa e dënimit që mund të rregullojë këtë problem, por duhet të krijohen institucione të caktuara, të cilat të merren edhe me studimin e rasteve dhe zgjidhjes së tyre,” tha Xhafa.

Po ashtu në Shkodër BIRN mësoi se pavarësisht urdhërave të mbrojtjes dhunuesve u lejohej të jetonin në të njëjtën banesë me viktimat e tyre, çka i kthente këto të fundit në viktima të përsëritura. Probleme të ngjashme kishte edhe në Berat, ku një pjesë e mirë e dhunës kalohej në heshtje.

Por nga  ana tjetër zv/kryeprokurori tjetër i Krimeve të Rënda Besnik Muçi i tha BIRN se edhe pse besonte ashtu si kolegu i tij se kuadri ligjor për rastet e dhunës dhe krimeve në familje e farefisnore ishte plotë, duhej një zbatim më i mirë i tij dhe politikë edhe më e ashpër penale “…nevojitet zbatimi i përpiktë i tij dhe ashpërsimi i politikës penale si nga prokuroria dhe gjykata. Jam i mendimit se masat e dënimit duhet të afrohen në maksimalet…” -tha Muçi.

Vetë ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, i cili hartoi paketën e ligjeve, ku ndër të tjera cilësoi krimin në familje si një krim të rëndë dhe që duhet të merte dënime maksimale, pranon se ndikimi në parandalim ka qenë i vogël.

“…paketa përfshinte dhe dhunën në familje për t’i dhënë një mesazh të fortë paralajmërues. Ajo nuk ishte recetë për të gjitha, pra që të parandalonte dhunën, por si politikan bëra atë që mendoj së është e duhura. Por nuk mjafton. Ndikimi është i vogël në parandalim…”-tha për BIRN deputeti i PD dhe ish-ministri Halimi.

Por sipas ish-ministrit Halimi sidoqoftë paketa penale dhe kalimi i këtyre çështjeve tek Krimet e Rënda ndikoi tek eleminimi i përsëritësve të dhunës në familje. “…dhe për këtë efekt, jam i bindur që bëmë mirë në atë kohë”, tha ai.

Protestë kundër dhunës ndaj grave | Foto nga : Loreta Cuka

Ish-ministri i Drejtësisë Halimi tha se për të përmirësuar situatën duhej një punë më e mirë monitoruese nga policia. “Zgjidhje mendoj është monitorimi i dhunuesve dhe i grave të dhunuara nga policia, duke përdorur mjete teknologjike. Unë gjykoj se monitorimi është zero. Kjo nuk çudit askënd në Shqipëri sepse kur nuk monitorojnë dot drogën mendo çështjet e tjera…”-thotë ai.

Por Genti Mullai këshilltari për median i Drejtorit të Policisë së Shtetit Haki Çako, i tha BIRN se policia i ndjek me seriozitet këto raste. “…çdo drejtori qarku ka seksionin e saj për dhunën ne familje, ku dhe ka numrin e nevojshëm të psikologëve. Me ekzekutimin e një urdhëri mbrojtjese merret direkt shefi i krimeve dhe specialisti i zonës, ku banon e dëmtuara ose i dëmtuari. Policia trajton çdo rast të dhunës në familje me seriozitet maksimal…”, -tha Mullai.

Nga ana tjetër zv/kryeprokurori i Krimeve të Rënda Genti Osmani thotë për BIRN se: “…një vlerësim më i saktë i “riskut”, të jenë në gjendje të përcaktojnë se deri ku mund të shkojë agravimi i situatës. Në këtë proces policia duhet të asistohet patjetër nga shërbimi social shtetëror, duhet patjetër një vlerësim psikologjik i rastit…”.

Nga ana tjetër zyrtarët vërejnë se numrat e denoncimeve nuk tregojnë gjithë të vërtetën rreth problemit. Në analizën vjetore të policisë për vitin që shkoi,  ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri vuri në dukje se përtej 3700 rasteve të dhunës në familje të denoncuara në polici, shqetësues ishte fakti se një pjesë e mirë e këtij krimi nuk denoncohej.

“Unë mendoj që ne jemi ende në fazën e zbulimit të dimensionit real të këtij problemi në shoqërinë tonë. Ka shumë raste të dhunës në familje që nuk denoncohen akoma. Ka shumë raste të dhunës në familje që njoftohen, por nuk ndiqen siç duhet”, tha ish-ministri i Brendshëm.

Statistikat nga INSTAT (Instituti i Statistikave) i japin atij të drejtë. Sipas të dhënave të INSTAT rreth 58% e vajzave dhe grave kanë pësuar një situatë dhune gjatë jetës së tyre.

Të njëjtën gjë vuri në dukje sociologia Marsida Simo e cila tha për BIRN se, duke analizuar të dhënat e INSTAT i rezulton që shumë gra e vajza të tjera nuk e kanë deklaruar dhunën prej frikës apo se e konsiderojnë normale.

“Disa gra e zgjidhin ose mundohen ta zgjidhin përmes personave të familjes me anë të marrëveshjeve ose kërcënimeve, por nuk përfundon pozitive. Denoncimi duket si hapi i fundit, por ndonjëherë është mëse i nevojshëm”-thotë sociologia Simo për BIRN.

Sipas saj për vite me radhë dhuna mes partnerëve në familje është konceptuar si problem privat, që duhet zgjidhur nga vetë partnerët ose me ndihmën e rrethit të ngushtë familjar, për të ruajtur imazhin e mirë të familjes.

Urdhrat e mbrojtjes në shifra rekord

Kërkesat e Urdhrave të Mbrojtjes të grave që i drejtohet gjykatës, çdo vit zënë numrin më të madh të çështjeve të regjistruara në gjykatën e Tiranës.

Vetëm në 7 mujorin e vitit 2017, kjo gjykatë ka shqyrtuar 453 dosje të tilla.

BIRN mëson se thuajse i përafërt është dhe numri i dosjes për akuzën e “Dhunës në familje”, që prokuroria ka dërguar në gjykatë për gjykim.

Në 7 mujorin e parë të 2017 prokuroria e Tiranës i tha BIRN se ka dërguar në gjykatë 447 dosje me tematikë dhunën në familje, ku numri i të pandehurve është më i lartë në krahasim me vitin 2016.

06 Shtator 2017 - 13:22

Elton Qyno, BIRN 06/09/2017 - 13:22
NDËRVEPRIMI7

Ashpërsimi i Dënimeve Nuk e Zmbrapsi Dhunën në Familje

by Kallxo
NA NDIQNI

Send this to a friend